Ngjallja
(Mt 28.1-10Mk 16.1-8Lk 24.1-12)
1 Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, ndërsa ishte ende errësirë, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa gurin të larguar nga hyrja. 2 Atëherë ajo shkoi me vrap te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, ai të cilin Jezui e donte, e u tha: «E kanë marrë Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë».
3 Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë e shkuan te varri. 4 Vraponin që të dy, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe mbërriti i pari te varri. 5 U përkul dhe pa pëlhurat e lëna atje, por nuk hyri brenda.
6 Ndërkohë mbërriti edhe Simon Pjetri, që po vinte pas tij, dhe hyri në varr. Aty pa të lëna pëlhurat 7 si dhe rizën që kishte qenë mbi kokën e Jezuit. Kjo nuk ishte me pëlhurat, por ishte e mbështjellë veç në një vend tjetër. 8 Atëherë hyri edhe dishepulli tjetër që kishte mbërritur i pari te varri. Ai pa dhe besoi. 9 Ata nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin që thoshte se Jezui duhej të ngjallej prej të vdekurve. 10 Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.
Maria Magdalena
(Mk 16.9-11)
11 Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit 12 dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka e tjetri te këmbët. 13 Ata i thanë: «Grua, përse po qan?». Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë». 14 Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte më këmbë, por nuk e dinte se ishte ai. 15 Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?». Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr». 16 Jezui i tha: «Mari!». Ajo u kthye e i tha në hebraisht: «Rabbuni!» që do të thotë mësues. 17 Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi e thuaju se unë po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, Perëndia im e Perëndia juaj».
18 Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë.
U shfaqet dishepujve
(Mt 28.16-20Mk 16.14-18Lk 24.36-49)
19 Në mbrëmjen e po asaj dite, të parën e javës, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». 20 Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin.
21 Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju». 22 Pasi tha këto, hukati mbi ta e u tha: «Merrni Shpirtin e shenjtë! 23 Atyre që ua falni mëkatet, do t'u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t'u falen».
Thomai
24 Por një nga të dymbëdhjetët, Thomai, që e quanin Binjak, nuk kishte qenë me ta kur erdhi Jezui. 25 Dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotin». Ndërsa ai u tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, unë nuk do të besoj».
26 Pas tetë ditësh, dishepujt ishin përsëri brenda në dhomë dhe me ta ndodhej edhe Thomai. Atëherë erdhi Jezui, megjithëse dyert ishin mbyllur, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». 27 Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin tënd këtu dhe shiko duart e mia, shtrije dorën dhe vëre te brinja ime. Dhe mos dysho, por beso!». 28 Thomai u përgjigj: «Zoti im e Perëndia im!». 29 Jezui i tha: «Besove, sepse më pe. Lum ata që besojnë pa parë!».
Qëllimi i këtij libri
30 Jezui bëri para dishepujve të tij edhe shumë shenja të tjera që nuk janë shkruar në këtë libër. 31 Këto u shkruan që ju të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetën në emrin e tij.
KAPTINA XX
1 Edhe të parënë ditën’ e javësë vien Maria Magdalena te vorri ndë mëngjes, tue qenunë por errëtë, edhe shef gurinë ngritunë prei vorrit.
2 Ecën pra, edhe vien te Simon Pietri, edhe tek ai dishepulli tietër qi donte Iesui. Edhe u thot’ atyne: Ngritnë Zotinë prei vorrit, edhe nukë dimë se ku e kanë vumë.
3 Duel pra Pietri edhe dishepulli tietër, edhe vijshinë te vorri.
4 Edhe të dy bashkë ecinë me vrap; edhe ai dishepulli tietër nxitoi përpara ma shpeit se Pietri, edhe erdhi ma përpara ndë vorrt,
5 edhe si u kurrus shef pëlhuratë ku ishinë; por nukë hyni mbrenda.
6 Vien pra Simon Pietri tue marrë mbrapa ate, edhe hyni ndë vorrt, edhe ve ore pëlhuratë ku ishinë,
7 edhe riza qi ishte mbi krye t’ati nuk’ u gjind bashkë me pëlhurat, por ishte mpështiellë veç mbë nji vend.
