Përshëndetje
1 Unë, Pali, i burgosur për Krishtin Jezu dhe vëlla Timoteu, po i shkruajmë Filemonit të dashur e bashkëpunëtorit tonë, 2 Apfisë, motrës sonë, Arkipit, bashkëluftëtarit tonë dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde: 3 hiri dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht, qofshin me ju.
Dashuria dhe besimi i Filemonit
4 E falënderoj Perëndinë tim gjithmonë kur të kujtoj në lutjet e mia, 5 sepse po dëgjoj për dashurinë tënde për të gjithë të shenjtët dhe për besimin që ke në Zotin Jezu Krisht. 6 I lutem Perëndisë që besimi që na bashkon të jetë i gjallë në ty, për të njohur çdo gjë të mirë që kemi e që na çon drejt Krishtit. 7 Dashuria jote, o vëlla, më ka gëzuar shumë e më ka ngushëlluar, sepse zemrat e të shenjtëve janë përtërirë përmes teje.
Përgjërim për Onesimin
8 Prandaj, edhe pse për shkak të Krishtit kam liri të plotë të të urdhëroj ç'duhet të bësh, 9 parapëlqej të të kërkoj diçka në emër të dashurisë. Unë Pali, i plakur, por tani edhe i burgosur për Krishtin Jezu, 10 të lutem për Onesimin, birin tim në Jezu Krishtin, që e ktheva në besimin tonë kur isha në pranga. 11 Onesimi, që dikur ishte i padobishëm për ty, tani është i dobishëm edhe për ty, edhe për mua.
12 Dhe ja ku po ta kthej atë që është vetë zemra ime . 13 Unë doja ta mbaja atë pranë vetes, që të më shërbente në vendin tënd ndërsa jam në pranga për shkak të ungjillit. 14 Por nuk desha të bëja asgjë pa dijeninë tënde, që vepra jote e mirë të mos bëhet si me detyrim, por të jetë e vullnetshme.
15 Ai ndoshta u nda nga ti për pak kohë, që ta kesh atë përjetësisht, 16 jo më si skllav, por më tepër se skllav: ta kesh si vëlla të dashur. Ai është shumë i dashur për mua, por aq më tepër duhet të jetë për ty, qoftë si njeri, qoftë si vëlla në Zotin.
17 Prandaj, nëse më ke mik, pranoje atë siç do të më prisje mua. 18 Nëse të ka bërë ndonjë dëm, apo nëse të detyrohet për ndonjë gjë, m'i ngarko mua. 19 Unë, Pali, po të shkruaj me dorën time se do të ta shlyej unë vetë detyrimin; për të mos thënë se ti më detyrohesh vetë jetën tënde. 20 Po vëlla, për hir të Zotit, ma bëj këtë nder! Ma përtëri zemrën për hir të Krishtit!
21 Të shkrova se kam besim se do të më dëgjosh dhe e di se do të bësh edhe më shumë se këto që po të them. 22 Në të njëjtën kohë përgatit edhe një dhomë për mua, pasi shpresoj se përmes lutjeve tuaja do të kthehem te ju.
Përshëndetjet e fundit
23 Të përshëndet Epafrai, i burgosur bashkë me mua për Krishtin Jezu. 24 Të përshëndesin edhe Marku, Aristarku, Dema e Luka, bashkëpunëtorët e mi.
25 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj!
KAPTINA I.
1 Pauli i lidhuni Iesu Krishtit, edhe Timotheu vëllai, mbë Filemonë të dashunin’ edhe punëtorinë shoqinë t’anë,
2 edhe mbë Apfinë të dashëmenë, edhe mbë Arhippinë ushtëtorinë shoqinë t’anë, edhe mbë kishënë ndë shtëpi tande:
3 qoftë mbë ju hir edhe paqtim prei Atit Perëndisë t’ynë, edhe prei Zotit Iesu Krisht.
4 I falem ndersë Perëndisë t’em, tue prumë ndër mend tyi përherë ndë të falunat e mia,
5 sepse ndëgjova për dashuninë tande edhe për besënë qi qe mbë Zotinë Iesu, edhe mbë gjithë shenjtënit,
6 qi të bahetë me punë piesa e besësë s’ate mbë të ngjofëmen’ e qish do farë të mire qi ashtë ndër ju, mbë Iesu Krishtinë.
7 Sepse kemi shumë gëzim edhe ngushullim për dashuninë tande, sepse zemërat’ e shenjtënavet janë prajtunë për tyi, o vëlla.
8 Përandai ndonëse kam shumë sy e faqe mbë Krishtinë me të urdhënuem tyi për ate qi duhetë,
9 por për dashuninë ma shumë të l utem, tue qenun’ i këtilli, si Pauli plak, por tashti edhe i lidhuni i Iesu Krishtit.
10 Të lutem për dialinë t’em Onesiminë, qi e polla ndër hekurat e mia,
11 i cilli njiherë qe i pavëjefshim për tyi, por tashti asht’ i vëjefshim për tyi edhe për mue,
12 ate po e dërgoj prap. Edhe ti ate, due me thanë, zemërënë t’eme, prite.
13 Unë desha ta mba ate për-anë vetiut t’em, qi të më shërbejë ndë vend teje, ndë hekurat t’ungjillit,
14 por nukë desha me bamë gja pa mendienë tande, qi të mos bahet’e mira jote prei nevojësë, por prei të dashunit.
15 Sepse vallë druese përandai u da për këte herë, qi ta kesh ate për gjithë jetënë.
16 Jo ma si shërbëtuer, por përmbi shërbëtuer, vëlla të dashunë, ma fort prei meje, edhe sa ma shumë prei teje, si mbë punë të mishit, edhe mbë të Zotit.
17 Ndë më ke pra piesëtar, prite ate porsi mue.
18 Edhe ndë qoftë se të ka bamë ndonji punë pa udhë, a të ka detyrë, këte numëroje mbi mue.
19 Unë Pauli shkrova me dorënë t’eme, unë kam për të lamë, qi mos të thom, se me kë detyrë edhe vetëhenë tande.
20 Po, o vëlla, makarë të marr prei teje unë këte të mirë mbë Zotinë, prai zemërënë t’eme mbë Zotinë.
21 Tue pasunë shpëresë mbë ndëgjiminë tand shkrova te ti, sepse e dij se ke me bamë edhe ma tepërë se qish thom.
22 Me gjithë këto më ban gati edhe vend për me ndenjunë, sepse shpërej se me anë të falunavet tueja do t’epen dhunëti te ju.
23 Të faletë me shëndet Epafrau robi shoqi em mbë Iesu Krishtinë,
24 Marku, Aristarhu, Demai, Luka, punëtorëtë shokët’ e mi.
25 Hiri i Zotit t’ynë Iesu Krishtit qoftë bashkë me shpirtinë tuei. Amen.
(Letëra) mbë Filemonë u shkrue kah Roma, (e u dërgue) me anë te Onesimit shërbëtorit .