Te Pilati
(Mt 27.1-2, Mt 11-14Mk 15.1-5Gjn 18.28-38)
1 Atëherë tërë turma e tyre u ngrit, e çuan Jezuin te Pilati 2 dhe filluan ta padisnin kështu: «E zumë këtë njeri duke e nxjerrë popullin tonë nga udha. Ai ndalon t'i paguhen taksat Cezarit, e quan veten Krisht e thotë se është mbret». 3 Atëherë Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». 4 Atëherë Pilati u tha kryepriftërinjve e turmave: «Nuk gjej asnjë faj te ky njeri». 5 Por ata ngulnin këmbë e thoshin: «Ai e ngre popullin në këmbë duke mësuar njerëzit nëpër tërë Judenë, që nga Galilea deri këtu».
Te Herodi
6 Kur e dëgjoi këtë, Pilati pyeti nëse ky njeri ishte galileas. 7 Si mori vesh se Jezui vinte nga krahina që qeverisej prej Herodit, e dërgoi tek ai, meqenëse Herodi gjendej në Jerusalem ato ditë. 8 Kur e pa Jezuin, Herodi u gëzua shumë. Ai kishte shumë kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar për Jezuin e shpresonte ta shihte duke bërë ndonjë shenjë. 9 Ai e pyeti gjatë, por Jezui nuk iu përgjigj. 10 Aty ishin edhe kryepriftërinjtë e shkruesit, të cilët e padisnin plot zemërim. 11 Edhe Herodi me ushtarët e vet e tallën dhe e përqeshën Jezuin. Pastaj i hodhën mbi supe një veshje të shndritshme dhe e dërguan te Pilati. 12 Atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, sepse më parë kishin qenë në armiqësi.
Dënimi me vdekje
(Mt 27.15-26Mk 15.6-15Gjn 18.39—19.16)
13 Atëherë Pilati thirri kryepriftërinjtë, krerët dhe popullin 14 e u tha: «Më keni sjellë këtë njeri e më thoni se ai e nxjerr popullin nga udha. Ja, unë e hetova para syve tuaj, por nuk e gjeta te ky njeri fajin për të cilin e padisni 15 dhe as Herodi, sepse ai e ktheu te ne. Ky nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 16-17 Prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj ». 18 Atëherë ata bërtitën të gjithë së bashku: «Vrite këtë e na liro Barabën». 19 Barabën e kishin futur në burg për një kryengritje që kishte ndodhur në qytet dhe për vrasje. 20 Pilati, që dëshironte ta lironte Jezuin, iu drejtua përsëri atyre, 21 por ata bërtisnin e thoshin: «Kryqëzoje, kryqëzoje!». 22 Për të tretën herë ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë? Nuk kam gjetur tek ai asnjë faj për ta dënuar me vdekje, prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj». 23 Por ata ngulnin këmbë dhe kërkonin me britma të mëdha që të kryqëzohej. Ulërimat e tyre bëheshin gjithnjë e më të forta. 24 Atëherë Pilati vendosi t'u plotësohej kërkesa. 25 Liroi njeriun që kishin kërkuar, atë që ishte futur në burg për kryengritje e vrasje, dhe u dorëzoi Jezuin, siç dëshironin ata.
Kryqëzimi
(Mt 27.32-44Mk 15.21-32Gjn 19.17-27)
26 Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. 27 Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, 28 por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. 29 Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”.
30 Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve:
“Bini mbi ne”
dhe kodrave:
“Na mbuloni!”.
31 Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?».
32 Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t'i kryqëzuar bashkë me Jezuin. 33 Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij.
34 Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë ».
Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij.
35 Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten». 36 Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull 37 e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!». 38 Mbi të gjendej ky mbishkrim : «Ky është mbreti i judenjve».
39 Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!». 40 Por tjetri e qortoi e i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai? 41 Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe». 42 Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde». 43 Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë».
Vdekja
(Mt 27.45-46Mk 15.33-41Gjn 19.28-30)
44 Aty nga mesdita, errësira mbuloi gjithë tokën deri në orën tre pasdite. 45 Dielli u zu e veli i tempullit u gris më dysh. 46 Atëherë Jezui thirri me zë të lartë e tha: «Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim ». Pasi tha këto, dha shpirt.
47 Kur pa çfarë kishte ndodhur, kryeqindësi përlëvdoi Perëndinë e tha: «Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë».
48 Të gjitha turmat që ishin mbledhur aty për të parë këtë ngjarje, panë se çfarë ndodhi e u kthyen duke rrahur kraharorin. 49 Ndërsa të gjithë të njohurit e tij, bashkë me gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea, rrinin në njëfarë largësie dhe shikonin këto gjëra.
