1 Ne e dimë se tenda në të cilën banojmë, domethënë trupi ynë tokësor, do të shkatërrohet, por ne kemi në qiej një tjetër banesë të amshuar, të ndërtuar nga Perëndia e jo nga duar njerëzore. 2 Në këtë banesë njerëzore ne rënkojmë ndërsa presim me padurim të veshim banesën tonë qiellore. 3 Kur të kemi zhveshur banesën tokësore, nuk do të jemi lakuriq.
4 Ndërsa jemi ende në këtë tendë, rënkojmë nën peshën e saj, jo se duam të zhvishemi prej saj, por se duam të veshim banesën e re, në mënyrë që ajo që është e vdekshme, të përpihet nga jeta. 5 Ai që na ka përgatitur për këtë gjë, është Perëndia. Ai na ka dhënë Shpirtin si kapar.
6 Ne kemi marrë zemër dhe e dimë se, për sa kohë banojmë në këtë trup, banojmë larg nga Zoti, 7 sepse jetojmë përmes besimit dhe jo përmes asaj që shohim. 8 Ne kemi shpresë dhe parapëlqejmë të largohemi nga ky trup për të banuar pranë Zotit. 9 Por, mbi të gjitha ne duam t'i pëlqejmë Perëndisë, qoftë duke qëndruar në këtë banesë, qoftë duke e lënë atë. 10 Të gjithë ne duhet të dalim para Krishtit për t'u gjykuar prej tij, në mënyrë që secili të marrë shpërblimin sipas veprave që ka bërë gjatë jetës së vet, qofshin këto të mira apo të këqija.
Shërbesa e pajtimit
11 Prandaj ne që e njohim frikën ndaj Zotit, përpiqemi të bindim të tjerët. Perëndia na njeh mirë, por shpresoj që thellë në ndërgjegjet tuaja edhe ju të na njihni mirë. 12 Nuk duam të lavdërohemi edhe një herë para jush, por po ju japim rastin të krenoheni me ne, që të mund t'u përgjigjeni atyre që mburren me pamjen e jashtme e jo me çfarë kanë në zemër.
13 Nëse sillemi si të marrë, këtë e bëjmë për Perëndinë dhe nëse sillemi me urti, këtë e bëjmë për ju. 14 Dashuria e Krishtit na jep zemër, sepse jemi të bindur se njëri ka vdekur për të gjithë dhe si pasojë të gjithë kanë vdekur. 15 Krishti vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten e tyre, por të jetojnë për atë që vdiq e u ngjall për ta.
16 Prandaj ne nuk shohim më askënd vetëm në mënyrë njerëzore. Edhe pse dikur e njihnim Krishtin në këtë mënyrë, tani nuk e njohim më ashtu. 17 Kështu, kush bashkohet me Krishtin, bëhet një krijesë e re. Gjërat e vjetra shkuan dhe, ja, u bënë të reja. 18 E gjithë kjo vjen prej Perëndisë, i cili na pajtoi me veten e tij përmes Krishtit dhe na ngarkoi me shërbesën për të pajtuar njerëzit me të.
19 Perëndia e pajtoi botën me veten e tij përmes Krishtit duke mos ua marrë parasysh njerëzve paudhësitë dhe duke na besuar predikimin e pajtimit. 20 Kështu ne jemi përfaqësues të Krishtit dhe kur ju flasim ne, është si t'ju fliste Perëndia. Ju përgjërohemi që për hir të Krishtit të pajtoheni me Perëndinë. 21 Atë që nuk njihte mëkat, Perëndia e ngarkoi me mëkatet tona, në mënyrë që përmes tij Perëndia të na bëjë të drejtë.
KAPTINA V.
1 Sepse e dimë se ndë u prishtë shtëpia jonë e baltta e kësaj tende, kemi tietërë ndërtesë prei Perëndisë, nji shtëpi bamë pa dorë, të pasosëme ndë qillt.
2 Sepse ndë këte tendë na fshaimë tue dëshëruem të veshimë përsipër ate shtëpinë t’onë qi ashtë prei qielli,
3 ndonëse ndë paçim veshun’ ate , s’kemi me u gjetunë sveshunë,
4 sepse na qi jemi ndë këte tendë, fshaimë prei së randësë, sepse s’duemë me e sveshunë, por me e veshunë përsipër, qi të përtërihet’ e mortshimeja prei jetësë.
5 Edhe ai qi na bani gati për këte farë gjaje, ashtë Perëndia, qi na dha edhe kaparin’ e Shpirtit.
6 Tue pasunë pra zemërë përherë, edhe tue ditunë sa deri sa rrimë ndë korp, jemi lark prei Zotit,
7 (sepse ecimë me besë, e jo me faqe),
8 përandai kemi zemërë, edhe na pëlqen ma tepërë me qenunë lark prei korpit, e të jemi afër te Zoti.
9 Edhe përandai përpiqemi, a tue qenunë lark, a tue qenun’ afër, të jemi të pëlqyeshim tek Ai.
10 Sepse na të gjithë duhetë me u dukunë përpara gjukatësë Krishtit, qi të shpaguhetë gjithë-se-cilli për ato punë qi janë punuem prei korpit, a të mirë, a të keqe.
11 Tue ditunë pra frikën’ e Zotit, nierëzëvet ua mbushimë mendienë, por te Perëndia jemi të shpërfaqunë; shpërej se edhe mbë ndërgjegjëjet tueja jemi të shpërfaqunë.
12 Sepse s’rakumandoimë vetëhenë t’onë për-së-ri te ju, por u apimë juve shkak me u mburrunë për ne, qi të keni qish t’u thoni atyne qi mburrenë me faqe, e jo me zemërë.
13 Sepse a se jemi jashtë mentsh, për Perëndinë jemi , a se jemi ndër mend, për ju jemi .
14 Sepse dashunia e Krishtit na shtrëngon, sepse këte e gjukoimë, se ndë vdiq nji për të gjithë, vallë të gjithë vdqinë;
15 edhe vdiq për të gjithë, qi të mos rrojnë ma për vetëhen’ e atyne ata qi rrojnë, por për ate qi vdiq edhe u ngjall për ata.
16 Përandai na çë tashti e mbaskëndai s’ngjofim’ askend mbas mishit; edhe ndonësëe ngjofmë Krishtinë mbas mishit, por tashti ma s’e ngjofimë.
17 Përandai ndë qoftë ndonji mbë Krishtinë, kyi ashtë ndërtesë e re; të vietëratë shkuenë, qe tek u banë të ra të gjitha.
18 Edhe të gjitha janë prei Perëndisë qi na paqtoi me vetëhen e ati me anë të Iesu Krishtit, edhe na dha shërbesën’ e paqtimit,
19 se Perëndia ishte mbë Krishtinë, tue paqtuem botënë me vetëhen’ e ati, pa ua ngjefun’ atyneve fajetë; edhe na zuni besë për fjalën’ e paqtimit.
20 Tashti pra laimësoimë për Krishtinë, sikurse të u lutei Perëndia me anë t’onë; u lutemi juve pra për Krishtinë, paqtohi me Perëndinë. Sepse Perëndia bani fajtuer për ne ate qi s’ngjofi faj, qi të bahemi dreitënia e Perëndisë prei ati.