Pushteti i Jezuit
(Mt 21.23-27Mk 11.27-33)
1 Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull e po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, shkruesit dhe pleqtë 2 e i thanë: «Na thuaj, me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». 3 Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni, 4 pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?». 5 Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 6 Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet». 7 Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte». 8 Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
Vreshti dhe vreshtarët
(Mt 21.33-46Mk 12.1-12)
9 Jezui filloi t'i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira e u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë. 10 Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t'i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët. 11 Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët. 12 Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan. 13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt”. 14 Por kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona”. 15 Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë.
Çfarë do t'u bëjë atyre i zoti i vreshtit? 16 Ai do të vijë e do t'i vrasë ata vreshtarë e do t'ua japë vreshtin të tjerëve». Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!». 17 Por Jezui hodhi sytë drejt tyre e tha: «Çfarë do të thotë ky Shkrim:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes?
18 Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë».
19 Shkruesit dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli.
Taksa e Cezarit
(Mt 22.15-22Mk 12.13-17)
20 Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t'ia dorëzonin parisë e pushtetit të qeveritarit. 21 Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk ndikohesh nga njeri, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. 22 A është e lejueshme t'i paguajmë taksa Cezarit apo jo?». 23 Por Jezui e kuptoi dinakërinë e tyre e u tha : 24 «Më tregoni një monedhë. Figurën dhe mbishkrimin e kujt mban kjo monedhë?». Ata i thanë: «Të Cezarit». 25 Jezui u tha: «Atëherë, jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë».
26 Kështu, ata nuk mundën ta zinin në fjalë para popullit dhe, të mrekulluar me përgjigjen e tij, heshtën.
Çështja e ngjalljes
(Mt 22.23-33Mk 12.18-27)
27 Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, 28 prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan pa fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 29 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa lënë fëmijë. 30 I dyti 31 e pastaj i treti u martuan me gruan e tij dhe që të shtatë nuk lanë fëmijë kur vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». 34 Jezui u tha: «Bijtë e kësaj bote martohen e martojnë, 35 por ata që janë vlerësuar të denjë t'i përkasin botës tjetër e të arrijnë ngjalljen prej të vdekurve, as martohen, as martojnë. 36 Ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, meqenëse janë bij të ngjalljes. 37 Edhe Moisiu e ka treguar se të vdekurit do të ngjallen kur, te shkurrja, e quan Zotin, Perëndi të Abrahamit, Perëndi të Isakut e Perëndi të Jakobit. 38 Pra, ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Perëndinë». 39 Atëherë disa nga farisenjtë i thanë: «Mësues, fole mirë». 40 Dhe nuk guxonin ta pyesnin më.
Biri i Davidit
(Mt 22.41-46Mk 12.35-37)
41 Pastaj Jezui u tha: «Si mund të thonë se Krishti është Biri i Davidit? 42 Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve:
i tha Zoti, Zotit tim:
ulu në të djathtën time,
43 derisa t'i vë armiqtë e tu
si shtrojë e këmbëve të tua.
44 Nëse Davidi e quan Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».
Qortimi për shkruesit
(Mt 23.1-36Mk 12.38-40Lk 11.37-54)
45 Kur gjithë populli po dëgjonte, Jezui u tha dishepujve të vet: 46 «Ruhuni nga shkruesit, të cilëve u pëlqen të shëtisin me veshje të gjata e dëshirojnë t'i përshëndesin nëpër sheshe, të zënë vendet e para nëpër sinagoga dhe vendet e nderit nëpër festa. 47 Ata përlajnë gjithçka nga shtëpitë e vejushave e thonë lutje të gjata për t'u dukur. Kështu, ata do të marrin një dënim më të rëndë».
KAPTINA XX.
1 Edhe ndë nji aso ditsh, ai kur po mësonte ndë tempull, edhe nepte zanin’ e mirë, Kryepriftënit’ edhe Shkruesitë bashkë me pleqt’ erthnë sipër ati, edhe folnë,
2 tue thanë: Na thuei, me çfarë pushteti ban këto, cilli asht’ ai qi të ka dhanë këte pushtet?
3 Edhe ai u përgjeq, e u tha atyne: Edhe unë kam me u pyetunë juve një fjalë, edhe më thoni:
4 Pagëzimi i Gjionnit prei qielli ishte, a prei nierëzish?
5 Edhe ata mendoheshinë me vetëvetëhenë, tue thanë, se: Ndë thanshim - Prei qielli; ka me thanë - Përse s’i besuetë pra?
6 Edhe ndë thanshim: Prei nierëzish; gjithë populli ka me na rrafunë me gurë, sepse iu ka mbushunë mendia, se Gjionni ashtë profet.
7 Edhe u përgjegjën, se nukë dinë prei kah ashtë .
8 Edhe Iesui u tha atyne: As unë s’u thom juve, me çfarë pushteti baj këto.
9 Mbasandai filloi me i thanë popullit këte parabullë: Nji nieri mbuell nji vesht, edhe e dha ndër bujq, edhe voiti ndë dhe të huej, e ndejti atie miaft kohë.
10 Edhe ndë kohë të pemëvet dërgoi nji shërbëtuer te bujqit, për me i dhanë prei pemësë veshtit; por bujqit’ e rrafnë, edhe e dërguenë shprazëtë.
11 Edhe për-së-ri dërgoi nji tietër shërbëtuer, por ata edhe ate e rrafnë, edhe e shpërnderuenë, edhe e dërguenë shprazëtë.
