1 Pali vështroi nga sinedri e tha: «Vëllezër, deri më sot kam jetuar me ndërgjegje të pastër para Perëndisë».
2 Atëherë kryeprifti Hananiah i urdhëroi ata që ishin pranë Palit ta godisnin Palin në gojë. 3 Por Pali i tha: «Ty do të godasë Perëndia, o mur i zbardhur! Je ulur për të më gjykuar sipas ligjit dhe, duke shkelur këtë ligj, urdhëron të më godasin». 4 Ata që ishin aty thanë: «Ti po shan kryepriftin e Perëndisë?». 5 Por Pali u përgjigj: «Vëllezër, nuk e dija se ishte kryeprift, sepse është shkruar: mos fol keq për krerët e popullit tënd! ».
6 Meqenëse Pali e dinte se disa ishin saducenj e të tjerët farisenj, tha me zë të lartë në sinedër: «Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Unë po gjykohem, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve».
7 Sapo e tha këtë, farisenjtë e saducenjtë filluan të grinden mes tyre dhe sinedri u përça. 8 Në të vërtetë saducenjtë thonë se nuk ka as ngjallje, as engjëj e as shpirtra të tjerë, ndërsa farisenjtë i pranojnë të gjitha këto. 9 Atëherë u bë një zhurmë e madhe dhe disa shkrues nga ana e farisenjve u ngritën e kundërshtuan me forcë: «Nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri. Po sikur t'i ketë folur një shpirt apo një engjëll ?».
10 Meqenëse ata po grindeshin gjithnjë e më shumë, kryemijësi pati frikë se mos e copëtonin Palin. Prandaj i urdhëroi ushtarët të shkonin e t'ua rrëmbenin Palin nga duart dhe ta sillnin në fortesë.
11 Një natë më pas Zoti iu shfaq Palit e i tha: «Ki guxim! Sikurse ke dëshmuar për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë».
Shestimi për vrasjen e Palit
12 Në mëngjes judenjtë përgatitën një kurth dhe u betuan se nuk do të hanin e nuk do të pinin derisa ta vrisnin Palin. 13 Ata që u bashkuan me këtë kurth ishin më shumë se dyzet veta. 14 Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë e u thanë: «Ne jemi betuar me vendosmëri që të mos vëmë gjë në gojë derisa ta vrasim Palin. 15 Prandaj, tani, ju dhe sinedri duhet të njoftoni komandantin e kohortës që ta sjellë te ju, duke u hequr sikur doni ta hetoni më me imtësi. Ndërsa ne jemi të gatshëm ta vrasim para se të arrijë këtu».
16 Djali i motrës së Palit dëgjoi për këtë pritë. Ai shkoi te fortesa dhe e lajmëroi Palin. 17 Pali thirri njërin nga kryeqindësat e i tha: «Dërgoje këtë djalosh te kryemijësi, se ka diçka për t'i thënë». 18 Ai e mori, e çoi te kryemijësi e i tha: «Pali, i burgosuri, më thirri e më kërkoi ta sjell te ti këtë djalosh, se ka diçka për të të thënë». 19 Kryemijësi e mori për dore, shkoi mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë ke për të më thënë?». 20 Ai iu përgjigj: «Judenjtë janë bërë në një mendje të të kërkojnë ta çosh Palin nesër në sinedër, gjoja për ta hetuar më imtësisht. 21 Ti mos i dëgjo, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë betuar se nuk do të hanë e as nuk do të pinë pa e vrarë atë. Tani ata janë gati dhe po presin vendimin tënd». 22 Atëherë kryemijësi e nisi djaloshin e i tha: «Mos i trego askujt se më ke njoftuar!».
Pali dërgohet te Feliksi
23 Atëherë ai thirri dy nga kryeqindësat e u tha: «Përgatituni për t'u nisur rreth orës nëntë për në Cezare me dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shigjetarë. 24 Bëni gati një kalë edhe për Palin, që të shkojë shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks!».
