Përshëndetje
1 Unë, Pali, jam shërbëtor i Krishtit Jezu dhe Perëndia më ka thirrur për të qenë apostull e më ka ndarë veç për të predikuar ungjillin e Perëndisë. 2 Ky ungjill, që Perëndia e premtoi që më parë përmes profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, 3 flet për Birin e tij, Zotin tonë Jezu Krisht. Për nga mishi, ai është pasardhës i Davidit, 4 ndërsa me fuqinë e Shpirtit që shenjtëron, ai u dëftua Bir i Perëndisë kur u ngjall prej të vdekurve.
5 Përmes tij Perëndia na ka dhënë hirin për të qenë apostuj, që të çojmë gjithë kombet drejt bindjes ndaj ungjillit dhe besimit në Krishtin, për lavdi të emrit të tij. 6 Ndër këto kombe bëni pjesë edhe ju, sepse u thirrët nga Jezu Krishti.
7 Po ju shkruaj të gjithëve ju në Romë që Perëndia ju do e ju ka thirrur për të qenë të shenjtë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
8 Së pari, e falënderoj Perëndinë tim përmes Jezu Krishtit për ju të gjithë, sepse besimi juaj po bëhet i njohur në tërë botën. 9 Perëndia, të cilit i shërbej me gjithë shpirt në predikimin e ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im se ju kujtoj pa pushim 10 në lutjet e mia, gjithmonë. I kërkoj Perëndisë, që, nëse është vullneti i tij, të mund të vij te ju më në fund. 11 Kam shumë dëshirë t'ju shoh për t'ju dhënë ndonjë dhunti shpirtërore, që të forcoheni 12 dhe kështu të ngushëllohemi së bashku përmes besimit të njëri-tjetrit, besimit tuaj dhe besimit tim.
13 Dua ta dini, o vëllezër, se shumë herë kam pasur ndër mend të vij te ju, që vepra ime të kishte fryt edhe te ju si te kombet e tjera, por kam qenë i penguar deri tani. 14 Unë u detyrohem edhe helenëve, edhe barbarëve, edhe të diturve, edhe të paditurve. 15 Prandaj, për sa më takon mua, jam i gatshëm t'jua shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë.
Fuqia e ungjillit
16 Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për helenin. 17 Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë , sikurse është shkruar: i drejti do të jetojë prej besimit.
Faji i njerëzimit
18 Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli kundër çdo mosbesimi e padrejtësie të njerëzve që me padrejtësi i zënë frymën së vërtetës. 19 Perëndia është i zemëruar me ta për shkak se gjithçka që mund të njihet për të është e dukshme, sepse vetë Perëndia ua ka bërë të dukshme atyre. 20 Që nga krijimi i botës cilësitë e padukshme të Perëndisë, fuqia e tij e përjetshme dhe natyra e tij hyjnore kuptohen dhe duken qartë prej gjërave që ka bërë. Prandaj ata nuk mund të kenë asnjë shfajësim. 21 Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua. 22 Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë 23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat e me rrëshqanorët.
24 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshet e ndyra të zemrave të tyre, që të çnderojnë trupat e njëri-tjetrit. 25 Ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të krijuesit që është i bekuar përjetë. Amen!
26 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës. 27 Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre.
28 Meqenëse ata nuk pranuan ta njihnin Perëndinë, ai i dorëzoi në një mendje të çoroditur për të bërë gjëra që nuk duhen bërë. 29 Ata janë plot me padrejtësi, keqdashje , lakmi, ligësi, plot smirë, vrasje, grindje, dredhi dhe poshtërsi. Ata janë përgojues, 30 shpifës, armiq të Perëndisë, të pacipë, fodullë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, 31 të pamend, të pabesë, pa dashuri e të pamëshirshëm. 32 Ata e njohin urdhërimin e Perëndisë që thotë se kush bën gjëra të tilla, meriton të vdesë. Megjithatë, ata jo vetëm i bëjnë këto, por edhe miratojnë të tjerët që i bëjnë.
KAPTINA I.
1 Pauli shërbëtori i Iesu Krishtit, thërritun’ apostull, damë mbë-nj-anë për ungjillin’ e Perëndisë,
2 (qi pat zotuem përpara me anë të profetënavet vet ndë shkronjat të shenjtënueme),
3 për të Birin’ e vet Iesu Krishtinë Zotinë t’anë (qi leu prei farësë Davidit mbas mishit,
4 edhe u diftue Bir Perëndie me fuqi, mbas shpirtit shenjtënisë, prei së ngjallëmesë së vdekunish),
5 (me anë t’ati muerëm hir e apostuli, qi të ndëgjojnë ndë besët gjithë kombetë,
6 për emënin’ e ati; ndërmiet atyneve jeni edhe ju thërritunë prei Iesu Krishtit) -
7 mbë gjith’ ata qi janë ndë Romë të dashunit’ e Perëndisë, thërritunë shenjtënë, hir qoftë mbë ju, edhe paqtim prei Perëndisë Atit t’ynë, edhe prei Zotit Iesu Krisht.
