Vetëm Krishtin e kryqëzuar
1 Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju për t'ju shpallur shestimin e fshehtë të Perëndisë, nuk erdha me fjalë të mëdha apo me urti të madhe. 2 Sepse e gjykova të drejtë që të mos ju mësoja asgjë tjetër, përveç Jezu Krishtit dhe madje, Jezu Krishtit të kryqëzuar.
3 Prandaj erdha te ju me dobësi, me frikë dhe me tmerr. 4 Fjalët e mia dhe predikimi im nuk u mbështetën në fjalë bindëse plot urti, por në dëftimin e Shpirtit dhe të fuqisë së Perëndisë, 5 që besimi juaj të mos mbështetet në urtinë njerëzore, por në fuqinë e Perëndisë.
Zbulesa nga Shpirti i shenjtë
6 Megjithatë ne u flasim për urti atyre që janë të pjekur shpirtërisht, por jo për urtinë e kësaj epoke e as për urtinë e prijësve të kësaj bote që shkojnë drejt shkatërrimit. 7 Ne flasim për urtinë e shestimit të Perëndisë, të fshehur për njerëzit, por që ai e kishte paracaktuar përpara kësaj jete, që ne të marrim pjesë në lavdinë e tij. 8 Asnjë nga prijësit e kësaj bote nuk e ka njohur këtë urti, sepse po ta njihnin, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. 9 Por, siç është shkruar:
ato gjëra
që syri nuk i pa
e veshi nuk i dëgjoi
dhe që nuk hynë
në zemrën e njeriut,
Perëndia i ka përgatitur
për ata që e duan.
10 Ndërsa neve Perëndia na i zbuloi nëpërmjet Shpirtit, sepse Shpirti shqyrton gjithçka, madje edhe vetë thellësitë e Perëndisë. 11 Kush i njeh të fshehtat e njeriut, përveç shpirtit të tij? Po kështu edhe të fshehtat e Perëndisë nuk i njeh askush, përveç Shpirtit të Perëndisë. 12 Ne nuk kemi marrë shpirtin e kësaj bote, por Shpirtin që vjen nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar prej tij.
13 Këto që themi, nuk i kemi nga fjalë të mësuara me urti njerëzore, por nga fjalë të mësuara prej Shpirtit, duke ua shtjelluar gjërat shpirtërore atyre që kanë marrë Shpirtin e shenjtë. 14 Njeriu që nuk e ka marrë Shpirtin e shenjtë , nuk i pranon të vërtetat e Shpirtit të Perëndisë. I duken marrëzi e nuk mund t'i kuptojë, sepse ato duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore. 15 Ndërsa njeriu që e ka marrë Shpirtin e shenjtë, kupton gjithçka e askush nuk mund ta kuptojë gjykimin e tij,
16 sepse, kush i njohu mendimet e Zotit,
që t'i japë mend atij?
Por ne kemi mendjen e Krishtit.
KAPTINA II.
1 Edhe unë, o vëllazën, kur erdha te ju, nuk’ erdha me naltësinë fjale a ditunie, për me u diftuem juve deshmin’ e Perëndisë.
2 Sepse e pashë me udhë mos me ditun’ asgja ndër ju, veçe Iesu Krishtinë, edhe këte të kryqëzuem.
3 Edhe un’ erdha te ju me dobësinë, e me frikë, e me shumë drithtim;
4 edhe fjala eme e predikimi em nuk’ u ba me fjalë të mbushëmeje mendienë prei ditunisë nierëzëvet, por me të diftuem Shpirti e fuqie,
5 qi të mos jetë besa juei prei ditunisë nierëzëvet, por prei fuqisë Perëndisë.
6 Edhe flasimë dituni ndër ata qi janë të thieshtë, por jo dituni të kësai jete, as të urdhënarëvet kësai jete, qi janë prishunë,
7 por flasimë dituni Perëndie me mpshefësinë, ate ditunin’ e mpshefëtë, qi urdhënoi Perëndia përpara jetëvet për laftinë t’anë,
8 të cillënë nuk’ e ngjofi ndonji prei urdhënarëvet kësai jete, sepse ndë e kishinë pasë ngjofunë, nukë do të kishinë kryqëzuem Zotin’ e laftit,
9 por, sikurse ashtë shkruem: “Ato qi s’i pa sy, e s’i ndëgjoi vesh, e s’hynë ndë zemërë të nieriut, të cillatë Perëndia i bani gati për ata qi e duenë”.
10 Por Perëndia na i sbuloi neve me anë të Shpirtit vet, sepse Shpirti shikon të gjitha, edhe të thellat’ e Perëndisë.
11 Sepse cilli prei nierëzish ngjef punët’ e nieriut, përveç shpirtit nieriut qi ashtë nd’ate? Kështu edhe punët’ e Perëndisë askushi s’i ngjef, përveç Shpirtit Perëndisë.
12 Edhe na s’kemi marrë shpirtin’ e botësë, por Shpirtinë qi ashtë prei Perëndisë, për me ngjofun’ ato dhunëtitë qi u dhanë mbë ne prei Perëndisë.
13 Për ato edhe flasimë jo me fjalë të mësueme prei ditunie nierëzish, por me fjalë të mësueme prei Shpirtit Shenjt, tue vumë nji për nji punë shpirtënishte me punë shpirtënishte.
14 Por nieriu si shtazë nukë pret punët’ e Shpirtit Perëndisë, sepse janë marri për ate, edhe nukë mundetë me i ngjofunë, sepse ato gjukohenë shpirtënisht.
15 Por nieriu i shpirtit i gjukon të gjitha, e ai nukë gjukohetë as prei ndonjianit.
16 Sepse “Cilli ngjofi mendien’ e Zotit, qi të mësojë ate?”, por na kemi mendien’ e Krishtit.