Jezui dhe Nikodemi
1 Mes farisenjve ishte një njeri që quhej Nikodem. Ky ishte njëri nga krerët e judenjve. 2 Ai shkoi natën te Jezui e i tha: «Mësues, e dimë se vjen nga Perëndia, se askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, nëse Perëndia nuk është me të». 3 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lindet përsëri , nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë». 4 Nikodemi i tha: «Si mund të lindet përsëri një njeri kur është i thyer në moshë? A mund të hyjë për së dyti në barkun e nënës e të lindet përsëri?». 5 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lind nga uji e nga Shpirti, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6 Çfarë lind nga njeriu është njerëzore, çfarë lind nga Shpirti është shpirtërore. 7 Mos u çudit se të thashë: “Duhet të lindeni përsëri”. 8 Era fryn ku të dojë; ushtimën ia dëgjon, por nuk e di nga vjen e ku shkon. Kështu janë edhe ata që linden nga Shpirti». 9 Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?».
10 Jezui u përgjigj: «Ti je mësues i Izraelit e nuk i kupton këto gjëra? 11 Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë e dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. 12 Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t'ju flas për gjërat qiellore? 13 Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit . 14 Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut, 15 që kushdo që beson në të , të ketë jetën e amshuar. 16 Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. 17 Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij. 18 Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
19 Gjykimi është ky: drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, se veprat e tyre ishin të liga. 20 Kush bën gjëra të këqija e urren dritën e nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij. 21 Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë».
Jezui dhe Gjon Pagëzori
22 Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në krahinën e Judesë. Atje qëndroi për pak kohë me ta e pagëzonte. 23 Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, se atje kishte shumë ujë e njerëzit shkonin tek ai e pagëzoheshin. 24 Në atë kohë Gjoni nuk ishte burgosur ende.
25 Dishepujt e Gjonit filluan të diskutonin me një jude rreth ritit të pastrimit. 26 Ata shkuan te Gjoni e i thanë: «Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja, po pagëzon e të gjithë po shkojnë tek ai». 27 Gjoni u përgjigj: «Askush nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë prej qiellit. 28 Vetë ju keni qenë dëshmitarë kur thashë: “Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij”.
29 Ai që ka nusen është dhëndri, ndërsa miku i dhëndrit, që rri dhe e dëgjon, ngazëllehet nga zëri i dhëndrit. Ky pra është gëzimi im e tani është bërë i plotë. 30 Krishti duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem».
Ai që vjen nga lart
31 «Ai që vjen nga lart është mbi të gjithë, ndërsa ai që vjen nga toka është prej tokës e flet për gjërat e saj. Ai që vjen nga qielli është mbi të gjithë 32 dhe dëshmon për atë që ka parë e ka dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij. 33 Kush pranon dëshminë e tij, pohon se Perëndia është i vërtetë. 34 Ai që ka dërguar Perëndia, flet fjalët e Perëndisë, se Perëndia ia jep Shpirtin pa masë.
35 Ati e do Birin e i ka lënë gjithçka në dorë. 36 Kush beson në Birin, ka jetën e amshuar, ndërsa kush nuk i bindet Birit, nuk do ta shohë jetën, por mbetet nën zemërimin e Perëndisë».
KAPTINA III.
1 Edhe ishte nji nieri prei Fariseish, qi e kishte emninë Nikodem, i pari Iudevet.
2 Kyi erdhi natënë te Iesui, edhe i tha: Rabbi, e dimë se ke ardhunë prei Perëndiet Mieshtër, sepse askushi s’mundetë me bamë këto shenje qi ban ti, ndë mos qoftë Perëndia bashkë me ate.
3 Iesui u përgjeq e i tha: Me të vërtet, me të vërtet po të thom - Ndë mos leftë kush prei së naltit, s’mundetë me pamë mbëretënin’ e Perëndisë.
4 Nikodemi i thotë: Si mundetë nieriu me lemë, tue qenunë plak? Mos mundetë me hymë për së dyti ndë barkut s’amësë vet, e me lemë?
5 Iesui u përgjeq: Me të vërtet, me të vërtet po të thom - Ndë mos leftë kushi prei ujit e prei Shpirtit Shenjt , s’mundetë me hymë ndë mbëretënit të Perëndisë.
6 Qish ka lemë prei mishit, ashtë mish; qish ka lemë prei Shpirtit, ashtë shpirt.
7 Mos u mërekullo sepse të thashë, se - Duhetë të leni prei së naltit.
8 Era fryn ku do, edhe i ndëgjon zaninë, por s’di prei kah vien, e ku vete; kështu asht’ edhe gjithë-kush ka lemë prei Shpirtit.
