Bashkëshortët
1 Edhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj! Kështu, edhe nëse disa nuk i binden fjalës së Perëndisë do të fitohen nga sjellja e grave të tyre pa ndihmën e fjalëve, 2 kur të shohin sjelljen tuaj të pastër dhe me respekt. 3 Stolia juaj të mos jetë nga ana e jashtme: flokët gërsheta, stolisja me ar apo veshja e rrobave të shtrenjta, 4 por të jetë njeriu i brendshëm me zemër të pastër e me shpirt të butë e të qetë. Këto nuk prishen dhe janë shumë të çmueshme në sytë e Perëndisë. 5 Sepse kështu stoliseshin dikur edhe gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë. Iu nënshtroheshin burrave, 6 sikurse edhe Sara i bindej Abrahamit dhe e quante «imzot». Edhe ju jeni bija të saj, nëse bëni të mirën dhe nuk keni frikë nga asgjë.
7 Po ashtu edhe ju, burra, jetoni me gratë tuaja, duke pasur parasysh se ato janë më të dobëta. Nderojini, sepse edhe ato do të trashëgojnë hirin e jetës bashkë me ju, në mënyrë që asgjë të mos pengojë lutjet tuaja.
Vuajtja për hir të drejtësisë
8 Së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm e të përulur. 9 Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe as poshtërimin me poshtërim! Përkundrazi, bekoni, sepse u thirrët pikërisht për të trashëguar bekimin.
10 Kush e do jetën
e dëshiron të shohë ditë të mira,
le ta ruajë gjuhën nga e keqja
dhe buzët e tij
të mos thonë gënjeshtra.
11 Le të largohet nga e keqja
e le të bëjë të mirën.
Le të kërkojë paqen
e le të rendë pas saj.
12 Sepse sytë e Zotit
janë mbi të drejtët
e veshët e tij
dëgjojnë klithmën e tyre,
por ai u kundërvihet
atyre që bëjnë keq.
13 E kush do t'ju bëjë keq nëse jepeni me zell pas së mirës? 14 Por edhe nëse vuani për hir të drejtësisë, lum ju! Mos kini frikë nga kërcënimet e tyre e mos u tronditni. 15 Nderoni në zemrat tuaja Zotin Krisht dhe jini gjithmonë gati për t'ju përgjigjur atyre që kërkojnë arsyen e shpresës që është në ju. 16 Por bëjeni këtë me butësi, me druajtje ndaj Perëndisë e me ndërgjegje të pastër, në mënyrë që ata që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, të turpërohen për shpifjet. 17 Është më mirë të vuani duke bërë të mirën, nëse ky është vullneti i Perëndisë, sesa duke bërë të keqen.
18 Sepse edhe Krishti vuajti
një herë e përgjithmonë
për mëkatet tona,
ai, i drejti për të padrejtët,
për t'ju çuar te Perëndia.
Ai vdiq me trup,
por u ngjall me anë të Shpirtit.
19 Me anë të Shpirtit, ai shkoi e u predikoi edhe shpirtrave që ishin në burg, 20 të cilët nuk iu bindën Perëndisë kur ai i priste me durim gjatë ditëve kur Noeu ndërtonte arkën. Në të hynë pak njerëz, vetëm tetë frymë, që shpëtuan nëpërmjet ujit.
21 Ky ujë është shëmbëllesa e sotme e pagëzimit që ju shpëton. Nuk ka të bëjë me pastrimin e papastërtive të trupit, por është një premtim që i bëhet me ndërgjegje të pastër Perëndisë. Pagëzimi ju shpëton nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit, 22 i cili u ngjit në qiell e rri në të djathtë të Perëndisë, ku sundon mbi engjëjt, pushtetet e fuqitë qiellore.
KAPTINA III.
1 Por kështu edhe ju gratë, u ulni kryetë burravet tuei, qi edhe ndë mos u bindeshinë disa vetë ndë fjalët, të fitohenë pa fjalë prei jetësë qi shkojënë gratë,
2 si të ven’ ore jetënë tuei të pastrënë qi e shkoni me frikë.
