Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12Mk 1.1-8Gjn 1.19-28)
1 Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Cezar Tiberit, kur Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë dhe Herodi, tetrark i Galilesë, ndërsa vëllai i tij, Filipi, tetrark i krahinës së Ituresë e Trakonitidës, kur Lisania ishte tetrark i Abilenës 2 dhe kryepriftërinj ishin Hanahu e Kajafa, Gjonit, birit të Zakarisë, iu dha fjala e Perëndisë në shkretëtirë. 3 Ai shkoi në mbarë krahinën përreth Jordanit dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. 4 Siç është shkruar në librin e profetit Isai:
një zë thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
5 Çdo luginë le të mbushet
e çdo mal e kodër
le të rrafshohet.
Drejtoni udhët e shtrembra
e rrafshoni rrugët e ashpra.
6 Çdo njeri do ta shohë
shpëtimin e Perëndisë.
7 Gjoni u thoshte turmave që vinin për t'u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? 8 Jepni fryte të denja pendimi e mos filloni t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. 9 Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr». 10 Turmat e pyetën: «Ç'duhet të bëjmë, atëherë?». 11 Gjoni u përgjigj: «Kush ka dy tunika, le t'ia japë njërën atij që nuk ka. Ai që ka për të ngrënë, le të veprojë po kështu». 12 Erdhën për t'u pagëzuar edhe tagrambledhësit e i thanë: «Mësues, ç'duhet të bëjmë?». 13 Ai u tha: «Mos mblidhni më shumë nga ç'ju është ngarkuar». 14 Edhe disa ushtarë e pyetën: «Po ne, ç'duhet të bëjmë?». Gjoni u tha: «Mos i merrni askujt gjë me dhunë e duke mashtruar, por kënaquni me pagën tuaj».
15 Populli ishte në pritje dhe të gjithë mendonin në zemrat e tyre se mos Gjoni ishte Krishti. 16 Atëherë Gjoni u tha: «Unë po ju pagëzoj me ujë, por po vjen dikush më i fuqishëm se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 17 Ai e mban në dorë terploten për ta ndarë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunarin e tij, ndërsa kashtën do ta djegë në zjarrin që nuk shuhet kurrë».
18 Gjoni ia shpallte lajmin e mirë popullit edhe me shumë porosi të tjera. 19 Herod Tetrarku, të cilin Gjoni e kishte qortuar për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të vet, si edhe për të gjitha të këqijat që kishte bërë, 20 bëri edhe këtë të keqe: e futi Gjonin në burg.
Pagëzimi i Jezuit
(Mt 3.13-17Mk 1.9-11)
21 Kur u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jezui dhe kur po lutej, u hap qielli 22 e mbi të zbriti Shpirti i shenjtë me trajtë trupore si pëllumb. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».
Breznitë e Jezuit
(Mt 1.1-17)
23 Kur Jezui filloi shërbesën, ishte rreth tridhjetë vjeç. E pandehnin të birin e Jozefit. Jozefi ishte biri i Eliut, 24 të birit të Matatit, të birit të Levit, të birit të Melkiut, të birit të Janait, të birit të Jozefit, 25 të birit të Matatisë, të birit të Amosit, të birit të Naumit, të birit të Esliut, të birit të Nagait, 26 të birit të Mahatit, të birit të Matatisë, të birit të Semeinit, të birit të Josekut, të birit të Jodait, 27 të birit të Johananit, të birit të Resës, të birit të Zorobabelit, të birit të Salatielit, të birit të Nerit, 28 të birit të Melkiut, të birit të Adiut, të birit të Kosamit, të birit të Elmadamit, të birit të Erit, 29 të birit të Jozuehut, të birit të Eliezerit, të birit të Jorimit, të birit të Matatit, të birit të Levit, 30 të birit të Simeonit, të birit të Judës, të birit të Jozefit, të birit të Jonamit, të birit të Eliakimit, 31 të birit të Meleas, të birit të Menait, të birit të Matatait, të birit të Natamit, të birit të Davidit, 32 të birit të Jeseut, të birit të Jobedit, të birit të Boozit, të birit të Salait, të birit të Naasonit, 33 të birit të Aminadabit, të birit të Adminit, të birit të Arnit, të birit të Esromit, të birit të Faresit, të birit të Judës, 34 të birit të Jakobit, të birit të Isakut, të birit të Abrahamit, të birit të Tarait, të birit të Nahorit, 35 të birit të Serukut, të birit të Ragaut, të birit të Falekut, të birit të Eberit, të birit të Salait, 36 të birit të Kainamit, të birit të Arfaksadit, të birit të Semit, të birit të Noeut, të birit të Lamekut, 37 të birit të Metusalait, të birit të Enokut, të birit të Jaretit, të birit të Maleleelit, të birit të Kainamit, 38 të birit të Enout, të birit të Setit, të birit të Adamit, të birit të Perëndisë.
KAPTINA III.
1 Edhe mbë të pesë-mbë-dhettinë vit të guverënisë Tiberit Kaisarit, kur ishte Pilat Pontiu guvernator’ Iudesë, edhe Herodi katrurdhës’ i Galilesë, edhe Filippi i vëllai katrurdhës’ i Ituresë edhe vendit Trahenitides’, edhe Lysania katrurdhës’ i Abilenësë,
2 ndë ditt të Krye-priftënavet Anës’ edhe Kaiafës’, erdhi fjala e Perëndisë mbë Gjionninë të birin’ e Zaharisë ndë shkretinët.
