1 Ne nuk po duronim dot më, prandaj vendosëm të qëndronim vetë në Athinë 2 dhe te ju të dërgonim Timoteun, vëllanë tonë, që i shërben Perëndisë bashkë me ne për predikimin e ungjillit të Krishtit, që t'ju forcojë dhe t'ju këshillojë për besimin tuaj, 3 që asnjëri të mos lëkundet nga vuajtjet që po kaloni. Ju vetë e dini se këto gjëra na presin. 4 Kur ishim me ju, ne ju paralajmëruam se do të përndiqeshim, dhe siç e dini kjo ndodhi. 5 Prandaj edhe unë nuk durova dot më dhe e dërgova Timoteun, që të marr vesh për besimin tuaj, se mos tunduesi ju kishte tunduar dhe mundi ynë kishte shkuar dëm.
6 Por Timoteu është kthyer tashmë prej jush dhe ka sjellë lajme të mira për besimin dhe për dashurinë tuaj, dhe se ju ruani kujtime të mira për ne dhe keni mall të na shihni, sikurse kemi edhe ne mall t'ju shohim.
7 Prandaj, o vëllezër, mes gjithë mundimeve e vuajtjeve që po kalojmë, gjetëm ngushëllim falë besimit tuaj. 8 Sepse tani që morëm vesh se ju qëndroni të fortë në Zotin, ne jetojmë me të vërtetë. 9 Me çfarë fjalësh mund ta falënderojmë Perëndinë pas gjithë atij gëzimi që na dhatë para tij? 10 Ne i lutemi me gjithë zemër Perëndisë, natë e ditë, që t'ju shohim nga afër dhe të plotësojmë ato që ende i mungojnë besimit tuaj.
11 Vetë Perëndia, Ati ynë dhe Zoti ynë Jezu na drejtofshin udhën për te ju! 12 Zoti e shtoftë dhe bëftë që të teprojë dashuria juaj për njëri-tjetrin dhe për të gjithë, ashtu siç është edhe dashuria jonë për ju! 13 Ai i forcoftë zemrat tuaja, që ju të jeni të shenjtë dhe të paqortueshëm para Perëndisë dhe Atit tonë kur Zoti ynë Jezu të vijë bashkë me të gjithë të shenjtët e tij! Amen!
KAPTINA III.
1 Përandai nukë muftëm me duruem ma, por na pëlqeu të mbesimë vetëmë ndë Athinë,
2 edhe dërguem Timothenë vëllanë t’anë, edhe shërbëtorin’ e Perëndisë, edhe shokunë t’anë ndë punë t’ungjillit Krishtit, për me u forcuem juve, e për me u ngushulluem juve për besënë tuei,
3 qi të mos tundet’ askushi ndër këto shtrëngime, sepse ju e dini se na jemi vumë për këte.
4 Sepse, kur ishim për-anë jush, u thoshim juve çë përpara, se kemi për me hiekunë shtrëngime, edhe sikurse u ba, edhe e dini.
5 Përandai edhe unë, mbassi s’mundeshë me duruem ma, dërgova për me marrë vesht për besënë tuei, druese mos u ngau juve ai qi nget, edhe shkon mundimi ynë kot.
6 Por tashti qi erdhi Timotheu prei jush te na, pruni zanin’ e mirë për besën’ edhe për dashuninë tuei, edhe se na kuitoni për të mirë përherë, edhe keni mallë me na pamë, sikurse edhe na juve,
7 përandai u ngushulluem, o vëllazën, për ju ndër gjithë shtrëngimin’ edhe nevojënë t’onë, prei besësë tuei,
8 sepse tashti rroimë, ndë qindrofshi ju mbë Zotinë.
9 Sepse qish farë të falunë ndersë mundemi me i dhanë Perëndisë për ju, për gjith’ atë gëziminë qi gëzohemi për ju përpara Perëndisë t’onë,
10 nat’ e ditë tue u lutunë tepërë për me pamë faqenë tuei, edhe me mbushunë të mangunat’ e besësë tuei.
11 Tashti ai Perëndia edhe Ati ynë, edhe Zoti ynë Iesu Krishti, dreitoft’ udhënë t’onë te ju.
12 Edhe Zoti shtoft’ e tepëroftë dashuninë tuei ndërmiet jush, edhe mbë të gjithë, sikurse edhe na kemi mbë ju,
13 për me forcuem zemëratë tueja pa palavi ndë shenjtëni, përpara Perëndisë edhe Atit t’ynë, ndë të ardhëmen’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit bashkë me gjithë shenjtënit e ati.