1 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do ta provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi».
Shndërrimi i Jezuit
(Mt 17.1-13Lk 9.28-36)
2 Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre 3 dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t'i zbardhte aq shumë. 4 Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. 5 Pjetri i tha Jezuit: «Mësues , sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». 6 Në të vërtetë nuk dinte ç'të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. 7 Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». 8 Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta.
9 Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve. 10 Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç'do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve? 11 Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». 12 Ai u tha: «Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse është shkruar se Biri i njeriut do të vuajë shumë e do të përçmohet? 13 Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur e me të bënë çfarë deshën, siç është shkruar për të».
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Mt 17.14-20Lk 9.37-43a)
14 Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. 15 Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. 16 Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». 17 Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. 18 Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t'ia dëbojnë, por nuk mundën». 19 Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». 20 Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. 21 Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. 22 Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». 23 Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». 24 Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakët !». 25 Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». 26 Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». 27 Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë.
28 Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». 29 Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje ».
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mt 17.22-23Lk 9.43b-45)
30 Pastaj u larguan që aty e kaluan nëpër Galile. Jezui nuk donte ta merrte vesh njeri. 31 Ai po mësonte dishepujt e tij e u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, ata do ta vrasin dhe, pas tri ditësh, ai do të ngjallet». 32 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë e kishin frikë ta pyesnin.
Kush është më i madhi
(Mt 18.1-5Lk 9.46-48)
33 Arritën në Kafarnaum e kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, i pyeti: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin gjatë rrugës?». 34 Ata heshtën, se gjatë rrugës kishin biseduar se cili prej tyre ishte më i madhi.
35 Pasi u ul, i thirri të dymbëdhjetët e u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve e shërbëtor i të gjithëve».
36 Pastaj mori një fëmijë, e vuri mes tyre e duke e marrë në krahë, u tha: 37 «Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar».
Me ne, jo kundër nesh
(Lk 9.49-50)
38 Gjoni i tha Jezuit: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk vinte pas nesh».
39 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se askush nuk mund të flasë keq për mua sapo bën një vepër të fuqishme në emrin tim. 40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne. 41 Nëse dikush do t'ju japë të pini një gotë ujë për shkak se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij».
Shkaktar për mëkat
(Mt 18.6-9Lk 17.1-2)
42 «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det. 43-44 Nëse dora jote të bëhet pengesë, prije! Është më mirë të hysh i gjymtuar në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart e të shkosh në Gehenë, në zjarrin që nuk shuhet. 45-46 Dhe nëse këmba jote të çon në mëkat, prije! Është më mirë të hysh i çalë në jetë, sesa t'i kesh të dyja këmbët e të të hedhin në Gehenë . 47 Nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre! Është më mirë të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenë, 48 atje ku tenja nuk ngordh e zjarri nuk shuhet.
49 Në të vërtetë, gjithçka do të kripet me zjarr .
50 Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si do t'ia ktheni? Kini kripë në veten tuaj e jetoni në paqe me njëri-tjetrin».
KAPTINA IX.
1 Ende u thoshte atyne: Me të vërtet po u thom juve, se janë disa prei këtyneve qi rrinë këtu, qi s’kanë me ngranë vdekë, ngjer sa të shofinë mbëretënin’ e Perëndisë ardhunë me fuqi.
2 Ende mbas gjashtë ditsh Iesui merr me vetëhe Pietrin’ ende Iakobin’ ende Gjionnin’, ende i hypën vetëmë mbë nji mal të naltë veç-anë; ende ndërroi fytyrën’ e vet përpara atyne.
3 Ende petkat’ e ati u banë të ndrituna e të bardha tepërë, posi bora, këso-faret qi as ai qi lan petkatë mbi dhet s’mundetë me i sbardhunë.
4 Ende u duk mb’ata Elia bashkë me Moisenë, ende ishinë tue folunë bashkë me Iesunë.
5 Ende Pietri u përgjeq, e i tha Iesuit: Mieshtër, mirë ashtë të jemi na këtu; ende le të bajmë tri tenda, nji për tyi, ende nji për Moisenë, ende nji për Elinë.
