Jeta që i pëlqen Perëndisë
1 Dashuria vëllazërore le të mbetet!
2 Mikpritjen mos e harroni, sepse nëpërmjet saj, disa, pa e ditur, pritën engjëj në shtëpi.
3 Kujtoni të burgosurit, si të ishit edhe ju të burgosur me ta. Kujtoni edhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju jeni njerëz me trup si ata.
4 Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse kurvarët dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore do t'i gjykojë Perëndia.
5 Sjellja juaj të mos ndikohet nga lakmia për para. Le t'ju mjaftojnë ato që keni, se Perëndia ka thënë: nuk do të të lë vetëm e as nuk do të të braktis. 6 Kështu mund të themi me guxim:
Zoti është ndihma ime
dhe nuk do të kem frikë.
Ç'mund të më bëjë njeriu?
7 Kujtoni krerët tuaj që ju shpallën fjalën e Perëndisë. Shikoni si e jetuan jetën dhe shkërbeni besimin e tyre.
8 Jezu Krishti është gjithnjë i njëjti, dje, sot e në amshim. 9 Mos rendni pas mësimeve të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra të forcohet me hir e jo me të ngrëna. Ata që vepruan kështu nuk patën asnjë dobi. 10 Ne kemi një altar, nga i cili nuk kanë të drejtë të hanë ata që e adhurojnë Perëndinë në tendë.
11 Kryeprifti çon në shenjtërore gjak kafshësh, të cilin e kushton për mëkatet, ndërsa vetë kafshët digjen jashtë vendbanimit. 12 Prandaj edhe Jezui vuajti jashtë portës së qytetit, që ta shenjtëronte popullin nëpërmjet gjakut të tij. 13 Kështu, le të dalim edhe ne jashtë vendbanimit e të shkojmë drejt tij, duke duruar të njëjtin poshtërim. 14 Sepse nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.
15 Nëpërmjet Jezuit, le t'i kushtojmë gjithnjë Perëndisë flijim lavdërimi, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij. 16 Mos harroni të bëni bamirësi dhe të ndani me të tjerët ato që keni, sepse të tilla flijime i pëlqejnë Perëndisë.
17 Bindjuni krerëve tuaj dhe nënshtrojuni atyre, pasi ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, meqenëse do të japin llogari para Perëndisë. Kështu, ata do ta bëjnë këtë gjë me gëzim dhe jo duke u ankuar, sepse kjo nuk do t'ju sillte dobi.
18 Lutuni për ne! Ne jemi të bindur se e kemi ndërgjegjen e pastër, sepse në çdo gjë dëshirojmë të sillemi mirë. 19 Po ju kërkoj në veçanti të luteni që të kthehem sa më shpejt te ju.
Përshëndetjet e fundit
20 Perëndia i paqes, ai që ngjalli prej të vdekurve bariun e madh të deleve, Zotin tonë, Jezuin, me gjakun e të cilit siguroi besëlidhjen e amshuar, 21 ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë ndër ne çdo gjë që i pëlqen të bëhet, nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!
22 Ju lutem, vëllezër, dëgjojini me kujdes këto fjalë ngushëllimi, sepse ju shkrova shkurt.
23 E morët vesh që vëllai ynë Timoteu u lirua nga burgu. Nëse ai mbërrin së shpejti këtu, do të vij t'ju shoh bashkë me të.
24 Përshëndesni të gjithë krerët tuaj dhe të gjithë të shenjtët.
Ju përshëndesin vëllezërit nga Italia.
25 Hiri i Perëndisë qoftë me të gjithë ju!
KAPTINA XIII.
