Barrët e njëri-tjetrit
1 Vëllezër, nëse ndokush kapet në faj, ju që keni Shpirtin e shenjtë ndreqeni atë me shpirtbutësi, por ruhuni se mos tundoheni edhe ju vetë. 2 Mbajini barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.
3 Sepse, nëse ndonjëri mendon se është dikush, duke mos qenë askush, ai mashtron veten. 4 Secili të shqyrtojë veprat e veta e pastaj të krenohet vetëm me veten e jo me dikë tjetër. 5 Sepse çdonjëri do të mbajë barrën e vet.
6 Kush mëson fjalën e Perëndisë, le të ndajë me mësuesin e vet të gjitha të mirat e tij.
7 Mos t'ju gënjejë mendja: Perëndia nuk vihet në lojë. Ç'të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. 8 Kush mbjell sipas dobësisë së vet njerëzore, prej saj do të korrë shkatërrimin, ndërsa kush mbjell sipas Shpirtit, do të korrë prej tij jetën e amshuar. 9 Le të mos lodhemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos dorëzohemi, do të kemi edhe të korra në kohën e duhur. 10 Prandaj, sa të kemi kohë, të punojmë për të mirën e të gjithëve, sidomos të vëllezërve në besim.
Paralajmërimi i fundit
11 Shikoni me ç'shkronja të mëdha ju shkrova me dorën time.
12 Ata që ju detyrojnë të rrethpriteni duan të dalin mirë para njerëzve vetëm që të mos përndiqen për kryqin e Krishtit. 13 Madje as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që të mburren me ju. 14 Sa për mua, unë nuk dua të krenohem me asgjë tjetër, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, përmes të cilit jam i vdekur në kryq për sa i përket botës dhe bota për sa më përket mua.
15 Sepse nuk vlejnë gjë as rrethprerja, as parrethprerja, por vlen vetëm krijesa e re. 16 Të gjithë ata që do të ndjekin këtë rregull, paçin paqe e mëshirë, ata dhe Izraeli i Perëndisë.
17 Që tani e tutje asnjeri të mos m'i shtojë mundimet, sepse unë mbart shenjat e plagëve të Jezuit në trupin tim.
18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen!
KAPTINA VI.
1 O vëllazën, edhe ndë pastë ranë ndonji nieri mbë ndonji faj, ju qi jeni të shpirtit ndërtonia të tillë nieri me shpirt të butë, tue vum’ ore vetëhenë tande, mos ngjitesh’ edhe ti.
2 Barni barrëtë njiani tietërit, edhe kështu keni me mbushunë ligjën’ e Krishtit.
3 Sepse ndë iu duktë kuit se di qish ashtë, ndonëse s’ashtë gja, gënjen vetëvetëhenë.
4 Por gjithë-se-cilli le të provojë punën’ e vet, edhe atëherë ka me u mburrunë për vetëvetëhenë, e jo për tietërinë,
5 sepse gjithë-se-cilli ka me bartunë barrën’ e vet.
6 Edhe ai qi ashtë i mësuem ndë fjalët, le ta bajë piesëtar mbë gjithë të mirat ate qi mëson.
7 Mos gënjehi: Perëndia s’përbuzetë, sepse qish të mbielli nieriu, ate edhe ka me korrë,
8 sepse ai qi mbiell ndë mish të vet, ka me korrë prishëje prei mishit, por ai qi mbiell ndë shpirt, ka me korrë jetë të pasosëme prei shpirtit.
9 Le të mos lodhemi pra tue bamë të mirënë, sepse ndë mos u lothshim, kemi me korrë me kohë të asai.
10 Përandai deri sa kemi kohë, le të punoimë të mirënë mbë të gjithë, por ma fort mbë shtëpiarët e besësë.
11 Shifni qish farë letërë të madhe u shkrova juve me dorënë t’eme.
12 Sa duenë me u dukunë të mirë ndë misht, këta u ngusinë juve të rreth-prehi, vetëmë qi të mos ndiqenë për kryqin’ e Krishtit.
13 Sepse as ata qi janë rreth-premë s’ruejnë ligjënë, por duenë me u rreth-premë ju, qi të mburrenë mbë mish tuei.
14 Por për mue qoftë lark të mburrunitë për tietërë gja, veç për kryqin’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit, qi me anë t’ati ashtë kryqëzuem bota tek unë, edhe unë te bota.
15 Sepse mbë Iesu Krishtin’ as rreth-presëja ka ndonji fuqi, as parreth-presëja, por krijesa e re.
16 Edhe sa ecinë mbas këti rregulli, qoftë paqtim edhe përdëllim mb’ata, edhe mbë Israelin’ e Perëndisë.
17 Tashti e mbaskëndai askushi le të mos më ngasi, sepse unë bari shenjet’ e Zotit Iesu ndë korpt t’em.
18 Hiri i Zotit t’ynë Iesu Krisht qoftë bashkë me shpirtinë tuei, o vëllazën. Amen.
(Letëra) mbë Galatianët u shkrue prei Romet .