9 Nikodemi u përgjeq e i tha: Si mundenë me u bamë këto?
10 Iesui u përgjeq e i tha: Ti je mieshtri Israelit, edhe nukë di këto?
11 - Me të vërtet, me të vërtet po të thom, se ate qi dimë flasimë, edhe për ate qi pam deshmoimë; por nukë pritni deshminë t’onë.
12 Ndë u thashë juve punët’ e dheut, edhe nukë besoni, si keni me besuem, ndë u thansha juve punët’ e qiellit?
13 Edhe askushi s’ka hypunë ndë qiellt, veç ai ka sdrypunë prei qiellit, i bir i nieriut qi ashtë ndë qiellt.
14 Edhe sikurse Moiseu ngriti nalt gjarpëninë ndë shkretinët, kështu duhetë me u ngritunë nalt edhe i bir’ i nieriut,
15 për mos me u vdierrë gjithë-kush t’i besojë, por të ketë jetë të pa-sosëme.
16 Sepse Perëndia kaqi e deshi botënë, sa dha Birin’ e vet, vetëm-leminë, për mos me u vdierrë gjithë-kush t’i besojë, por të ketë jetë të pasosëme.
17 Sepse Perëndia nukë dërgoi Birin’ e vet te bota me gjukuem botënë, por me u shpëtuem bota prei anës’ ati.
18 Ai qi i beson nukë gjukohetë, por ai qi nukë beson, tashti ashtë gjukuem, sepse nukë besoi mb’emënë të vetëm-lemit Birit Perëndisë.
19 Edhe kyi ashtë gjyqi, se drita erdhi ndë botët, edhe nierëzitë deshnë ma tepër errësinënë, se dritënë; sepse vepërat’ e atyneve ishinë të këqia.
20 Sepse gjithë-kush qi punon vepëra të këqia, ka mëni dritënë, edhe nukë vien te drita, qi të mos sbulohenë vepërat’ e ati.
21 Por ai qi ban të vërtetënë vien te drita, qi të diftohenë vepërat’ e ati, se janë punuem mbas Perëndisë.
22 Mbasandai erdhi Iesui edhe dishepujt’ e ati ndë dhe të Iudesë; edhe shkonte kohën’ atie bashkë me ata, edhe pagëzonte.
23 Ishte edhe Gjionni tue pagëzuem ndë Ainon, ngjat Salimit, sepse atie ishinë shumë ujëna, edhe vijshin’ e pagëzoheshinë.
24 Sepse Gjionni edhe s’ishte zanë ndë burk.
25 U ba pra kërkim për pastrim prei dishepujvet Gjionnit me disa Iude.
26 Edhe erthnë te Gjionni e i thanë: Rabbi, ai qi ishte bashkë me tyi përtej Iordanit, për të cillinë ti deshmove, shif kyi te po pagëzon, edhe të gjithë vinë tek ai.
27 Gjionni u përgjeq e tha: Nieriu nukë mundetë me marrë as gja, ndë mos iu pastë dhanë prei qiellit.
28 Ju vetë deshmoni për mue, se thashë: Unë nukë jam Krishti, por se jam dërguem përpara ati.
29 Ai qi ka nusen’ ashtë dhandërr; edhe miku i dhandrrit qi rri edhe ndëgjon ate, gëzohetë me gëzim për zanin’ e dhandrrit; kyi gëzimi em pra u mbush.
30 Ai duhetë me u rritun’, e unë me u vogëluem.
31 Ai qi vien prei së naltit, ashtë sipër të gjithëve; ai qi ashtë prei dheut, ashtë prei dheut, edhe flet prei dheut; ai qi vien prei qiellit, ashtë sipër të gjithëve.
32 Edhe ate qi pa edhe ndëgjoi, deshmon për këte; por askushi nukë pret deshmin’ e ati.
33 Ai qi pret deshmin’ e ati, ka vumë bulë se Perëndia asht’ i vërtetë.
34 Sepse ai qi ashtë dërguem prei Perëndisë flet fjalët e Perëndisë; sepse Perëndia nuk’ i ep Shpirtinë Shenjt me matës.
35 Ati do Birin’, edhe ia ka dhanë n’dorë të gjitha.
36 Ai qi i beson të Birit, ka jetë të pasosëme, por ai qi nuk’ i ul kryetë të Birit, s’ka me pamë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbet mbi ate.