Ati ynë
(Mt 6.9-15Mt 7.7-11)
1 Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni i mësoi dishepujt e vet». 2 Ai u tha: «Kur të luteni thoni:
Atë , u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë mbretëria jote !
3 Bukën tonë të përditshme
na e jep çdo ditë
4 e na i fal mëkatet tona,
se edhe ne ua falim detyruesve tanë .
E mos na vër në sprovë ».
5 Pastaj u tha: «E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep tri bukë, 6 se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t'i vënë përpara”. 7 E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. 8 Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t'i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t'i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij.
9 Dhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, 10 sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. 11 A ka ndër ju ndonjë atë që do t'i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? 12 Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t'i jepte një akrep? 13 Nëse ju që jeni të këqij, dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t'ua japë prej qiellit Shpirtin e shenjtë atyre që ia kërkojnë!».
Jezui dhe Beelzebuli
(Mt 12.22-30Mk 3.20-27)
14 Jezui po dëbonte një djall, i cili ishte memec. Kur u dëbua djalli, memeci foli e turmat u mrekulluan. 15 Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».
16 Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një shenjë nga qielli. 17 Por Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës. 18 Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit? 19 Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.
21 Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt. 22 Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën e u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan».
Kthimi i shpirtit të ndyrë
(Mt 12.43-45)
24 «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje e kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola”. 25 Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar. 26 Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».
Lumnia e vërtetë
27 Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!». 28 Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!».
Një shenjë
(Mt 12.38-42Mk 8.12)
29 Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte: «Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait. 30 Sikurse Jonai u bë shenjë për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni. 31 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t'i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni. 32 Njerëzit e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai».
Drita e trupit
(Mt 5.15Mt 6.22-23)
33 «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 34 Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë. 35 Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë. 36 Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».
Mjerë ju
(Mt 23.1-36Mk 12.38-40Lk 20.45-47)
37 Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë. 38 Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante. 39 Atëherë Zoti i tha: «Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi. 40 Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen? 41 Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme e kështu do të keni të pastër gjithçka. 42 Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë e dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. 43 Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe! 44 Mjerë ju, që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».
45 Njëri nga mësuesit e ligjit iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra». 46 Por Jezui i tha: «Mjerë edhe ju, mësues të ligjit, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t'i mbajtur! 47 Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë! 48 Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret. 49 Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t'u dërgoj profetë e apostuj, por ata do t'i vrasin e disa do t'i përndjekin”, 50 që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës, 51 që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarisë, që e vranë mes altarit e shenjtërores. Po, po ju them, se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni. 52 Mjerë ju, mësues të ligjit, se e keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por penguat edhe të tjerët të hyjnë».
53 Kur Jezui doli, shkruesit dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh, 54 duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte.
KAPTINA XI.
1 Edhe ai kur po falei ndë nji vend, si pushoi, nji prei dishepujvet ati i tha: Zot, mësona me u falunë, sikurse edhe Gjionni mësoi dishepujt’ e vet.
2 Edhe ai u tha atyne: Kur të faleni, thoni: - Ati ynë qi je ndë qillt, u shenjtënoft’ emëni yt, arthtë mbëretënia jote, u baftë dashunimi yt, si ndë qiell, edhe mbë dhet.
3 Bukënë t’onë të përditshimen, epna neve përditë.
4 Edhe falna fajetë t’ona, sepse edhe na ia falimë kuido qi na ban faj; edhe mos na shtier ndë ngasëje, por shpëtona prei së keqit.
5 Mbasandai u tha atyne: Cilli prei jush do të ketë nji mik, edhe do të vejë tek ai ndë mies-natë, e t’i thotë: Mik, më huaj tri bukë;
6 sepse erdhi nji miku em prei udhësë tek unë, edhe s’kam qish me i vumë përpara?
7 Edhe ai do të përgjegjetë përmbrenda, e t’i thotë: Mos më nep mundim, sepse dera ashtë mbyllunë tashti, edhe çunat’ e mi kanë ranë ndë shtrat bashkë me mue; s’mundem të ngrihem e t’ap.
8 Po u thom juve: Edhe ndë mos u ngrittë me i dhanë, sepse ashtë miku i vet, por për të paturpshimen’ e ati ka me u ngritun’ e me i dhanë sa t’i duhenë.
