Vdekja e Lazarit
1 Në atë kohë dergjej i sëmurë Lazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i motrës së saj, Martës. 2 Maria, motra e Lazarit të sëmurë, ishte ajo që leu Zotin me mirrë e ia fshiu këmbët me flokët e saj. 3 Atëherë motrat i çuan fjalë Jezuit: «Zot, miku yt i dashur është sëmurë». 4 Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë».
5 Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë e Lazarin. 6 Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte 7 e pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!». 8 Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë e ti do që të shkosh përsëri atje?». 9 Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. 10 Por nëse dikush ecën natën, pengohet, se në të nuk ka dritë». 11 Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj». 12 Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë». 13 Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm. 14 Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur. 15 Gëzohem që nuk ndodhesha atje, në mënyrë që ju të besoni. Le të shkojmë tek ai!». 16 Thomai, i quajtur Binjak, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!».
Ngjallja dhe jeta
17 Kur erdhi Jezui, Lazari kishte katër ditë në varr. 18 Betania ndodhej rreth tri kilometra larg Jerusalemit 19 dhe shumë judenj kishin shkuar te Marta e Maria, që t'i ngushëllonin për vdekjen e vëllait. 20 Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi. 21 Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. 22 Por e di se, edhe tani, Perëndia do të të japë gjithçka që do t'i kërkosh». 23 Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngjallet». 24 Marta i tha: «E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit». 25 Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes. 26 Kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?». 27 Ajo i tha: «Po, Zot. Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë».
Jezui qan
28 Pasi tha këto, ajo shkoi, thirri mënjanë Marinë, motrën e saj, e i tha: «Mësuesi është këtu e të kërkon». 29 Maria, sapo e dëgjoi, u ngrit me nxitim e shkoi tek ai, 30 sepse Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por po rrinte atje ku e kishte takuar Marta. 31 Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se ajo u ngrit me nxitim e doli, i shkuan pas duke menduar se po shkonte te varri për të qarë atje.
32 Maria shkoi atje ku ishte Jezui dhe kur e pa, i ra ndër këmbë e i tha: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur».
33 Jezui, kur e pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u prek në shpirt, u turbullua 34 e tha: «Ku e keni vënë?». Ata i thanë: «Zot, eja e shih!». 35 Jezui u përlot. 36 Atëherë judenjtë thanë: «Shih sa e donte!». 37 Por disa nga ata thoshin: «Ky që i hapi sytë të verbrit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?».
Ngjallja e Lazarit
38 Jezui u prek përsëri në shpirt e shkoi te varri që ishte një shpellë me një gur në hyrje. 39 Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr». 40 Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?».
41 Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart e tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove. 42 Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove». 43 Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!». 44 I vdekuri doli me këmbë e duar të lidhura me rripa pëlhure, ndërsa fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezui u tha: «Zgjidheni e lëreni të shkojë!».
Kërkojnë ta vrasin
(Mt 26.1-5Mk 14.1-2Lk 22.1-2)
45 Shumë nga judenjtë që kishin ardhur te Maria, kur panë ato që bëri Jezui, besuan në të, 46 por disa prej tyre shkuan te farisenjtë e u treguan çfarë kishte bërë Jezui. 47 Atëherë kryepriftërinjtë e farisenjtë mblodhën këshillin e thanë: «Çfarë të bëjmë? Ky njeri po bën kaq shumë shenja! 48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të dhe atëherë do të vijnë romakët e do të rrënojnë tempullin e kombin tonë».
49 Njëri prej tyre, Kajafa, që ishte kryeprifti atë vit, u tha: «Ju nuk kuptoni asgjë. 50 A nuk e kuptoni se për ju është më mirë të vdesë një njeri për popullin, sesa të shkatërrohet gjithë kombi?». 51 Këtë nuk e tha nga vetja, por, meqenëse ishte kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezui do të vdiste për kombin. 52 Dhe jo vetëm për kombin, por edhe për të mbledhur e për t'i bërë një bijtë e shpërndarë të Perëndisë. 53 Që nga ajo ditë ata vendosën ta vrasin. 54 Prandaj Jezui nuk ecte më haptas mes judenjve, por shkoi në një vend pranë shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim e ndenji atje me dishepujt.
