Adhurimi qiellor
1 Pastaj pashë një derë të hapur në qiell dhe zëri, që kisha dëgjuar më parë të më fliste si trumbetë, më tha: «Ngjitu këtu lart! Do të të tregoj ato që duhet të ndodhin më pas». 2 U rrëmbeva menjëherë nga Shpirti. Atje në qiell ndodhej një fron dhe mbi fron rrinte ulur dikush 3 që i ngjante nga pamja një guri diaspri e sardi. Fronin e rrethonte një ylber që ngjante nga pamja me gur smeraldi.
4 Rreth e qark fronit kishte njëzet e katër frone. Mbi këto frone rrinin ulur njëzet e katër pleq veshur me të bardha e me kurora të arta në kokë. 5 Nga froni dilnin vetëtima, zëra e bubullima. Para tij digjeshin shtatë shandanë të ndezur që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë. 6 Para fronit ishte diçka si det i qelqtë që ngjante si kristal.
Në qendër, rreth e rrotull fronit ndodheshin katër gjallesa plot me sy para e prapa. 7 Gjallesa e parë ngjante me një luan, e dyta me një viç, e treta e kishte fytyrën si fytyrë njeriu, ndërsa e katërta ngjante me një shqiponjë në fluturim. 8 Secila prej të katër gjallesave kishte nga gjashtë krahë. Përreth e nga brenda ishin plot me sy e nuk pushonin as ditën e as natën së thëni:
«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë
është Zoti, Perëndia i gjithëpushtetshëm,
ai që ishte, që është e që po vjen».
9 Ndërkohë që gjallesat lëvdonin, nderonin e falënderonin atë që rrinte ulur mbi fron, atë që jeton në shekuj të shekujve, 10 të njëzet e katër pleqtë binin përmbys para atij që rrinte ulur mbi fron dhe adhuronin atë që jeton në shekuj të shekujve, hidhnin kurorat e tyre para fronit dhe thoshin:
11 «I denjë je ti, Zoti e Perëndia ynë,
të marrësh lavdinë, nderimin e fuqinë,
sepse ti ke krijuar gjithçka
dhe me vullnetin tënd u bë e u krijua gjithçka».
KAPTINA IV.
1 Mbaskëndai pashë, edhe nje nji der’ e çelë ndë qiell; edhe zan’ i parë qi ndëgjova porsi za trumbete qi fliste bashkë me mue, e thoshte: Hip këtu, edhe kam me të diftuem sa duhenë me u bamë mbaskëndai.
2 Edhe përnjiherë erdha ndë shpirt; edhe nje tek ishte nji shkamp ndë qiell, edhe mbi shkampt po rrinte kushi .
3 Edhe ai qi rrinte gjante mbë të pamit porsi gur iaspide edhe sardine; edhe ishte nji yl-ber rreth shkampit qi gjante mbë të pamit porsi smaragdinë.
4 Edhe rreth shkambit ishinë njizet e katër shqembe; edhe mbë shqembet pashë ndenjunë të njizet e katër pleqtë, veshunë me petëka të bardha, edhe kishinë mbi krenët të vet kunora t’arta.
5 Edhe delshinë prei shkambit vetima e bumbullimë e zana. Edhe përpara shkambit ishinë shtatë llambadhe të ziarrmit ndezunë, të cillatë janë shtatë Shpirtënat’ e Hyjit.
6 Edhe përpara shkambit ishte nji det gastareje, qi gjante porsi krystalë. Edhe ndë miedis të shkambit edhe rreth shkambit katër shtasë, qi ishinë plot me sy përpara e mbrapa.
7 Edhe shtas’ e parë gjante porsi leon, edhe shtas’ e dytë gjante porsi viç, edhe shtas’ e tretë e kishte faqenë porsi njeri, edhe shtas’ e katërtë gjante porsi shqipe qi fluturon.
8 Edhe të katër shtasëtë kishinë gjithë-se-cilla veç e veç ka gjashtë fletë përqark, edhe përmbrenda ishinë plot me sy; edhe s’kanë të prajtunë dit’ e natë, tue thanë: Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti Hyj Gjithë-pushtetësi, ai qi ishte edhe qi asht’ edhe qi vien.
9 Edhe shtasëtë kur i apinë lavdi e nder e të falunë ndersë ati qi rrinte mbë shkampt, qi rron ndë jetët të jetëvet,
10 të njizet e katër pleqtë do t’i bijenë përpara ati qi rri mbë shkampt, edhe do t’e adhurojën’ ate qi rron ndë jetët të jetëvet, edhe do të venë kunorat’ e veta përpara shkambit, tue thanë:
11 I vëjefshim je, o Zot, me marrë lavdin’ e nderin’ e fuqinë, sepse ti krijove të gjitha, edhe për dashuniminë tat jan’ edhe u krijuenë.