1 Sauli e miratoi vrasjen e Stefanit.
Sauli përndjek kishën
Atë ditë filloi një përndjekje e madhe ndaj kishës në Jerusalem. Përveç apostujve, të gjithë u shpërndanë nëpër fshatrat e Judesë e të Samarisë. 2 Disa njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë e varrosën Stefanin dhe e vajtuan shumë.
3 Ndërsa Sauli po e shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi. Ai merrte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg.
4 Mirëpo ata që ishin shpërndarë shkonin nga një vend në tjetrin, duke shpallur ungjillin. 5 Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikoi atyre Krishtin. 6 Turmat i dëgjonin me vëmendje fjalët e Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat që bënte. 7 Shpirtrat e ndyrë dilnin me britma të mëdha prej shumë njerëzve që ishin të pushtuar prej tyre dhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan. 8 Kështu, në atë qytet u gëzuan shumë.
9 Në atë qytet jetonte prej kohësh një njeri me emrin Simon, i cili bënte magji e i mahniste njerëzit e Samarisë dhe thoshte se ishte njeri i madh. 10 Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, nga më të vegjlit te më të mëdhenjtë, e thoshin: «Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë». 11 Dhe e dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e tij. 12 Por kur i besuan Filipit, që po shpallte ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, atëherë u pagëzuan burra e gra. 13 Edhe vetë Simoni besoi. Pasi u pagëzua, qëndroi me Filipin e mahnitej kur shikonte shenjat dhe veprat e fuqishme që ndodhnin.
14 Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin e Gjonin. 15 Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e shenjtë, 16 sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu. 17 Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e shenjtë. 18 Kur Simoni pa se Shpirti u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para 19 e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e shenjtë». 20 Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë! 21 Ti nuk ke as pjesë e as short në këtë gjë, se nuk e ke zemrën të drejtë para Perëndisë. 22 Pendohu për këtë mbrapshti tënden e lutju Zotit, se ndoshta ta fal atë që kishe në zemër. 23 Në të vërtetë po shoh se je i mbushur me vrer dhe je peng i mëkatit». 24 Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë».
25 Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë.
Filipi dhe etiopasi
26 Një engjëll i Zotit i foli Filipit e i tha: «Ngrihu e shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gazë». Ajo është një rrugë e shkretë. 27 Filipi u ngrit e shkoi. Ai pa një eunuk etiopas, zyrtar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së etiopasve, kujdestar i tërë thesarit të saj. Ky kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar 28 e tani po kthehej, ulur në karrocën e vet, duke lexuar profetin Isai.
29 Atëherë Shpirti i tha Filipit: «Shko e hip në atë karrocë!». 30 Filipi shkoi me vrap, e dëgjoi eunukun duke lexuar profetin Isai e i tha: «A e kupton atë që po lexon?». 31 Ai i tha: «E si mund ta kuptoj po nuk më udhëzoi dikush?». Pastaj e ftoi Filipin të hipte në karrocë e të ulej pranë tij.
32 Pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo:
e çuan si dele për t'u therur,
si qengjin që shkon për t'u qethur
pa bëzajtur
e ai nuk e hapi gojën.
33 E poshtëruan e ia mohuan drejtësinë.
E kush mund të flasë për pasardhësit e tij?
Sepse jetës së tij i dhanë fund mbi tokë.
34 Eunuku e pyeti Filipin: «Të lutem, për kë e thotë këtë gjë profeti? Për veten e tij apo për ndonjë tjetër?». 35 Atëherë Filipi filloi të fliste e duke u nisur nga ky Shkrim i shpalli Jezuin.
36-37 Ndërsa ishin udhës, arritën në një vend ku kishte ujë dhe eunuku tha: «Ja, këtu ka ujë. Çfarë më pengon të pagëzohem?». 38 Ai urdhëroi të ndalej karroca. Filipi dhe eunuku shkuan tek uji dhe Filipi e pagëzoi.
39 Kur dolën nga uji, Shpirti i Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më. Pastaj shkoi plot gëzim udhës së vet.
40 Filipi u gjend në Azot dhe, gjatë udhës, u predikonte ungjillin të gjitha qyteteve, derisa arriti në Cezare.
KAPTINA VIII.
1 Edhe Saulit i pëlqente vrasëja e ati. Edhe atë ditë u ba nji ndiekëje e madhe kundrë kishësë qi ishte ndë Ierusalem; edhe të gjithë u shpërdanë ndëpër vendet e Iudesë e Samarisë, përveç apostujvet.
2 Edhe disa burra besëtarë prunë Stefaninë ndë vorr , edhe banë vaje të madhe mbi ate.
3 Edhe Sauli i bante keq kishësë, tue hymë ndëpër shtëpiat, e tue tërhequnë burra e gra, e i hethte ndë burk.
4 Ata pra qi u shpërdanë shkuenë vend mbë vend, tue dhanë zanin’ e mirë për fjalënë.
5 Edhe Filippi sdrypi ndë qytet të Samarisë, e u predikonte atyne Krishtinë.
6 Edhe gjithë gjindëja me nji zemër’ i mbajinë veç Filippit për ato qi thoshte, sepse ndëgjojin’ edhe shifin’ ato mërekulliatë qi bante.
7 Sepse prei shumë nierëzish qi kishinë fryma të ndyta, dilinë tue thërritunë me za të math, edhe shumë uloga e çala u shëndoshnë.
