Krishti, mbrojtësi ynë
1 Bijtë e mi, këto gjëra jua shkruaj që të mos mëkatoni. Por edhe nëse dikush mëkaton, mbrojtës tek Ati kemi Jezu Krishtin, të drejtin. 2 Ai u flijua për mëkatet tona, e jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për mëkatet e gjithë botës.
3 Nëse zbatojmë urdhërimet e tij, atëherë e dimë se e kemi njohur atë. 4 Ai që thotë: «Unë e kam njohur Perëndinë», por nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. 5 Por tek ai që e zbaton fjalën e tij, dashuria e Perëndisë është me të vërtetë e përsosur. Kështu mund ta dimë se jemi në Perëndinë. 6 Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë në të njëjtën udhë nëpër të cilën eci Jezu Krishti.
Urdhërimi i ri
7 Fort të dashur , nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin e kishit që nga fillimi. Urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat . 8 Megjithatë, po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë për Krishtin dhe për ju, se errësira po shkon dhe tashmë po ndrin drita e vërtetë.
9 Ai që thotë se është në dritë, por urren vëllanë e vet, ai është ende në errësirë. 10 Ai që do vëllanë e vet, qëndron në dritë e nuk bëhet pengesë. 11 Por ai që urren vëllanë e vet, është në errësirë. Ai ecën në errësirë e nuk sheh ku shkon, se errësira ia ka verbuar sytë.
12 Po ju shkruaj, o bij,
se mëkatet tuaja u falën
me anë të emrit të tij.
13 Po ju shkruaj, o etër,
se e keni njohur atë
që është që nga fillimi.
Po ju shkruaj, o të rinj,
se e keni mundur të ligun.
14 Ju shkrova, o bij,
se e keni njohur Atin.
Ju shkrova, o etër,
se e keni njohur atë
që është që nga fillimi.
Ju shkrova, o të rinj,
se jeni të fortë;
fjala e Perëndisë banon në ju
dhe e keni mundur të ligun.
15 Mos e doni botën dhe as gjërat e saj. Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të. 16 Gjithçka që është në botë, epshet trupore, lakmia e syve dhe mburrja për gjërat e kësaj jete, nuk janë nga Ati, por nga bota. 17 Bota me gjithë kënaqësitë e saj shkojnë, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në amshim.
Antikrishti
18 Bijtë e mi, po vjen ora e fundit! Siç keni dëgjuar, antikrishti po vjen. Tani ka shumë antikrishtë dhe nga kjo e dimë se po vjen ora e fundit. 19 Nga ne dolën, por nuk ishin nga tanët. Po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne, por ikën prej nesh që të duket qartë se të gjithë ata nuk janë nga tanët.
20 Ju jeni vajosur nga i Shenjti, prandaj të gjithë e dini të vërtetën . 21 Nuk ju shkrova ngaqë nuk e njihni të vërtetën, por sepse e njihni dhe e dini se asnjë gënjeshtër nuk vjen nga e vërteta. 22 Kush është gënjeshtari, pra? A nuk është ai që mohon se Jezui është Krishti? Ai është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin. 23 Ai që mohon Birin, nuk e ka as Atin. Ai që e rrëfen Birin, e ka edhe Atin. 24 Le të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi. Po të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi, atëherë edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin. 25 Dhe ky është premtimi që na ka bërë ai: jeta e amshuar.
26 Këto gjëra jua shkrova për shkak të atyre që kërkojnë t'ju mashtrojnë. 27 Sa për ju, vajosja që morët prej Krishtit qëndron në ju dhe nuk ka nevojë t'ju mësojë kush. Vajosja e tij ju mëson për gjithçka. Krishti është i vërtetë dhe nuk është i gënjeshtërt. Prandaj qëndroni në të ashtu siç ju mësoi.
Bij të Perëndisë
28 Dhe tani, bijtë e mi, qëndroni në të, që kur ai të shfaqet në ardhjen e tij, të kemi siguri të plotë dhe të mos turpërohemi para tij. 29 Përderisa e dini që Krishti është i drejtë, atëherë duhet të dini edhe se kushdo që vepron me drejtësi ka lindur prej tij.
KAPTINA II.
1 Dielmthit’ e mi, u shkruej juve këto, qi të mos fëjeni; edhe ndë fëjeftë kushi, kemi kush të lutetë tek Ati, Iesu Krishtin’ e dreitë;
2 edhe ai ashtë të shpërblemit’ e fajevet t’ona, edhe jo vetëmë për t’onat, por edhe për të gjithë botësë.