55 Po afrohej Pashka e judenjve dhe shumë njerëz nga i gjithë vendi shkuan në Jerusalem, përpara Pashkës, për ritin e pastrimit. 56 Ata e kërkonin Jezuin dhe, kur ishin në tempull, pyesnin njëri-tjetrin: «Si mendoni? A do të vijë në festë?». 57 Kryepriftërinjtë e farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ndodhej Jezui, të lajmëronte, që ta kapnin.
KAPTINA XI.
1 Edhe ishte nji nieri sëmunë, Lazari, prei Methanie, prei krye-katundit Marisë edhe Marthësë së motërës’ asai.
2 (Edhe Maria ishte ajo qi leu Zotinë me voj eret, edhe mpëshiu kambët’ e ati me flokët e veta, të cillësë i vëllai Lazari ishte sëmunë.)
3 Të motëratë pra dërguenë tek ai, tue thanë: Zot, qe tek ashtë sëmunë ai qi do ti .
4 Edhe Iesui kur ndëgjoi, tha: Ajo sëmundë nuk’ ashtë për vdekë, por për laftin’ e Perëndisë, qi të lavdohet’ i Bir’ i Perëndisë me anë të asai.
5 Edhe Iesui donte Marthën’ edhe të motërën’ e asai edhe Lazarinë.
6 Kur ndëgjoi pra se ashtë sëmunë, atëherë mbeti dy ditt mb’ate vend ku ishte.
7 Mbasandai mbas kësai u thotë dishepujvet: Le të vemi prap ndë Iude.
8 Dishepujt’i thonë: Rabbi, tashti Iudeitë kërkojshinë me të rrafunë me gurë, edhe prap vete atie?
9 Iesui u përgjeq: A s’ka dy-mbë-dhet’ ora dita? Ndë ecëtë kushi ditënë, nukë rrëshqet, sepse shef dritën’ e kësai bote.
10 Por ndë ecëtë kushi natënë, rrëshqet, sepse s’ka dritë nd’ate.
11 Këto tha, edhe mbasandai u thot’ atyne: Lazari miku ynë fjeti; por vete qi ta sqoj.
12 Dishepujt’ e ati i thanë pra: Zot, ndë pastë fjetunë, ka me shpëtuem.
13 Por Iesui kishte thanë për vdekën’ e ati, por ata kujtuenë se thotë për të fjetunit’ e gjumit.
14 Atëherë pra Iesui u tha atyne mballa-faqe: Lazari vdiq.
15 Edhe gëzohem për ju, qi të besoni, sepse nukë qesh atie, por le të vemi tek ai.
16 Thomai pra, ai qi thohei Binjok, u tha dishepujvet shokëvet vet: Le të vemi edhe na, qi të vdesimë bashkë me ate.
17 Kur erdhi pra Iesui, e gjeti se kishte tashti katër ditt ndë vorr.
18 Edhe Bethania ishte ngjat Ierusalemit, afër pesë-mbë-dhetë stadie.
19 Edhe shumë vetë prei Iudeish kishin’ ardhunë te Martha e te Maria, për me i ngushulluem për të vëllan’ e atyneve.
20 Martha pra kur ndëgjoi se po vien Iesui, i duel përpara, edhe Maria ndejti ndë shtëpi.
21 Martha pra i tha Iesuit: Zot, ndë kishie qenunë këtu, em vëlla s’kishte për me vdekunë.
22 Por edhe tashti e dij, se sa t’i lypish Perëndisë, Perëndia ka me t’i dhanë.
23 Iesui i thot’ asai: Yt vëlla ka me u ngjallunë.
24 Martha i thotë: E dij se ka me u ngjallunë mbë të ngjallëmen’ e së mbrapmesë ditë.
25 Iesui i tha asai: Unë jam e ngjallëmeja edhe jeta; ai qi më beson, edhe ndë vdektë, ka me rruem.
26 Edhe gjithë-kush qi rron edhe më beson, s’ka me vdekunë për gjithë jetënë. A beson këte?
27 I thotë: Po, Zot, unë kam besuem, se ti je Krishti, i Bir’ i Perëndisë, qi ke ardhunë ndë botët.
28 Edhe si tha këto, vote e thërriti pshefas Marinë të motërën’ e vet, e i tha: Mieshtri ashtë këtu, edhe po të thërret.
29 Ajo kur ndëgjoi, çohetë shpeit, e vien tek ai,
30 (Iesui edhe s’kishte ardhunë ndë krye-katund, por ishte nd’ate vend qi i duel përpara Martha).
