Thirrja e dishepujve të parë
(Mt 4.18-22Mk 1.16-20)1 Jezui gjendej pranë liqenit të Gjenesaretit dhe turma shtyhej drejt tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. 2 Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat. 3 Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul e mësonte turmën nga varka.
4 Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko tej në thellësi e hidhni rrjetat për peshkim». 5 Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, por për hir të fjalës sate do t'i hedh rrjetat». 6 Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat. 7 Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër të vinin e t'i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin. 8 Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit e tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar». 9 Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë. 10 Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, të afërm të Simonit. Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë! Që tani do të jesh peshkatar njerëzish». 11 Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka e shkuan pas Jezuit.
Pastrimi i të lebrosurit
(Mt 8.1-4Mk 1.40-45)12 Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys e iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». 13 Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë. 14 Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt e i tha: «Shko e paraqitu te prifti e kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t'u shërbejë si dëshmi». 15 Megjithatë, fjala për Jezuin përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. 16 Por ai u tërhoq në vende të shkreta e lutej.
Shërimi i të paralizuarit
(Mt 9.1-8Mk 2.1-12)17 Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj e mësues të ligjit të Moisiut që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi. Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte.
18 Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui e ta vinin para tij, 19 por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit. 20 Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet». 21 Shkruesit dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». 22 Jezui i kuptoi mendimet e tyre e u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? 23 Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”?. 24 Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». 25 Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë. 26 Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë e plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme».
Thirrja e Levit
(Mt 9.9-13Mk 2.13-17)27 Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». 28 Ai la gjithçka, u ngrit e i shkoi pas.
29 Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish e njerëzish të tjerë. 30 Atëherë farisenjtë dhe shkruesit e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?». 31 Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. 32 Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen».
Çështja e agjërimit
(Mt 9.14-17Mk 2.18-22)33 Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pinë». 34 Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? 35 Por do të vijnë ditët kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë».
36 Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t'i përshtatet së vjetrës.
37 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t'i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm. 38 Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj .
39 Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”».
KAPTINA V.
1 Edhe gjindëja kur ishte tue shtrënguem ate për me ndëgjuem fjalën’ e Perëndisë, ai kishte ndenjunë për-anë lëqenit Gennesaretit,
2 edhe pa dy lundra ndenjunë për-anë lëqenit; edhe peshkatorëtë duelnë prei asosh, e lajshinë rretatë.
3 Edhe ai hyni mbë njianënë prei aso lundrash, qi ishte e Simonit, e i lutei me e larguem pak prei toket. Edhe si ndejti, mësonte gjindëjenë prei lundret.
4 Edhe si pushoi prei së folunit, i tha Simonit: Çoje lundrënë mbë të thellëtë, edhe hithni rretatë tueja për me gjueitunë.
5 Edhe Simoni u përgjeq, e i tha: Mieshtër, gjithë natën’ u munduem, edhe nukë zum gja, por për fjalënë tande kam me hedhunë rretënë.
6 Edhe si banë këte, mbyllnë mbrenda nji shumicë të madhe peshqish, edhe rreta e atyne po shqyhei.
7 Edhe u banë me shenjë shokëvet qi ishinë ndë lundrët tietër, për me ardhun’ e me u ndimuem atyne. Edhe ata erthnë, edhe mbushnë të dy lundratë, kaqi sa ato po zhyteshinë.
8 Edhe Simon Pietri kur pa, ra ndër kambë të Iesuit, tue thanë: Dil prei mejet, Zot, sepse jam nieri fajtuer.
9 Sepse u tëmerue ai, edhe gjith’ ata qi ishinë bashkë me ate, prei gjasë peshqvet qi zunë;
10 kështu edhe Iakobi edhe Gjionni, të bijt’ e Zebedeut, të cillët’ ishinë shokë me Simoninë. Edhe Iesui i tha Simonit: Mos ki frikë; se për-mbas-këndai ke me zanë nierës.
11 Edhe si tërhoqnë lundratë mbë tokë, lanë të gjitha, e votnë mbrapa ati.
12 Edhe ai kur ishte ndë nji qytet, qe nji nieri plot me kromë, i cilli kur pa Iesunë, ra me faqe për dhe, e iu lut, tue thanë: Zot, ndë daç, mundesh me më qiruem.
13 Edhe ai shtrini dorën’, e preku ate, edhe tha: Due. Qirohu. Edhe përnjiherë shkoi kroma prei ati.
14 Edhe ai e porositi mos me i thanë askuit, por: Shko, e difto vetëhenë tande te prifti, edhe bier dhunëtinë për të qiruemit tand, sikurse ka urdhëruem Moiseu, për deshmi mb’ata.
