Dhurata e vejushës
(Mk 12.41-44)
1 Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. 2 Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri 3 e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, 4 sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar».
Parathënia e shkatërrimit të tempullit
(Mt 24.1-2Mk 13.1-2)
5 Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: 6 «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Shenjat dhe përndjekjet
(Mt 24.3-14Mk 13.3-13)
7 Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». 8 Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. 9 Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë».
10 Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. 11 Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, 12 por para se të ndodhin të gjitha këto, do t'ju kapin e do t'ju përndjekin. Do t'ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t'ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kështu do të mund të dëshmoni. 14 Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t'ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t'i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. 16 Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t'ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. 17 Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, 18 por asnjë fije floku nuk do t'ju bjerë nga koka. 19 Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj».
Paralajmërimi i shkatërrimit të Jerusalemit
(Mt 24.15-21Mk 13.14-19)
20 «Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. 21 Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, 22 sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. 23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! 24 Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t'u mbarojë koha kombeve».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mt 24.29-31Mk 13.24-27)
25 «Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t'i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. 26 Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. 27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. 28 Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër».
Mësimi nga fiku
(Mt 24.32-35Mk 13.28-31)
29 Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. 30 Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. 31 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. 32 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 33 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Jini syçelët
34 «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, 35 si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. 36 Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t'u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut».
37 Gjatë ditës Jezui mësonte njerëzit në tempull, ndërsa natën e kalonte në një vend që quhej mali i Ullinjve. 38 Gjithë populli zgjohej herët në mëngjes për të dëgjuar Jezuin në tempull.
KAPTINA XXI.
1 Edhe çoi syt’ e pa të pasunitë qi hethshinë dhunëtiat’ e veta ndë kuti të limoshënësë.
2 Pa edhe nji grue të vobekëtë tue hedhun’ atie dy të imëta.
3 Edhe tha: Për të vërtet po u thom juve, se ajo grueja e ve edhe e vobekëtë hodhi ma shumë se të gjithë,
4 sepse gjithë këta hothnë të dhunëtiat’ e Perëndisë prei të tepëruemit vet, por ajo hodhi gjithë gjanë qi pat prei të mangunit.
5 Edhe disa kur thoshinë për tempullinë, se asht’ stolisunë me gurë të bukur’ e me dhunëtia, tha:
6 Këto qi veni ore, kanë me ardhunë ditt, ndër ato s’ka me mbetunë gur përmbi gur, qi të mos rrëxohetë.
7 Edhe e pyetnë, tue thanë: Mieshtër, kurë pra kanë me u bamë këto? Edhe ç’shenjë ka me qenunë kur të bahenë këto?
8 Edhe ai tha: Shikoni të mos gënjeheni, sepse shumë vetë kanë me ardhunë mb’emënit t’em, tue thanë, se - Unë jam, edhe koha u afrue; mos shkoni pra mbrapa atyneve.
9 Edhe kur të ndëgjoni luftëna e të përzieme, mos u frikoni, sepse këto duhenë me u bamë ma përpara, por nuk’ ashtë përnjiherë të mbaruemitë.
10 Atëherë u thoshte atyne: Ka me u ngritunë komp kundrë kombi, edhe mbëretëni kundrë mbëretënie;
11 edhe kanë me u bamë tërmetëna të mëdha vende mbë vende, edhe zia e sëmunda, edhe kanë me qenunë frika e shenjë të mëdha prei qiellit.
12 Por para gjithë këtyneve kanë me vumë duert’ e veta mbi ju, edhe kanë me u ndiekun’, e me u dhanë ndër duer ndëpër përmbëledhëje e ndëpër burgje, tue u tërhekunë ndëpër mbëretëna e ndëpër guvernatorë për punë t’emënit t’em.
