Pali mbron shërbesën
1 Vetë unë, Pali, që qenkam i përulur kur gjendem përballë jush, por i guximshëm kur jam larg jush, ju bëj thirrje me butësinë e mirësinë e Krishtit 2 dhe ju përgjëroj që kur të vij te ju, të mos më duhet të tregohem i guximshëm, kur të kundërshtoj me vendosmëri ata që mendojnë se ne veprojmë sipas dobësisë njerëzore. 3 Megjithëse jemi njerëz, ne nuk luftojmë për gjërat njerëzore, 4 sepse armët e luftës sonë nuk janë njerëzore, por kanë fuqinë e Perëndisë, me të cilën mund të shkatërrojmë fortesat. Ne shembim çdo arsyetim 5 e çdo pengesë që ngrihen kundër njohjes së Perëndisë dhe çdo mendim e nënshtrojmë për t'iu bindur Krishtit. 6 Kur të jetë përsosur bindja juaj, ne do të jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje.
7 Shikojini gjërat siç janë. Nëse dikush është i bindur se është i Krishtit, le ta mendojë edhe një herë këtë gjë, sepse sikurse ai është i Krishtit, ashtu jemi edhe ne. 8 Edhe pse krenohem shumë me pushtetin që Zoti na e dha për t'ju ndihmuar të rriteni në besim e jo për t'ju shkatërruar, nuk ka pse të më vijë turp. 9 Nuk dua të jap përshtypjen se kërkoj t'ju tremb me letrat e mia. 10 Disa thonë: «Letrat e tij janë të ashpra e të forta, ndërsa kur është i pranishëm vetë, është i dobët dhe fjalët e tij lënë për të dëshiruar». 11 Ai që mendon kështu, ta dijë mirë se, edhe kur të vijmë atje, do të jemi po ata që kemi shkruar këtë letër kur ishim larg jush.
12 Ne nuk guxojmë të renditemi apo të krahasohemi me ata që lavdërojnë veten. Por ata janë të marrë kur marrin veten e tyre si masë për t'u krahasuar me njëri-tjetrin. 13 Ndërsa ne nuk do të krenohemi tej mase, por do të krenohemi brenda fushës së veprimit që na ka caktuar Perëndia e që na ka sjellë deri te ju. 14 Nuk do të krenoheshim kaq shumë, po të mos kishim ardhur te ju. Por ne kemi ardhur të parët për t'ju predikuar ungjillin e Krishtit.
15 Ne nuk krenohemi tej mase me mundin e të tjerëve, por shpresojmë se, duke u rritur besimi juaj, do të zgjerohet shumë edhe fusha jonë e veprimit, 16 që të mund ta shpallim ungjillin edhe më tej, pa u krenuar me punën e bërë në fushën e veprimit të dikujt tjetër.
17 Kush krenohet, të krenohet në Zotin. 18 Në të vërtetë, i sprovuar është ai që e lavdëron Zoti e jo ai që lavdëron veten.
KAPTINA X.
1 Edhe unë vetë Pauli u lutem juve për butësinën’ edhe për amblësinën’ e Krishtit, se faqe mbë faqe jam i përvutë ndër ju,
2 edhe u lutem juve kur të vij, të mos marr zemërë me atë shpëresënë qi mendoj me kucuem kundrë disa qi na ven’ ore sikurse ecimë mbas mishit.
3 Sepse ndonëse ecimë mbas mishit, por s’baimë luftë mbas mishit.
4 Sepse armët’ e luftit t’ynë nukë janë të mishit, por të forta me Perëndinë për me rrëzuem kastella,
5 sepse rrëzoimë mendime, edhe qish do gja të naltë qi ngrihetë sipër kundrë së ngjofëmesë Perëndisë, edhe baimë rop qish do mendim për ndëgjimin’ e Krishtit,
6 edhe jemi gati për me marrë shpagim për qish do pandëgjim, kur të jetë mbushunë ndëgjimi juei.
7 Shifni ato qi dukenë për faqe: ndë pastë kushi shpëresë mbë vetëvetëhenë se asht’ i Krishtit, le ta mendojë këte për-së-ri prei vetëvetëhesë. Se sikurse ai asht’ i Krishtit, kështu edhe na jemi të Krishtit.
8 Sepse edhe ndë u lavdofsha pakëzë ma tepërë për pushtetinë t’anë, qi na dha Zoti për të ndërtuemitë, e jo për të rrëzuemitë tuei, s’kam me u turpënuem,
9 qi të mos dukem se due me u shtimë juve frikënë me letëra.
10 Sepse letëratë, thotë ndonji , se janë të randa edhe të forta, por të dalunitë përpara me korp asht’ i dobë, edhe fjala s’vëjen gja.
11 I tilli nieri le ta mendojë këte, se t’atillë qi jemi mbë fjalët me letëra për së largu, të këtillë jemi edhe mbë punët për së ngjati.
12 Sepse s’kucoimë të ngjefimë, a të vemë nji me nji vetëhenë t’onë me disa vetë qi rakumandojnë vetëvetëhenë; por ata vetë, tue matunë vetëvetëhenë me vetëvetëhenë, edhe tue vumë vetëvetëhenë me vetëvetëhenë s’marrinë vesht.
13 Por na s’kemi me u mburrunë për ato qi s’matenë, por mbas matëjes’ ati rregullit qi dau Perëndia mbë ne, matëje qi të mbërrimë edhe deri te ju.
14 Sepse s’e shtrim tepërë vetëhenë t’onë, sikurse s’ua mbërrim, sepse edhe deri te ju e mbërrim me anë të ungjillit Krishtit.
15 Edhe s’mburremi për ato qi s’matenë, për mundimet e hueja, por kemi shpëresë, se, tue u shtuem besa juei, kemi me u madhënuem mbë ju për së tepëri mbas rregullit t’anë,
16 qi të ungjillëzoim’ edhe mb’ata vende qi janë përtej jush, jo të mburremi për ato qi janë gati ndë rregullë të huej.
17 Edhe ai qi të mburretë, le të mburretë mbë Zotinë.
18 Sepse s’asht’ i provueshim ai qi rakumandon vetëvetëhenë, por ai qi e rakumandon Zoti.