Besimi i kryeqindësit
(Mt 8.5-13Gjn 4.43-54)
1 Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum. 2 Aty gjendej një kryeqindës që kishte një shërbëtor, të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur. 3 Kur dëgjoi për Jezuin, kryeqindësi dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t'i luteshin të vinte për t'i shëruar shërbëtorin. 4 Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh, 5 sepse e do popullin tonë e na ka ndërtuar edhe sinagogën». 6 Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur kryeqindësi dërgoi disa miq për t'i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time. 7 Prandaj nuk m'u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. 8 Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi e kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». 9 Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me kryeqindësin. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh».
10 Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e kryeqindësit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.
Ngjallja e djalit të vejushës
11 Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij dhe nga një turmë e madhe. 12 Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte. 13 Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!». 14 Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!». 15 I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma. 16 Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe: «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet».
17 Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth.
Të dërguarit e Gjon Pagëzorit
(Mt 11.2-19)
18 Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre 19 e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 20 Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?”». 21 Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve. 22 Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 23 Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».
24 Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 25 Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore. 26 Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 27 Gjoni është ai për të cilin është shkruar:
ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim
përpara teje,
që të përgatisë udhën tënde.
28 Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai».
29 Të gjithë ata që e dëgjuan këtë gjë, përfshirë edhe tagrambledhësit, pranuan se Perëndia është i drejtë dhe u pagëzuan nga Gjoni. 30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit iu kundërvunë vullnetit të Perëndisë e nuk u pagëzuan nga Gjoni.
31 Pastaj Jezui tha: «Me kë t'i krahasoj njerëzit e kësaj breznie, me kë ngjajnë? 32 Ata u ngjajnë fëmijëve që ulen shesheve dhe i thërrasin njëri-tjetrit e i thonë:
“I ramë fyellit për ju
e nuk kërcyet,
vajtuam
e ju nuk qatë”.
33 Erdhi Gjon Pagëzori, që as ha bukë e as pi verë, e ju thoni: “Është i pushtuar nga djalli”. 34 Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi, e ju thoni: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. 35 Por urtia e Perëndisë del e drejtë nga të gjithë bijtë e saj».
Falja e gruas mëkatare
36 Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37 Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë. 38 Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t'ia lagte këmbët me lot e t'ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t'ia puthte këmbët e t'ia lyente me mirrë. 39 Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare». 40 Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë». Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues». 41 I tha: «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë. 42 Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?». 43 Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh». E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt». 44 Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m'i lau me lotët e saj e m'i thau me flokët e saj. 45 Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia sapo hyra brenda. 46 Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m'i leu këmbët me mirrë. 47 Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri». 48 Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet». 49 Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që falka edhe mëkatet?». 50 Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».
KAPTINA VII.
1 Edhe mbassi mbaroi gjithë fjalët’ e veta ndër veshë të popullit hyni ndë Kapernaumë.
2 Edhe shërbëtor’ i nji qindori, qi e kishte shumë të vëjefshim, ishte i lik për me vdekunë.
3 Edhe kur ndëgjoi për Iesunë, dërgoi pleqt’ e Iudevet tek ai, tue iu lutunë qi të vijë me shpëtuem shërbëtorin’ e ati.
4 Edhe ata erthnë te Iesui, e i luteshinë me nxitim, tue thanë, se: Vëjen me ia bamë këte,
5 sepse ai do kombinë t’anë, edhe ai na ka ndërtuem synagogënë.
6 Edhe Iesui po shkonte bashë me ata. Edhe tashti tue qenunë pak lark prei shtëpisë, qindori dërgoi miq tek ai, tue i thanë: Zot, mos u mundo, sepse s’jam i zoti të hyjsh ndënë shtrehe t’eme,
7 përandai as vetëhenë t’eme s’e bana të vëjefshim me ardhunë te ti, por thuei nji fjalë, edhe shërbëtori em ka me u shëndoshunë.