15 Por fjala dilte ma tepërë për atë, edhe shumë gjindëje mbëlidheshinë për me ndëgjuem, edhe për me u shëndoshunë prei ati prei sëmundash atyne.
16 Edhe ai shtëmangei ndër shkretinat, edhe falei.
17 Edhe nji ditë, kur ishte ai tue mësuem, ishin tue ndenjunë Farisei e mieshtra ligje, të cillëtë kishin’ ardhunë prei çdo farë katundi të Galilesë e të Iudesë e të Ierusalemit; edhe fuqia e Zotit ishte për me shëndoshun’ ata.
18 Edhe qe disa nierës tek ishinë tue prumë mbi shtrat nji nieri qi ishte ulok, edhe kërkojshinë me e prumë përmbrenda, edhe me e vumë përpara ati.
19 Edhe mbassi s’gjetnë prei ç’anet me e prumë mbrenda prei gjindëjesë, hipnë mbi pullas të shtëpisë , edhe e sdripnë bashkë me shtratinë prei tiegullash ndë miedis përpara Iesuit.
20 Edhe ai kur pa besën’ e atyne, i tha: O Nieri, t’u kanë ndëjyem fajet’ e tua.
21 Edhe Shkruesit’ e Fariseitë filluenë me u menduem, tue thanë: Kush ashtë kyi qi flet vlasfimia; kush mundetë me ndëjyem faje, për veç Perëndisë?
22 Por Iesui si muer vesht mendimet’ e atyne, u përgjeq, e u tha atyne: Qish mendoheni ndër zemërat tueja?
23 Qish ashtë ma kollai me thanë: T’u kanë ndëjyem fajet’ e tua, a por me thanë: Çohu edhe ecë?
24 Por qi ta dini se i bir’ i nieriut ka pushtet mbi dhet me ndëjyem faje (i tha ulogut), të thom: Çohu, edhe ngre shtratinë tand, edhe shko ndë shtëpit tande.
25 Edhe përnjiherë u çue përpara atyne, edhe si ngriti shtratinë qi dirgjei mb’ate, shkoi ndë shtëpit të vet, tue lavduem Perëndinë.
26 Edhe të gjithë duelnë jashtë menç, e lavdojshinë Perëndinë; edhe u mbushnë me frikë, tue thanë, se: Sot pam punë të mëdha.
27 Edhe mbasandai duel, edhe pa nji publikam, qi e kishte emninë Levi, tue ndenjunë mbi duganë, edhe i tha: Më merr mbrapa.
28 Edhe ai la të gjitha, edhe u ngrit, e voti mbrapa ati.
29 Edhe Leviu e priti me të madhet ndë shtëpit të vet, edhe ishte shumë gjindëje publikanësh, edhe të tierësh qi kishinë ndenjunë ndë mësallë bashkë me ata.
30 Edhe Shkruisit’ e atyne edhe Fariseitë murmurojshinë te dishepujt’ e ati, tue thanë: Përse hani e pini bashkë me publikanë e me fajtorë?
31 Edhe Iesui u përgjeq, e u tha atyne: Të shëndoshëtë s’kanë nevojë për mjekës, por ata qi kanë keq.
32 S’kam ardhunë me thirrunë të dreitëtë ndë pendesë, por fajtorëtë.
33 Edhe ata i thanë: Përse dishepujt’ e Gjionnit agjinojnë shpesh, edhe lutenë, kështu edhe të Farisevet, po të tutë han’ e pinë?
34 Edhe ai u tha atyne: Mos mundeni të bani me agjinuem ata qi thërrasinë për darsmë, ngjysh sa të jetë dhandërri bashkë me ata?
35 Por kanë me ardhunë ditt, kur të mirretë dhandërri prei atyne, atëherë nd’ato ditt kanë me agjinuem.
36 Edhe u thoshte atyne edhe nji parabullë, se: Askushi nukë ve arënë petku të ri mbi petk të vietërë; se tietrazi, shqyen edhe të rinë, edhe arna e re s’vien nji me të vietrinë.
37 Edhe askushi nukë ve venë të re ndë rrëshiqa të vietërë; se tietrazi, vena e re ka me plasunë rrëshiqatë, edhe ajo ka me u derdhunë, edhe rrëshiqatë kanë me hupunë.
38 Por vena e re duhetë me u vumë ndë rrëshiqa të ri; edhe atëherë të dyja ruhenë.
39 Edhe askushi kur pi venë të vietërë, do përnjiherë të re, sepse thotë: E vietëra ashtë ma e mirë.