Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12Lk 3.1-9, Lk 15-17Gjn 1.19-28)
1 Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. 2 Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isai:
ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim
përpara teje,
që të përgatisë udhën tënde.
3 Ai është zëri
që thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4 Gjon Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. 5 Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai e pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre. 6 Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve e hante karkaleca e mjaltë të egër. 7 Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t'i zgjidhur lidhëset e sandaleve. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mt 3.13-17Lk 3.21-22)
9 Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. 10 Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin si një pëllumb duke zbritur mbi të. 11 Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».
Tundimi i Jezuit
(Mt 4.1-11Lk 4.1-13)
12 Menjëherë Shpirti e çoi Jezuin në shkretëtirë. 13 Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.
Shërbesa në Galile
(Mt 4.12-17Lk 4.14-15)
14 Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë 15 e thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni e besoni në ungjill».
Thirrja e katër peshkatarëve
(Mt 4.18-22Lk 5.1-11)
16 Ndërsa kalonte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa Simonin e Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. 17 Jezui u tha: «Ejani pas meje e unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». 18 Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. 19 Pak më tutje Jezui pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në varkë duke arnuar rrjetat 20 dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët e shkuan pas tij.
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Lk 4.31-37)
21 Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. 22 Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. 23 Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë 24 që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». 25 Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». 26 Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. 27 Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden».
28 E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.
Shërimi i shumë njerëzve
(Mt 8.14-17Lk 4.38-41)
29 Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. 30 Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit që dergjej në shtrat me ethe. 31 Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet e filloi t'u shërbente.
32 Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. 33 I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. 34 Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme e dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte.
Predikimi i ungjillit
(Lk 4.42-44)
35 Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t'u lutur. 36 Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, 37 e gjetën e i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë». 38 Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». 39 Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre e duke dëbuar djajtë.
Pastrimi i të lebrosurit
(Mt 8.1-4Lk 5.12-16)
40 Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh». 41 Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». 42 Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua. 43 Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: 44 «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». 45 Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë.
KAPTINA I.
1 Të fillumit’ e ungjillit Iesu Krishtit, të Birit Perëndisë;
2 sikurse ashtë shkrumë ndë profetënit: “Ngje unë ke po dërgoj engjullinë t’em përpara faqesë s’ate, ai ka me ndrequn’ udhënë tande përpara teje”.
3 Zan’ i ati qi gërthet ndë shkretinët: “Bani gati udhën’ e Zotit, bani rrugat’ e ati të dreita”.
4 Gjionni ishte tue pagëzumë ndë shkretinët, ende tue predikumë pagëzim pendimi për ndëjesën’ e fajevet.
5 Ende gjithë vendi i Iudesë, ende Ierusalemitëtë, dilinë ke ai, ende të gjithë pagëzoheshinë prei ati ndë lum të Iordanit, tue rrëfymë fajet’ e veta.
6 Ende Gionni ishte veshunë me qime kamille, ende ngjeshunë me bres likure për miedis të vet, ende hante karcaleca e mialtë të egër.
7 Ende predikonte, tue thanë: Mbrapa meje vien ma i forti se unë, të cillit s’jam i zoti t’ulem, e t’i sgjith rrypin’ e këpucëvet.
8 Un’u pagëzova juve me ujë, po ai ka me u pagëzumë juve me Shpirtinë Shenjt.
9 Ende nd’ato ditt, Iesui erdhi prei Nazaretit Galilesë, ende u pagëzu prei Gjionnit ndë Iordan.
10 Ende përnjiherë tue dalë prei ujit, pa qijetë hapun’, ende Shpirtinë Shenjt posi pullump tue sdripunë mbi atë.
11 Ende erdhi nji za prei qijesh, tue thanë : Ti je Biri em i dashuni, mbë të cillinë pëlqeva.
12 Ende përnjiherë Shpirti e nxir ndë shkretinët.
13 Ende ishte atie ndë shkretinët katër-ditë ditt tue u ngamë prei Satanait; ende ishte bashkë me bishat e egra; ende engjujt’ i shërbejinë.
14 Ende Gjionni mbassi u dha ndër durë, Iesui erdhi ndë Galile, tue predikum’ ungjillin’ e mbëretënisë Perëndisë,
15 e tue thanë, se: U mbush koha, ende u afru mbëretënia e Perëndisë; pendohi, ende i besoni ungjillit.
16 Ende tue ecunë ndaj detin’ e Galilesë, pa Simonin’ ende Andrenë të vëllan’ e ati, tue hedhunë rretë ndë det, sepse ishinë peshkatorë.
