Vrasja e Gjon Pagëzorit
(Mk 6.14-29Lk 9.7-9)
1 Atëherë Herod Tetrarku dëgjoi për Jezuin 2 e u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». 3 Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet, 4 sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua». 5 Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet. 6 Por kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit 7 aq shumë, sa i premtoi me betim t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. 8 Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit». 9 Mbretit i erdhi keq, por, për shkak të betimit dhe të të ftuarve, urdhëroi t'ia jepnin. 10 Ai dërgoi dikë që ia preu kokën Gjonit në burg. 11 Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës. 12 Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mk 6.30-44Lk 9.10-17Gjn 6.1-14)
13 Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. 14 Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre. 15 Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë e tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim». 16 Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë». 17 Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete». 18 Jezui tha: «M'i sillni këtu». 19 Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave. 20 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta. 21 Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve.
Ecja mbi ujë
(Mk 6.45-52Gjn 6.15-21)
22 Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat. 23 Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t'u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm, 24 ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, se era ishte kundër. 25 Në agim , Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen. 26 Por kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika. 27 Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 28 Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë». 29 Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë e shkoi te Jezui, 30 por kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!». 31 Menjëherë, Jezui zgjati dorën, e kapi e i tha: «Përse dyshove, o besimpakët?». 32 Kur hipën në varkë, era pushoi. 33 Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë e i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë».
Shërimi në Gjenesaret
(Mk 6.53-56)
34 Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit. 35 Kur e njohën, njerëzit e atij vendi çuan fjalë në të gjithë krahinën përreth, i sollën të gjithë të sëmurët 36 e iu lutën që të mund t'i preknin vetëm cepin e gunës. Kështu, ata që e prekën, u shëruan.
KAPTINA XIV.
1 Nd’atë kohë Herodi katër-urdhënsi ndëgjoi zanin’ e Iesuit,
2 edhe u tha shërbëtorëvet vet: Kyi ashtë Gjionn Pagëzori; ai ashtë ngjallë prei së vdekunish, edhe përandai punohenë mërekullia prei ati.
3 Sepse Herodi zuni Gjionnin’ edhe e lidhi, edhe e vuni ndë burk për Herodiadënë gruen’ e Filippit të vëllait vet.
4 Sepse Gjionni i thoshte, se : Nuk asht’ e udhësë me pasunë ti atë.
5 Edhe donte me e vramë, por dronte gjindëjenë, sepse e kishinë për profet.
6 Edhe kur qenë për me u festuem ditt’ e të lemit Herodit, e bija Herodiadësë karceu ndë miedis, edhe i pëlqeu Herodit.
7 Përandai iu zotue asai me be, me i dhanë qish të lypi.
8 Edhe ajo mbassi qe mësuem prei s’amësë vet, thotë: Nem mue kryet’ e Gjionn Pagëzorit këtu mbë kupët.
9 Edhe mbëreti u idhënue, por për bet qi bani, edhe për ata qi ishinë ndenjunë bashkë me atë, urdhënoi me u dhanë.
10 Edhe dërgoi, e i preu kryetë Gjionnit ndë burk.
11 Edhe kryet’ e Gjionnit u pru mbë kupët, e iu dha vaizësë; edhe ajo ia pruni s’amësë vet.
12 Edhe dishepujt’ e ati erthnë, e ngritnë korpinë, edhe e vorruenë; mbasandai erthnë, e i dhanë za Iesuit.
13 Edhe Iesui kur ndëgjoi, iku prei andej me lundër mbë nji vend të shkretë veç-anë; edhe gjindëja kur ndëgjuenë, e muerrnë mbrapa mbë kambë prei qytetevet.
14 Edhe Iesui kur duel, pa shumë gjindëje, edhe iu dhimpt për ata, edhe shëndoshi të sëmunët’ e atyneve.
15 Edhe si u ngrys, i erthnë përanë dishepujt’ e ati, e thanë, se: Vendi asht’ i shkretë, edhe koha tashti ka kaluem; lisho gjindëjenë me votunë ndëpër katundet, për me blemë të ngrana për vetëvetëhenë.
16 Por Iesui u tha atyneve: S’kanë nevojë me votunë, ipni ju atyneve me ngranë.
17 Edhe ata i thonë: S’kena këtu veç pesë bukë, edhe dy peshq.
18 Edhe ai tha: Bini mue ato këtu.
19 Edhe urdhënoi gjindëjenë me ndenjunë përmbi barënat; edhe muer pesë bukëtë, e dy peshqitë, edhe çoi sytë përpietë ndë qiell, e bekoi; edhe mbassi i theu, u dha bukëtë dishepujvet, edhe dishepujtë gjindëjesë.
20 Edhe hangrën të gjithë, e u nginë, edhe ngritnë tepëricën’ e copavet, dy-mbë-dhetë kosha plot.
21 Edhe ata qi hangrën ishin’ afër pesë mijë burra, veç gravet, e çunavet vogjilë.
22 Edhe Iesui përnjiherë nguti dishepujt’ e vet me hymë ndë lundrët, e me shkuem përtej ma përpara se ai, deri sa të lishojë gjindëjenë.
23 Edhe ai lishoi gjindëjenë, hipi ndë malt veç-anë për me u falunë; edhe si u ngrys, ishte vetëm’ atie.
24 Edhe lundra tashti ishte ndë miedis të detit, tue u përpiekunë prei valësh, sepse era ishte kundrë.
25 Edhe mbë të katërtënë rueitien’ e natësë Iesui voti tek ata, tue ecunë përmbi det.
26 Edhe dishepujtë kur pan’ atë tue ecunë përmbi det, u përzien’ e thanë, se: Ashtë hije; edhe prei frikësë bërtitnë.
27 Por Iesui përnjiherë u foli atyneve, tue thanë: Kini zemërë, unë jam; mos u frikoni.
28 Edhe Pietri u përgjeq, e i tha: Zot, ndë je ti, urdhënomë me ardhunë te ti mbi ujënat.
29 Edhe ai tha: Eja. Edhe Pietri sdrypi prei lundrësë, e eci mbi ujënat, për me ardhunë te Iesui.
30 Por kur pa erënë të fortë, u frikue; edhe si filloi me u zhytunë bërtiti, tue thanë: Zot, shpëtomë.
31 Edhe Iesui përnjiherë shtrini dorën’, edhe e kapi, edhe i tha: O besë-pak, mbë çë se qe me dy mendesh?
32 Edhe ata si hynë ndë lundrët, pushoi era.
33 Edhe ata qi ishinë ndë lundrët erthnë, edhe e adhuruenë, tue thanë: Për të vërtet je Bir Perëndie.
34 Edhe si shkuenë përtej, erthnë ndë dhet Gennisaret.
35 Edhe nierëzit’ e ati vendi kur e ngjoftnë, dërguenë ndëpër gjith’ atë nahije, edhe i prunë ata qi kishinë keq.
36 Edhe i luteshinë, veç me prekunë shqepin’ e petkut ati; edhe sa vetë e preknë, u shëndoshnë.