25 Pastaj shkroi këtë letër: 26 «Klaud Lisia për madhërinë e tij qeveritarin Feliks: përshëndetje!
27 Ky njeri është kapur nga judenjtë që donin ta vrisnin, por pasi mësova se është qytetar romak, e shpëtova nga duart e tyre me anë të ushtarëve. 28 Unë doja të dija shkakun për të cilin e kishin paditur dhe prandaj e çova para sinedrit të tyre. 29 Aty mora vesh se e kishin paditur për disa çështje lidhur me ligjin e tyre, por nuk kishte bërë asgjë që të meritonte vdekjen ose prangat. 30 Kur më njoftuan se judenjtë i kishin ngritur një kurth, e dërgova menjëherë te ti dhe i urdhërova paditësit e tij që të flasin me ty për të ».
31 Atëherë ushtarët e morën Palin dhe, sipas urdhrit, e çuan gjatë natës në Antipatridë. 32 Të nesërmen i lanë kalorësit të shkonin me të, ndërsa ata vetë u kthyen në fortesë. 33 Kalorësit arritën në Cezare, i dhanë letrën qeveritarit dhe i dorëzuan Palin.
34 Qeveritari e lexoi letrën, e pyeti Palin se cilës provincë i përkiste dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia, 35 i tha: «Do të të dëgjoj kur të vijnë ata që të kanë paditur». Pastaj urdhëroi ta mbanin nën mbikëqyrje në pretoriumin e Herodit.
KAPTINA XXIII.
1 Edhe Pauli shtiu sytë ndë bashkë-ndejtiet, e tha: O burra vëllazën, unë deri sot mbë këto ditë kam ecunë te Perëndia me çdo ndërgjegjie të mirë.
2 Edhe Anania krye-prifti urdhënoi ata qi rrijinë për-an’ ati me i ranë gojësë.
3 Atëherë Pauli i thotë: Perëndia ka për me të ranë, o mur i lyem me këlqere; e ti rri me më gjukuem mbas ligjësë, edhe kundrë ligjës’ urdhënon me më ranë?
4 Edhe ata qi ishinë ndenjunë për-anë thanë: Krye-priftin’ e Perëndisë shan ti?
5 Edhe Pauli tha: Nuk’ e dita, o vëllazën, se ashtë Krye-prift, sepse ashtë shkruem - “Mos flasish keq për të parin’ e popullit t’yt”.
6 Edhe Pauli si e ngjofi se njiana anë ishte prei Saddukeish, edhe tietëra prei Fariseish, bërtiti ndë bashkë-ndejtiet: O burra vëllazën, unë jam Farise, e bir Fariseu; për shpëresë, edhe për të ngjallunë prei së vdekunish po gjykohem unë.
7 Edhe ai si foli këte, Fariseitë filluenë të zihenë me Saddukeit edhe shumica u da dyshë .
8 Sepse Saddukeitë thonë se nuk’ ashtë të ngjallunë, as engjull, as shpirt, por Fariseitë rrëfejnë të dyja.
9 Edhe u ba nji të gërthitun’ i madh; edhe shkruisitë qi ishinë me anë të Farisevet u ngritnë, e ziheshinë, tue thanë: S’gjejmë ndonji gja të keqe mbë këte nieri, por ndë i foli ndonji shpirt, a engjull, le të mos luftojmë kundrë Perëndisë.
10 Edhe mbassi u hangrën shumë, kapitani pat frikë mos shqyhetë Pauli prei atyne, edhe urdhënoi të sdrypinë ushtëtorëtë, e ta rrëmbejnë prei miedizit atyneve, edhe ta bijenë ndë kastëll.
11 Edhe natënë tietër’ iu duk Zoti, e i tha: Ki zemërë, Paul, sepse sikurse deshmove për mue ndë Ierusalem, kështu duhetë të deshmojsh edhe ndë Romë.
12 Edhe kur u ba ditë, disa prei Iudevet u mbëlothnë, e nemnë vetëvetëhenë, tue thanë: as të mos hanë, as të mos pinë, deri sa të vrasinë Paulinë.
