Të drejtat e apostujve
1 A nuk jam i lirë unë? A nuk jam apostull? A nuk e kam parë unë Jezuin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin? 2 Nëse për të tjerë nuk jam apostull, për ju patjetër që jam, sepse vetë ju që besoni në Zotin jeni prova që vërteton se unë jam apostull .
3 Mbrojtja ime përballë atyre që më gjykojnë, është kjo: 4 a nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë? 5 A nuk kemi edhe ne të drejtë të kemi një grua besimtare, siç kanë apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit dhe Kefa? 6 Pse vetëm unë dhe Barnaba duhet të punojmë për të mbajtur veten? 7 Kush shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush është ai që mbjell vreshtin dhe nuk shijon frytet e tij? Apo kush është ai bari që nuk shijon nga qumështi i tufës së tij?
8 Mos po i them këto si njeri? A nuk thotë kështu edhe ligji? 9 Në ligjin e Moisiut shkruhet: mos ia lidh gojën kaut që shin. Mos shqetësohet për qetë këtu Perëndia 10 apo flet për ne? Sigurisht që për ne është shkruar, sepse ai që lëron dhe ai që shin duhet ta bëjnë punën me shpresën se do të marrin pjesën e tyre.
11 Nëse ne mbollëm të mirat shpirtërore te ju, kaq gjë e madhe na qenka nëse korrim të mirat materiale nga ju? 12 Nëse të tjerë e paskan këtë të drejtë, a nuk duhet ta kishim ne shumë më tepër? Por ne nuk e kemi përdorur këtë të drejtë. Përkundrazi, durojmë gjithçka që të mos bëhemi pengesë për ungjillin e Krishtit. 13 A nuk e dini se ata që punojnë në tempull ushqehen nga të ardhurat e tempullit dhe se ata që shërbejnë në altar marrin pjesën e tyre nga ato që flijohen atje? 14 Kështu edhe Zoti ka urdhëruar që ata që shpallin ungjillin, të jetojnë nga ungjilli.
15 Por unë nuk kam përdorur asnjë nga këto të drejta. Këto nuk po jua shkruaj që të veproni kështu edhe me mua. Më mirë të vdes, sesa të ma heqë ndokush këtë gjë për të cilën mburrem. 16 Nuk mburrem që predikoj ungjillin, sepse këtë e kam për detyrë. Mjerë unë po nuk e predikova! 17 Po ta kisha bërë me dëshirën time, do të merrja shpërblim, por përderisa e bëj pa dëshirën time, atëherë vetëm bëj detyrën që më ka ngarkuar Perëndia. 18 Cili është shpërblimi im atëherë? Të predikoj ungjillin falas, pa i shpërdoruar të drejtat që më jep predikimi i tij.
19 Megjithëse jam i lirë nga të gjithë, u bëra shërbëtor i të gjithëve, që të fitoj sa më shumë njerëz në besim. 20 Mes judenjve u bëra jude, që t'i fitoja judenjtë. Mes atyre që ishin nën ligjin u bëra si njeri nën ligjin, pavarësisht se nuk jam , që të fitoja ata që ishin nën këtë ligj. 21 Mes atyre që nuk e njihnin ligjin u bëra si njeri pa ligjin, edhe pse nuk jam pa ligjin e Perëndisë, por jam me ligjin e Krishtit, që të fitoja ata që ishin pa ligjin. 22 Mes të dobtëve në besim u bëra i dobët, që të fitoja të dobëtit. U bëra gjithçka për të gjithë, që të shpëtoja disa prej tyre. 23 Të gjitha këto i bëj për ungjillin, që të kem pjesë në të.
24 A nuk e dini se nga të gjithë ata që vrapojnë në arenë, vetëm njëri e fiton çmimin? Vraponi, pra, dhe ju që të fitoni çmimin. 25 Të gjithë ata që marrin pjesë në vrapim i nënshtrohen një disipline të rreptë , ata për të fituar një kurorë që prishet, ndërsa ne atë që nuk prishet. 26 Kështu vrapoj dhe unë tani, por jo pa synim të qartë, kështu luftoj me grushta, por jo sikur rrah erën. 27 E mundoj trupin dhe e nënshtroj, që të mos përjashtohem vetë, pasi t'u kem predikuar të tjerëve.
KAPTINA IX.
1 Nukë jam un’ apostull? Nukë jam un’ i lirë? Nukë pash’ unë Iesu Krishtinë Zotinë t’anë? Nukë jeni ju puna eme mbë Zotinë?
