1 Prandaj, o vëllezër, po ju bëj thirrje që për hir të dhembshurisë së Perëndisë ta paraqitni veten si fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme për Perëndinë. Ky është adhurimi i duhur. 2 Mos u pajtoni me frymën e kësaj bote, por ndryshohuni duke përtërirë mendjen, që të dalloni se cili është vullneti i mirë, i pëlqyeshëm dhe i përsosur i Perëndisë.
3 Përmes hirit që më është dhënë po i them çdonjërit prej jush të mos e mbajë veten më të madh se ç'duhet, por të mendojë ashtu siç duhet, secili sipas masës së besimit që i ka dhënë Perëndia. 4 Sikurse një trup ka shumë gjymtyrë, por jo të gjitha gjymtyrët kanë të njëjtën detyrë, 5 ashtu edhe ne, që jemi shumë, jemi një trup i vetëm të bashkuar me Krishtin, secili gjymtyrë e tjetrit.
6 Ne kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na është dhënë. Kush ka dhuratën e profecisë, të profetizojë sipas masës së besimit; 7 kush ka dhuntinë e shërbimit, të shërbejë; kush ka dhuntinë për të mësuar të tjerët, t'i mësojë; 8 kush ka dhuntinë për të këshilluar, të këshillojë; kush ndan të mirat e tij me të tjerët, ta bëjë me thjeshtësi; kush drejton, ta bëjë me zell; kush bën vepra bamirësie, t'i bëjë me gëzim.
Rregulla të jetës së krishterë
9 Dashuria të jetë pa shtirje. Urreni të keqen, kapuni pas së mirës. 10 Duajeni njëri-tjetrin si vëllezër. Nderojeni tjetrin më shumë se veten. 11 Mos t'ju mungojë zelli, por me zjarr në shpirt t'i shërbeni Zotit. 12 Ngazëlloni në shpresë, duroni në vuajtje, këmbëngulni në lutje. 13 Jepni për nevojat e të shenjtëve, jini mikpritës.
14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni e mos mallkoni. 15 Gëzoni me ata që gëzojnë, vajtoni me ata që vajtojnë. 16 Jini në një mendje me njëri-tjetrin; mos jini mendjemëdhenj, por përfillni të përulurit. Mos e mbani veten për të mençur. 17 Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Kujdesuni të bëni të mirën në sytë e të gjithë njerëzve. 18 Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit.
19 Fort të dashur! Mos kërkoni shpagim, por lërini vend zemërimit të Perëndisë. Sepse është shkruar:
shpagimi më përket mua
dhe unë jam ai
që do të marrë shpagim, thotë Zoti.
20 Por, nëse armiku yt ka uri,
jepi të hajë;
nëse ka etje,
jepi të pijë.
Duke bërë kështu
do të grumbullosh thëngjij të ndezur
mbi kokën e tij.
21 Mos u mposhtni nga e keqja, por mposhteni të keqen me të mirën.
KAPTINA XII.
1 U lutem juve pra, o vëllazën, për përdëllimet e Perëndisë, të nxirrni përpara korpënitë tuei kurban të gjallë, shenjt të pëlqyeshim te Perëndia, qi ashtë lutëja juei me arrësye.
2 Edhe mos bahi me nji formë me këtë jetë, por ndërroni formënë tuei me anë të përtëritëmesë mendiesë tuei, qi të provoni cilli asht’ i miri, i pëlqyeshimi, edhe i kulluti dashunim i Perëndisë.
3 Sepse thom, me anë t’ati hirit qi m’u dha mue, mbë gjithë-se-cillinë prei jush, mos me u menduem ma tepërë se sa duhetë me u menduem, por me u menduem për me u bam’ i urtë, mbas masësë besësë qi dau Perëndia mbë gjithë-se-cillinë.
4 Sepse sikurse ndë nji korp kemi shumë anë, edhe gjith’ anëtë nukë kanë nji farë pune,
5 kështu edhe na të shumëtë jemi nji korp mbë Krishtinë, edhe gjithë-secilli prei nesh jemi anët’ e njianit tietërit;
6 edhe kemi gjithë çë farë dhunëtiash mbas hirit qi na u dha: kush të ketë profezi, le të profetizojë mbas piesësë besësë;
7 kush të ketë për me shërbyem, le t’i bierë mbrapa shërbesësë; kush te ketë për me mësuem,
8 le t’i bierë mbrapa mësimit; kush të ketë me dhanë ngushullin, le t’api ngushullim; ai qi ep prei së vetësë, le t’i api me zemërë të mitunë; ai qi asht’ i parë, le të jetë me kujdes; ai qi përdëllen, le të përdëllejë me buzë me gas.
9 Dashunia mos jetë me dy faqe; këthehi prei së keqesë, e iu ngjitni së mirësë;
10 doni fort njiani tietërinë me dashuni vëllazënie; shkonia me nder njiani tietërit;
11 mos ini të përtueshim mbë nxitim të punëvet ; bahi të nxetë ndë shpirtit; i shërbeni Zotit;
12 gëzohi ndë shpëresët; duroni ndë shtrëngim; pritni ndë të lutunit;
13 ipni prei së tuejash ndë nevojat të shenjtënavet; ndiqni miqësin’ e të huejit,
14 Bekoni ata qi u ndiekinë juve; bekoni, e mos mallëkoni.
15 Gëzohi me ata qi gëzohenë, edhe qjani me ata qi qjainë.
16 Kini nji mend njiani mbë tietërinë; mos mendoni të naltatë, por uli bashkë me të përungjëtit; mos kujtoni vetëhenë tuei për të mentshim.
17 As ndonjianit mos i shpagueni të keq ndë vend të së keqesë; vështroni për punë të mira përpara gjithë nierëzish.
18 Ndë mundëshi, sa prei anësë tuei, të keni paqtim me gjithë nierëzit.
19 Mos i mirrni shpagim vetiut, o të dashunë, por bani udhë zemërimit, sepse ashtë shkruem: “Unë kam me marrë shpagim, unë kam me shpaguem, thotë Zoti”.
20 Ndë i arthtë uni pra anëmikut t’yt, epi bukë me ngranë; ndë i ardhtë et, epi ujë me pimë, sepse kur të bajsh këte, ke më grumbulluem thëngjij të ndezunë mbi kryet t’ati.
21 Mos u mund prei së keqesë, por mund të keqenë me të mirënë.