Vejusha dhe gjykatësi
1 Pastaj Jezui u tha një shëmbëlltyrë për t'u treguar se duhet të luten gjithmonë, pa hequr dorë.
2 Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit. 3 Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”. 4 Për njëfarë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit, 5 meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t'ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur pareshtur, do të më bëjë ta humb durimin”».
6 E Zoti tha: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë. 7 Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t'i ndihmojë? 8 Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?».
Fariseu dhe tagrambledhësi
9 Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 10 «Dy njerëz shkuan për t'u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës. 12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia”. 13 Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”.
14 Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet».
Bekimi i fëmijëve
(Mt 19.13-15Mk 10.13-16)
15 Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t'i prekte, por kur i shihnin, dishepujt i ndalonin. 16 Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. 17 Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».
Njeriu i pasur
(Mt 19.16-30Mk 10.17-31)
18 Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». 19 Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. 20 Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde! ». 21 Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». 22 Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 23 Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.
24 Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! 25 Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 26 Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 27 Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».
28 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje». 29 Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë, 30 nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mt 20.17-19Mk 10.32-34)
31 Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet. 32 Ai do t'u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë 33 dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet». 34 Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.
Shërimi i lypësit të verbër
(Mt 20.29-34Mk 10.46-52)
35 Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte. 36 Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte. 37 Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit». 38 Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 39 Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 40 Jezui ndaloi e urdhëroi t'i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti: 41 «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!». 42 Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi». 43 Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë.
KAPTINA XVIII.
1 U thoshte atyne edhe nji parabullë, se duhetë me u falunë përherë, edhe mos me u lodhunë,
2 tue thanë: Ishte nji gjyqtar ndë nji qytet qi s’kishte frikë Perëndinë, edhe s’kishte turp nierinë.
3 Ishte edhe nji e ve nd’ate qytet, edhe vinte tek ai, tue thanë: Banmë gjykime qi kam me kundrë-gjyqësinë.
4 Edhe ai për shumë kohë nukë donte, por mbasandai tha me vetëvetëhenë: Por edhe ndë qoftë se s’kam frikë Perëndinë, edhe s’kam turp nierinë,
5 pak së paku sepse ajo grueja e ve më gulçon, le t’ia baj gjyqinë, qi të mos vijë përherë me më munduem.
6 Edhe Zoti tha: Ndëgjoni qish thotë gjyqtari i paudhë,
7 por Perëndia a s’ka me bamë gjyqin’ e të sgjedhunavet vet qi thërrasinë tek ai dit’ e natë, ndonësë ban zemërën’ e gjanë për ata?
8 Po u thom juve, se ka me u bamë gjyqin’ atyne për së shpeiti. Por kur të vijë i bir’ i nieriut, vallë ka me gjetunë besënë mbi dhet?
9 Edhe u tha edhe këte parabull’ atyneve qi shpërejshinë mbë vetëvetëhenë, se janë të dreitë, edhe nuk’ i zishinë për gja të tierëtë.
10 Dy nierës hipnë ndë tempull me u falunë; njiani ishte Farise, edhe tietri publikan.
11 Fariseu ndejti e falei ndër vetëhe tue thanë këto fjalë: O Perëndi, të falem ndersë, se nukë jam porsi nierëzit’ e tierë, të rrëmbyeshim, të paudhë, kurvarë, a edhe porsi kyi publikani.
12 Agjinoj dy herë ndë javët, ap të dhetën’ e gjithë çë-do gjaje qi kam.
13 Edhe publikani ishte ndenjunë prei së largut, e nukë donte as sytë me ngritunë përpietë ndë qiell, por rrifte krahanorin’ e vet, tue thanë: O Perëndi, ndëje mue fajtorinë.
14 Po u thom juve, se - Kyi u këthye ndë shtëpi të vet ma i dreitë se ai, sepse kushdo qi ngre nalt vetëvetëhenë, ka me u përvumë; edhe ai qi përve vetëvetëhenë, ka me u ngritunë nalt.
15 Edhe i prun’ edhe foshnjetë qi t’i përkasi; edhe dishepujtë, kur panë, i qirtuenë.
16 Por Iesui si i thërriti për-anë, tha: Leni çunat’ e vogjilë me ardhunë tek unë, edhe mos i ndalni, sepse të këtillëvet ashtë mbëretënia e Perëndisë.