2 Ndë mos jam apostull mbë të tierë, por pak së paku mbë ju jam, sepse bula e apostullisë s’eme jeni ju mbë Zotinë.
3 Të përgjegjunitë t’em mb’ata qi më gjukojn’ ashtë këjo:
4 Mos nukë kemi edhe na pushtet me ngran’ e me pimë?
5 Mos nukë kemi edhe na pushtet me siellunë rreth nesh kudo të shkoimë nji motërë grue, sikurse edhe të tierët’ apostuj, edhe të vëllazënit’ e Zotit, edhe Kifai?
6 Apor vetëm’ unë edhe Barnaba s’kemi pushtet mos me punuem?
7 Cilli asht’ ai qi vete ndonji herë ndë luftë me të ngranët të vet? Cilli mbiell vëneshtë, edhe s’ha prei pemës’ati? A cilli kullot grigjë, edhe s’ha prei qjumështit grigjësë?
8 Mos i flas unë këto si nieri? Apor nukë thotë këto edhe ligja?
9 Sepse ndë ligjët të Moiseut ashtë shkruem: “Nukë do t’i mbëçelish gojënë kaut qi shin ndë lamët ”. Mos ka kujdes Perëndia për ket?
10 Apor për ne e thotë këte për të vërtetë? Sepse për ne u shkrue, se ai qi livron nd’arë , duhetë me livruem me shpëresë; edhe ai qi shin ndë lamët , me shpëresë se ka me pasunë piesë prei shpëresësë vet.
11 Na ndë mbuellëm punët’ e shpirtit mbë ju, pun’ e madhe ashtë ndë korrshim punëtë tueja të mishit?
12 Të tierë ndë marrinë piesë prei jush me këte pushtet, nukë duhetë ma tepërë na? Por na nuk’ e përdorëm këte pushtet, por duroimë të gjitha, për mos me bamë ndonji të ndalunë ndë ungjill të Krishtit.
13 Nuk’ e dini, se ata qi punojnë punë kishe, hanë prei kishësë; ata qi qindrojnë afër theroresë, marrinë piesë prei theroresë?
14 Kështu edhe Zoti urdhënoi ata qi apinë za për ungjillinë me rruem prei ungjillit.
15 Por unë nukë përdora as ndonji prei kësosh, as nukë shkrova këto, qi të bahetë kështu mbë mue, sepse ma mirë ashtë për mue me vdekunë, se të nxierri kushi të kotë lavdiminë t’em.
16 Sepse ndë ungjillëzofsha nuk’ ashtë lavdim për mue, sepse kam nevojë për vetëhe; edhe mjer mbë mue, ndë mos ungjillëzofsha.
17 Sepse ndë bafsha këte me dashuniminë t’em, kam pagë, por ndë bafsha këte për dhunë, m’u ka zanë besë kujdesi.
18 Cilla pra ashtë paga eme? Me bamë pa prishun’ ungjillin’ e Krishtit tue predikuem, qi të mos e përdor keq pushtetinë t’em qi kam mbë ungjillinë.
19 Sepse tue qenun’ i lirë prei së gjithësh, bana vetëhenë t’emë shërbëtuer mbë të gjithë, qi të fitoj ma të shumëtë.
20 Edhe u bashë mbë Iudeit si Iude, për me fituem Iudeitë; mb’ata qi janë ndënë ligjë, u bashë si ndënë ligjë, për me fituem ata qi janë ndënë ligjë;
21 mbë të paligjët u bashë si i paligjë (ndonëse nuk ishiem i paligjë mbë Perëndinë, por me ligjë mbë Krishtinë), për me fituem të paligjëtë;
22 mbë të dobët u bashë si i dobë, për me fituem të dobëtë; mbë të gjith’ u bashë të gjitha, për me shpëtuem disa vetë për të vërtetë.
23 Edhe këte e baj për ungjillinë, qi të bahem piesëtar i ati.
24 Nuk’ e dini, se ata qi ecinë me vrap sheshit, të gjith’ ecinë me vrap, por nji e merr bravurënë? Kështu ecëni me vrap, qi ta merrni.
25 Edhe kushdo qi përpiqetë ndë lojë, përmba vetëvetëhenë prei së gjithash; ata pra bajnë këte për me marrë nji kunorë të vdierrëshime, por na të pavdierrëshime.
26 Unë pra kështu eci me vrap, jo sikur të mos e dij për të vërtetë; kështu luftoj me grusht, jo sikur rraf erënë,
27 por mundoj korpinë t’em, edhe e baj shërbëtuer, druese, tue pasunë predikuem mbë të tierë, unë hedhem poshtë.