1 Pra, cila është epërsia e judeut? Apo çfarë dobie ka rrethprerja? 2 Ajo ka shumë dobi nga çdo pikëpamje. Së pari, sepse judenjve iu besuan fjalët e Perëndisë. 3 E çfarë, pra? Nëse disa prej tyre nuk i qëndruan besnik Perëndisë, mos vallë mosbesimi i tyre do të shfuqizonte besnikërinë e tij? 4 Larg qoftë! Perëndia është i vërtetë në çdo gjë, megjithëse të gjithë njerëzit janë gënjeshtarë! Sikurse është shkruar:
që ti të dalësh i drejtë
në fjalët e tua
e të triumfosh
kur të gjykohesh.
5 Por, nëse padrejtësia jonë nxjerr në pah drejtësinë e Perëndisë, çfarë të themi atëherë? Po të arsyetoja si njeri, do të shtroja pyetjen: mos vallë është i padrejtë Perëndia kur na ndëshkon? 6 Larg qoftë! Përndryshe, si do ta gjykojë Perëndia botën? 7 Nëse gënjeshtra ime nxjerr më në pah të vërtetën e Perëndisë dhe i jep më shumë lavdi atij, përse u dashka të gjykohem ende si mëkatar? 8 Atëherë, përse të mos themi: «Le të bëjmë të keqen, që të vijë e mira!», siç na përflasin disa e na akuzojnë se paskemi thënë? Këta e meritojnë ndëshkimin.
Asnjë nuk është i drejtë
9 Çfarë pra? A kemi epërsi ne judenjtë? Aspak! Sepse sapo e treguam se të gjithë, si judenjtë, edhe helenët, janë nën mëkat, 10 sikurse është shkruar:
asnjeri nuk është i drejtë,
as edhe një.
11 Nuk gjendet asnjë që kupton.
Nuk gjendet asnjë që kërkon Perëndinë.
12 Të gjithë kanë dalë nga udha
dhe janë rrënuar.
Asnjeri nuk bën të mirën,
as edhe një i vetëm.
13 Gryka e tyre është varr i hapur.
Me gjuhë kanë mashtruar.
Nën buzë
kanë helm nepërkash.
14 Gojën e kanë plot mallkime e hidhësi.
15 Këmbët e tyre
vrapojnë për të derdhur gjak.
16 Në udhët e tyre
ka rrënim e mjerim.
17 Udhën e paqes
nuk e kanë njour,
18 frikën e Perëndisë
nuk e kanë parasysh.
19 Ne e dimë se çfarëdo që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën këtë ligj, kështu që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota të gjykohet prej Perëndisë. 20 Asnjeri nuk do të bëhet i drejtë para Perëndisë nga veprat që urdhëron ligji, sepse nëpërmjet këtij ligji vjen vetëm njohja e mëkatit.
I drejtë përmes besimit
21 Por tani na është shfaqur se Perëndia na bën të drejtë pa ndërmjetësinë e ligjit, gjë që e kanë dëshmuar ligji e profetët. 22 Perëndia i bën të drejtë, përmes besimit në Jezu Krishtin, të gjithë ata që besojnë në të. Perëndia nuk bën dallim mes judenjve dhe helenëve, 23 sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë. 24 Ata u bënë të drejtë falas, me hirin e tij, përmes Krishtit Jezu, që i shpengoi nga mëkati. 25 Perëndia e kushtoi Jezuin si fli pajtimi, që përmes besimit në gjakun e tij të tregojë drejtësinë e tij për faljen e mëkateve të kryera më parë. 26 Në atë kohë Perëndia ishte i duruar me mëkatin, ndërsa në kohën e tanishme ai dëfton sesi i bën të drejtë njerëzit, duke dashur të tregojë se është vetë i drejtë dhe se bën të drejtë ata që besojnë në Jezuin.
27 Ku shkoi mburrja? Ajo mori fund. Prej cilit ligj? Atij të veprave? Jo prej tij, por nëpërmjet ligjit të besimit. 28 Ne, pra, mendojmë se njeriu bëhet i drejtë prej besimit, pa veprat që urdhëron ligji. 29 A është vallë Perëndia, Perëndi i judenjve? A nuk është ai edhe Perëndia i kombeve të tjera? Po, ai është edhe Perëndi i kombeve të tjera, 30 sepse ka vetëm një Perëndi. Ai do të bëjë të drejtë të rrethprerët prej besimit dhe të parrethprerët nëpërmjet besimit. 31 Mos vallë nëpërmjet besimit shfuqizojmë ligjin? Larg qoftë! Përkundrazi, e vëmë ligjin në vendin e vet.
KAPTINA III.