13 Edhe ata qi kishinë bamë bashkë këte be, ishinë ma shumë se katër-dhetë vetë :
14 të cillët’ erthnë te krye-priftënit edhe te pleqt, e thanë: Me namë kemi nemunë vetëhenë t’onë, të mos vemë gja ndë gojë, deri sa të vrasimë Paulinë.
15 Tashti pra ju me bashkë-ndejtienë bani za kapitanit ta sdrypi te ju nesërë, sikur se keni për me marrë vesht ma mirë për punë t’ati; edhe na, para se të afërohet ai, jemi gati me e vramë.
16 Edhe i biri së motrësë Paulit kur ndëgjoi për lakunë qi i ngrefnë , vote e hyni ndë kastëll, e i diftoi Paulit.
17 Edhe Pauli thërriti nji prei urdhën-qindësish, e tha: Binia këte dialosh te kapitani, sepse di qish ka për me i thanë.
18 Ai pra si e muer me vetëhe, e pruni te kapitani, edhe tha: Pauli qi ashtë ndë burk më thirri, e m’u lut me prumë këte dialosh te ti, sepse di qish ka për me të folunë.
19 Edhe kapitani si e muer për dore, edhe u tërhoq mbë-nj-anë, e pyeste: Qish asht’ ajo qi ke për me më diftuem?
20 Edhe ai tha, se: Iudeitë banë fjalë me t’u lutunë të bijesh poshtë Paulinë nesërë ndë bashkë-ndejtiet, sikur se kanë për me e pyetunë ma shtrëngueshim.
21 Por ti mos u ndëgjo atyne, sepse janë ma shumë se katër-dhetë vetë ata qi rrin’ e rueinë për ate, të cillëtë kanë nemunë vetëhenë, as të mos hanë, as të mos pinë, deri sa të vrasin’ ate; edhe tashti janë gati tue pritunë fjalë prei teje.
22 Kapitani pra lishoi dialoshinë, edhe e porositi: Mos me i thanë askuit se më diftove këto.
23 Edhe thirri dy vetë prei urdhën-qindësavet, e u tha atyne : Bani gati dy qind ushtëtorë, për me votunë deri ndë Kaisari, edhe shtatë-dhetë kalorësa, edhe dy qind shtijezorë mbë tri orë të natësë;
24 le të bijen’ edhe kafsha të gjalla për me hypunë Paulin’, e me e shpumë të shëndoshë te Felik guvernatori.
25 Edhe shkroi nji letër mbas kësai shëmbëlltyre:
26 “Klaudiu Lysia mbë të pushtetshiminë guvernatorinë Felik, fal me shëndet.
27 Kyi nieri qe zanë prei Iudevet, edhe pat për me u vramë prei atyneve; atëherë un’ erdha bashkë me ushtëtorët, edhe e shpëtova, sepse mora vesht se ashtë Roman.
28 Edhe kur desha me marrë vesht për ç’punë e përflisinë, e sdrypa ndë bashkë-ndejtie t’atyne,
29 edhe e gjeta se përflitei për kërkime të ligjës’ atyne, por s’ka ndonji faj për vdekë, a për me u lidhunë me hekura.
30 Edhe mbassi më dhanë za, se Iudeitë kishinë bamë këshille të keqe kundrë këti nieriu, përnjiherë e dërgova te ti, edhe porosita edhe ata qi përflasin’ ate, të thonë përpara teje qish fjalë kanë kundrë ati. Qofsh me shëndet”.
31 Ushtëtorëtë pra, sikurse qen’ urdhënuen, muernë Paulin’, edhe e prunë natënë ndë Antipatridhë.
32 Edhe ndë nesëret si lanë kalorësatë me votunë bashkë me ate, u këthyenë ndë kastëll,
33 të cillëtë si hynë ndë Kaisari, edhe dhanë letrënë n’dorë të guvernatorit, nxuernë përpara ati edhe Paulinë.
34 Edhe guvernatori si këndoi letrënë , pyeti prei ç’anë ashtë; edhe kur ndëgjoi se ashtë prei Kilikisë,
35 - Kam për me të ndëgjuem, - tha, - kur të vin’ edhe ata qi të përflasinë. Edhe urdhënoi me u rueitunë ndë vend të gjukatësë Herodit.