Profeti dhe vendlindja
(Mt 13.53-58Lk 4.16-30)
1 Si iku që andej, Jezui shkoi në vendlindjen e tij dhe dishepujt i shkuan pas. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë njerëzit në sinagogë e shumë nga ata që e dëgjonin mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vijnë këto gjëra? Ç'është kjo dituri që i është dhënë e këto mrekulli që bëhen prej duarve të tij? 3 A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë edhe motrat e tij këtu te ne?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. 4 Por Jezui u tha: «Asnjë profet nuk përçmohet askund, përveçse në vendlindjen e tij, te të afërmit e tij e në shtëpinë e tij». 5 Dhe atje nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të sëmurë, duke vënë duart mbi ta. 6 Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre.
Dërgimi i të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1, Mt 5-15Lk 9.1-6)
Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit. 7 Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë 8 e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez, 9 por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika. 10 Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty. 11 E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t'ju pranojnë e nuk do t'ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për ta ».
12 Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin 13 si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin.
Vrasja e Gjon Pagëzorit
(Mt 14.1-12Lk 9.7-9)
14 Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur e disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». 15 Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë». 16 Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i preva kokën dhe është ngjallur». 17 Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz për ta kapur Gjonin, për ta lidhur e për ta futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar. 18 Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd». 19 Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20 se Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë e të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje.
21 Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë. 22 Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap». 23 Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!». 24 Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit». 25 Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë». 26 Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve. 27 Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg, 28 pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës.
29 Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21Lk 9.10-17Gjn 6.1-14)
30 Apostujt u mblodhën pranë Jezuit e i treguan për gjithçka kishin bërë e u kishin mësuar njerëzve. 31 Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin. 32 Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm. 33 Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre .
34 Ndërsa po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, se ishin si delet pa bari. Atëherë filloi t'u mësonte shumë gjëra. 35 Tashmë ishte bërë vonë, prandaj dishepujt iu afruan e i thanë: «Vendi është i shkretë e është bërë vonë. 36 Lëri të shkojnë nëpër fushat e fshatrat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë!». 37 Ai u përgjigj: «Jepuni ju të hanë!». Ata i thanë: «A të shkojmë të blejmë dyqind denarë bukë, që t'u japim për të ngrënë?». 38 Jezui u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shikoni». Ata e dinin, prandaj i thanë: «Pesë bukë e dy peshq». 39 Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t'i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër. 40 Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë. 41 Pasi mori pesë bukët e dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët e ua dha dishepujve të vet, që t'i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve. 42 Të gjithë hëngrën e u ngopën 43 dhe mblodhën copat që tepruan, aq sa u mbushën dymbëdhjetë shporta, bashkë me çka teproi nga peshqit.
44 Ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra.
Ecja mbi ujë
(Mt 14.22-33Gjn 6.15-21)
45 Menjëherë Jezui i urdhëroi dishepujt të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, nga ana e Betsaidës, derisa ai të shpërndante turmën. 46 Si u nda prej tyre, shkoi në mal për t'u lutur.
47 Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të liqenit dhe ai gjendej i vetëm në breg. 48 Jezui pa se dishepujt ishin lodhur duke vozitur, se kishin erën kundër dhe, në të gdhirë , erdhi drejt tyre duke ecur mbi liqen e donte t'i kalonte. 49 Kur e panë duke ecur mbi liqen, menduan se ishte fantazmë e bërtitën, 50 sepse të gjithë e kishin parë e ishin trembur. Por menjëherë ai u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 51 Pastaj hipi në varkë tek ata dhe era pushoi. Ata u çuditën së tepërmi.
52 Nuk kishin kuptuar asgjë për bukët, se zemra e tyre ishte ngurtësuar.
Shërimi në Gjenesaret
(Mt 14.34-36)
53 Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe lidhën varkën. 54 Sapo dolën nga varka, njerëzit e njohën menjëherë Jezuin 55 dhe vrapuan nëpër gjithë atë krahinë e filluan të mbartnin të sëmurët në vigje e t'ia sillnin kudo që merrnin vesh se ishte. 56 Kudo që hynte, në fshatra, në qytete a nëpër ara, vendosnin të sëmurët nëpër sheshe e i luteshin t'i preknin së paku cepin e gunës. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.
KAPTINA VI.
1 Mbasandai dul prei andej, ende erdhi ndë dhet të vet; ende dishepujt’ e ati e marrinë mbrapa.
2 Ende kur erdhi e shëtuna, filloi me mësumë ndë synagogoët; ende shumë vetë kur ndëgjojinë, mërekulloheshin’, e thoshinë: Prei kah i erthnë këti këto? Ende qish ashtë këjo dituni qi iu ka dhanë këti, sepse ende të këtilla mërekullia bahenë prei durësh ati?
