Larja e këmbëve
1 Ishte para festës së Pashkës. Jezui e dinte se kishte ardhur ora të shkonte nga kjo botë tek Ati. Ai i kishte dashur të vetët që ishin në botë dhe i kishte dashur deri në fund.
2 Gjatë darkës djalli kishte futur tashmë tradhtinë në zemrën e Judës së Simon Iskariotit.
3 Jezui e dinte se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe se nga Perëndia kishte dalë e te Perëndia po kthehej. 4 Atëherë u ngrit nga darka, hoqi petkun, mori një peshqir dhe e lidhi në brez. 5 Pastaj hodhi ujë në një enë e filloi t'ua lante këmbët dishepujve e t'ua fshinte me peshqirin që kishte lidhur në brez. 6 Kur mbërriti te Simon Pjetri, ky i tha: «Zot, ti të më lash këmbët?». 7 Jezui iu përgjigj: «Tani ti nuk e kupton këtë që po bëj, por do ta kuptosh më vonë». 8 Pjetri i tha: «Nuk do të m'i lash kurrë këmbët!». Jezui u përgjigj: «Po nuk t'i lava, nuk ke pjesë me mua». 9 Simon Pjetri i tha: «Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart, edhe kokën». 10 Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë». 11 Jezui e dinte kush do ta tradhtonte prandaj tha: «Ju nuk jeni të gjithë të pastër».
12 Pasi u lau këmbët, Jezui veshi rrobat, u ul përsëri e u tha: «E kuptoni këtë që ju bëra? 13 Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam. 14 Nëse unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët, edhe ju duhet t'ia lani këmbët njëri-tjetrit. 15 Ju dhashë shembullin që të bëni siç bëra unë. 16 Me të vërtetë po ju them se asnjë shërbëtor nuk është më i madh se i zoti dhe asnjë i dërguar nuk është më i madh se ai që e ka dërguar. 17 Nëse i keni kuptuar këto gjëra dhe nëse i zbatoni, do të jeni të lumë.
18 Nuk po flas për të gjithë ju. Unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet Shkrimi: ai që ha bukë me mua ka ngritur thembrën kundër meje. 19 Po jua them që tani, përpara se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur të besoni se unë jam. 20 Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që do të dërgoj unë, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi».
Parathënia e tradhtisë
(Mt 26.20-25Mk 14.17-21Lk 22.21-23)
21 Si tha këto, Jezui u trondit në shpirt e tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri prej jush do të më tradhtojë». 22 Dishepujt filluan të shikonin njëri-tjetrin, se nuk e dinin për kë e kishte fjalën. 23 Njëri prej dishepujve të tij, ai që Jezui e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezuit. 24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë ta pyeste Jezuin për kë e kishte fjalën. 25 Ai u përkul mbi kraharorin e Jezuit e i tha: «Zot, kush është?». 26 Jezui u përgjigj: «Është ai të cilit do t'i jap kafshatën që do të ngjyej». Pasi e ngjeu kafshatën, ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Si mori kafshatën, tek ai hyri Satani. Atëherë Jezui i tha: «Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!». 28 Asnjë nga ata që ishin ulur nuk e kuptoi përse i tha ashtu. 29 Meqenëse Juda mbante qesen e parave, disa nga ata kujtuan se Jezui i kishte thënë të shkonte e të blinte ç'nevojitej për festën apo ndonjë gjë për t'u dhënë të varfërve. 30 Juda mori kafshatën dhe doli menjëherë jashtë.
Ishte natë.
Urdhërimi i ri
31 Kur doli Juda, Jezui tha: «Tani u përlëvdua Biri i njeriut dhe Perëndia u përlëvdua në të. 32 Nëse Perëndia u përlëvdua në të, Perëndia do ta përlëvdojë në veten e tij dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
33 Bijtë e mi, edhe pak kohë jam me ju. Do të më kërkoni, por tani po ju them atë që u thashë judenjve: “Atje ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini”. 34 Po ju jap një urdhërim të ri: duajeni njëri-tjetrin sikurse ju kam dashur unë. 35 Të gjithë do t'ju njohin që jeni dishepujt e mi nëse keni dashuri për njëri-tjetrin».
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35Mk 14.27-31Lk 22.31-34)
36 Simon Pjetri i tha: «Zot, ku po shkon?». Jezui u përgjigj: «Atje ku po shkoj unë, tani ti nuk mund të më ndjekësh, por do të më ndjekësh më vonë». 37 Pjetri i tha: «Zot, përse nuk mund të të ndjek tani? Unë do të jepja edhe jetën për ty». 38 Jezui u përgjigj: «Ti do të japësh jetën për mua? Me të vërtetë po të them se gjeli nuk do të këndojë para se të më mohosh tri herë».
KAPTINA XIII.
1 Edhe përpara festësë pashkësë, Iesui tue ditunë se i erdhi ora, për me sdrypunë prei kësai bote tek Ati, sepse i deshi të vetëtë qi ishinë te bota, qysh së mbrapmi i deshi.
2 Edhe si u ba darka (edhe dialli tashti i kishte vumë ndë zemërët Iudë Iskariotit, të birit Simonit, qi ta trathtojë),
3 Iesui tue ditunë se Ati ia ka dhanë ndër duer të gjitha, edhe se duel prei Perëndisë, edhe vete te Perëndia,
4 çohetë prei darkësë, edhe svesh petkatë, edhe muer nji rizë, e mpështolli vetëhenë;
5 mbasandai ve ujë ndë legjen, edhe filloi me u lamë kambëtë dishepujvet, edhe me ua pshimë me atë rizënë qi ishte mpështiellë.