9 Edhe unë po u thom juve: Lypni, edhe do t’u epetë juve; kërkoni, edhe do të gjeni; trokulloni, edhe do t’u çiletë juve.
10 Sepse kushdo qi lypën, merr; edhe kushdo qi kërkon, gjen; edhe ati qi trokullon, do t’i çiletë.
11 Edhe cilli prei jush asht’ atë, edhe ndë i lyptë bukë i biri, mos ka me i dhanë gur? Apor ndë i lypte peshk, mos ka me i dhanë gjarpën ndë vend të peshkut?
12 Apor ndë i lypte ve, mos ka me i dhanë hakrep?
13 Kur ju pra, qi jeni të këqij, dini me u dhanë dielmvet tuei dhana të mira, sa ma tepër’ Ati qi ashtë prei qielli ka me u dhanë Shpirtinë Shenjt atyneve qi t’i lypinë?
14 Edhe ishte tue nxierrë nji diall, edhe ai ishte shurth. Edhe dialli kur duel, shurdhi foli, edhe gjindëja u mërekullue.
15 Por disa prei atyneve thanë, se nxier djemënitë me anë të Beelzebulit, të parit djemënavet.
16 Edhe disa të tierë, tue ngam’ ate, kërkojshinë prei ati shenjë prei qielli.
17 Por ai si muer vesht mendimet’ e atyneve, u tha atyne: Çdo mbëretëni ndë u daftë kundrë vetëvetëhesë, shkretohetë; edhe nji shtëpi ndë u daftë kundrë shtëpisë, rrenohetë.
18 Edhe Satanai pra ndë qoftë se u da kundrë vetëvetëhesë, si ka me qindruem mbëretënia e ati? Sepse thoni, se unë nxier djemënitë me anë të Beelzebulit.
19 Por unë ndë nxier djemënitë me anë të Beelzebulit, bijtë tuei me ç’anë i nxierrinë? Përandai ata kanë me qenunë gjyqtarëtë tuei.
20 Por ndë nxier unë djemënitë me gishtin’ e Perëndisë, vallë mbëretënia e Perëndisë e mbërrini mbë ju?
21 I forti armatisunë kur ruen avllin’ e vet, gjithë gjaja e ati ashtë ndë paqtim,
22 por kur të vijë ma i forti se ai, e ta mundi, merr gjith’ armët’ e ati qi shpërente mb’ato, edhe dan plaçkat’ e ati.
23 Ai qi s’ashtë bashkë me mue, ashtë kundrë mejet; edhe ai qi s’mbëleth bashkë me mue, shpërndan.
24 Frym’ e ndytë kur del prei nieriut, shkon ndëpër vende të thata pa ujë , edhe kërkon të prajtunë; edhe kur të mos gjejë, thotë: Le të këthehem ndë shtëpit t’eme, andej kah dola;
25 edhe kur vien, e gjen mpshimë e stolisunë.
26 Atëherë vete, e merr me vetëhe shtatë fryma të tiera ma të këqia se vetëhenë; edhe hyjn’ e rrin’ atie; edhe të mbrapmet’ e ati nieriu bahenë ma të këqia se të paratë.
27 Edhe ai kur thoshte këto, nji grue ngriti za prei gjindëjes’, e i tha: Lum ai bark qi të ka bartunë, edhe ato gjij qi ke thithunë.
28 Por ai tha: Lum ma fort ata qi ndëgjojnë fjalën’ e Perëndisë, edhe e ruejnë.
29 Edhe gjindëja kur po mbëlidhei, filloi me thanë: Kyi bres asht’ i keq; kërkon shenjë, edhe shenjë s’ka me iu dhanë, për-veç shenjit profetit Iona.
30 Sepse sikurse Ionai u ba shenjë mbë Ninevitët, kështu edhe i bir’ i nieriut ka me qenunë mbë këte bres.
31 Mbëretënesha e mies-ditësë ka me u ngritunë ndë ditë të gjyqit bashkë me nierëzit e këti brezi, edhe ka me i gjukuem për të keq, sepse erdhi prei anësë së mbaruemesë dheut me ndëgjuem ditunin’ e Solomonit; edhe qe ku ashtë këtu ma tepërë se Solomoni.