3 Edhe prei kësai e dimë se e kemi ngjofun’ ate, ndë rueitshim purosit’ e ati.
4 Ai qi thotë: E kam ngjofun’ ate, edhe të mos ruejë porosit’ e ati, ashtë rrenës, edhe e vërteta s’ashtë mbë këte,
5 por ai qi të ruejë fjalën’ e ati, me të vërtetë dashunia e Perëndisë ashtë mbaruem te kyi, prei kësai e dimë, se jemi mb’ate.
6 Ai qi thotë se mbet mb’ate, ka detyrë, sikurse eci ai, kështu edhe kyi të eci.
7 Vëllazën, nuk’ u shkrova juve nji porosi të re, por nji porosi të vietër, qi e kishitë çë përpara herësë; porosia e vietër’ ashtë fjala qi ndëgjuetë çë përpara herësë.
8 Për-së-ri u shkruej juve nji porosi të re, qi asht’ e vërtetë mb’atë edhe mbë ju, sepse errësina shkon, edhe drita e vërtetë po ndrit.
9 Ai qi thotë se ashtë ndë dritët, edhe ka mëni vëllan’ e vet, ashtë nd’errësinët deri tashi.
10 Ai qi don vëllan’ e vet mbet ndë dritët, edhe shkandullë nuk’ ashtë tek ai.
11 Por ai qi ka mëni vëllan’ e vet, ashtë nd’errësinët, edhe ecën nd’errësinët, edhe nukë di se ku vete, sepse errësina i verboi sytë.
12 U shkruej juve, dielmthit’ e mi, se u falnë fajetë tueja për emënin’ e ati.
13 U shkruej juve, atën, sepse keni ngjofun’ ate qi ashtë çë përpara herësë; u shkruej juve, dialoshë, se e keni mundunë të keqinë; u shkruej juve, çuna, sepse e keni ngjofun’ Atënë.
14 U shkruej juve, atën, sepse e keni ngjofun’ ate qi ashtë çë përpara herësë; u shkruej juve, dialoshë, sepse jeni të fortë, edhe fjala e Perëndisë mbet ndër ju, edhe e keni mundunë të keqinë.
15 Mos doni botënë as ato qi janë ndë botët. Ndë dashtë kushi botënë, dashunia e Atit nuk’ ashtë mb’ate,
16 sepse qish-do gja qi ashtë ndë botët, dëshërimi i mishit, edhe dëshërimi i syvet, edhe madhështia e jetësë, nuk’ashtë prei Atit, por ashtë prei botet.
17 Edhe bota shkon, edhe dëshërimi asai, por ai qi ban dashunimin’ e Perëndisë, mbet ndë jetët të jetëvet .
18 Çuna, asht’ e mbrapëna orë, edhe sikurse ndëgjuetë, se antikrishti vien, edhe tashi janë shumë antikrishta, andai e dimë se asht’ e mbrapëna orë.
19 Duelnë prei nesh, por nuk’ ishinë prei nesh, sepse ndë ishinë prei nesh, do të kishinë mbetunë me ne, por duelnë qi të shpërfaqenë, se nukë janë të gjithë prei nesh.
20 Edhe ju keni të lyem prei Shenjtit, edhe i dini të gjitha.
21 Nuk u shkrova juve, sepse nukë dini të vërtetënë, por sepse e dini, edhe sepse qish-do rrenë nuk’ ashtë prei së vërtetet.
22 Kush ashtë rrenësi, veçse ai qi mohon se Iesui nuk’ashtë Krishti? Kyi asht’ antikrishti, ai qi mohon Atën’ edhe Birinë.
23 Kush-do qi mohon Birinë, s’ka as Atënë.
24 Ate pra qi ju ndëgjuetë çë përpara herësë, le të mbesi ndër ju. Ndë mbettë ndër ju ajo qi ndëgjuetë çë përpara herësë, edhe ju keni me mbetunë mbë Birin’ edhe mbë Atënë.
25 Edhe këjo asht’ e zotuemeja, qi ai na u zotue neve, jeta e pasosëme.
26 U shkrova juve këto për ata qi u gënjejënë juve.
27 Edhe ate të lyemenë qi muertë prei ati, le të mbessi ndër ju, edhe s’keni nevojë me u mësuem juve kushi, por sikurse u mëson ajo e lyemeja për të gjitha, kështu asht’ edhe e vërtetë, edhe nuk’ ashtë rrenë; edhe sikurse u mësoi juve, keni me mbetunë mb’ate.
28 Edhe tashi, çunthit’ e mi , mbetni mb’ate, qi kur të shpërfaqetë, të kemi kucim, e të mos turpënohemi prei ati mbë t’ardhëmen e ati,
29 Ndë e dini se asht’ i dreitë, dinia se kush-do qi ban dreitëninë ka lemë prei ati.