8 Atëherë pra hyni edhe ai dishepulli tietër qi erdhi ma përpara ndë vorrt, edhe pa, edhe besoi,
9 sepse edhe s’merrshinë vesht shkronjënë, se ai duhetë me u ngjallunë prei së vdekunish.
10 Dishepujtë pra votnë prap ndë shtëpiat e veta.
11 Por Maria rrinte për-anë vorrit tue qjamë përjashta; edhe kur po qjante u kurrus ndë vorrt,
12 edhe ve ore dy engjuj me petka të bardha tue ndenjunë njiani prei kresë, e tietri prei kambëvet, atie ku qe korpi i Iesuit.
13 Edhe ata i thon’ asai: Grue, përse qjan? U thot’ atyne: Sepse ngritnë Zotinë t’em, edhe nukë dij se ku e kanë vumë.
14 Edhe si tha këto, u këthye mbrapa, edhe ve ore Iesunë tue ndenjunë, edhe nuk’ e dinte se ashtë Iesui.
15 Iesui i thot’ asai: Grue, përse qjan? Cillinë kërkon? Por ajo kujtoi se ashtë kopështari, e i thotë: Zot, ndë e ngrite ti, më thuei ku e ke vumë, edhe unë kam me e ngritunë.
16 Iesui i thot’ asai: Mari. Ajo këthehet’ e i thotë: Rabbuni! - qi do me thanë: Mieshtër.
17 Iesui i thot’ asai: Mos më prek, sepse edhe s’kam hypunë tek em Atë, por shko te vëllazënit’ e mi, edhe u thuei atyne - Po hypi tek Ati em, edhe Ati juei, edhe te Perëndia em, edhe Perëndia juei.
18 Vien Maria Magdalena e u nep za dishepujvet, se pa Zotinë, edhe se i tha asai këto fjalë .
19 Nd’atë ditë pra ndë mbramiet, qi ishte e para dit’ e javësë, edhe dyert’ ishinë mbyllunë, atie ku ishinë mbëledhunë dishepujtë prei frikësë Iudevet, erdhi Iesui edhe ndenji ndë miedis, edhe u thot’ atyne: Paqtim mbë ju.
20 Edhe si tha këte, u diftoi atyne duert’ edhe brinin’ e vet. U gëzuenë pra dishepujtë, kur panë Zotinë.
21 Edhe Iesui u tha atyne prap: Paqtim mbë ju; sikurse më dërgoi Ati, edhe un’ u dërgoj juve.
22 Edhe si tha këte, fryni, edhe u thot’ atyne: Merrni Shpirtinë Shenjt:
23 kuive t’u falni fajetë, u kanë falun’ atyne; edhe kuive t’ua mbani, u kanë mbaitun’ atyne.
24 Por Thomai, nji prei të dymbëdhetëvet, qi thohei Binjok, nuk’ ishte bashkë me ate, kur erdhi Iesui.
25 Dishepujt’ e tierë pra i thoshinë: Kemi pamë Zotinë. Por ai u tha atyne: Ndë mos pafsha shenjin’ e goshdëvet ndër duer t’ati, edhe të ve gishtinë t’em ndë shenjët të goshtëvet, edhe të ve dorënë t’eme ndë brit t’ati, s’kam me besuem.
26 Edhe mbas tetë diç prap ishinë mbrenda dishepujt’ e ati, edhe Thomai bashkë me ata; vien Iesui, ndonëse dyert’ ishinë mbyllunë, edhe ndenji ndë miedis, edhe tha: Paqtim mbë ju.
27 Mbasandai i thotë Thomait: Bier gishtinë tand këtu, edhe shiko duert’ e mia; edhe bier dorënë tande, edhe vene mbë brit t’em; edhe mos u ban i pabesë, por besnik.
28 Edhe Thomai u përgjeq e i tha: Zoti em, edhe Perëndia em.
29 Iesui i thotë: Sepse më pe, Thoma, besove; lum ata qi nukë panë, edhe besuenë.
30 Edhe shumë mërekullia të tiera bani Iesui përpara dishepujvet vet, të cillatë nukë janë shkruem ndë këtë libër,
31 por këto u shkruenë, qi të besoni, se Iesui ashtë Krishti, i Bir’ i Perëndisë; edhe si të besoni, të keni jetë mb’emënit t’ati.