3 Nuk’ ashtë kyi ai qi ndërton, i bir’ i Marisë, e i vëllai Iakobit, e i Ioseut, e i Iudës’, e i Simonit? Ende nukë janë të motërat’ e ati këtu ndër ne? Ende shkandalizoheshinë mb’ate.
4 Po Iesui u thoshte atyne, se: Nuk’ ashtë profet i pandershim gjeti , veç ndë dhet të vet, ende ndër nierëzit e vet, ende ndë shtëpit të vet.
5 Ende s’mundei me bam’ atie as ndonji mërekulli, veç mbë pak të sëmunë vuni durët mbi ata, e i shëndoshi.
6 Ende mërekullohei për pa-besënin’ e atyne. Ende shkonte rreth katundevet tue mësumë.
7 Ende thirri për-anë të dy-mbë-dhitëtë, ende filloi me i dërgumë dy nga dy; ende u epte atyne urdhënë mbi shpirtënat e ndytë;
8 ende i porositi mos me bartunë asgja mb’udhë, veç nji shkop vetëmë; as straicë, as bukë, as rame ndë brest,
9 po të jenë mbathunë me shollëza, ende të mos veshinë dy palë petka.
10 Ende u thoshte atyne: Mbë ç’shtëpi qi të hyni, mbetni atie ngjer sa të dilni andej.
11 Ende sa vetë të mos u presinë juve, as të mos u ndëgjojnë juve, kur të dilni prei andej, shkundni pluhurin’ e rëposh kambëvet tuja për deshmi mb’ata. Me të vërtet po u thom juve, se : Ma i durushim ka me qenë mundimi ndë Sodomë a ndë Gomorë ndë ditë të gjyqit, se mb’atë qytet.
12 Ende ata dulnë, e predikojinë qi të pendohenë.
13 Ende nxirinë shumë diaj, ende lyjinë me voj shumë të sëmunë, ende i shëndoshshinë.
14 Ende mbëret Herodi ndëgjoi për atë (sepse emëni i ati kishte dalë për faqe:), ende thoshte, se: Gjionni qi pagëzonte u ngjall prei së vdekunish, ende përandai punohenë këto mërekullia prei ati.
15 Të tierë thoshinë, se: Asht’ Elia. Ende të tierë thoshinë, se: Ashtë profet, a posi nji prei profetënish.
16 Po Herodi kur ndëgjoi, tha, se: Kyi asht’ ai Gjionni, qi e preva unë; ai ashtë ngjallë prei së vdekunish.
17 Sepse ai Herodi dërgoi, e zuni Gjionnin’ ende e lidhi ndë burk, për Herodiadënë grun’ e Filippit të vëllait vet, sepse e kishte marrë për gru.
18 Sepse Gjionni i thoshte Herodit, se: Nuk’ asht’ e udhësë me pasunë ti grun’ e t’yt vëlla.
19 Andai Herodiada e kishte mëni, ende donte me e vramë; po nukë mundei.
20 Sepse Herodi e kishte frikë Gjionninë, tue ditun’ ate për nieri të dreitë ende shenjt, ende e runte; ende ai kur ndëgjoi ate, bani shumë punë , ende i ndëgjonte me gëzim.
21 Ende kur erdhi nji dit’ e mbarë, qi bante gosti Herodi për ditt e të lemit vet mbë të mëdhejt, e mbë kapidanat, e mbë të parët e Galilesë;
22 ende atëherë hyni e bija asai Herodiadës’ e karceu, ende i pëlqeu Herodit, ende atyneve qi ishinë ndenjunë bashkë ndë mësallë, ende mbëreti i tha vajëzësë: Lyp-më qish të dushë, ende kam me ta dhanë.
23 Ende i bani be asai, se: Ate qi të më lypish, kam me ta dhanë, ngjer mbë gjymsën’ e mbëretënisë s’eme.
24 Ende ajo dul’ e i tha s’amësë: Qish të lypi? Ende ajo tha: Kryet’ e Gjionn pagëzorit.
25 Ende ajo hyni përnjiherë me nxitim ke mbëreti, e lypi, tue thanë: Du të më apish përnjiherë mbë kupët kryet’ e Gjionn pagëzorit.
26 Ende mbëreti u idhënu; po për bet qi bani , ende për ata qi ishinë ndenjunë bashkë ndë mësallë, nukë deshi me ia hedhunë poshtë të zotumitë.
27 Ende mbëreti përnjiherë dërgoi nji trim, e urdhënoi me u prumë kryet’ e ati;
28 ende ai voiti, e i preu kryetë ndë burk, ende pruni kryet’ e ati mbë kupët, ende ia dha vajëzësë; ende vajëza ia dha s’amësë vet.