12 Edhe për-së-ri dërgoi nji të tretë; por ata edhe këte e banë me plagë, edhe e nxuernë jashtë.
13 Edhe i zoti i veshtit tha: Qish të baj? Le të dërgoj birinë t’em të dashuninë; druese, kur të shofinë këte, kanë me e pasunë turp.
14 Por bujqitë kur pan’ ate, mendoheshinë me vetëvetëhenë, tue thanë: Kyi ashtë trashigimtari, ejani, le ta vrasim, qi të na mbesi trashigimi.
15 Edhe e nxuernë jashtë veshtit. Edhe e vranë. Qish ka me u bam’ atyne i zoti veshtit?
16 Ka me ardhun, e ka me prishunë këta bujqitë, edhe veshtinë ka me ua dhanë të tierëve. Por ata kur ndëgjuenë thanë: Qoftë lark!
17 Edhe ai shtiu sytë, e u tha atyne: Qish ashtë pra këjo qi ashtë shkruem - “Ate gur qi s’e pëlqyen’ ata qi ndërtojnë, kyi u ba për krye kanti?”
18 Kushdo të bierë mb’ate gur, ka me u thërrmuem; edhe mbi ate qi të bierë, ka me e përsheshunë.
19 Edhe Krye-priftënit’ e Shkruisitë kërkuenë me vumë duertë mb ate nd’ate orë, por patnë frikë popullinë,
20 sepse e muernë vesht se për ata tha këte parabullë. Edhe ata si rueitnë, dërguenë kallauza, qi shtiheshinë se janë të dreitë, qi ta zanë me fjalë, për me e dhanë ndër duer të urdhënit, edhe të pushtetit gurvernatorit.
21 Edhe e pyetnë, tue thanë: Mieshtër, e dimë se flet edhe mëson dreitë, edhe s’i mba anë kuit, por mëson udhën’ e Perëndisë me vërteta.
22 Asht’ e udhësë me i dhanë na Kaisarit pagë, apo jo?
23 Edhe ai si muer vesht diallësin’ e atyneve, u tha atyne: Përse më ngitni?
24 Më diftoni nji dinar. Fytyrën’ e kuit, edhe përmbi-shkronjën’ e kuit ka këjo ? Edhe ata u përgjegjën, e thanë: të Kaisarit.
25 Edhe ai u tha atyne: Lani pra Kaisarit, ato qi janë të Kaisarit, edhe Perëndisë, ato qi janë të Perëndisë.
26 Edhe s’muftnë me e zanë me fjalë përpara popullit, edhe u mërekulluenë për të përgjegjunit e ati, e s’pëzajtnë.
27 U afruen’ edhe disa prei Saddukeish qi flasinë kundrë, se s’ashtë të ngjallunë, edhe e pyetnë,
28 tue thanë: Mieshtër, Moiseu na ka shkruem - Ndë i vdektë kuit i vëllai qi ka grue, edhe kyi të vdesi pa lanë dielm, i vëllai ati të marri gruenë, edhe të ngjalli farë mbë të vëllan’ e vet.
29 Ishinë pra shtatë vëllazën, edhe i pari muer grue, edhe vdiq pa dielm;
30 edhe i dyti muer gruenë, edhe kyi vdiq pa dielm;
31 edhe i treti muer ate; kështu edhe të shtatëtë, edhe nukë lanë dielm, edhe vdiqën.
32 Edhe së mbrapmi të gjithëve vdiq edhe grueja.
33 Ndë të ngjallunit pra kuit prei atyneve ka me qenunë grueja? Sepse të shtatët’ e patnë ate grue.
34 Edhe Iesui u përgjeq, e u tha atyne: Të bijt’ e kësai jete martojn’ e martohenë,
35 por ata qi bahenë të zotënitë me fituem ate jetë, edhe të ngjallunitë prei së vdekunish, as martojn’ as martohenë,
36 sepse as me vdekunë s’mundenë ma, sepse janë porsi engjujtë; edhe janë të bijt’ e Perëndisë, kur janë të bijt’ e të ngjallunit.
37 Edhe se ngjallenë të vdekunitë, edhe Moiseu e diftoi ndë ferrët, kur thotë Zotinë - “Perëndin’ e Abrahamit, edhe Perëndin’ e Isaakut, edhe Perëndin’ e Iakobit”.
38 Sepse ai nuk’ ashtë Perëndi të vdekunish, por të gjallësh, sepse të gjithë rrojnë nd’ate.
39 Edhe disa prei Shkruisish u përgjegjën’ e thanë: Mieshtër, mirë the.
40 Edhe s’gucojshinë me e pyetunë ma kurgja.
41 Edhe ai u tha atyne: Si thonë se Krishti asht’ i bir’ i Davidit?
42 Edhe ai Davidi vetë thotë ndë libër të psallmëvet - “I tha Zoti Zotit t’em: Rri prei së diathtësë s’eme,
43 ngjysh sa të ve anëmiqt’ e tu ndënë kambët’ e kambëvet tua”.
44 Davidi pra quen ate Zot, e si asht’ i bir i ati?
45 Edhe gjithë populli kur po ndëgjonte, u tha dishepujvet vet:
46 Ruhi prei Shkruisish qi duenë me ecunë me stolia, edhe duenë të përshëndetuna ndëpër tregjet, edhe vendet’ e para ndëpër synagogat, edhe krye-mësalle ndëpër darkat;
47 të cillëtë hanë shtëpiat’ e të vevet, tue shtimë shkaik se falenë shumë. Këta kanë me marrë ma tepërë mundim.