6 Sepse s’dinte se qish me folunë, sepse ishinë tremunë.
7 Ende i mbuloi nji re, ende erdhi nji za prei resë, tue thanë: Kyi ashtë biri em i dashumi; ati i ndëgjoni.
8 Ende befas, kur vun’ ore rreth, s’panë ma askend, po Iesunë vetëmë bashkë me ata.
9 Ende ata tue sdripunë prei malit, i porositi mos me i diftumë askuit sa panë, veç kur të ngjalletë prei së vdekunish i bir’ i nieriut.
10 Ende ata e ruitnë fjalënë ndër vetëhe, tue u ngranë me fjalë njiani me tietrinë: Qish ashtë këjo e ngjallëme prei së vdekunish.
11 Ende pysin’ ate, tue thanë: Përse thonë Shkruisitë, se duhetë me ardhunë ma përpara Elia?
12 Ende ai u përgjeq, e u tha atyne: Elia vien ma përpara, ende ve mbë vend të gjitha punëtë ; ende se si ashtë shkrumë për të birin’ e nieriut, se duhetë me hekunë shumë, ende se s’do ta kenë për gja.
13 Po unë po u thom juve, se ende Elia erdhi, ende i banë sa deshnë, sikundrë ashtë shkrumë për ate.
14 Ende kur erdhi ke dishepujt, pa shumë gjindeje rreth atyne, ende Shkruisitë tue u ngranë me fjalë bashkë me ata.
15 Ende përnjiherë gjithë gjindëja kur pan’ ate, u habitnë, ende tue nxitumë, e përshëndetshinë.
16 Ende ai pyeti Shkruisitë: Ç’haheni me fjalë bashkë me ata?
17 Ende nji prei gjindëjes’ u përgjeq, e tha: Mieshtër, pruna t’em-bir ke ti, qi ka shpirt të pagojë;
18 ende kudo ta zajë, e shkund, ende shkumon, e ngërcëllon dhambët’ e vet, ende thahetë; ende u thashë dishepujvet tu për me e nxierrë, po s’muftnë.
19 Ende ai u përgjeq, e tha: O bres i pabesë, ngjer kur do të jemi bashkë me ju? Ngjer kur do t’u duroj juve? Bini ate ke unë.
20 Ende e prunë ke ai; ende kur pa ate, përnjiherë shpirti e shqeu; ende ra për dhe, e tërhiqei barkas tue shkumumë.
21 Ende ai pyti të i atin’ e ati: Sa kohë ka çë kur se i gjau këjo? Ende ai tha: Çë kur se ishte çun i vogëlë.
22 Ende shumë herë e hodhi ende ndë ziarrm, ende nd’ujëna, për me u humbunë; po ndë mufsh me bamë gja, le të dhimbetë për ne, e na ndimo.
23 Ende Iesui i tha këte: Ndë mufsh me mbesumë, të gjitha mundenë me u bamë mb’ate qi beson.
24 Ende përnjiherë i ati çunit vogëlë thërriti me lot, tue thanë: Zot, mbesoj; ndimoi pa-besënisë s’eme.
25 Ende Iesui kur pa se po mbëlidhei gjindëja, qirtoi shpirtin’ e ndytë, tue thanë: Shpirt i pagojë ende shurth unë të urdhënoj dil prei ati, ende mos hyjsh ma ke ai.
