Pastrimi i të lebrosurit
(Mk 1.40-45Lk 5.12-16)1 Kur Jezui zbriti nga mali, turma të mëdha i shkuan pas. 2 Dhe ja, një i lebrosur iu afrua, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». 3 Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe ai u pastrua menjëherë nga lebra. 4 Jezui i tha: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti e kushto dhuratën që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi».
Besimi i kryeqindësit
(Lk 7.1-10Gjn 4.43-54)5 Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: 6 «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». 7 Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». 8 Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. 9 Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». 10 Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. 11 Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, 12 ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». 13 Pastaj i tha kryeqindësit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!». Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
Shërimi i shumë njerëzve
(Mk 1.29-34Lk 4.38-41)14 Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe. 15 Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t'u shërbente. 16 Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët, 17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isai:
mori mbi vete dobësitë tona
dhe mbarti sëmundjet tona.
Të ndjekësh Jezuin
(Lk 9.57-62)18 Kur pa se ishte i rrethuar nga një turmë e madhe, Jezui urdhëroi të shkonin në bregun tjetër. 19 Një shkrues iu afrua e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo që të shkosh». 20 Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
21 Një tjetër, një nga dishepujt, i tha: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë». 22 Por Jezui i tha: «Ti më ndiq mua dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre».
Fashitja e stuhisë
(Mk 4.35-41Lk 8.22-25)23 Pastaj hipi në varkë i ndjekur nga dishepujt e vet. 24 Dhe ja, në liqen u ngrit një stuhi e madhe, aq sa varka u mbulua nga dallgët. Ndërkohë ai flinte. 25 Ata iu afruan, e zgjuan e i thanë: «O Zot, na shpëto se po mbytemi!». 26 Ai u tha: «Përse keni frikë, o besimpakë?». Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe liqenin. Pastaj u bë bunacë e madhe. 27 Njerëzit, të mahnitur, i thanë njëri-tjetrit: «Kush është ky që i binden edhe erërat, edhe liqeni?».
Shërimi i dy të pushtuarve nga djalli
(Mk 5.1-20Lk 8.26-39)28 Kur arriti në bregun tjetër, në vendin e gadarenëve, i dolën përpara dy të pushtuar nga djalli që erdhën nga varrezat. Ata ishin aq të egër, saqë askush nuk guxonte të kalonte asaj rruge. 29 Dhe, ja, ata filluan të bërtisnin e të thoshin: «Çfarë ke me ne, o Biri i Perëndisë? Ke ardhur të na mundosh para kohe?». 30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash 31 dhe djajtë iu lutën Jezuit: «Nëse na dëbon, na dërgo te kjo tufë derrash». 32 Ai u tha: «Shkoni!». Atëherë, pasi dolën, ata shkuan te derrat dhe e tërë tufa u hodh nga humnera në liqen e u mbyt në ujë. 33 Ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve e shkuan në qytet, që të tregonin për të pushtuarit nga djalli e për gjithçka ndodhi. 34 Dhe, ja, i gjithë qyteti i doli para Jezuit dhe kur e panë, iu lutën të largohej nga krahina e tyre.
KAPTINA VIII.
1 Edhe ai kur sdrypi prei malit, shumë gjindëje i voitnë mbrapa.
2 Edhe qe tek erdhi nji i kromosunë, edhe e adhuronte, tue thanë: Zot, ndë daç, mundesh me më qiruem.
3 Edhe Iesui shtrini dorën’ edhe e preku, tue thanë: Due; qirohu. Edhe përnjiherë iu qirue kroma.
4 Edhe Iesui i thotë: Shiko mos i thuesh kuit, por shko, e difto vetëvetëhenë te prifti, edhe shpierë dhunëtinë qi ka urdhënuem Moiseu, për dëshmi mb’ata.
5 Edhe Iesui kur hyni ndë Kapernaum, i erdhi përanë nji urdhën-qindës, tue iu lutunë,
6 edhe thoshte: Zot, shërbëtori em dergjetë ndë shtëpit ulok, e mundohetë vështirshim.
7 Edhe Iesui i thotë: Unë kam me ardhunë, e kam me e shëndoshunë.
8 Edhe urdhën-qindësi u përgjeq, e tha: Zot, nukë jam i zoti qi të më hyjsh ndënë strehet, por thuei vetëmë nji fjalë, edhe shërbëtori em ka me u shëndoshunë.