8 Sepse edhe unë jam nji nieri ndën’ urdhënë, edhe kam ndënë vetëhenë t’eme ushtëtorë, edhe i thom këti: Shko, edhe shkon; edhe tietrit: Eja, edhe vien; edhe shërbëtorit t’em: Ban këte, edhe e ban.
9 Edhe Iesui kur ndëgjoi këto, u mërekullue për ate, edhe u këthye, e i tha popullit qi e merrte mbrapa: Po u thom juve, se - As ndë Israel s’kam gjetunë kaqi besë.
10 Edhe ata qi ishinë dërguem kur u këthyenë ndë shtëpi, gjetnë shërbëtorinë qi ishte sëmunë shëndoshunë.
11 Edhe ndë nesëret Iesui vinte ndë nji qytet qi quhetë Nain; edhe ishinë tue votunë bashkë me ate miaft prei dishepujsh ati, edhe shumë gjindëje.
12 Edhe kur erdhi ngjat derësë qytetit, qe te po bijshinë jashtë nji të vdekunë, të cillin’ e ama e kishte bir të vetëmë, edhe ajo ishte e ve; edhe bashkë me ate ishte miaft gjindëje prei qytetit.
13 Edhe Zoti kur pa ate, pat të dhimbunë për ate, edhe i tha: Mos qjai.
14 Edhe u afrue, e preku shtratinë, edhe ata qi ishinë tue bartunë qindruenë, edhe tha: Dialosh, po të thom - Çohu.
15 Edhe i vdekuni ndejti mbë bythë, edhe filloi me folunë. Edhe ia dha s’amës’ ati.
16 Edhe të gjithë i muer frika, edhe lavdojshinë Perëndinë, tue thanë, se: Profet i math ashtë ngritunë ndër ne; edhe se Perëndia vuni ore popullin’ e vet.
17 Edhe këjo fjalë për ate duel jashtë ndër gjithë Iudenë, edhe ndër gjith’ ate nahije.
18 Edhe dishepujt e ati i dhanë za Gjionnit për gjithë këto.
19 Edhe Gjionni thirri për-anë dy vetë prei dishepujsh vet, e i dërgoi te Iesui, tue thanë: Ti je ai qi ka për me ardhunë apor presimë tietër?
20 Edhe nierëzitë si erthnë tek ai, thanë: Gjionn pagëzori na ka dërguem te ti, tue thanë: Ti je ai qi ka për me ardhunë, apo presimë tietër?
21 (Edhe nd’ate orë ai shëndoshi shumë vetë prei lingatash, e prei mundimesh, e prei frymash këqia, edhe shumë të verbënave u fali dritënë me pamë).
22 Edhe Iesui u përgjeq, e u tha: Shkoni e nepni za Gjionnit për gjithë sa pat’ e ndëgjuetë; se të verbën çelinë sytë, ulogë ecinë, të kromosunë qirohenë, shurdha ndëgjojnë, të vdekunë ngjallenë, të vobeqitë ndëgjojnë zanin’ e mirë;
23 edhe i lumun’ asht’ ai qi të mos shkandalizohetë mbë mue.
24 Edhe mbassi iknë ata qi ishinë dërguem prei Gjionnit, filloi me i thanë gjindëjesë për Gjionninë: Përse keni dalë ndë shkretinët me vum ore? Kallam qi tundetë prei erësë?
25 Por përse keni dalë me pamë? Nieri veshunë me petka të buta? Qe ata qi janë veshunë me petka të ndrituna, edhe ndër të kënaquna, te janë ndëpër dyert e mbëretënavet.
26 Por përse keni dalë me pamë? Profet? Po, u thom juve, edhe ma tepërë se profet.
27 Kyi asht’ ai qi ashtë shkruem për ate: “Qe unë te dërgoj engjullinë t’em përpara faqesë s’ate, ai ka me ndrequn’ udhënë tande përpara tejet”.
