Vendimi për ta kapur
(Mk 14.1-2Lk 22.1-2Gjn 11.45-53)1 Kur mbaroi së thëni këto fjalë, Jezui u tha dishepujve: 2 «Ju e dini se pas dy ditësh është Pashka dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar».
3 Atëherë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e pallatit të kryepriftit që quhej Kajafa 4 dhe së bashku vendosën ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. 5 Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».
Lyerja me mirrë
(Mk 14.3-9Gjn 12.1-8)6 Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. 7 Ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua që mbante një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme dhe e derdhi mbi kokën e tij. 8 Kur e panë këtë gjë, dishepujt u zemëruan e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? 9 Kjo mirrë mund të ishte shitur shtrenjtë e paratë t'u jepeshin të varfërve». 10 Por Jezui e kuptoi se çfarë po thoshin e u tha: «Përse e mundoni këtë grua? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. 11 Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë. 12 Ajo e derdhi këtë mirrë mbi trupin tim dhe këtë e bëri për të më përgatitur për varrim. 13 Me të vërtetë po ju them se kudo të shpallet ky ungjill, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».
Juda përgatit tradhtinë
(Mk 14.10-11Lk 22.3-6)14 Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 e u tha: «Çfarë do të më jepni po t'jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. 16 Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.
Përgatitja e Pashkës
(Mk 14.12-21Lk 22.7-14, Lk 21-23Gjn 13.21-30)17 Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, dishepujt erdhën te Jezui e i thanë: «Ku dëshiron ta përgatisim darkën e Pashkës?». 18 Jezui u tha: «Shkoni në qytet te filani e i thoni: “Mësuesi thotë se koha ime është afruar. Unë dhe dishepujt e mi do ta bëjmë Pashkën në shtëpinë tënde”». 19 Dishepujt bënë siç i kishte urdhëruar Jezui dhe përgatitën Pashkën.
20 Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët 21 e ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë». 22 Ata u trishtuan shumë e filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?». 23 Ai u përgjigj: «Ai që ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë. 24 Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». 25 Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».
Darka e Zotit
(Mk 14.22-26Lk 22.15-201Ko 11.23-25)26 Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». 27 Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. 28 Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. 29 Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim».
30 Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mk 14.27-31Lk 22.31-34Gjn 13.36-38)31 Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t'u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar:
do të godas bariun
dhe delet e tufës do të shpërndahen.
32 Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». 33 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». 34 Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». 35 Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt.
Lutja në Gjetsemani
(Mk 14.32-42Lk 22.39-46)36 Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». 37 Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. 38 Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». 39 Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti».
40 Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? 41 Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». 42 Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!».
43 Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. 44 Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë.
45 Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 46 Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».
Tradhtia dhe kapja
(Mk 14.43-50Lk 22.47-53Gjn 18.3-12)47 Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. 48 Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». 49 Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. 50 Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. 51 Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 52 Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53 A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?».
55 Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. 56 Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve».
Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën.
Para sinedrit
(Mk 14.53-65Lk 22.54-55, Lk 63-71Gjn 18.13-14, Gjn 19-24)57 Pastaj, ata që e kishin kapur e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa ku ishin mbledhur shkruesit e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë.
59 Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, 60 por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta 61 e thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë e ta ndërtoj për tri ditë”».
62 Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». 63 Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?». 64 Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them se
që tani e tutje
do ta shihni Birin e njeriut
të ulur në të djathtën
e Perëndisë së pushtetshëm,
duke ardhur mbi retë e qiellit ».
65 Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë. 66 Çfarë mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67 Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë e ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka 68 e i thoshin: «Gjeje kush të goditi, o Krisht?».
Mohimi i Pjetrit
(Mk 14.66-72Lk 22.56-62Gjn 18.15-18, Gjn 25-27)69 Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70 Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thua!». 71 Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër e u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit». 72 Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri». 73 Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Patjetër je një prej tyre se dukesh nga e folmja». 74 Pastaj Pjetri filloi të mallkonte e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri».
Atë çast këndoi gjeli 75 dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.
KAPTINA XXVI.