3 Edhe erdhi ndëpër gjithë nahijen’ e Iordanit, tue predikuem pagëzim pendesë për ndëjesën’ e fajevet;
4 sikurse ashtë shkruem ndë libër të fjalëvet profetit Isaisë, qi thotë: “Zan’ i ati qi bërtet ndë shkretinët. Bani gati udhën’ e Zotit, bani të dreita rrugat’ e ati.
5 Çdo shpellë ka me u mbushunë, edhe çdo mal e kodër ka me u ulunë, edhe të shtremptatë kanë me u bamë të dreita, edhe udhët’ e ashpëra kanë me u bamë të buta;
6 edhe çdo mish ka me pamë shpëtimin’ e Perëndisë”.
7 I thoshte pra gjindëjesë qi shkojshinë jashtë me u pagëzuem prei ati: Këlysh nepërkash, kush u diftoi juve me ikunë prei zemërimit qi ka me ardhunë?
8 Bani pra pemë të vëjyeme të pendesësë, edhe mos filloni me thanë me vetëvetëhenë, se : Kemi atë Abrahaminë, sepse po u thom juve, se Perëndia mundetë me i ngjallunë dielm Abrahamit prei këtyne gurëvet.
9 Edhe tashti gjindet’ edhe sopata ndë ranjë të druvet; çdo dru pra qi s’ban pemë të mirë këputetë, edhe hidhetë ndë ziarrm.
10 Edhe gjindëja e pyetshinë, tue thanë: Qish të bajmë pra?
11 Edhe ai u përgjeq e u tha atyne: Kush të ketë dy parë petka, le t’i api ati qi s’ka; edhe kush të ketë të ngrana, le të bajë kështu.
12 Erthnë edhe publikanë me u pagëzuem, edhe i thanë: Mieshtër, qish të bajmë? Edhe ai u tha atyne: Mos merrni gja ma tepërë veç asai qi asht’ urdhënuem mbë ju.
13 Edhe pyetshin’ ate edhe luftëtarëtë, tue thanë: Edhe na qish të bajmë?
14 U tha edhe atyne: Mos bani dam, as mos kallëzoni keq për nieri ; edhe le t’u mbastojnë juve pagatë tueja.
15 Edhe populli mbassi ishte tue pritunë, edhe të gjithë mendoheshinë ndër zemërat e veta për Gjionninë, pale mos jet’ ai Krishti;
16 Gjionni u përgjeq të gjithëve, tue thanë: Un’ u pagëzoj juve me ujë; por vien ma i forti se unë, të cillit s’jam i zoti me i sgjidhunë rrypin’ e këpucëvet; ai ka me u pagëzuem juve me Shpirtinë Shenjt e me ziarrm,
17 të cillit terplota ashtë n’dorë t’ati, edhe ka me qiruem lamën’ e vet, edhe ka me mbëledhunë drithinë ndë grunar të vet, edhe ka me diegunë kashtënë me ziarrm të pa-shuem.
18 Edhe tue mësuem, i epte zanin’ e mirë popullit për shumë të tiera punë .
19 Edhe Herodi katrurdhësi, mbassi qirtohei prei ati për Herodiadënë gruen’ e Filippit të vëllait ati, edhe për gjith’ ato të këqia qi pat bamë Herodi,
20 shtoi edhe këte përmbi të gjitha, edhe mbylli Gjionninë ndë burgut.
21 Edhe gjithë populli mbassi u pagëzue, edhe Iesui kur ishte tue u pagëzuem e tue u falunë, u hap qielli,
22 edhe Shpirti Shenjt sdripi mbi ate me nji farë korpi porsi pullump, edhe erdhi nji za prei qiellit, tue thanë: Ti je Biri em i dashuni; te ti pëlqeva.
23 Edhe ai Iesui filloi me qenun’ afërë tri-dhetë vieç, qi ishte (sikurse kujtojshinë bota ) i bir’ Iosefit, i Heliut,
24 i Matthatit; i Leviut, i Melhiut, i Iannait, i Iosefit,
25 i Mattathiut, i Amosit, i Naumit, i Esliut, i Naggait,
26 i Maathit, i Mattathiut, i Semeit, i Iosefit, i Iudës’,
27 i Ioannait, i Resait, i Zorobabelit, i Salathielit, i Nerit,
28 i Melhiut, i Addiut, i Kosamit, i Elmodamit, i Erit,
29 i Ioseut, i Eliezerit, i Ioremit, i Matthatit, i Leviut,
30 i Symeonit, i Iudës’, i Iosefit, i Ionanit, i Eliakeimit,
31 i Meleait, i Mainanit, i Mattathait, i Nathanit, i Davidit,
32 i Iessait, i Obedit, i Boozit, i Salmonit, i Naasonit,
33 i Aminadabit, i Aramit, i Esromit, i Faresit, i Iudës’,
34 i Iakobit, i Isaakut, i Abrahamit, i Tharait, i Nahorit,
35 i Saruhut, i Ragaut, i Falekut, i Heberit, i Salait,
36 i Kainanit, i Arfaksadit, i Semit, i Noes, i Lamehut,
37 i Mathusalës’, i Enohut, i Iaredit, i Maleleelit, i Kainanit,
38 i Enosit, i Sethit, i Adamit, i Perëndisë.