28 Sepse po u thom juve: Ma i math profet se Gjionn pagëzori as ndonji nuk’ ashtë ndër gjithë sa kanë lemë prei grash, por ma i vogëli ndë mbëretënit të Perëndisë ashtë ma i math se ai.
29 Edhe gjithë populli kur ndëgjoi ate , edhe publikanëtë qi ishinë pagëzuem me pagëzimin’ e Gjionnit, dreitënuenë Perëndinë.
30 Por Fariseit’ edhe ligjëtarëtë hothnë poshtë prei vetëhes’ atyne andën’ e Perëndisë, sepse nuk’ u pagëzuenë prei ati.
31 Edhe Zoti tha: Me ke t’i përgjaj pra nierëzit’ e këti brezi? Edhe me ke përgjajnë?
32 Këta përgjajnë me çuna qi rrinë ndë treg, edhe thërrasinë njiani tietrinë, e thonë: U ram fyllit, edhe nuk karcyetë; u bam vaje, edhe nukë qjatë.
33 Sepse erdhi Gjionn pagëzori qi as bukë s’ha, as venë s’pi, edhe thoni, se : Ka diallinë.
34 Erdhi i bir’ i nieriut tue ngran’ e tue pimë, edhe thoni: Qe, nieri hamës e venë-pimës, miku i publikanëvet e i fajtorëvet.
35 Edhe ditunia duel e dreitë prei gjithë të bijvet ati brezi .
36 Edhe nji prei Fariseish i lutei me ngranë bashkë me ate. Edhe ai hyni ndë shtëpit të Fariseut, e ndejti ndë mësallë.
37 Edhe qe nji grue nd’ate qytet, e cilla ishte fajtore, kur e ndjeu se ka ranë ndë shtëpit të Fariseut, pruni nji alabastër me voj eret,
38 edhe ndejti mbrapa për-anë kambëvet ati tue qjamë, edhe filloi me lagunë kambët’ e ati me lot, edhe i mpëshinte me flokët e kresë vet, edhe puthte kambët’ e ati, edhe i lyente me voj eret.
39 Edhe ai Fariseu qi kishte thërritun’ ate kur pa, tha me vetëvetëhenë, tue thanë: Kyi ndë ishte profet, mundei me e marrë vesht cilla, edhe çfarë grue asht’ ajo qi prek ate, sepse ashtë fajtore.
40 Edhe Iesui u përgjeq, e i tha: Simon, kam me të thanë për nji gja send. Edhe ai thotë: Mieshtër, thuei.
41 Nji hua-dhanës kishte dy detorë: njiani i kishte detyrë pesë qind dinarë, edhe tietri pesë-dhetë.
42 Edhe mbassi s’kishinë me ia lamë, ua fali të dyve. Cilli pra prei asish, thuei, ka me e dashunë ma tepërë?
43 Edhe Simoni u përgjeq, e tha: Më duketë se ai, të cillit i fali ma të shumënë; edhe ai i tha: Gjukove dreitë.
44 Edhe si këtheu kryetë te grueja, i tha Simonit: A shef këte grue? Hyna ndë shtëpit tande, ti nukë më dhe ujë për me lamë kambëtë, por ajo më lagu kambëtë me lot, edhe i mpëshiu me flokët e kresë vet.
45 Ti nukë më puthe, por ajo, çë kur se hyna, s’prajti tue puthunë kambët’ e mia.
46 Ti nukë më leve kryetë me voj, por ajo më leu kambëtë me voj eret.
47 Prandai, po të thom, iu kanë ndëjyem asai fajet’ e shuma, sepse deshi shumë, sepse ai qi do pak, pak i ndëjehenë fajetë .
48 Mbasandai i thot’ asai: T’u kanë ndëjyem fajetë.
49 Edhe ata qi ishinë ndenjunë ndë mësallë filluenë me thanë ndër vetëhe: Cilli ashtë kyi qi ndëjen edhe faje?
50 Edhe ai i tha gruesë: Besa jote të shpëtoi; shko ndë paqtim.