26 Ende ai tue bërtitun’ e tue shqym’ ate shumë, dul; ende u ba posi i vdekunë; kaqi sa shumë vetë thoshinë se vdiq.
27 Ende Iesui e kapi për dore, ende e çoi; ende u ngrit.
28 Ende kur hynë ndë shtëpit, dishepujt’ e ati e pysinë veç-anë: Përse nukë muftëm na me e nxierrë?
29 Ende ai u tha atyne: Kyi komp diajsh s’mundetë me dalunë me tietër gja, veç me të falun’ e me agjinim.
30 Ende si dulnë andej, shkojinë ndëpër Galile, ende s’donte me e marrë vesht kushi.
31 Sepse mësonte dishepujt’ e vet, e u thoshte, se i bir’ i nieriut epetë ndër durë të nierëzëvet, ende kanë me e vramë; ende si të vritetë, ka me u ngjallë të tretënë ditë.
32 Po ata nuk’ e merrinë vesht fjalënë, ende kishinë frikë me e pytunë.
33 Ende erdhi ndë Kapernaum, ende kur hyni ndë shtëpit, pyste ata: Qish mendoheshitë mb’udhë ndër vetëhe?
34 Po ata s’pëzajinë, sepse mb’udhë banë kuvend ndërmiet atyneve, cilli ashtë ma i math.
35 Ende si ndejti, thirri të dy-mbë-dhitëtë, ende u tha: Kush të detë me qen’ i parë, ka me qen’ i mbrapmi të gjithëve, ende shërbëtor i të gjithëve.
36 Ende mur nji çun të vogëlë, ende e qindroi ndë miedis t’atyneve; ende si e mur n’grykë, u tha atyne:
37 Kush të presi nji të këtillë çunash të vogëlë mb’emënit t’em, ka pritunë mu; ende kush të presi mu, s’ka pritunë mu, po ate qi më ka dërgumë.
38 Ende Gjionni iu përgjeq, tue thanë: Mieshtër, pam nji nieri qi nxir diaj mb’emënit tand, i cilli nukë na vien mbrapa; ende e ndalëm, sepse nukë na vien mbrapa.
39 Por Iesui tha: Mos e ndalni, sepse askushi s’asht’ ai qi ban mërekulli mb’emënit t’em, ende do të mundetë përnjiherë me folunë keq për mu.
40 Sepse ai qi nuk’ ashtë kundrë nesh, ashtë bashkë me ne.
41 Ende ai qi t’u api juve nji potir ujë mb’emënit t’em, sepse jeni të Krishtit, me të vërtet po u thom juve, s’ka me e humbunë pagën’ e vet.
42 Ende ai qi të shkandalizojë nji prei kësish ma të vogjilish qi më mbesojnë, ashtë ma mirë për atë, ndë iu lithtë nji gur mullini mbë qafë t’ati, ende të hidhetë ndë det.
43 Ende ndë të shkandalizoftë dora jote, preje; ashtë ma mirë për tyi me hymë ndë jetët me nji dorë, se tue pasunë të dy durët, me shkumë ndë xhehenem, ndë ziarrm të pa-shumë,
44 atie ku “krymbi i atyneve s’ka të mbarume, ende ziarrmi s’ka të shumë”.
45 Ende ndë të shkandalizoftë kamba jote, preje, sepse ashtë ma mirë për tyi me hymë ndë jetët çal, se tue pasunë të dy kambëtë, me u hedhunë ndë xhehenem, ndë ziarrm të pa-shumë;
46 atie ku “krymbi i atyneve s’ka të mbarume, ende ziarrmi s’ka të shumë”.
47 Ende ndë të shkandalizoftë syni yt, nxire; ashtë ma mirë për tyi me hymë me nji sy, ndë mbëretënit të Perëndisë, se tue pasunë dy sy, me u hedhunë ndë xhehenem të ziarrmit,
48 atie ku “krymbi i atyneve s’ka të mbarume, ende ziarrmi s’ka të shumë”.
49 Sepse çdo nieri ka me u krypunë me ziarrm, ende çdo kurban ka me u krypunë me krypë.
50 Krypa asht’ e mirë, po ndë u baftë krypa e pashëllishime, me se keni me e shëllimë? Kini krypë ndër vetëhe, ende kini paqtim njiani me tietrinë.