1 Më shkërbeni mua, sikurse unë shkërbej Krishtin.
Sjellja gjatë adhurimit
2 Ju përgëzoj, se më kujtoni në çdo rast dhe i ruani traditat ashtu siç jua kam dhënë. 3 Por dua ta dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri dhe kreu i Krishtit është Perëndia. 4 Çdo burrë që lutet apo profetizon me kokë mbuluar, turpëron kryet vet.
5 Çdo grua që lutet apo profetizon me kokë zbuluar, turpëron kryet e vet, sepse është njësoj si të kishte rruar kokën. 6 Nëse gruaja nuk mbulon kokën, atëherë le të qethet. Por, nëse për të është turp të qethet a të rruajë kokën, atëherë le ta mbulojë kokën.
7 Burri nuk duhet ta mbulojë kokën, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, ndërsa gruaja është lavdia e burrit. 8 Nuk u krijua burri nga gruaja, por gruaja nga burri. 9 Burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. 10 Prandaj, për shkak të engjëjve, gruaja duhet të mbajë mbi kokë një shenjë varësie.
11 Megjithatë në jetën tonë me Zotin as burri nuk është i pavarur nga gruaja dhe as gruaja nga burri. 12 Sikurse gruaja u krijua nga burri, ashtu edhe burri lindet nëpërmjet gruas dhe gjithçka vjen nga Perëndia. 13 Gjykoni vetë: a i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa mbuluar kokën? 14 A nuk na mëson vetë natyra se për burrin është çnderim nëse i mban flokët të gjatë, 15 ndërsa për gruan është nder? Flokët i janë dhënë asaj si mbulesë. 16 Por, nëse ndokush mendon ndryshe për këtë çështje, duhet ta dijë se një zakon të tillë nuk e kemi as ne, as kishat e Perëndisë.
Parregullsi në Darkën e Zotit
17 Megjithatë, për këto që do t'ju them tani, nuk mund t'ju përgëzoj. Kur mblidheni bashkë, është për më keq e jo për mirë. 18 Së pari, dëgjova se kur mblidheni së bashku në kishë, mes jush ka përçarje dhe pjesërisht e besoj. 19 Njëmend që duhet të ketë edhe ndasi ndër ju, që të dalin në pah të sprovuarit.
20 Dëgjoj se kur mblidheni në një vend, nuk mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit. 21 Secili nga ju ha më përpara darkën që ka sjellë me vete dhe, kështu, njëri mbetet i uritur, ndërsa tjetri dehet. 22 A nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo doni të përbuzni kishën e Perëndisë e të turpëroni ata që nuk kanë? Çfarë t'ju them? T'ju përgëzoj? Për këtë nuk ju përgëzoj.
Themelimi i Darkës së Zotit
(Mt 26.26-29Mk 14.22-25Lk 22.14-20)
23 Ajo që mora prej Zotit dhe jua dhashë edhe juve është kjo: Zoti Jezu atë natë që po tradhtohej mori bukën, 24 tha lutjen e falënderimit, e theu e tha: «Ky është trupi im për ju . Bëjeni këtë në përkujtimin tim». 25 Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Sa herë që të pini prej saj, bëjeni këtë në përkujtimin tim».
26 Sa herë që hani nga kjo bukë dhe pini nga kjo kupë, ju lajmëroni vdekjen e Zotit derisa të vijë ai.
Padenjësisht në Darkën e Zotit
27 Prandaj ai që ha bukën e Zotit, apo pi kupën e tij padenjësisht, është fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. 28 Kështu, secili të shqyrtojë më parë veten dhe pastaj të hajë nga buka e të pijë nga kupa. 29 Kush ha e kush pi pa e dalluar trupin e Zotit, ha e pi dënimin e vet. 30 Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët, të sëmurë dhe mjaft kanë vdekur. 31 Sepse po të shqyrtojmë veten, nuk do të dënohemi. 32 Kur na gjykon Zoti, na gjykon për të na ndrequr e jo për të na dënuar bashkë me botën.
33 Kështu, o vëllezër, kur të mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit, prisni njëri-tjetrin. 34 Kush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për të marrë gjykimin e Zotit.
Të tjerat do t'i rregulloj kur të vij vetë.
KAPTINA XI.
1 Bani si baj unë, sikurse edhe unë baj si Krishti.
2 Edhe u lavdoj juve, o vëllazën, se më kuitoni mbë gjithë punët, edhe mbani porositë qi u lashë juve, sikurse ua dhashë juve.
3 Edhe due ta dini ju, se kryet’ e qish do burri ashtë Krishti, edhe kryet’ e grues’ ashtë burri, edhe kryet’ e Krishtit ashtë Perëndia.
