Përshëndetja
1 Unë, Pali, që nuk u bëra apostull prej njerëzve, as prej ndonjë njeriu, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atë, që e ngjalli prej të vdekurve, 2 së bashku me të gjithë vëllezërit që janë me mua, po u shkruaj kishave të Galatisë: 3 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krisht! 4 Ai u flijua për mëkatet tona, që të na çlironte nga kjo botë e ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë. 5 Atij i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!
Nuk ka ungjill tjetër
6 Çuditem sa shpejt po largoheni nga Perëndia, që ju thirri në hirin e Krishtit, e po shkoni drejt një ungjilli tjetër. 7 Ungjill tjetër nuk ka, por ka vetëm disa njerëz që ju turbullojnë e duan të shtrembërojnë ungjillin e Krishtit. 8 Por, edhe sikur dikush nga ne apo një engjëll nga qielli t'ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar ne, qoftë mallkuar. 9 Çfarë ju kemi thënë më parë, po jua them edhe tani: kush t'ju predikojë një ungjill të ndryshëm nga ai që keni pranuar, qoftë mallkuar.
10 A mos po kërkoj të marr pëlqimin e njerëzve a të Perëndisë? Apo po kërkoj t'u pëlqej njerëzve? Po të kërkoja t'u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit.
Thirrja e Palit
11 Po ju vë në dijeni, o vëllezër, se ungjilli që ju shpalla nuk vjen nga njerëzit. 12 As e mora e as e mësova nga ndonjë njeri, por përmes zbulesës së Jezu Krishtit.
13 Ju keni dëgjuar për sjelljen time të dikurshme në judaizëm, me sa zell e përndiqja kishën e Perëndisë e përpiqesha ta shkatërroja. 14 Në judaizëm unë ua kalova shumë prej bashkëmoshatarëve të kombit tim dhe isha tepër i zellshëm ndaj traditave të etërve të mi. 15 Por, kur Perëndisë, që më ndau veç që në barkun e nënës e më thirri përmes hirit të tij, i pëlqeu 16 të më zbulojë Birin e vet për ta kumtuar ndër kombet, unë menjëherë, pa u këshilluar me njeri 17 e pa shkuar në Jerusalem tek ata që ishin apostuj para meje, shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.
18 Vetëm tre vjet më vonë shkova në Jerusalem për të takuar Kefën dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë, 19 por nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë përveç Jakobit, vëllait të Zotit. 20 Këto gjëra po i shkruaj para Perëndisë e nuk gënjej.
21 Pastaj shkova në krahinat e Sirisë e të Kilikisë, 22 por kishat e Judesë, që besojnë në Krishtin, nuk më njihnin nga afër. 23 E vetmja gjë që kishin dëgjuar është kjo: «Ai që më parë na përndiqte, tani shpall besimin që dikur përpiqej ta shkatërronte». 24 Ata përlëvdonin Perëndinë për mua.
KAPTINA I.
1 Pauli apostulli (jo prei nierëzish, as me anë të ndonji nieriu, por me anë të Iesu Krishtit, edhe Perëndisë Atit qi ngjalli ate prei së vdekunish),
2 edhe gjithë vëllazënitë qi janë bashkë me mue, mbë kishat të Galatisë:
3 hir qoftë mbë ju edhe paqtim prei Perëndisë Atit, edhe prei Zotit t’ynë Iesu Krishtit,
4 qi dha vetëvetëhenë për fajet t’ona, qi të na shpëtojë prei kësai jete të keqe të sotshime, mbas dashunimit Perëndisë edhe Atit t’ynë;
5 mb’ate qoftë lafti ndë jetët të jetëvet.
6 Mërekullohem se kaqi shpeit leni ate qi u thirri juve ndë hir të Krishtit, e shkoni mbas tietër’ ungjilli,
7 i cilli s’ashtë tietërë: por janë disa vetë qi u përziejnë juve, edhe duenë me këthyem përmbys ungjillin’ e Krishtit.
8 Por edhe na ndë qofshim , a engjullë prei qielli, me u predikuem juve nji tietër’ ungjill, përveç ati ungjillit qi u predikuem juve, qoftë mallëkuem.
9 Sikurse tham ma pari, edhe tashti prap thom, ndë u predikoftë ndonji nieri nji tietër’ ungjill, përveç ati qi keni marrë, qoftë mallëkuem.
10 Sepse tashti nierëzëvet u mbush mendien’ unë, apor Perëndisë? Apor kërkoj të pëlqehem te nierëzit? Sepse ndë pëlqeheshë ma te nierëzit, s’do të ishiem shërbëtori i Krishtit.
11 Por u baj me ditun’, o vëllazën, se ungjilli qi u predikue prei mejet s’ashtë mbas nieriut,
12 sepse as unë s’e mora prei nieriut , as e mësova prei nieriut, por prei së sbuluemesë Iesu Krishtit.
13 Sepse ju e keni ndëgjuem se si biheshë njiherë ndë Iudaismë, se fort tepërë ndiqiem kishën’ e Perëndisë, edhe e rrenojem ate;
14 edhe shkoishiem mbarë ndë Iudaismë ma tepërë se shumë moshatarët’ e mi ndë komp t’em, sepse ishiem ma tepërë zellëtar për porosit qi kishin lanë përint’ e mi.
15 Por kur iu pëlqye Perëndisë qi më dau veç çë prei barkut amësë s’eme, edhe më thirri me anë të hirit vet,
16 për me sbuluem Birin’ e vet tek unë, qi të ungjillëzoj atë ndër kombet, përnjiherë s’mora këshillë prei mishit e prei gjakut,
17 as s’hipa ndë Ierusalem te apostujt qi qenë para mejet, por shkova nd’Arabi, edhe përsëri ndë Damaskë.
18 Mbasandai mbas tre vieç hipa ndë Ierusalem me pamë Pietrinë, edhe mbeta për-an’ ati pesë-mbë-dhetë ditt,
19 edhe s’pashë tietërë prei apostujsh, veçse Iakobinë të vëllan’ e Zotit.
20 Edhe sa u shkruej juve, qe te po rrëfej përpara Perëndisë, se s’rrej.
21 Mbasandai erdha ndë vendet të Syrisë e të Kilikisë,
22 edhe nuk’ ishiem ngjofunë me faqe me kishat e Iudesë qi janë mbë Krishtinë,
23 por veç ishinë tue ndëgjuem, se ai qi na ndiqte njiherë, tashti po ungjillëzon ate besënë qi rrenonte njiherë.
24 Edhe lavdoishinë Perëndinë për punët t’eme.