Varrimi
(Mt 27.57-61Mk 15.42-47Gjn 19.38-42)
50 Aty ishte një njeri i mirë e i drejtë me emrin Jozef. Ai ishte anëtar i sinedrit, 51 por nuk e kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Jozefi ishte nga Arimateja, një qytet i Judesë, dhe priste mbretërinë e Perëndisë. 52 Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit. 53 Atëherë e zbriti nga kryqi, e mbështolli me një pëlhurë prej liri dhe e vendosi në një varr të hapur në shkëmb, ku nuk ishte vënë ende askush.
54 Ishte e premte, duke u gdhirë e shtunë. 55 Gratë, që kishin ardhur nga Galilea me Jezuin, e ndoqën pas Jozefin. Ato e panë varrin dhe sesi ishte vendosur trupi i Jezuit. 56 Pastaj u kthyen dhe përgatitën vajra erëmirë e mirrë.
Ngjallja
(Mt 28.1-10Mk 16.1-8Gjn 20.1-10)
Të shtunën pushuan sipas ligjit.
KAPTINA XXIII.
1 Atëherë gjithë shumica e atyneve u ngrit, edhe e prunë te Pilati.
2 Edhe filluenë me e përfolunë, tue thanë, se : Këte e gjetëm tue këthyem prapë kombinë, edhe tue përmbaitunë me i dhanë Kaisarit paga, tue thanë për vetëvetëhenë se ashtë Krishti mbëret.
3 Edhe Pilati e pyeti, tue thanë: Ti je mbëreti i Iudevet? Edhe ai u përgjeq, e i tha: Ti po thue.
4 Edhe Pilati u tha Krye-priftënavet edhe gjindëjesë: Nukë gjej ndonji faj te kyi nieri.
5 Por ata qindrojshinë mbë fjalët, tue thanë, se: Përzien popullinë, tue mësuem ndëpër gjithë Iudenë, zanë fillë prei Galilesë ngysh këtu.
6 Edhe Pilati kur ndëgjoi Galilenë, pyeti ndë asht’ ai nieri Galilean.
7 Edhe kur e muer vesht se ashtë prei vendit pushtetit Herodit, e dërgoi te Herodi, sepse edhe ai ishte ndë Ierusalem nd’ato ditt.
8 Edhe Herodi kur pa Iesunë, u gëzue fort, se kishte miaft kohë qi donte me e pamë, sepse kishte ndëgjuem shumë punë për ate; edhe shpërente me pamë ndonji shenjë bamë prei ati.
9 Edhe e pyeste me shumë fjalë; por ai s’i përgjegjei kurrgja.
10 Edhe Krye-priftënit’ edhe Shkruisitë rrijshinë tue përfolun’ ate fort shumë.
11 Edhe Herodi bashkë me ushtëtorët’ e vet e bani mbë asgja, edhe e lueiti, edhe i veshi nji petk të ndriçim, edhe e dërgoi për-së-ri te Pilati.
12 Edhe nd’ate ditë Pilati edhe Herodi u banë miq njiani me tietrinë, sepse përpara ishinë ndër anëmiqësi njiani me tietrinë.
13 Edhe Pilati si thirri bashkë Krye-priftënit’ edhe të parët’ edhe popullinë,
14 u tha atyne: Prutë këte nieri tek unë, se përzien popullinë; edhe qe unë tek e gjukova përpara jush, edhe s’gjeta ndonji faj te kyi nieri për sa të përfolunë thoni kundrë ati;
15 por as Herodi; sepse u dërgova juve tek ai, edhe qe te s’ka bamë ndonji punë me udhë për vdekë;
16 mbassi ta mundoj pra, kam me e lishuem.
17 Edhe ishte nevojë për me u lishuem atyne nji nieri prei burgut për ditë feste.
18 Edhe gjithe shumica bërtitnë, tue thanë: Ngreje këte, edhe na lisho Barabbanë,
19 i cilli ishte hedhunë ndë burk për nji të përziem qi kishte bamë ndë qytet, edhe për vrasie.
20 Për-së-ri pra Pilati u foli, sepse donte me e lishuem Iesunë.
21 Por ata thërriçinë, tue thanë: Kryqëzoje, kryqëzoje ate.
22 Edhe ai për së treti u tha atyne: Përse, ç’të keq bani kyi? S’gjeta as ndonji faj tek ai për vdekë; mbassi ta mundoj pra, kam me e lishuem.
23 Por ata qindrojshinë me za të math, tue lypunë me u kryqëzuem ai; edhe zanet’ e atyneve edhe të Krye-priftënavet zishinë vend.
24 Edhe Pilati e gjukoi me udhë të bahetë qish lypshin’ ata.
25 Edhe u lishoi atyne ate qi ishte hedhunë ndë burk për të përziem e për vrasie , qi e lypshinë; edhe u dha atyne ndër duer Iesunë me bamë si të denë.
26 Edhe si e çuenë jashtë, zunë nji farë Simon Kyrenian tue ardhunë prei arësë, edhe i vunë kryqinë mbi kraha me e prumë mbrapa Iesuit.