1 Le të qindrojë dashunia e vëllazënisë.
2 Mos harroni dashunin’ e të huejëvet, sepse prei kësai disa pa marrë vesh pritnë engjuj ndë shtëpiat të veta.
3 Kuitoni ata qi janë lidhunë, si të lidhunë bashkë me ata; ata qi hiekinë keq, sikur jeni edhe ju ndë korp.
4 Martesa qoftë për nderë mbë të gjithë edhe shtrati i pandyem, por kurvarët’ e ndynësitë ka me i gjukuem Perëndia.
5 Mëndyra juei le të jetë pa lakëmim argjandi, tue u mbastuem ato qi keni tashti, sepse ai ka thanë: “S’kam për me të lanë, as s’kam për me hiekunë dorë prei teje”.
6 Përandai na të thomi me zemërë: “Zoti ashtë ndifmëtari em, edhe s’kam me drashunë, qish do të më bajë nieriu”.
7 Kuitoni të parëtë tuei, të cillët’ u folnë juve fjalën’ e Perëndisë; ecëni mbas besës’ atyneve, tue vum’ ore të mbrapënën’ e jetës’ atyne qi shkojinë.
8 Iesu Krishti asht’ ai vetë die edhe sot, edhe për gjithë jetët.
9 Mos bihi andej e këndej prei qish do farë mësimesh të hueja, sepse ashtë mirë me u forcuem zemëra me hir, jo me të ngrana, të cillatë nuk’ u vëjeftnë gja atyneve qi ecënë mb’ato.
10 Kemi nji therore, prei të cillësë s’kanë pushtet me ngran’ ata qi lutenë ndë tendët.
11 Sepse atyne bagëtivet qi u bihetë gjaku mbrenda ndë shin-vendet prei krye-priftit për faje, këtyneve u digjenë korpënatë jashtë ushtërisë.
12 Përandai edhe Iesui pësoi jashtë derësë, qi të shenjtënojë popullinë me gjakun’ e vet.
13 Le të dalimë pra tek ai jashtë ushtërisë tue bartunë dhunën’ e ati.
14 Sepse na s’kemi këtu nji qytet qi mbet përherë , por kërkoim’ ate qi ka me ardhunë.
15 Me anë t’ati pra le të bijemë përherë te Perëndia kurban lavdimi, do me thanë “pemë buzësh” qi rrëfejën’ emënin’ e ati.
16 Edhe mos harroni të bani mirë, e të bani piesë prei të miravet tueja, sepse këso kurbanesh’ i pëlqejënë Perëndisë.
17 U ndëgjoni të parëvet tuei, edhe u ulni vetëhenë, sepse ata rrinë squtë për shpirtënat tuei, porsi ata qi kanë me dhanë fjalë, qi ta bajënë këte me gëzim, edhe jo tue fshamë, sepse këjo s’vëjen për ju.
18 Fali për ne, sepse na u ka mbushunë mendia, se kemi ndërgjegjëje të mirë, tue dashunë të bihemi mirë mbë gjithë punët.
19 Por ma tepër’ u lutem juve të bani këte, qi të këthehem shpeit te ju.
20 Edhe Perëndia i paqtimit, i cilli pru për-së-ri prei së vdekunish barin’ e math të dhenvet me anë të gjakut dhiatësë pasosëme, Zotinë t’anë Iesu Krishtinë,
21 u baftë të kullutë mbë qish do punë të mirë, qi të bani dashunimin’ e ati, tue punuem ndër ju ate qi asht’ e pëlqyeshime përpara ati, me anë të Iesu Krishtit, mb’atë qoftë lafti ndë jetët të jetëvet. Amen.
22 Edhe u lutem juve, o vëllazën, duroni fjalën’ e mësimit, sepse u shkrova juve me pak fjalë.
23 E dini se vëllai Timotheu u lishue prei burgut , bashkë me ate, ndë arthtë shpeit, kam me u pamë juve.
24 U falni me shëndet gjithë të parëvet tuei, edhe gjithë shenjtënavet. U falenë me shëndet juve gjith’ ata qi janë kah Italia.
25 Hiri qoftë me ju të gjithë. Amen.
(Letëra) mbë Hebrejt u shkrue kah Italia (edhe u dërgue me anë të Timotheut ).