1 Edhe Iesui kur mbaroi gjithë këto fjalë, u tha dishepujvet vet:
2 E dini se mbas dy ditsh ashtë pashka, edhe i bir’ i nieriut nepetë ndër duer për me u kryqëzuem.
3 Atëherë u mbëlothnë Krye-priftënit’ edhe Shkruesit’ edhe pleqt’ e popullit ndë oborr të Krye-priftit, qi thohei Kaiafë;
4 edhe banë këshille për me zanë Iesunë me gënjim, edhe me e vramë.
5 Edhe thoshinë: Mos e zamë për ditë feste, qi të mos bahetë të përziem ndë popullit.
6 Edhe Iesui kur ishte ndë Bethani, ndë shtëpi të Simonit kromosunë,
7 i erdhi përanë nji grue qi kishte nji alabastër me voj ere shumë të shtrejtë, edhe ia derdhi mbi kryet, atie ku ishte ndenjunë ndë mësallë.
8 Edhe dishepujt’ e ati kur panë, u zemëruen’, e thanë: Për ç’punë me hupunë?
9 Sepse kyi voj ere mundei me u shitunë me shumë nder , edhe me u dhanë ndëpër të vobegjit.
10 Edhe Iesui si muer vesht, u tha atyneve: Përse i nepni mundime gruesë? Sepse ajo bani punë të mirë mbë mue.
11 Sepse të vobegjit’ i keni përherë me vetëhenë tuei, por mue nukë më keni përherë.
12 Sepse ajo kur derdhi këte voj ere mbi korpinë t’em, e bani për të vorruemit t’em.
13 Për të vërtet po u thom juve: Kudo me u predikuem kyi ungjill ndë gjithë botënë, ka me u folun’ edhe se qish bani ajo, qi të përmendet’ ajo.
14 Atëherë shkoi nji prei të dy-mbë-dhetësh, ai qi quhei Iudë Iskarioti, te Krye-priftënit,
15 e tha: Qish doni me më dhanë, edhe unë do t’u nap juve ndër duer ate? Edhe ata i dhanë tri-dhet’ argjanda.
16 Edhe çë mb’atëherë kërkonte kohë me e trathtuem.
17 Edhe të parënë ditën’ e të pabrumievet dishepujt’ erthnë përanë Iesuit, e i thanë: Ku do të bajmë gati për tyi me ngranë pashkënë?
18 Edhe ai tha: Shkoni ndë qytet tek akë-cilli, edhe i thoni - Mieshtri thotë: Koha eme ashtë ngjat; kam me bamë pashkënë te ti, bashkë me dishepujt’ e mi.
19 Edhe dishepujtë banë sikurse i porositi Iesui, edhe banë gati pashkënë.
20 Edhe kur u ngrys, ishte tue ndenjunë ndë mësallë bashkë me të dy-mbë-dhetët.
21 Edhe ata tue ngranë, tha: Për të vërtet po u thom juve, se nji prei jush ka me më trathtuem.
22 Edhe ata u idhënuenë fort, e filluenë me i thanë gjithë-se-cilli prei atyneve: Zot, mos jam unë?
23 Edhe ai u përgjeq, e tha: Ai qi ngjeu dorënë ndë kupët bashkë me mue, kyi ka me më trathtuem.
24 I bir’ i nieriut shkon, sikurse ashtë shkruem për atë: - Por mjer ati nieriu, qi trathtohet’ i biri i nieriut prei ati! Ishte mirë për atë nieri, mos me pasunë lemë.
25 Edhe Iuda, ai qi e trathtoi, u përgjeq, e tha: Rabbi, mos jam unë? I thotë: Ti po thue.
26 Edhe ata tue ngranë, Iesui muer bukë’ edhe e bekoi, edhe e theu, e ua dha dishepujvet, edhe tha: Mirrni, e hani; kyi ashtë korpi em.
27 Edhe muer potirinë, edhe si u fal nders, ua dha, tue thanë: Pini të gjithë prei këti,
28 sepse kyi ashtë gjaku em i dhiatësë re, qi derdhetë për shumë për ndëjesën’ e fajevet.
