1 Sikur të flisja gjuhët e njerëzve
dhe të engjëjve,
por të mos kisha dashuri
do të isha si bronzi që kumbon,
ose si cimbali që tingëllon.
2 Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë,
të njihja të gjitha të fshehtat,
të zotëroja të gjitha dijet,
dhe të kisha gjithë besimin
për të lëvizur malet prej vendit,
por të mos kisha dashuri,
nuk do të isha asgjë.
3 Edhe sikur t'ua ndaja të varfërve
gjithë pasurinë
dhe ta jepja trupin të digjej,
por të mos kisha dashuri,
nuk do të më vlente asgjë.
4 Dashuria është zemërgjerë,
dashuria është e mirë,
nuk ka smirë,
nuk krekoset,
nuk mburret,
5 nuk sillet në mënyrë të pahijshme,
nuk kërkon përfitim,
nuk pezmatohet,
nuk mendon të ligën,
6 nuk gëzohet për padrejtësinë,
por gëzohet me të vërtetën.
7 Dashuria përballon gjithçka,
beson gjithçka,
shpreson gjithçka
dhe duron gjithçka.
8 Dashuria nuk shteron kurrë,
ndërsa profecitë do të reshtin,
gjuhët do të pushojnë
dhe dijet do të marrin fund.
9 Në të vërtetë,
ne kemi dije deri diku
dhe profetizojmë deri diku.
10 Por kur të vijë përsosmëria,
ajo që është e paplotë
do të marrë fund.
11 Kur isha fëmijë,
flisja si fëmijë,
mendoja si fëmijë
dhe arsyetoja si fëmijë;
por kur u bëra burrë,
i hodha tej gjërat fëmijërore.
12 Tani shohim në mënyrë të errët,
si në pasqyrë,
por një ditë do të shohim
ballë për ballë.
Tani njoh deri diku,
por një ditë do të njoh plotësisht,
ashtu siç më njeh Perëndia.
13 Tani mbeten këto të tria:
besimi,
shpresa
dhe dashuria,
por më e madhja ndër to
është dashuria.
KAPTINA XIII.
1 Ndë folsha gjuhënat’ e nierëzëvet edhe t’engjujvet, e të mos kemi dashuni, u bashë si rame qi kumbon, a si qimballë qi gjimon.
2 Edhe ndë paça profezi, edhe të dij gjithë mpshefësinat’ edhe qish do farë të dituni, edhe ndë paça gjithë besënë, kaqi sa të shkul vendit male, e të mos kemi dashuni, s’jam asgja.
3 Edhe ndë dafsha gjithë gjanë t’eme për me ushqyem të vobegjitë , edhe ndë dhansha ndër duer korpinë t’em për me u diegunë, e të mos kemi dashuni, s’më vëjen gja.
4 Dashunia ka zemërë të gjanë edhe ban të mira; dashunia s’ka zmir; dashunia s’asht’ e rrëmbyeshime, s’madhështohetë,
5 s’ban punë të shumtutë, s’lypën të vetatë, nukë zemërohetë, s’mendon të keqen,
6 s’gëzohetë për të shtrembëtënë, por gëzohetë për të vërtetënë.
7 Të gjitha i bar, të gjitha i beson, të gjitha i shpëren, të gjitha i duron.
8 Dashunia kurrë s’bije për dhe, por të tieratë , a profezia ndë qofshinë , kanë me mbetunë mbë-nj-anë, a gjuhëna, kanë me pushuem, e të ditunë, ka me mbetunë mbë-nj-anë.
9 Sepse na pak gja dimë, edhe pak gja profetizoimë,
10 por kur të vijë e plota, atëherë ka me mbetunë mbë-nj-anë e paka.
11 Kur ishiem foshnje, flisiem si foshnje, mendoheshë si foshnje, kujtoheshë si foshnje, por kur u bashë burr, i lashë mbë-nj-anë punët’ e foshnjesë.
12 Sepse tashti shofimë ndëpër pasqyrë si mbë t’errët, por atëherë kemi me pamë faqe mbë faqe; tashti ngjof pak, por atëherë kam me ngjofunë, sikurse u ngjofa.
13 Edhe tashti mbet besa, shpëresa, dashunia, këto të tria, por ma e madhe se këto ashtë dashunia.