Hardhia e vërtetë
1 «Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. 2 Çdo shermend që është në mua e që nuk jep fryt, ai e këput, ndërsa çdo shermend që jep fryt ai e krasit dhe e pastron, që të japë më shumë fryt. 3 Fjala që unë ju kam folur, ju ka pastruar tashmë.
4 Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt vetvetiu, pa qëndruar në hardhinë, kështu as ju nuk do të mund të jepni fryt nëse nuk qëndroni në mua. 5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. 6 Nëse dikush nuk qëndron në mua, do të hidhet jashtë si shermendi e do të thahet. Këta shermende do t'i mbledhin, do t'i hedhin në zjarr e do të digjen.
7 Po të qëndroni në mua dhe fjalët e mia të qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni e do t'ju jepet. 8 Në këtë përlëvdohet Ati im: që të jepni shumë fryt e të bëheni dishepujt e mi. 9 Unë ju kam dashur, ashtu siç më ka dashur Ati mua. Qëndroni në dashurinë time!
10 Po të zbatoni urdhërimet e mia do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë kam zbatuar urdhërimet e Atit tim e qëndroj në dashurinë e tij.
11 Këto jua thashë që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë. 12 Ky është urdhërimi im: duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju desha unë ju. 13 Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë. 14 Ju jeni miqtë e mi nëse bëni ato që ju urdhëroj. 15 Nuk ju quaj më shërbëtorë, se shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti. Por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njohur gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
16 Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha ju. Ju caktova të shkoni e të jepni fryt, që fryti juaj të mbetet dhe që Ati t'ju japë çfarëdo që t'i kërkoni në emrin tim. 17 Këtë po ju urdhëroj: duajeni njëri-tjetrin».
Do t'ju urrejnë
18 «Nëse bota ju urren, dijeni se më ka urryer mua para jush. 19 Po të ishit prej kësaj bote, atëherë bota do t'ju donte si të vetët. Por, ngaqë ju kam zgjedhur nga bota e nuk jeni prej kësaj bote, prandaj dhe ju urren. 20 Kujtoni fjalët që ju thashë: shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua do t'ju përndjekin edhe ju. Nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.
21 Por të gjitha këto do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi. 22 Po të mos kisha ardhur e të mos u kisha folur, nuk do të kishin mëkat, por tani nuk kanë shfajësim për mëkatin e tyre.
23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. 24 Po të mos kisha bërë mes tyre veprat që askush tjetër nuk i ka bërë, nuk do të kishin mëkat, por tani kanë parë dhe më kanë urryer edhe mua, edhe Atin tim. 25 Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: më urryen pa asnjë shkak.
26 Kur të vijë Ngushëlluesi, që unë do t'ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së vërtetës, i cili del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua. 27 Edhe ju do të dëshmoni, sepse keni qenë me mua që nga fillimi».
KAPTINA XV.
1 Unë jam veshti i vërtetë, edhe em At’ ashtë bulku.
2 Çdo hardhi qi të mos bierë pemë tek unë, e këput; edhe çdo qi bije pemë, e qiron qi të bierë ma tepërë pemë.
3 Tashti ju jeni të qirutë, për ate fjalë qi u kam folë juve.
4 Mbetni tek unë, edhe unë te ju. Sikurse hardhia s’mundetë me prumë pemë prei vetiut, ndë mos mbettë ndë veshtë, kështu as ju, ndë mos mbetshi tek unë.
5 Unë jam veshti, ju jeni hardhiatë: ai qi mbet tek unë, edhe unë tek ai, kyi bije shumë pemë, sepse pa mue s’mundetë me bamë asgja.
6 Ndë mos mbettë kushi tek unë, hidhetë jashtë porsi hardhia, edhe thahetë; mbasandai i mbëledhin’ e i hedhinë ndë ziarrm, edhe digjenë.
7 Ndë mbetshi tek unë, edhe fjalët’ e mia ndë mbetshinë te ju, do të lypni qish të doni, edhe do t’u bahetë juve.
8 Em atë lavdohetë ndë këte, qi të bini shumë pemë; edhe kështu do të jeni dishepujt’ e mi.
9 Sikurse më deshi Ati, edhe un’ u desha juve: mbetni ndë dashunit t’eme.
10 Ndë rueitshi porosiat’ e mia, keni me mbetunë ndë dashunit t’eme; sikurse unë rueita porosiat’ e t’im-et, edhe mbes ndë dashunit t’ati.
11 U fola juve këto, qi të mbessi gëzimi em mbë’ ju, edhe gëzimi juei të jetë plot.
12 Këjo ashtë porosia eme, të doni njiani tietrinë, sikurse u desha juve.
13 Askushi s’ka ma të madhe dashuni se këte, qi të vejë kushi jetën’ e vet për miqt e vet.
14 Ju jeni miqt e mi, ndë bafshi gjithë sa u porosis juve.
15 Nuk’ u thom juve ma shërbëtorë, sepse shërbëtori nukë di se qish ban i zoti, por u thashë juve miq, sepse u diftova juve gjithë sa ndëgjoja prei t’im et.
16 Ju nukë më keni sgjedhunë, por un’ u kam sgjedhunë juve; edhe urdhënova juve, qi të shkoni e të bani pemë, edhe pema juei të mbesi, qi t’u api juve, qish t’i lypni Atit mb’emënit t’em.
17 Këto u porosis juve, të doni njiani tietrinë.
18 Ndë u marrtë mëni bota, dinia se ka marrë mëni mue ma përpara jush.
19 Ndë jeni prei botësë, bota do të donte të vetinë, por sepse nukë jeni prei botësë, por un’ u sgjodha juve prei botësë, përandai bota u ka mëni juve.
20 Kujtoni fjalënë qi u thash’ unë juve: Nuk’ ashtë shërbëtori ma i math se i zoti. Ndë ndoqnë mue, kanë me ndiekun edhe juve; ndë rueitnë fjalënë t’eme, kanë me rueitun’ edhe tuejënë.
21 Por gjithë këto kanë me ua bamë juve për emninë t’em, sepse nukë din’ ate qi më dërgoi.
22 Ndë mos kishiem ardhun’ e të mos u kishiem folun’ atyne, nuk do të kishinë faj, por tashti nukë kanë shkak për fajin’ e vet.
23 Ai qi ka mëni mue, ka mëni edhe t’em Atë.
24 Ndë mos kishiem bamë ndër ata ato punëtë qi s’i ka bam’ as ndonji tietër, nuk do të kishinë faj, por tashti edhe panë, edhe muernë mëni edhe mue, edhe t’em Atë.
25 Por këjo u ba , qi të mbushetë fjala qi ashtë shkruem ndë ligjët t’atyne - “Se më muernë mëni pa shkak”.
26 Por kur të vijë Ngushullimtari, të cillinë kam me e dërguem unë juve prei Atit, Shpirti i së vërtetësë, i cilli del prei Atit, ai ka me deshmuem për mue.
27 Por edhe ju deshmoni, sepse çë përpara herësë jeni bashkë me mue.