8 Edhe u ba gëzim i math nd’atë qytet.
9 Edhe atie ishte nji nieri qi quhei Simon, i cilli çë ndë krye të kohësë bante magjij nd’ate qytet, edhe nxirte menç popullin’ e Samarisë, tue thanë për vetëvetëhenë se ashtë nji nieri i math;
10 të gjithë të mëdhej e të vogjil i vejinë vesh, e thoshinë, se: Kyi ashtë fuqia madhe e Perëndisë.
11 Edhe i vejinë vesh, sepse i kishte nxierrë menç shumë kohë me magjit.
12 Por kur i besuenë Filippit qi epte zanin’ e mirë për punët’ e mbëretënisë Perëndisë, edhe për emënin’ e Iesu-Krishtit, pagëzoheshinë burra e gra.
13 Por edhe ai Simoni besoi; edhe si u pagëzue, mbeti bashkë me Filippinë, edhe tue pamë se baheshinë shenjë e mërekullia të mëdha, dilte jashtë menç.
14 Edhe apostujtë qi ishinë ndë Ierusalem kur ndëgjuenë, se Samaria priti fjalën’ e Perëndisë, dërguenë tek ata Pietrin’ edhe Gjionninë,
15 të cillëtë kur sdrypnë, u falnë për ata, qi të marrinë Shpirtinë Shenjt
16 (sepse edhe s’kishte sdrypun’ as mbë ndonji prei atyneve, por vesht ishinë pagëzuem mb’emënit të Zotit Iesu).
17 Atëherë vejinë duertë mbi ata, edhe merrinë Shpirtinë Shenjt.
18 Edhe Simoni kur pa, se me të vumen’ e duervet apostujvet epei Shpirti Shenjt, u pruni atyne astrë,
19 tue thanë: Më epni edhe mue këte pushtet, qi mbi cillinë-do të ve duertë, të marri Shpirtinë Shenjt.
20 Por Pietri i tha: Argjandi yt le të vdiretë bashkë me tyi, sepse kujtove se dhunëtia e Perëndisë fitohetë me astrë.
21 Ti s’ke piesë, as shortë ndë këte fjalë, sepse zemëra jote s’asht’ e dreitë përpara Perëndisë.
22 Pendohu pra prei kësai së keqesë s’ate, edhe iu lut Perëndisë, druese të ndëjehetë kyi kujtim i zemrësë s’ate,
23 sepse po të shof se je ndë vëner idhënie edhe ndë të lidhunë paudhënie.
24 Atëherë Simoni u përgjeq, e tha: Lutuni ju Zotit për mue, për mos me ardhunë mbi mue as ndonji prei asosh qi thatë.
25 Edhe ata, mbassi dhanë deshmi, edhe folnë fjalën’ e Zotit, u këthyenë ndë Ierusalem, edhe dhanë zanin’ e mirë ndëpër shumë krye-katunde të Samaritanëvet.
26 Edhe engjull i Zotit i foli Filippit, tue thanë: Ngreu, edhe shko prei anësë Mies-ditësë, mb’udhë qi sdryp prei Ierusalemit ndë Gazë, qi ashtë shkretinë.
27 Edhe ai u ngrit, e vote. Edhe qe nji nieri Ethiopës, i tredhunë, urdhënar i Kandakësë, mbretëneshës’ Ethiopësavet, i cilli ishte mbi gjithë thesorët e asai; kyi kishte ardhunë për me adhuruem ndë Ierusalem;
28 edhe kur ishte tue u këthyem, edhe tue ndenjunë mbi qerren’ e vet, po këndonte profetin’ Isai.
29 Edhe Shpirti Shenjt i tha Filippit: Avitu, e iu ngjit kësai qerreje.
30 Edhe Filippi mbassi u turr ngjat, ndëgjoi ate tue kënduem profetin’ Isai, edhe tha: Vallë merr vesht ato qi këndon?
31 Edhe ai tha: E si mundem me marrë vesht , ndë mos më diftoftë kushi? Edhe iu lut Filippit me hypun’ e me ndenjunë bashkë me ate.
32 Edhe ai vendi shkronjësë qi po këndonte ishte kyi: “U pru porsi dash për me u therë, edhe porsi qengj qi rri pa za përpara ati qi e qeth, kështu nukë hap gojën’ e vet;
33 ndë të përvumen’ e ati u ngrit gjyqi i ati; edhe brezin’ e ati kush ka me e diftuem? Sepse ngrihetë prei dheut jeta e ati”.
34 Edhe i tredhuni u përgjeq, e i tha Filippit: Të lutem, për cillinë thotë këte profeti? Për vetëvetëhenë, apor për ndonji tietër?
35 Atëhere Filippi hapi gojën’ e vet, e filloi prei kësai shkronje, edhe i dha zanin’ e mirë për Iesunë.
36 Edhe kur ishinë tue shkuem udhësë, erthnë mbë nji ujë; edhe i tredhuni thotë: Qe ku ashtë ujë; çfarëgjaje më ndal me u pagëzuem?
37 Edhe Filippi tha: Ndë besofsh me gjithë zemërë, mundesh. Edhe ai u përgjeq, e tha: Besoj se Iesu Krishti asht’ i Bir’ i Perëndisë.
38 Edhe urdhënoi me ndalunë qerrenë; edhe sdrypnë të dy nd’ujët, edhe Filippi edhe i tredhuni; edhe e pagëzoi.
39 Edhe kur duelnë prei ujit, Shpirt’ i Zotit rrëmbeu Filippinë, edhe i tredhuni s’e pa ma, por shkonte udhësë vet tue u gëzuem.
40 Edhe Filippi u gjind ndë Azot; edhe mbë të shkuemitë epte zanin’ e mirë ndëpër gjithë qytetet, deri sa erdhi ndë Kaisari.