6 Vien pra te Simon Pietri, edhe ai i thotë: Zot, ti më lan kambëtë?
7 Iesui u përgjeq e i tha: Ate qi baj unë, ti nuk’ e di tashti, por ke me e ngjoftunë mbasandai.
8 Pietri i thotë: S’ke me lamë kambët’ e mia për gjithë jetënë. Iesui i u përgjeq: Ndë mos të lafsha, s’ke piesë me mue.
9 Simon Pietri i thotë: Zot, jo kambët’ e mia vetëmë, por edhe duertë, edhe kryetë.
10 Iesui i thotë: Ai qi ashtë lamë s’ka nevojë veç me lamë kambëtë, sepse ashtë gjithë i qirutë, por jo të gjithë.
11 - Sepse e dinte ate qi kishte me e trathtuem; përandai tha: Nukë jeni të gjithë të qirutë.
12 Mbassi u lau atyne pra kambëtë, edhe muer petkat’ e veta, ndejti për-së-ri, e u tha atyne: E dini se qish u bana juve?
13 Ju më thërritni Mieshtër edhe Zot; edhe mirë thoni, sepse jam.
14 Ndë u lava kambëtë pra unë Zoti edhe Mieshtri, edhe ju keni detyrë me i lamë kambëtë njiani tietrit.
15 Sepse u lashë juve shëmbëlltyrë qi të bani edhe ju sikurse u bana unë juve.
16 Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve, se nuk’ ashtë shërbëtori ma i math se i zoti vet; as i dërguemi ma i math se ai qi e ka dërguem.
17 Ndë ditshi këto, jeni të lumunë ndë i bafshi.
18 Nukë thom këto për të gjithë ju; un’ i dij cillëtë kam sgjedhunë, por qi të mbushetë shkronja - “Ai qi ha bukë bashkë me mue, ngriti shqelmin’ e vet kundrë meje.”
19 Çë tashti po u thom juve këte para se të bahetë, qi të besoni kur të bahetë se unë jam.
20 Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve: Ai qi të presi ate qi të dërgoj unë , ka pritunë mue; edhe ai qi të më presi, ka pritun’ ate qi më dërgoi.
21 Iesui mbassi tha këto, iu përzie shpirti, edhe deshmoi, e tha: Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve, se nji prei jush ka me më trathtuem.
22 Dishepujtë pra shikojshinë njiani tietrinë, tue u habitunë për cillinë thotë.
23 Edhe nji prei dishepujvet ati ishte mpështetunë ndë gjit të Iesuit, të cillinë Iesui e donte.
24 Simon Pietri pra i ban me shenjë, qi ta pyesi cilli asht’ ai qi thotë për ate?
25 Edhe ai ra ndë krahanuer të Iesuit, e i thotë: Zot, cilli asht’ ai ?
26 Iesui përgjegjetë: Ai ashtë, qi unë kur të ngjyej bukënë kam me i dhanë. Edhe ngjeu bukën’ e ia dha Iudë Iskariotit, të birit Simonit.
27 Edhe mbas bukësë, atëherë Satanai hyni mb’ate. Iesui pra i thotë: Qish ke për me bamë, ban-e shpeit.
28 Edhe askushi prei atyneve qi ishinë ndenjunë ndë mësallë nuk’ e muer vesht këte fjalë , për se i tha.
29 Sepse disa kujtojshinë, se Iesui i thotë: Blij qish na duhenë për festënë; a me dhanë ndonji gja send ndër të vobeq, sepse Iuda kishte kuletën’ e astërvet.
30 Ai pra, si muer bukënë, duel jashtë përnjiherë; edhe ishte natë.
31 Si duel pra, Iesui thotë: Tashti u lavdue i Bir’ i nieriut, edhe Perëndia u lavdue nd’ate.
32 Ndë u lavdue Perëndia nd’ate, edhe Perëndia ka me e lavduem ndë vetëvetëhenë, edhe përnjiherë ka me e lavduem.
33 Dielmthit’ e mi , edhe pak jam bashkë me ju. Do të më kërkoni; edhe sikurse u thashë Iudevet, se atie ku vete unë, ju nukë mundeni me ardhunë, po u thom tashti edhe juve.
34 U la juve nji porosi të re: Të doni njiani tietrinë; sikurse un’ u desha juve, edhe ju të doni njiani tietrinë.
35 Prei kësai kanë me u ngjofunë juve të gjithë, se jeni dishepujt’ e mi, ndë paçi dashuni njiani mbë tietrinë.
36 Simon Pietri i thotë: Zot, ku vete? Iesui i u përgjeq: Atie ku vete unë , ti nukë mundesh tashti me më marrë mbrapa; por mbasandai ke me më marrë mbrapa.
37 Pietri i thotë: Zot, përse nukë mundem tashti me të marrë mbrapa? Kam me vumë jetënë t’eme për tyi.
38 Iesui i u përgjeq: Ke me vumë jetënë tande për mue? Për të vërtet, për të vërtet po të thom: - S’ka me kënduem gjeli, qysh sa të më mohojsh tri herë.