17 Për të vërtet po u thom juve, se - Ai qi të mos presi mbëretënin’ e Perëndisë porsi nji çun të vogëlë, s’ka me hymë nd’ate.
18 Edhe nji i parë e pyeti, tue thanë: Mieshtër i mirë, qish të baj për me trashiguem jetën’ e pasosëme?
19 Edhe Iesui i tha: Ç’më thue i mirë? Kurkushi s’asht’ i mirë, për veç nji Perëndie.
20 Porosiat’ i di: “Mos kurvënojsh. Mos vrasish. Mos viedhish. Mos bajsh deshmi rrenë. Ndero t’ët at’ e t’ët amë”.
21 Edhe ai tha: Të gjitha këto i kam rueitunë çë mbë të rit’ t’em.
22 Edhe Iesui kur ndëgjoi këto, i tha: Edhe nji punë të mëngon - shit gjithë qish ke, edhe i dai ndëpër të vobeqit, edhe ke me pasunë thesorë ndë qiell; edhe eja, e më merr mbrapa.
23 Por ai kur ndëgjoi këto u idhënue, sepse ishte fort i pasunë.
24 Edhe Iesui kur pa se u idhënue, tha: Sa me të vështirë kanë me hymë ndë mbëretënit të Perëndisë ata qi kanë gja!
25 Sepse ma kollai ashtë me hymë kamilla ndëpër birë të gjylpanësë, se i pasuni me hymë ndë mbëretënit të Perëndisë,
26 Edhe ata qi ndëgjuenë thanë: E cilli mundetë me u shpëtuem?
27 Edhe ai tha: Të pamundëshimetë për-anë nierëzish, janë të mundëshime për-anë Perëndisë.
28 Edhe Pietri tha: Qe na te lam të gjitha, edhe të muerëm mbrapa.
29 Edhe ai u tha atyne: Për të vërtet po u thom juve, s’ashtë ndonji qi la shtëpi, a përind, a vëllazën, a grue, a dielm, për punë të mbëretënisë Perëndisë,
30 qi të mos shpaguhetë për nji shumë ndë këte kohë, edhe ndë jetët qi vien jetën’ e pa-sosëme.
31 Mbasandai ai muer mbë-nj-anë të dy-mbë-dhetëtë, e u tha atyne: Qe te po hipimë ndë Ierusalem, edhe gjithë sa janë shkruem me anë të profetënavet për të birin’ e nieriut kanë me u mbaruem.
32 Sepse ka me u dhanë ndër duer të kombevet, e ka me u përqeshun’, e ka me u shamë, e ka me u pështymë ndër sy;
33 edhe si ta frushkullojnë kanë me e vramë, edhe të tretënë ditë ka me u ngjallunë.
34 Por ata s’muernë vesht kurgja prei këtyne fjalëvet ; edhe këjo fjalë ishte mpshefunë prei atyneve, edhe nuk’ i merrshinë vesht ato qi u thoheshin’ atyne.
35 Edhe ai kur u afrue ndë Ieriho, nji i verbëtë po rrinte për-an’ udhësë tue lypunë;
36 edhe kur ndëgjoi gjindëjenë tue shkuem, pyeste: Qish ashtë këjo?
37 Edhe i diftuenë se po shkon Iesu Nazoreasi.
38 Edhe ai bërtiti, tue thanë: Iesu, bir’ i Davidit, përdëllemë.
39 Edhe ata qi shkojshinë për-anë e qirtojshinë, qi të mos pëzante, por ai shumë ma tepërë thërriste: Bir’ i Davidit, përdëllemë.
40 Edhe Iesui qindroi edhe urdhënoi me e prumë tek ai; edhe ai si u afrue, e pyeti,
41 tue thanë: Qish do me të bamë? Edhe ai tha: Zot, qi të çel sytë me pamë.
42 Edhe Iesui i tha: Çil’ sytë me pamë, besa jote të shpëtoi.
43 Edhe përnjiherë çeli syt’ e pa, edhe e merrte mbrapa tue lavduem Perëndinë; edhe gjithë populli kur pa, i dha lavdim Perëndisë.