32 Burrat’ e Ninevisë kanë me u ngjallunë ndë ditë të gjyqit bashkë me këte bres, edhe kanë me e gjukuem për të keq, sepse u penduenë për predikimin’ e Ionait; edhe qe ku ashtë këtu ma tepërë se Ionai.
33 Edhe kurkushi, kur ndes kandilinë, s’e ve ndë vend të mpshefëtë, as ndënë hu të drithit , por mbi kandilier, për me pamë dritën’ ata qi hyjnë mbrenda.
34 Kandil’ i korpit ashtë syni: syni yt pra kur të jet’ i qirutë, edhe gjithë korpi yt asht’ i ndritshim; por kur të jet’ i keq, edhe korpi yt asht’ i errëtë.
35 Ve ore pra drita qi ashtë te ti, mos jet’ errësinë.
36 Ndë qoftë pra gjithë korpi yt i ndritshim, pa pasunë ndonji anë t’errëtë, ka me qenun’ i ndritshim gjithë, porsi kandili kur të ndrit me ndriçiminë.
37 Edhe si foli këto , nji Farise i lutei me ardhunë për drekë tek ai; edhe ai hyni e ndejti ndë mësallë.
38 Edhe Fariseu kur pa se nukë lau ma përpara duertë para drekësë, u mërekullue.
39 Edhe Zoti i tha: Tashti ju Fariseitë qironi të përjashtëmenë’ e potirit e të kupësë; por e përmbrendëshimeja juei ashtë plot me rrëmbesë e me të keqe.
40 Të marrë, ai qi bani të përjashtëmenë, a nukë bani edhe të përmbrendëshimenë?
41 Veçe nepni limoshënë gjanë tuei ; edhe qe të gjitha te janë të qiruta te ju.
42 Por mjertë ju Fariseitë! Sepse epni të dhetën’ e mendrës’ e të piganit e gjithë barishtavet, edhe lini mbë-nj-anë gjyqin’ edhe dashunin’ e Perëndisë. Këto duhei të bajshitë, edhe ato të mos i lishitë.
43 Mjertë ju Fariseitë! Sepse doni vendin’ e parë ndëpër synagogat, edhe të përshëndetunatë ndëpër tregjet.
44 Mjertë ju Shkruisa edhe Farisei, hipokritëna! Se jeni porsi ato vorretë qi s’dukenë, edhe nierëzitë qi ecinë përsipër nukë dinë.
45 Edhe nji prei ligjëtarëvet u përgjeq, e i tha: Mieshtër, tue thanë këto punë shan edhe neve.
46 Edhe ai tha: Mjertë ju ligjëtarëtë për-së-ri! Sepse ngarkoni nierëzitë me barrë të randa qi s’barenë , edhe ju nuk’ i përkitni barrëtë me majën’ e gishtënavet tuei.
47 Mjertë ju! Sepse ndërtoni vorret’ e profetënavet, edhe atënitë tuei i vranë.
48 Vallë bani deshmi edhe pëlqeni punët’ e atënavet tuei, sepse ata i vranë, edhe ju ndërtoni vorret e atyneve.
49 Përandai edhe ditunia e Perëndisë tha: Kam me dërguem tek ata profetëna edhe apostuj, edhe disa prei asish kanë me i vramë edhe kanë me i përzanë,
50 qi të kërkohetë prei këti brezi gjaku i gjithë profetënavet qi ashtë derdhunë çë kur se ashtë ngrefunë bota;
51 çë prei gjakut Abelit, ngjysh mbë gjak të Zaharisë qi u vra ndërmiet therores’ edhe tempullit; për të vërtet po u thom juve, ka për me u kërkuem prei këti brezi.
52 Mjertë ju ligjëtarëtë! Sepse ngritët çelsin’ e mendiesë; ju nukë hytë, por ndalët edhe ata qi hyjnë.
53 Edhe ai kur u thoshte atyne këto, Shkruisit’ edhe Fariseitë filluenë me e nxemë tepërë, edhe me e shtrënguem qi të flasi për shumë punë ,
54 sepse kishinë ngrefunë lak për ate, edhe kërkojshinë me rrëmbyem ndonji fjalë prei gojës’ ati, qi ta përflasinë.