29 Ende dishepujt’ e ati kur ndëgjunë, erthnë, ende ngritnë korpin’ e ati, ende e vunë ndë vorrt.
30 Ende apostujtë mbëlidhenë ke Iesui, ende i dhanë za për të gjitha, ende sa banë, ende sa mësunë.
31 Ende ai u thot’ atyne: Eni ju vetë veç-anë ndë vend të shkretë, ende prahi pak, sepse ata qi vijin’ e shkojin’ ishinë shumë vetë, ende s’kishinë kohë as për me ngranë.
32 Ende ata shkunë me lundrënë ndë nji vend të shkretë veç-anë.
33 Ende gjindëja pan’ ata tue shkumë, ende shumë vetë e ngjoftnë, ende u lishunë prei gjithë qytetesh, e voitnë atie kambë, ende e mbërrin’ atie ma përpara se ata, ende u mbëlothnë ke ai.
34 Ende Iesui kur dul, pa shumë gjindëje, ende iu dhimptnë, sepse ishinë posi dhentë qi s’kanë bari, ende filloi me i mësumë shumë.
35 Ende ndashti mbassi kishte shkumë shumë kohë, dishepujt’ e vet afrohen’ e i thonë, se: Vendi asht’ i shkretë, ende ndashti koha ka shkumë shumë.
36 Lisho ata, qi të shkojnë rreth aravet e katundevet, me blemë bukë për vetëhen’ e atyneve, sepse s’kanë se qish të hanë.
37 Po ai u përgjeq, e u tha atyne: Epni ju atyneve me ngranë. Ende ata i thonë: Të shkojm’ e të blejmë dy qind dinarë bukë, ende t’u apim’ atyne me ngranë?
38 Ende ai u thot’ atyne: Sa bukë keni? Shkoni e shifni. Ende si voitnë e panë, i thanë: Pesë, ende dy peshq.
39 Ende ai urdhënoi ata me u ulunë të gjithë përmbi bar të ngjomë, e me ndenjunë tufa tufa.
40 Ende ata ndejtnë rreth e rreth, kah nji qind, e kah pesë-dhitë.
41 Ende ai si mur pesë bukët’ ende dy peshqitë, shtiu sytë ndë qill, e bekoi, ende theu bukët’, e ua dha dishepujtvet vet për me i vumë përpara atyneve; ende u dau të gjithëve dy peshqitë.
42 Ende të gjithë hangrën, ende u nginë.
43 Ende ngritnë dy-mbë-dhitë kosha plot me copa, ende me peshqit.
44 Ende ata qi hangrën bukët’ ishin afërë pesë mijë burra.
45 Ende përnjiherë nguti dishepujt’ e vet me hymë ndë lundrët, ende me shkumë përpara për-mb’-at’-anë ndë Bethsaida, ngjer sa të lishonte ai gjindëjenë.
46 Ende si i lishoi, shkoi ndë malt për me u falunë.
47 Ende si u ngrys, lundra ishte ndë miedis të detit, ende ai vetëmë mbi tokë.
48 Ende pa ata tue u mundumë mbë të vozitunit, sepse era ishte kundrë atyneve; ende mbë të katrëtënë ruitien’ e natësë vien ke ata, tue ecunë mbi det, ende deshi me i kapërcymë.
49 Po ata kur pan’ ate tue ecunë mbi det, kujtunë se ashtë hije, ende gërthitnë,
50 sepse të gjith’ e panë, ende u përzinë. Ende përnjiherë foli bashkë me ata, e u tha atyne: Kini zemërë, unë jam, mos u frikoni.
51 Ende hypi ndë lundrët ke ata, ende pushoi era; ende habiteshinë fort tepërë me vetëvetëhenë, ende mërekulloheshinë.
52 Sepse nuk’ e murnë vesht prei bukëvet, sepse zemëra e atyneve ishte ashpërumë.
53 Ende si kapërcynë, erthnë ndë dhet të Gennesaret, ende shtinë hekur ndë lima.
54 Ende ata kur dulnë prei lundrëzë, përnjiherë e ngjoftnë,
55 ende u turrën ndëpër gjith’ ato anë, e fillunë me prumë mbi shtratëna ata qi kishinë keq, aty ku ndëgjojinë se ashtë.
56 Ende kudo qi hynte ndëpër katunde, a ndër qytete, a ndër ara vejinë të sëmunëtë ndëpër tregjet, ende i luteshinë të prekinë vetëmë sqepin’ e peykut ati; ende gjithë sa e prekshinë, shëndosheshinë.