17 Ende Iesui u tha atyne: Eni mbrapa meje, ende kam me u bamë juve të baheni peshkatorë nierëzish.
18 Ende ata përnjiherë lanë rretat’ e veta, e voitnë mbrapa ati.
19 Ende posa prini prei andyi pak ma tej , pa Iakobinë të birin’ e Zebedeut, ende Gionninë të vëllan’ e ati, ende ata ishinë ndë lundrët tue ndrequnë rretatë.
20 Ende përnjiherë thirri ata; ende ata lanë të i atin’ e vet Zebedenë ndë lundrët bashkë me punëtorët, e voitnë mbrapa ati.
21 Ende shkojnë mbrenda ndë Kapernaum; ende Iesui përnjiherë ndër të shëtunat hyni ndë synagogët, e mësonte.
22 Ende tëmeroheshinë për mësimin’ e ati, sepse ishte tue mësum’ ata sikurse me pasun’ urdhënë, ende jo posi Shkruisitë.
23 Ende ishte ndë synagogët t’atyne nji nieri qi kishte shpirt të ndytë; ende gërthiti,
24 tue thanë: Mjer! Qish ke me ne ende ti Iesu Nazarinas? Erdhe me na humbunë? Të dij cilli je, Shenjt’ i Perëndisë.
25 Po Iesui e qirtoi, tue thanë: Mbëshil gojën’, ende dil prei ati.
26 Ende shpirti i ndytë si e shqeu, ende gërthiti me za të math, dul prei ati.
27 Ende të gjithë u habitnë, kaqi sa pysinë njiani tietrinë, tue thanë: Qish ashtë këto punë? Qish ashtë kyi mësim i ri? Sepse urdhënon me pushtet ende shpirtënat’ e ndytë, ende i ndëgjojnë?
28 Ende përnjiherë i dul zani ndëpër gjith’ ate vend rreth Galilesë.
29 Ende përnjiherë si dulnë prei synagogësë, erthnë ndë shtëpit të Simonit ende Andreut, bashkë me Iakobin’ e me Gjionninë.
30 Ende e vieherra e Simonit po dirgjei ndër ethe, ende ata përnjiherë i thonë për ate.
31 Ende ai u afru, ende e rroku për dore, ende e ngriti; ende e lan’ ethetë përnjiherë, ende ajo u shërbente atyne.
32 Ende si u ba vonë, mbë të perëndumit dillit, prunë ke ai gjith’ ata qi kishinë keq, ende të diallosunitë.
33 Ende gjithë qyteti ishte mbëledhunë ke dera.
34 Ende ai shëndoshi shumë prei asish qi kishinë keq prei gjithë çfarë sëmundëjesh, ende nxur shumë diaj, ende s’linte diajtë me folunë, sepse e ngjifinë.
35 Ende u ngrit me natie fort heret, e dul, ende voiti ndë nji vend të shkretë, e falei atie.
36 Ende Simoni, ende ata qi ishinë bashkë me ate, e ndoqnë mbrapa.
37 Ende kur e gjetnë, i thonë, se: Të gjithë po të kërkojnë.
38 Ende ai u thot’ atyne: Le të shkojmë ndër krye-katundet e afërme, qi të predikoj ende atie, sepse për këte punë kam dalunë.
39 Ende ishte tue predikumë ndëpër synagogat e atyneve ndëpër gjithë Galilenë, ende tue nxierrë diajtë.
40 Ende nji i kromosunë vien ke ai, e i lutetë, ende bie ndë gjunjë përpara ati, e i thotë, se: Ndë daç, mundesh me më qirumë.
41 Ende Iesuit si iu dhimpt, shtrini dorën’ ende e preku, ende i thotë: Du, qirohu.
42 Ende ai posa tha këte , përnjiherë i shkoi kroma, ende u qiru;
43 ende si e porositi me shtrëngim, e nxur jashtë;
44 ende i thotë: Shiko mos i thush gja askuit, po shko, e difto vetëvetëhenë ke prifti, ende bier për të qirumit tand ato qi ka urdhënumë Moiseu, për dëshmi mb’ ata.
45 Po ai si dul, filloi me predikumë shumë, ende me hapunë fjalënë kaqi, sa ai s’mundei ma me hymë mballa-faqe ndë qytet, po ishte ndëpër vende të shkreta, ende vijin’ atie ke ai prei gjith’ anësh.