13 Edhe këjo ka me u gjaitunë juve për deshmi.
14 Veni pra ndë zemrat tueja, mos veni ndër mend përpara ç’fjalë me u dhan’ atyne,
15 sepse unë kam me u dhanë juve gojë edhe dituni, qi s’do të mundenë me folunë kundrë, as me dalunë kundrë gjith’ anëmiqtë tuei.
16 Edhe keni me u dhanë ndër duer edhe prei përintsh e prei vëllazënish e prei nierëzish tuei e prei miqsh; edhe kanë me vramë disa prei jush.
17 Edhe keni me qenunë të marrë mëni prei së gjithësh për emninë t’em.
18 Por as nji qime floku prei kresë tuei s’ka me hupunë.
19 Me duriminë tuei keni me fituem shpirtënatë tuei.
20 Edhe kur të shifni Ierusalemënë rrethuem prei ushtëriash, atëherë merrnia vesht se u afrue të shkretuemit’ e asai.
21 Atëherë ata qi të jenë ndë Iude, le të ikinë ndëpër malet; edhe ata qi të jenë mbrenda nd’ate, le të dalinë jashtë; edhe ata qi të jenë ndëpër katunde, le të mos hyjnë mbrenda nd’ate.
22 Sepse ato janë ditt shpagimi, për me u mbushunë gjith’ ato qi janë shkruem.
23 Edhe mjer ato gra qi janë me barrë, e qi kanë foshnje për gjij nd’ato ditt! Sepse ka me qenunë shtrëngim i madh ndë dhet, edhe zemërim mbë këte popull.
24 Edhe kanë me ranë ndëpër gojë të thikësë, edhe kanë me u skllavosunë ndëpër gjithë kombet; edhe Ierusalema ka me qenunë shkelunë prei kombesh, ngjysh sa të mbushenë kohat’ e kombevet.
25 Edhe kanë me qenunë shenjë ndë diell, e ndë hanë, e ndë hyjt; edhe mbi dhet shtrëngim kombesh tue vramë mendienë; edhe ka me gjimuem deti edhe valëtë;
26 nierëzëvet ka me u dalunë shpirti prei frikës’, e prei të pritunit të vështiravet qi vinë sipër botësë, sepse fuqiat’ e qillvet kanë me u tundunë.
27 Edhe atëherë kanë me pamë të birin’ e nieriut tue ardhunë ndë ret me fuqi e me laft të math.
28 Edhe këto kur të fillojnë me u bamë, ngreni krenëtë tuei e shifni; sepse po afrohetë shpërblimi juei.
29 Edhe u tha atyne nji parabullë: Shifni drun’ e fikut edhe gjithë drutë;
30 tashti kur të çelinë, shifni e merrni vesht me vetëvetëhenë, se tashti të korrët’ ashtë ngjat.
31 Kështu edhe ju, kur të shifni këto se bahenë, ta dini se mbëretënia e Perëndisë ashtë ngjat.
32 Për të vërtet po u thom juve, se kyi bres s’ka me shkuem, ngjysh sa të bahenë të gjitha këto .
33 Qielli edhe dheu kanë me shkuem, por fjalët’ e mia s’kanë me shkuem.
34 Edhe veni ore vetëhenë tuei, se mos u randohenë zemëratë tueja prei kresë randë e prei të deitunit e prei gailesh jetësë, edhe të vijë përsipër jush befas ajo ditë,
35 sepse porsi lak ka me ardhunë sipër gjith’ atyneve qi rrinë mbi faqen’ e gjithë dheut.
36 Rrini qutë pra tue u lutunë mbë çdo kohë, qi të baheni të zotënitë për me ikunë prei gjith’ asosh qi kanë me u bamë, edhe të rrini përpara të birit nieriut.
37 Edhe ditënë ai mësonte ndë tempull; edhe natënë dilte jashtë, e bunte ndë malt qi quhet’ i Ullivet.
38 Edhe gjithë populli vinte çë me natie tek ai ndë tempull për me ndëgjuem ate.