29 Edhe po u thom juve, se s’kam me pimë, çë tashti e mbaskëndai, prei kësai peme qi piell hardhia, deri mb’atë ditë, kur ta pij të re bashkë me ju ndë mbëretënit të t’im et.
30 Edhe ata si thanë kankën’ e uratësë, duelnë ndë Malt të Ullivet.
31 Atëherë Iesui u thot’ atyneve: Gjithë ju keni me u shkandalizuem mbë mue këte natë, sepse ashtë shkruem: “Kam me i ranë bariut, edhe dhentë kanë me u shpërdamë prei tubësë”.
32 Por mbassi të ngjallem unë, kam me votunë përpara jush ndë Galile.
33 Edhe Pietri u përgjeq, e i tha: Edhe të gjithë ndë u shkandalizofshinë mbë tyi, unë s’kam me u shkandalizuem kurrë.
34 Iesui i tha: Për të vërtet po të thom, se këte natë, para se të këndojë gjeli, tri herë ke me më mohuem.
35 Pietri i thotë: Edhe ndë u lypstë me vdekun’ unë bashkë me tyi, s’kam me të mohuem. Kështu than’ edhe gjithë dishepujtë.
36 Atëherë Iesui vien bashkë me ata ndë nji katund qi thohetë Gethsimani, edhe u thotë dishepujvet: Rrini aty, deri sa të vete, e të falem atie.
37 Edhe muer me vetëhe Pietrin, edhe dy të bijt’ e Zebedeut, e filloi me u idhënuem, e me i ardhunë randë.
38 Atëherë u thot’ atyneve: Shpirti em asht’ i idhënueshim deri mbë vdekë; mbetni këtu, edhe rrini qutë bashkë me mue.
39 Edhe si shkoi pak përpara, ra me faqe përmbys, tue u falun’, e tue thanë: Ati em, ndë qoftë se mundetë, le të shkojë prei meje kyi potir, por jo si të demi unë, por si të duesh ti.
40 Edhe vien te dishepujt, e i gjen tue fjetunë, edhe i thote Pietrit: Kështu nukë muftët me ndenjunë qutë nji orë bashkë me mue?
41 Rrini qutë, edhe faluni, qi të mos hyni ndë ngasëje, sepse shpirti ashtë gati, por mishi asht ’ i pafuqishim.
42 Për-së-ri për së dyti voiti, edhe u fal, tue thanë: Ati em, ndë qoftë se nukë mundetë me shkuem prei meje kyi potir, qi të mos e pij, u baftë dashunimi yt.
43 Edhe si erdhi, i gjen për-së-ri tue fjetunë, sepse syt’ e atyneve ishinë randuem.
44 Edhe si la ata, voiti për-së-ri, e u fal’ për së treti, tue thanë por ate fjalë.
45 Atëherë vien te dishepujt e vet; edhe u thot’ atyneve: Flini pra, edhe prahi: qe tek u afrue ora, edhe i bir’ i nieriut nepetë ndër duer të fajtorëvet.
46 Çohi, le të shkojmë: qe tek u afrue ai qi më trathton.
47 Edhe ai kur ishte tue folë, qe tek erdhi Iuda, nji prei të dy-mbë-dhetësh, edhe bashkë me atë erthnë shumë gjindëje me thika e me druna, prei anësë Krye-priftënavet edhe pleqvet popullit.
48 Edhe ai qi e trathton u bani atyneve shenjë, tue thanë: Ate qi të puth unë, ai ashtë; zinia.
49 Edhe përnjiherë erdhi përanë Iesuit, e tha: Falemi, Rabbi; edhe e puthi.
50 Edhe Iesui tha: Mik, përse erdhe? Atëherë u afruen’, e vunë duertë mbi Iesunë, edhe e zunë.
51 Edhe qe nji prei asish qi ishinë bashkë me Iesunë, shtrini dorën’ e nxuer thikën’ e vet, edhe i ra shërbëtorit Krye-priftit, e i preu veshinë.