8 Ma parë i falem nders Perëndisë t’em me anë të Iesu Krishtit për gjithë ju, sepse besa juei zihetë n’gojë mbë gjithë botënë,
9 sepse Perëndia ashtë deshmitari em, të cillit i shërbej me shpirtinë t’em ndë ungjill të Birit vet, se u përmend juve pa-pushim,
10 tue u lutunë përherë ndë të falunat e mia, qi të detë Perëndia ndonjiherë të ma bajë mbarë udhënë me ardhunë te ju,
11 sepse kam shumë mall me u pamë juve, për me u dhanë ndonji dhunëti shpirtënie qi të forcohi;
12 edhe këjo ashtë për me u ngushulluem bashkë me ju me anë të besësë tuei edhe s’emesë qi kemi njiani me tietrinë.
13 Edhe due qi ta dini, o vëllazën, se shumë herë e vuna ndër mend me ardhunë te ju, (por u ndala deri tashti), qi të kemi ndonji pemë edhe ndërmiet jush, sikurse edhe ndërmiet kombevet tierë.
14 Unë jam detuer te Grekët e te barbarët, te të ditshimit e te të paditshimit;
15 kështu sa prei meje, jam gati me predikuem ungjillin’ edhe ndër ju qi jeni ndë Romë.
16 Sepse nuk turpënohem për ungjillin’ e Krishtit, sepse ashtë fuqi Perëndie për shpëtim mbë gjithë-se-cillinë qi beson, mbë Iudenë ma përpara, edhe mbë Grekunë.
17 Sepse me anë t’ati ungjillit sbulohetë dreitënia e Perëndisë prei bese mbë besë, sikurse ashtë shkruem: “Edhe i dreiti ka me rruem prei besësë”.
18 Sepse zemërim Perëndie sbulohetë prei qielli mbi qish do pabesëni e paudhëni nierëzish, qi përmbanë të vërtetënë ndë paudhëni.
19 Sepse ate qi mundetë nieriu me ngjofunë për Perëndinë, ashtë shpërfaqunë tek ata; sepse Perëndia ua shpërfaqi atyne.
20 Sepse ato punët’ e padukuna t’ati, edhe e pasosëmeja fuqia e ati, edhe hyjënia çë kurrë se u krijue bota shifenë këthiellëtë tue u marrë me mend prei atyne punëvet qi janë bamë, qi të mos munden’ ata me dhanë fjalë.
21 Sepse ndonëse ngjofnë Perëndinë, nuk’ e lavduenë si Perëndi, as nuk’ iu falnë nders, por u banë të kotë ndër mendimet e veta, edhe e marra zemëra e atyne u errësue,
22 tue thanë se janë të mentshim, u marruenë;
23 edhe ndërruenë laftin’ e të pavdierit Perëndi me shëmbëllim figure nieriu të vdierri, e shpendësh, e shtazësh, e shtërpinjsh.
24 Përandai edhe Perëndia i la ndë ndynësinë me anë të dëshërimevet zemëravet atyne,
25 qi të fulliqinë korpënat’ e atyne ndërmiet atyne, të cillëtë ndërruenë të vërtetën’ e Perëndisë me rrenënë, edhe nderuen’ e lutnë krijesësë ma tepërë se ate qi e krijoi, i cilli asht’ i bekuem për gjithë jetët. Amen.
26 Përandai Perëndia i la ndër pësime fulliqënie, sepse edhe grat’ e atyne ndërruenë zakoninë qi ashtë mbas natyrësë,
27 me ate qi ashtë kundrë natyrësë; kështu edhe mashkujtë lanë zakoninë qi ashtë mbas natyrësë gruesë, e u doqnë ndë dëshërimt të vetëhes’ atyne njiani me tietërinë, tue punuem shumtiminë mashkuj mbë mashkuj, e tue marrë pagën’ e gënjimit vet qi duhei për vetëhen’ e atyne.
28 Edhe sikurse nukë deshnë me ngjofunë Perëndinë, Perëndia i la ndë nji mend të paprovueshim, qi të bajn’ ato qi nukë duhenë,
29 sepse janë plot me qish do farë paudhënie, kurvënie, të ligë, lakëmimi, të keqeje; mbushunë me zmir, me vrasie, me qartë, me gënjim, me pësim të keq;
30 asish qi pishtëllojnë, asish qi shajnë, madhështorë, krye-naltë, asish qi shpifinë të këqia, të pandëgjueshim te përint,
31 të pamend, asish qi s’mbanë besë mbë fjalët, zemërë-pa-dhimshim, të pamiqësi, të papërdëllyeshim;
32 e këta ndonëse ngjofinë dreitënin’ e Perëndisë, se ata qi punojnë t’atillash punë janë të vëjefshim për vdekë, jo veç i bajnë, por edhe u pëlqejn’ ata qi punojn’ ato .