3 Të cillavet le të mos jetë stolia e përjashtëme, gërshetit flokëvet, e të varëmit e arnavet, e të veshëmit e petëkavet,
4 por i mpëshefti nieriu i zemërësë stolisunë me paprishëjen’ e të butit edhe të urtit shpirt, qi ajo punë vëjen shumë përpara Perëndisë.
5 Sepse kështu njiherë edhe ato grat’ e shenjtënueshime qi shpërejinë mbë Perëndinë, stolisnë vetëhen’ e atyne, tue u përvumë burravet vet.
6 Sikurse Sarra i ndëgjoi Abrahamit, edhe e thërriste zot; ju jeni bijat’ e asai, kur të bani mirë, e të mos friki as prei ndonji frike.
7 Ju burratë por kështu, rrini bashkë me gratë tueja me urti, edhe e mbani për nder kombin’ e gruesë, si ma e dobë anë qi ashtë , edhe si trashigimtoret’ e hirit jetësë bashkë me ju, qi të mos këputenë të falunatë tueja.
8 Edhe së mbrapëni, bahi të gjithë me nji mend, të dhimtshim, vëllazën-dashunë, të përdëllueshim, zemër-dashunë;
9 mos epni të keq për të keq, a të shame për të shame, por për kundrë t’i bekoni, sepse e dini se për këte u thirrtë, qi të trashigoni bekim.
10 “Sepse kush-do të detë jetë, edhe të shofi ditt të mira, le të pushojë gojën’ e vet prei së keqesë, edhe buzët’ e veta të mos flasinë gënjeshtra.
11 Le të priretë mbë-nj-anë prei së keqesë, edhe le të bajë mirë;
12 le të kërkojë paqtim, edhe le ta ndieki, sepse syt’ e Zotit janë mbi të dreitët, edhe veshët’ e ati mbë lutëjen’ e atyneve; edhe faqeja e Zotit ashtë mbi ata qi bajënë keq”.
13 Edhe kush do t’u bajë keq juve, ndë i rafshi mbrapa së mirësë?
14 Por edhe ndë hiekshi keq për dreitëninë, jeni të lumunë: “edhe frikën’ e atyneve mos e kini frikë, as mos u përzini”.
15 Por “shenjtënoni Zotinë Perëndinë” ndë zemërat tueja, edhe ini gati përherë me i dhanë fjalë me butësinë e me frikë gjithë-kuit qi kërkon fjalë prei jush për shpëresënë qi ashtë ndër ju,
16 tue pasunë ndërgjegjëje të mirë, qi kur të flasinë keq për ju, si për nierës keq-bamës, të turpënohen’ ata qi u përflasinë për jetën’ e mirë qi e shkoni mbë Krishtinë.
17 Sepse ma mirë ashtë të hiqni keq tue bamë mirë, ndë i past’ anda Perëndisë, se tue bamë keq.
18 Sepse edhe Krishti nji herë pësoi për fajet, i dreitë për të shtrembëtët, qi të na bierë te Perëndia, vramë ndë misht, por ngjallunë me anë të Shpirtit;
19 me anë t’ati vote e predikoi edhe te shpirtënat ndë burk,
20 qi nukë bindeshinë njiherë, kur i priti durimi i Perëndisë njiherë ndë ditt të Noesë, kur ndërtohei arka, qi mb’ate shpëtuenë prei ujit pak, do me thanë tetë shpirtë;
21 kundra-forma e ati ashtë pagëzimi, qi shpëton edhe neve tashi (jo të hedhunitë tej e palavisë mishit, por deshmia e ndërgjegjëjesë mirë mbë Perëndinë), me anë të ngjallëmesë të Iesu Krishtit,
22 i cilli vote ndë qiell, e ashtë ndë të diathtë të Perëndisë, edhe engjujt’ e pushtetet’ e fuqiat’ iu përvunë.