27 Edhe e merrte mbrapa shumicë populli, e grash, të cillatë ndukeshin’ e bajshinë vajë për ate.
28 Por Iesui u këthye, e u tha atyne: Bijat’ e Ierusalemit, mos qjani për mue, por qjani për vetëvetëhen’ edhe për dielmt tuei.
29 Sepse qe te vinë ditt, qi keni me thanë: Të lumta janë s hterbat’, edhe ata barqe qi nukë puellnë, edhe ata gjij qi nuk’ u thithnë.
30 Atëherë do të fillojnë me u thanë malevet: Bini mbi ne; edhe kodravet: Na mbuloni.
31 Sepse ndë qoftë se mbë drun’ e njomë bajnë këto, mbë të thatënë qish bahetë?
32 Po biheshin’ edhe dy të tierë keq-bamësa për me u vramë bashkë me ate.
33 Edhe kur erthnë mbë vend qi quhet’ i Kresë, atie kryqëzuen’ ate, edhe ata keq-bamësitë; njianinë për së diathti, edhe tietrinë për së rrëmakti.
34 Edhe Iesui thoshte: O Atë, ndëjei ata; sepse nukë dinë se qish bajnë. Edhe ata si danë petkat’ e ati, shtinë shortë.
35 Edhe populli rrinte tue vum ore. Edhe të parët’ e përqeshshinë bashkë me ata, tue thanë: Të tierë shpëtoi; le të shpëtojë vetëvetëhenë, ndë qoftë kyi Krishti, i sgjedhuni Perëndisë.
36 Edhe luejshinë me ate edhe ushtëtorëtë, edhe afroheshin’, e bijshin uthullë,
37 edhe thoshinë: Ndë je ti mbëreti i Iudevet, shpëto vetëvetëhenë.
38 Edhe ishte shkruem mbi ate edhe nji përmbi-shkronjë me letëra Greqishte, e Romanishte, e Hebreishte: KYI ASHTË MBËRETI I IUDEVET.
39 Edhe nji prei asi keq-bamësish qi ishinë varunë nemte ate, tue thanë: Ndë je ti Krishti, shpëto vetëhenë tande edhe neve.
40 Por tietri u përgjeq, e qirtoi ate, tue thanë: Aspor s’ke frikë Perëndinë ti, se je ndë nji mundim me ate?
41 Edhe na me udhë vuejmë , sepse marrim pagim sikurse na vëjen për sa punuem, por kyi s’punoi ndonji gja pavend.
42 Mbasandai i thoshte Iesuit: Kujtomë, o Zot, kur të vish ndë mbëretënit tande.
43 Edhe Iesui i tha: Për të vërtet po të thom - Sot ke me qenunë bashkë me mue ndë paradis.
44 Edhe ishte afër gjashtë orë, edhe u ba errësinë mbë gjithë dhenë ngjysh mbë ndantë orë.
45 Edhe dielli u errësue, edhe kurtina e tempullit u shqye për miedis.
46 Edhe Iesui thërriti me za të math, e tha: O Atë, ndër duer të tua la shpirtinë t’em. Edhe si tha këto, dha shpirtinë.
47 Edhe urdhën-qindësi, kur pa se qish u ba, lavdoi Perëndinë, tue thanë: Për të vërtet kyi nieri pasëka qenun’ i dreitë.
48 Edhe gjithë gjindëja qi kishin’ ardhunë bashkë për me vum’ ore, kur panë se qish u ba, këtheheshinë tue rrafunë krahanorët’ e vet,
49 Edhe gjith’ ata qi ngjifshin’ ate, kishinë ndenjunë për së largut, edhe ato gra qi e kishinë marrë mbrapa prei Galilesë, tue vum’ ore këto punë .
50 Edhe qe nji burr qi quhei Iosef, i cilli ishte gjukatës, nieri i mirë dhe i dreitë,
51 (kyi nukë qe ndenjunë bashkë ndë këshillet e ndë punët t’atyneve) prei Arimathesë qytetit Iudevet; edhe priste mbëretënin’ e Perëndisë edhe ai.
52 Kyi erdhi për-anë Pilatit, e lypi korpin’ e Iesuit.
53 Edhe si e sdrypi, e mpështuell me pëlhurë, edhe e vunë ndë nji vorr të latuem, qi aty kurkush s’ishte vumë kurrë ndonji herë.
54 Edhe ishte dit’ e prende, edhe gëdhinte e shëtunë.
55 E muernë mbrapa edhe gra, të cillatë kishin’ ardhunë bashkë me ate prei Galilesë, e panë vorrinë, edhe se si u vu korpi ati atie . Edhe u këthyen’ e banë gati aroma edhe vojna eret; edhe të shëtunën’ u prajtnë mbas porosisë ligjësë .