1 Qish ka ma tepërë Iudeu pra, a qish vëjen rreth-presëja? Shumë për gjithë qish mëndyrë.
2 Ma parë, sepse mbë Iudeit u zunë besë fjalët’ e Perëndisë.
3 Sepse ndë mos besuenë disa, qish ashtë? Mos do të prishi besën’ e Perëndisë pa-besënia e atyne?
4 Qoftë lark, por Perëndia qoft’ i vërtetë, e çdo nieri qoftë rrenës, sikurse ashtë shkruem: “Qi të dalish i dreitë ndë fjalët e tua, edhe të mundish kur të gjukohesh”.
5 Por shtrembënia jonë ndë diftoftë dreitënin’ e Perëndisë, qish do të thomi, mos asht’ i shtrembëtë Perëndia qi bije zemëriminë? (flas si nieri)
6 Qoftë lark, sepse si ka me gjukuem botënë Perëndia?
7 Sepse e vërteta e Perëndisë ndë u shtue për laftin’ e ati prei rrenësë s’eme, përse gjukohem unë ma si fajtuer?
8 Edhe (sikurse nememi, edhe sikurse thonë disa, se na thomi), përse të mos bajmë të këqiatë, qi të vinë të miratë? Të cillëvet dënimi asht’ i dreitë.
9 Qish pra? Jemi na ma të mirë se gjintarëtë ? Për të vërtetë jo, sepse na e provuem ma pari, se edhe Iudeitë edhe Grekëtë të gjithë janë ndënë faj,
10 sikurse ashtë shkruem: “Se nuk’ asht’ i dreitë as nji;
11 nuk’ ashtë ndonji qi merr vesht, nuk’ ashtë ndonji qi kërkon Perëndinë.
12 Të gjithë duelnë jasht’ udhësë, të gjithë u banë të pavëjyeshim; nuk ashtë ndonji qi ban mirë; nuk’ asht’ as ndonji”.
13 “Fyti i atyne ashtë vorr i hapëtë; me gjuhënat’ e atyne flisinë gënjimë; vëner aspidash ashtë ndënë buzët t’atyne”;
14 atyneve “goja ashtë plot me mallëkim, e me ithtim”.
15 “Kambët’ e atyneve janë të shpeita për me derdhunë gjak”.
16 “Të shkretuem e të hiequnë keq ashtë ndëpër udhët t’atyne;
17 edhe udhën’ e paqtimit nuk’ e ngjofnë”.
18 “Nuk’ ashtë frikë Perëndie përpara syvet atyne”.
19 - Edhe e dimë, se sa thotë ligja, u flet atyneve qi janë ndënë ligjët, qi të thuretë qish do gojë, edhe gjithë bota të gjukohetë për fajtore te Perëndia.
20 Sepse as ndonji mish s’ka për me dalun’ i dreitë përpara ati prei vepëravet ligjësë, sepse faji ngjifetë prei ligjësë.
21 Por tashti dreitënia e Perëndisë u shpërfaq paligjë, dëshmuem prei ligjës’ e prei profetënavet;
22 edhe ajo dreitënia e Perëndisë qi ashtë me anë të besësë Iesu Krishtit, mbë të gjith’ e mbi të gjith’ ata qi besojnë,
23 sepse s’ka ndonji farë të dami; sepse të gjithë fëjyenë, edhe të gjithëve u mëngon lafti i Perëndisë,
24 por dalinë të dreitë me hirin’ e ati qi fal, me anë të shpërblimit qi ashtë mbë Iesu Krishtinë,
25 të cillinë Perëndia e vuni çë përpara me qenunë shpërblim me anë të besësë ndë gjak t’ati, për me diftuem dreitënin’ e ati, për ndëjesën’ e fajevet qi kanë qenë bamë përpara, me anë të durimit Perëndisë;
26 për me diftuem dreitënin’ e ati ndë këte kohë, qi të jet’ ai i dreitë, edhe të nxierri të dreitë ate qi i beson Iesuit.
27 Ku ashtë pra të mburrumitë? U mbyll jashtë? Me qish farë ligjë? Të vepëravet? Jo, por me ligjën’ e besësë.
28 E marrim me mend pra, se nieriu del i dreitë me anë të besësë, pa vepërat’ e ligjësë.
29 Apor vetëm’ i Iudevet ashtë Perëndia? E jo edhe i kombevet? Por edhe i kombevet,
30 sepse nji ashtë Perëndia, qi ka me nxierrë të dreitë rreth-presëjen’ edhe të parreth-premitë me anë të besësë.
31 Prishimë ligjënë pra me anë të besësë? Qoftë lark, por ma tepërë vemë ligjënë.