Melkisedeku
1 Ky Melkisedeku ishte mbret i Salemit dhe prift i të tejlartit Perëndi. Kur Abrahami po kthehej nga beteja, ku shfarosi mbretërit, Melkisedeku e takoi dhe e bekoi. 2 Abrahami i dha atij një të dhjetën e gjithçkaje.
Emri Melkisedek do të thotë së pari «mbret i drejtësisë». Ai ishte edhe mbret i Salemit, që do të thotë «mbret i paqes». 3 Nuk ia njohim as të atin, as nënën e as paraardhësit. Nuk dimë gjë as për lindjen e as për vdekjen e tij . I ngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.
4 Pa mendohuni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku Abraham i dha të dhjetën e gjithçkaje që kishte plaçkitur. 5 Ata që e kanë marrë priftërinë si pasardhës të Levit, kanë urdhër që, sipas ligjit, të marrin të dhjetën e gjithçkaje nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, pavarësisht se edhe ata kanë dalë prej farës së Abrahamit. 6 Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe e bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë. 7 Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi.
8 Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton. 9 Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën, 10 sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij, Abrahamit, kur ky u takua me Melkisedekun.
11 Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç'nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhrit të Melkisedekut e jo sipas urdhrit të Aronit? 12 Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit.
13 Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit. 14 Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë. 15 Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun, 16 i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s'ka fund. 17 Sepse dëshmohet se
ti je prift në amshim
sipas urdhrit të Melkisedekut.
18 Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm. 19 Ligji nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë.
20 Jezui nuk u bë prift pa betim, ndërsa të tjerët u bënë pa betim. 21 Jezui u bë prift me betimin e Perëndisë që i tha:
Zoti u betua
e nuk do të pendohet.
Ti je prift në amshim .
22 Prandaj Jezui u bë dorëzani i një besëlidhjeje më të mirë. 23 Priftërinjtë e tjerë ishin të shumtë, pasi nuk i lejonte vdekja të mbeteshin priftërinj përjetë, 24 ndërsa Jezui, ngaqë jeton në amshim, ka priftëri të patjetërsueshme. 25 Prandaj ai mund t'i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta.
26 I tillë kryeprift na duhej: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollosur, i ndarë veç nga mëkatarët dhe i ngritur më lart se qiejt. 27 Ai nuk ka nevojë çdo ditë për flijime si kryepriftërinjtë e tjerë, të cilët ofrojnë në fillim flijim për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit. Këtë ai e bëri një herë e përgjithmonë kur ofroi veten si flijim. 28 Ligji vendos si kryepriftërinj njerëz me dobësi, ndërsa fjala e betimit, që vjen pas këtij ligji, vendos Birin, i cili është i përsosur në amshim.
KAPTINA VII.
1 Sepse kyi Melhisedeku, mbëreti i Selimit, prifti i Perëndisë naltë, i cilli hasi me Abrahaminë tue u këthyem prei së grimesë mbëretënavet, edhe e bekoi,
2 të cillit Abrahami i dau mbë-nj-anë edhe të dhetënë prei gjithë plaçëkavet , qi ai përpara quhei mbëret dreitënie, mbasandai edhe mbëret Selim, qi do me thanë, mbëret paqtimi,
3 pa atë, pa amë, pa gjenealogji, pa pasunë fillim dittsh, as të mbaruem jete, por përgjaitunë të Birit Perëndisë, mbet prift përjetë.
4 Edhe veni ore sa i madh qe kyi, të cillit Abrahami krye-ati i dha edhe të dhetënë prei plaçëkavet.
5 Edhe prei të bijvet Leviut ata qi marrinë priftëninë, kanë porosi mbas ligjësë me marrë të dhetënë prei popullit, do me thanë, prei vëllazënavet vet, ndonëse kanë dalë prei miedizit Abrahamit;
6 edhe ai qi s’e kishte gjenealogjinë prei atyneve, muer të dhetënë prei Abrahamit, edhe bekoi ate qi kishte të zotuemetë,
7 edhe pa ndonji kundrë-fjalë, ma i vogëli bekohetë prei ma të madhit.
8 Edhe këtu nierës të mortshim marrinë të dheta, e atie merr të dheta qi ai bahetë deshmi se rron.
9 Edhe me thanë kështu, edhe Leviu qi mirrte të dheta me anë të Abrahamit, dha të dheta.
10 Sepse ai Leviu ishte por ndë miedis t’atit, kur hasi me ate Melhisedeku.
11 Ndë ishte pra të mbaruemitë me anë të priftënisë Levitike (sepse populli muer ligjënë me anë t’asai), qish lypsei me u ngritunë tietër prift mbas rregullit Melhisedekut, e të mos thohetë mbas rregullit Aaronit?
12 Sepse kur ndërrohetë vendit priftënia, duhetë me u ndërruem vendit edhe ligja.
13 Sepse ai, qi thohenë këto punë për ate, ishte prei tietërë fare, të cillës’ as ndonji s’iu pat afruem theroresë.
14 Sepse ashtë punë e shpërfaqëme se Zoti ynë leu prei Iudesë, qi për ate farë Moiseu nukë foli gja për priftëni.
15 Por edhe shumë ma tepër’ ashtë punë e shpërfaqëme, sepse ngrihetë tietër prift mbas së përgjaitëmesë Melhisedekut,
16 i cilli nukë qe bamë mbas ligjësë porosisë mishit, por mbas fuqisë jetësë pa-mbarueme,
17 sepse deshmon, tue thanë : “Se ti je prift për gjithë jetënë mbas rregullit Melhisedekut”.
18 Sepse porosia e parë këthehetë prapë, kur asht’ e dobë edhe e pavëjefshime
19 (sepse ligja s’mbaroi ndonji farë pune), por kalli nji shpëresë ma të mirë, qi me anë t’asai i afrohemi Perëndisë.
20 Edhe sa ma shumë nukë ke bamë ndonji prift pa bamë be
21 (sepse ata qenë bamë priftën pa bamë be, por kyi me të bame be prei ati qi i tha: “Zoti bani be, edhe s’ka me u penduem. Ti je prift për gjithë jetënë mbas rregullit Melhisedekut”);
22 kaqi ma të mirësë dhiatë u ba dorë-dhanës Iesui.
23 Edhe ata qenë bamë shumë priftën, sepse nuk’ i linte vdeka me mbetunë shumë kohë,
24 por ai mbassi mbet për gjithë jetënë, e ka priftëninë të pandërrueme vendit.
25 Edhe përandai mundetë me shpëtuem kreit ata qi afrohenë për-anë Perëndisë me anë t’ati, sepse rron përherë qi të bajë shkusi për ata.
26 Sepse i tillë krye-prift i pandërruem vendit na duhei neve, shenjt, asi qi s’ban keq, i pashgryem, damë veç prei fajtorëvet, edhe bamë ma i naltë se qijetë,
27 i cilli s’ka nevojë përditë, si ata krye-priftënitë, me prumë kurbane ma pari për fajet e veta, mbasandai për të popullit, sepse nji herë e bani këte, kur pru vetëvetëhenë kurban .
28 Sepse ligja ve krye-priftën nierës qi kanë dobësinë, por fjala e së bamesë be qi u ba mbrapa ligjësë, vuni Birinë, qi asht’ i kullutë për gjithë jetënë.