31 Iudeitë pra qi ishinë bashkë me ate ndë shtëpi tue ngushulluem ate, kur panë Marinë se u ngrit shpeit edhe duel, i votnë mbrapa asai, tue thanë, se po vete ndë vorr, për me qjam’ atie.
32 Maria pra si erdhi aty ku ishte Iesui, edhe pa ate, i ra ndër kambë, tue i thanë: Zot, ndë ishie këtu, vëllai s’do të më kishte vdekunë.
33 Iesui pra kur pa ate tue qjamë, edhe ata Iudeitë qi kishin’ ardhunë bashkë me ate tue qjamë, shamtini ndë shpirt, e u përzie,
34 edhe tha: Ku e keni vumë? I thonë: Zot, eja e shif.
35 Iesui derdhi lot.
36 Iudeitë pra thoshinë: Shif sa e pasëka dashunë!
37 Por disa prei asish thanë: Nukë mundei kyi qi çeli syt’ e të vërbëtit, me bamë qi të mos vdiste edhe kyi?
38 Iesui pra për-së-ri tue shamtimë ndër vetëhe vien ndë vorr. Edhe ishte nji shpellë, edhe mbi ate ishte vumë nji gur.
39 Iesui thotë: Ngreni gurinë. Maria e motëra të vdekunit i thotë: Zot, qelbetë tashti, sepse ashtë katër ditsh.
40 Iesui i thotë: Nukë të thashë, se ndë besofsh, ke me pamë laftin’ e Perëndisë?
41 Ngritnë pra gurinë, atie ku ishte vum’ i vdekuni. Edhe Iesui ngriti sytë përpietë, e tha: Atë, ta falem ndersë, se më ndëgjove.
42 Edhe un’ e dishiem se përherë më ndëgjon, por këte e thashë për këte popullinë qi rri këtu rreth, qi të besojnë, se ti më dërgove.
43 - Edhe si tha këto, bërtiti me za të math: Lazar, eja jashtë.
44 Edhe i vdekuni duel, lidhunë kambët’ e duertë me pëlhura, edhe faqeja e ati mpështiellë me rizë. Iesui u thot’ atyne: Sgjithnia, edhe linia me votunë.
45 Shumë vetë pra prei Iudeish qi kishinë’ ardhunë te Maria, edhe panë sa bani Iesui, i besuenë.
46 Por disa prei asish shkuenë te Fariseit, edhe u than’ atyne sa bani Iesui.
47 Krye-priftënitë pra edhe Fariseitë përmblothnë bashkë-ndejtie, edhe thoshinë: Qish bajmë? Se kyi nieri ban shumë mërekullia.
48 Ndë lanshim ate kështu, të gjithë kanë me i besuem, edhe kanë me ardhunë Romanët’, e kanë me prishun’ edhe vendinë t’anë edhe kombinë.
49 Edhe nji prei asish, Kaiafa, qi ishte Krye-prift i ati viti, u tha atyne: Ju nukë dini asgja,
50 as nukë mendoheni, se ashtë mirë për ne me vdekunë nji nieri për popullinë, edhe të mos hupi gjithë kombi.
51 - Edhe këte nuk’ e tha prei vetiut, por, tue qenunë Krye-prift i ati viti, profetizoi se Iesui kishte për me vdekunë për kombinë;
52 edhe jo për kombinë vetëmë, por qi të mbëledhi mbë nji edhe dielmt’ e Perëndisë qi ishinë shpërdamë.
53 Çë mb’ate ditë pra banë këshille, për me e vramë.
54 Përandai Iesui nuk’ ecëte ma mballa-faqe ndëpër Iudeit; por shkoi prej andej ndë nji vend ngjat shkretinësë, ndë nji qytet qi thohet’ Efraim, edhe atie shkonte kohënë bashkë me dishepujt’ e vet.
55 Edhe ishte ngjat pashka e Iudevet, edhe shumë vetë prei ati vendi hypnë ndë Ierusalem para pashkësë, qi të qirojinë vetëvetëhenë.
56 Kërkojshinë pra Iesunë, edhe i thoshinë njiani tietrit tue ndenjunë ndë tempull: Qish u duketë juve? Se s’ka me ardhunë për festënë?
57 Edhe Krye-priftënit’ e Fariseitë kishinë porositunë, ndë e marrtë vesh kushi se ku ashtë, t’api za qi ta zanë.