52 Atëherë Iesui i thotë: Këthe thikënë tande ndë vend të vet, sepse gjith’ ata qi venë dorë mbë thikë, kanë me u bierrë.
53 Apor të duketë se nukë mundem tashti t’i lutem t’im et, edhe ka me më nxierrë përpara ma tepërë se dy-mbë-dhetë legjeona engjujsh?
54 Si kanë me u mbushunë shkronjatë pra, se kështu duhetë me u bamë?
55 Mb’ate herë Iesui i tha gjindëjesë: Porsi mbi kursarë keni dalë me thika e me druna për me më zanë? Përditë rrishiem te ju tue mësuem ndë tempull, edhe nukë me zutë.
56 Por gjithë këjo u ba, qi të mbushenë shkronjat’ e profetënavet. Atëherë gjithë dishepujt’ e lan’, e iknë.
57 Edhe ata si kapnë Iesunë, e prunë te Kaiafa Krye-prifti, atie ku ishinë mbëledhunë Shkruisit’ edhe pleqtë.
58 Por Pietri e merrte mbrapa prei së largut, deri nd’oborr të Krye-priftit, edhe si hyni mbrenda, rrinte bashkë me shërbëtorët, për me pamë të mbrapmenë.
59 Edhe Krye-priftënit’ edhe pleqt’ edhe gjithë bashkë-ndeitia kërkojshinë deshmi mbë rrenë kundrë Iesuit, për me e vramë,
60 por nukë gjetnë. Edhe ndonëse erthnë shumë deshmitarë rrenës, por nukë gjetnë. Edhe mbasandai erthnë dy deshmitarë rrenës,
61 e thanë: Kyi tha, se - Mundem me prishunë tempullin’ e Perëndisë, edhe për tri ditt me e ndërtuem.
62 Edhe Krye-prifti u ngrit, e i tha: S’po përgjegje aspak? Ç’deshmi bajnë këta kundrë tejet?
63 Por Iesui nukë pëzante. Edhe Krye-prifti u përgjeq, e i tha: Të ve mbë be për Perëndin’ e gjallë, të na thuesh, ndë je ti Krishti, i Bir’ i Perëndisë.
64 Iesui i thotë: Ti po thue: por unë po u thom juve, se çë tashti e mbaskëndai keni me pamë të birin’ e nieriut tue ndenjunë prei së diathtësë fuqisë, edhe tue ardhunë mbi renat e qiellit.
65 Atëherë Krye-prifti shqeu petkat’ e veta, tue thanë, se: Vlasfimisi. Ç’nevojë kena ma për deshmitarë? Qe tashti tek e ndëgjuetë vlasfimin’ e ati.
66 Si u duketë juve? Edhe ata u përgjegjën, e thanë: Ashtë fajtuer për vdekë.
67 Atëherë e pështynë ndër sy, edhe i ranë me grushta; edhe të tierë i ranë me shuplaka,
68 tue thanë: Profetizo mbë ne, o Krisht; cilli asht’ ai qi të ra?
69 Edhe Pietri rrinte përjashta ndë oborr, edhe i erdhi për-anë nji shërbëtore, tue thanë: Edhe ti ishie bashkë me Iesu Galileasinë.
70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve, tue thanë: Nukë dij se qish thue.
71 Edhe ai kur duel ndë derë të oborrit, e pa nji tietër, edhe u thot’ atyneve qi ishin’ atie: Edhe kyi ishte bashkë me Iesu Nazoreasinë.
72 Edhe për-së-ri e mohoi me be, se: Nuk’ e dij nierinë.
73 Edhe mbas nji grimet erthnë për-anë ata qi ishinë tue ndenjun’, e i thanë Pietrit: Për të vërtet edhe ti je prei asish; sepse edhe të folunitë t’at të difton.
74 Atëherë filloi me nemë, e me bamë be, se: Nuk’ e dij atë nieri. Edhe përnjiherë këndoi gjeli.
75 Atëherë i ra ndër mend Pietrit fjala e Iesuit, qi i pat thanë, se: Para se të këndojë gjeli, tri herë ke me më mohuem. Edhe duel jashtë, e qjau idhët.