4 Qish do burr kur të lutetë, a kur të profetizojë, ndë pastë mbuluem kryetë turpënon kryet’ e vet;
5 edhe qish do grue kur të lutetë, a kur të profetizojë me krye të sbulutë, turpënon kryet’ e vet, sepse ashtë gjithënji sikur me pasunë rrueitunë kryetë .
6 Sepse ndë mos u mbëloftë grueja, le të qethetë, por ndë ashtë turp për gruenë me u qethun’ a me u rrueitunë, le të mbulohetë,
7 sepse burri nukë duhetë me mbuluem kryetë, sepse ashtë figure edhe laft i Perëndisë, por grueja ashtë laft i burrit;
8 sepse burri nuk’ ashtë prei gruesë, por grueja prei burrit;
9 sepse nuk’ u krijue burri për gruenë, por grueja për burrinë.
10 Përandai grueja duhetë me pasunë pushtet mbi krye të vet për engjujt.
11 Por as burri pa gruenë, as grueja pa burrinë janë mbë Zotinë.
12 Sepse sikurse grueja ashtë prei burrit, kështu edhe burri ashtë me anë të gruesë, por të gjitha janë prei Perëndisë.
13 Gjukoni ju ndër vetëhet tueja: i ka hie gruesë me iu falunë sbulutë Perëndisë?
14 Apor as ajo natyra nuk’ u difton juve, se burri ndë pastë flokë të gjatë, ashtë turp për atë?
15 Por grueja ndë pastë flokë të gjatë, ashtë laft për ate, sepse floku iu ka dhanë ndë vend të mbulesësë.
16 Por ndë duketë kushi, se do me bamë qartë, na s’kemi të tillë zakon, as kishat’ e Perëndisë.
17 Edhe tue porositunë këte, nukë lavdoj, se mbëlidhi jo për ma të mirënë, por për ma të keqenë.
18 Sepse ma përpara kur mbëlidhi ju ndë kishët, ndëgjoj se janë shqerra ndërmiet jush, edhe mbë nji anë besoj.
19 Sepse duhetë me qenun’ edhe eresia ndërmiet jush, për me u shpërfaqun’ ata qi janë të provueshim ndërmiet jush.
20 Kur të mbëlidhi pra mbë nji vend, nuk’ ashtë për me ngranë darkën’ e Zotit,
21 sepse mbë të ngranët gjithë-se-cilli merr përpara tietërit darkën’ e vet, edhe njianit i vien uni e tietëri asht’ i deitunë.
22 Mos nukë keni shtëpia për me ngran’ e për me pimë? Apor s’e zini për gja kishën’ e Zotit, edhe turpënoni ata qi s’kanë? Qish t’u thom juve? T’u lavdoj për këte? Nuk’ u lavdoj.
23 Sepse un’ e mora prei Zotit ate qi u dhash’ edhe juve, se Zoti Iesu mb’ate natë qi do të trathtohei, muer bukë,
24 edhe si u fal ndersë theu, edhe tha: Merrni, e hani; kyi ashtë korpi em, qi thyhetë, për ju, këte bani për kuitiminë t’em.
25 Por kështu edhe kupënë, mbassi kishte darkuem, tue thanë: Këjo kupë ashtë dhiata e re ndë gjakunë t’em; këte bani, sa herë të pini për kuitiminë t’em.
26 Sepse sa herë të hani këte bukë, edhe të pini këte kupë, diftoni vdekën’ e Zotit, deri mb’ate kohë qi të vijë.
27 Përandai ai qi të hajë këte bukë, a të pijë këte kupën’ e Zotit pa qenun’ i vëjefshim, ka me qenunë fajtuer i korpit edhe i gjakut Zotit.
28 Por le të shikojë vetëvetëhenë nieriu, edhe kështu le të hajë prei asai bukësë, edhe le të pijë prei asai kupësë.
29 Sepse ai qi ha e pi pa qenun’ i vëjefshim, ha e pi gjukim për dam për vetëvetëhenë, sepse nukë dan korpin’ e Zotit.
30 Përandai janë shumë të dobë edhe të sëmunë ndër ju, edhe vdesinë mëjaftvetë .
31 Sepse ndë shqyeishim vetëhetë t’ona, s’do të gjukoheshim,
32 por kur gjukohemi, mundohemi prei Zotit, qi të mos gjukohemi për të keq bashkë me botënë.
33 Përandai, o vëllazën, kur të mbëlidhi për me ngranë, pritni njiani tietërinë,
34 por ndë i arth’ uni kuit, le të hajë ndë shtëpi, qi të mos mbëlidhi për me u gjukuem për dam . Edhe të tieratë kam me i vumë mbë rregullë, kur të vij.