Thesari në enë balte
1 Prandaj nuk ligështohemi, sepse Perëndia na e dha këtë shërbesë prej mëshirës së tij. 2 Ne i kemi mohuar gjërat e fshehta e të turpshme. Nuk jetojmë me dinakëri dhe nuk e shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, ne e shfaqim të vërtetën dhe kështu e dorëzojmë veten para gjykimit të njerëzve e para Perëndisë. 3 Edhe po të jetë i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për ata që shkojnë në humbje.
4 Atyre që nuk besojnë, ua ka verbuar mendjen perëndia i kësaj bote, i cili nuk i lejon të shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë. 5 Në të vërtetë, ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin Zot, dhe e quajmë veten shërbëtorët tuaj për hir të Jezuit. 6 Sepse Perëndia ka thënë: «Le të ndriçojë drita në errësirë!». Ai i ka ndriçuar zemrat tona për të na dhënë dritë, që të njohim lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.
7 Por ne i mbajmë këto thesare brenda vetes si në enë balte, që të duket qartë se kjo fuqi madhështore vjen prej Perëndisë e jo prej nesh. 8 Megjithëse na mundojnë nga çdo anë, nuk ligështohemi. Jemi të pështjelluar, por nuk dëshpërohemi. 9 Na përndjekin, por Perëndia nuk na braktis. Na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund. 10 Ne mbartim gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë. 11 Ne vërtetë jemi gjallë, por në çdo çast i dorëzohemi vdekjes për hir të Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë të vdekshëm. 12 Kështu, ne na kërcënon vdekja, ndërsa ju fitoni jetën.
13 Por ne kemi të njëjtin shpirt të besimit, sikurse është shkruar: besova, prandaj fola. Edhe ne besojmë, prandaj flasim, 14 sepse e dimë se ai që e ngjalli Zotin Jezu, do të na ngjallë edhe ne me Jezuin e bashkë me ju do të na paraqesë para vetes. 15 Gjithçka bëhet për ju, në mënyrë që sa më shumë njerëz të pranojnë hirin e Perëndisë dhe ta falënderojnë gjithnjë e më shumë atë e t'i japin lavdi.
Jetojmë përmes besimit
16 Prandaj nuk ligështohemi. Megjithëse së jashtmi shkojmë drejt kalbjes, nga brenda përtërihemi dita-ditës. 17 Ky pikëllim i lehtë që po kalojmë tani po na përgatit për një lavdi të pashoqe, të begatë e të amshuar. 18 Ne nuk jemi përqendruar te gjërat që duken, por tek ato që nuk duken, sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, ndërsa të padukshmet janë të amshuara.
KAPTINA IV.
1 Përandai tue pasunë këte shërbesë, sikurse u ba përdëllim mbë ne, s’lodhemi.
2 Por mohuem të mpshefëtat’ e turpëjesë, e s’ecimë me dinakëri, as s’prishimë fjalën’ e Perëndisë me gënjim, por me të shpërfaqëmen’ e së vërtetësë rakumandoimë vetëhenë t’onë mbë qish do ndërgjegjëje nierëzish, përpara Perëndisë.
3 Edhe ndë qoftë ungjilli ynë mbuluem mb’ata qi janë të vdierrë,
4 sepse perëndia i kësai jete u verboi mendimet’ atyneve qi s’besojnë, për mos me sbardhunë drita e ungjillit laftit Krishtit mb’ata, i cilli ashtë shëmbëllëtyr’ e Perëndisë.
5 Sepse s’predikoimë vetëhenë t’onë, por Zotinë Iesu Krisht, edhe vetëhenë t’onë shërbëtorë për Iesunë,
6 Sepse ai Perëndia qi tha me ndritunë dritë prei errësinet, ai ndriti ndë zemërat t’ona për ndriçimin’ e së ngjofëmesë laftit Perëndisë ndë faqe të Iesu Krishtit.
7 Edhe kemi këte thesore ndë enë të baltta, për me qenunë tepërica e fuqisë prei Perëndisë, edhe jo prei nesh;
8 mbë qish do gja shtrëngohemi, por s’jemi të ngushtë; jemi të ngatërruem, por s’na hiqetë shpëresa:
9 ndiqemi, por s’jemi të lanë; jemi të hedhunë poshtë, por s’jemi të vdierrë;
10 kurdo bijemë rreth mbë korpt vdekën’ e Zotit Krisht, për me u shpërfaqunë mbë korpt t’anë edhe jeta e Iesuit.
11 Sepse na qi rroimë gjithënji ipemi mbë vdekë për Krishtinë, për me u shpërfaqun’ edhe jeta e Iesuit ndë misht t’anë të mortshiminë.
12 Kaqi sa vdeka punohetë mbë ne, e jeta mbë ju.
13 Edhe tue pasun’ ate shpirtin’ e besësë, mbas së shkruemesë: “Besova, përandai fola”; edha na besoimë, përandai flasimë,
14 tue ditunë, se ai qi ngjalli Zotinë Iesu, ka me na ngjallun’ edhe neve me anë të Iesuit, edhe ka me na nxierrë përpara ati bashkë me ju.
15 Sepse të gjitha janë për ju, qi ai hiri i tepërë të tepërojë mbë laft të Perëndisë për të falunitë ndersë të shumëvet.
16 Përandai s’lodhemi, sepse ndonëse ai nieriu qi ashtë përjashta nesh vdiretë, por ai qi ashtë përmbrenda përtërihetë ditë për ditë.
17 Sepse ai shtrëngimi ynë i leti qi ashtë për pak herë punon për ne tepërë së tepëri nji laft të randë të pasosunë;
18 sepse na nukë shtiemë sytë mb’ato qi shifenë, por mb’ato qi nukë shifenë; sepse ato qi shifenë janë për pak kohë, por ato qi nukë shifenë janë të pasosuna.