9 Sepse edhe unë jam nji nieri ndën’ urdhënë, edhe kam me vetëhenë t’eme ushtëtorë; edhe i thom këti: Shko, edhe shkon; edhe tietërit: Eja, edhe vien; edhe shërbëtorit t’em: Ban këtë, edhe e ban.
10 Edhe Iesui kur ndëgjoi, u mërekullue, edhe u tha atyneve qi e merrshinë mbrapa: Me të vërtet po u thom juve, se as ndë Israel s’kam me gjetunë kaqi besë.
11 Edhe po u thom juve, se shumë vetë kanë me ardhunë prei së lemesh, e prei së perënduemesh diellit , edhe kanë me ndenjunë ndë mësallë bashkë me Abrahamin’ e me Isaakun’ e me Iakobinë ndë mbëretënit të qillvet.
12 Por të bijt’ e mbëretënisë kanë me u hedhunë nd’errësinët të përjashtëme, atie ku ka me qenë të qjamit e të dridhunit’ e dhambëvet.
13 Edhe Iesui i tha urdhën-qindësit: Shko; edhe t’u baftë sikurse besove. Edhe shërbëtor’ i ati u shëndosh çë mb’atë herë.
14 Edhe Iesui kur erdhi ndë shtëpit të Pietrit, pa të vieherrën’ e ati tue u diergunë ndër ethe.
15 Edhe e kapi për dore, edhe e lan’ ethetë; edhe ajo u çue, e u shërbente atyneve.
16 Edhe si u ngrys, i prunë shumë të diallosunë, edhe ai xuer shpirtënat’ e këqij me fjalë, edhe shëndoshi gjith’ ata qi kishinë keq,
17 qi të mbushetë qish ashtë thanë, prei profetit Isaisë, qi thoshte: “Ai muer sëmundëjetë t’ona, edhe barti lingatatë”.
18 Edhe Iesui kur pa shumë gjindëje rreth vetëhesë, urdhënoi me shkuem përtej.
19 Edhe nji Shkruis u afrue, e i tha: Mieshtër, kam me ardhunë mbrapa teje kudo qi të veç.
20 Edhe Iesui i thotë: Dhelpënatë kanë shtrokulla, edhe shpendët’ e qiellit çerdhe, por i bir’ i nieriut s’ka ku me ulunë kryetë.
21 Mbasandai nji tietër prei dishepujsh ati i thotë: Zot, më lenë përpara me voitun’ e me vorruem t’em atë.
22 Por Iesui i tha: Më merr mbrapa; edhe lenë të vdekunitë me vorruem të vdekunit’ e vet.
23 Edhe kur hyni ndë lundrët, e muernë mbrapa dishepujt’ e ati.
24 Edhe qe tek u ba nji tërmet i math ndë det, kaqi sa po mbulohei lundra prei valësh, por ai flinte.
25 Edhe dishepujt’ e ati i erthnë përanë, edhe e çuenë, tue thanë: Zot, shpëtona, se po hupimë.
26 Edhe ai u thot’ atyneve: Përse jeni frikësa, o besë-pakë? Atëherë u çue, e qirtoi erënat’ edhe detinë; edhe u ba bunac’ e madhe.
27 Edhe nierëzitë mërekulloheshin’ e thoshinë: Çfarë nieriu ashtë kyi? Se edhe erënat’ edhe deti i ndëgjojnë!
28 Edhe kur erdhi mb’anë të tejme ndë katund të Gergesinvet, hasnë me atë dy të diallosunë, dalë prei vorresh, shumë të egër, kaqi sa s’mundei kurkushi me shkuem përanë asai udhe.
29 Edhe qe te thirrnë, tue thanë: Qish ke me ne edhe ti, o Iesu, i Bir’ i Perëndisë? Erdhe këtu para kohësë me na munduem?
30 Edhe lark atyneve ishte nji tub’ e madhe thish tue kullotunë.
31 Edhe djemënit’ i luteshin’ e i thoshinë: Ndë na xierrsh këndyj , na lenë me shkuem ndë tubë të thivet.
32 Edhe ai u tha atyneve: Shkoni. Edhe ata duelnë e shkuenë ndë tubë të thivet, edhe qe gjithë tuba e thivet tek u tuerr prei shkrepit, e ranë ndë det, edhe cofnë ndër ujënat.
33 Edhe baritë iknë, e erthnë ndë qytet, e dhanë za për të gjitha, edhe për punë të diallosëmvet.
34 Edhe qe gjithë qyteti tek i duel përpara Iesuit, edhe kur pan’ atë, iu lutnë qi të dali prei synoresh atyne.