1 Prandaj, o vëllezër, po ju bëj thirrje që për hir të dhembshurisë së Perëndisë ta paraqitni veten si fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme për Perëndinë. Ky është adhurimi i duhur. 2 Mos u pajtoni me frymën e kësaj bote, por ndryshohuni duke përtërirë mendjen, që të dalloni se cili është vullneti i mirë, i pëlqyeshëm dhe i përsosur i Perëndisë.
3 Përmes hirit që më është dhënë po i them çdonjërit prej jush të mos e mbajë veten më të madh se ç'duhet, por të mendojë ashtu siç duhet, secili sipas masës së besimit që i ka dhënë Perëndia. 4 Sikurse një trup ka shumë gjymtyrë, por jo të gjitha gjymtyrët kanë të njëjtën detyrë, 5 ashtu edhe ne, që jemi shumë, jemi një trup i vetëm të bashkuar me Krishtin, secili gjymtyrë e tjetrit.
6 Ne kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na është dhënë. Kush ka dhuratën e profecisë, të profetizojë sipas masës së besimit; 7 kush ka dhuntinë e shërbimit, të shërbejë; kush ka dhuntinë për të mësuar të tjerët, t'i mësojë; 8 kush ka dhuntinë për të këshilluar, të këshillojë; kush ndan të mirat e tij me të tjerët, ta bëjë me thjeshtësi; kush drejton, ta bëjë me zell; kush bën vepra bamirësie, t'i bëjë me gëzim.
Rregulla të jetës së krishterë
9 Dashuria të jetë pa shtirje. Urreni të keqen, kapuni pas së mirës. 10 Duajeni njëri-tjetrin si vëllezër. Nderojeni tjetrin më shumë se veten. 11 Mos t'ju mungojë zelli, por me zjarr në shpirt t'i shërbeni Zotit. 12 Ngazëlloni në shpresë, duroni në vuajtje, këmbëngulni në lutje. 13 Jepni për nevojat e të shenjtëve, jini mikpritës.
14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni e mos mallkoni. 15 Gëzoni me ata që gëzojnë, vajtoni me ata që vajtojnë. 16 Jini në një mendje me njëri-tjetrin; mos jini mendjemëdhenj, por përfillni të përulurit. Mos e mbani veten për të mençur. 17 Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Kujdesuni të bëni të mirën në sytë e të gjithë njerëzve. 18 Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit.
19 Fort të dashur! Mos kërkoni shpagim, por lërini vend zemërimit të Perëndisë. Sepse është shkruar:
shpagimi më përket mua
dhe unë jam ai
që do të marrë shpagim, thotë Zoti.
20 Por, nëse armiku yt ka uri,
jepi të hajë;
nëse ka etje,
jepi të pijë.
Duke bërë kështu
do të grumbullosh thëngjij të ndezur
mbi kokën e tij.
21 Mos u mposhtni nga e keqja, por mposhteni të keqen me të mirën.
Krie e dimbëdhjetëtë
1 U lutem adha juvet, o vëllazër, për ndëjesë të Perndisë të bëni kurmetë tuaj kurban të gjallë, të Shënjtëruarë, të pëlqierë te Perndia (që është) të falturitë me mënd tuaj.
2 E të mos jini të kthierë sikundrë kthenetë këjo jetë, po ktheni vetëhenë tuaj me të përtërijturë të mëndiesë suaj, që të njihni juvet cila është thelim’ e Perndisë e mira e më e pëlqiera, edhe e sosura.
3 Thom adha për dhurëti, që më është dhënë, mbë sa janë ndër juvet, të mos jini më të urtë se sa duhetë të jini të urtë. Po të jini sado t’urtë, e sikundr’ është masëja e besësë, që është ndarë nga Perndia mbë cilëdo.
4 Sepse sikundrë ndë një kurm kemi shumë anë, e të gjitha anëtë nukë kanë një të tillë punë.
5 Kështu edhe navet të gjithë një kurm jemi mbë Krishtinë, e cilido prej nesh jemi krahë të njëri-jatërit.
6 Po kemi lloi-lloi dhurëtira, sikundrë qe të dhënëtë që na i dhëruanë nevet, cili ka profiti (le ta punojë) sikundr’ është kanoni i besësë.
7 Kush ka shërbesë, le të shërbejë. Kush është dhaskal, le të dhidhaskalepsjë ndë dhidhaskali.
8 E ai që parigoris, le të punojë ndë parigori. E ai që ep nga e tija, le ta bëjë me zëmërë të mirë. Ai që është i parë, le të jetë i shpejtë. Kush bën lejmosin, le ta bëjë me buzë mbë gaz.
9 Dashuria le të mos jetë për faqe. Të keqenë të urreni, e të doi të mirënë.
10 Të doi njeri-jatërinë me dashuri vëllazërisht, ndë nder të shkoi njeri-jatërinë.
11 Ndë punëra jo të mpitë, të ngrohëtë ndë Shpirt, kur të punojmë navet Zotnë.
12 Të gëzuarë ndë shpëresë, të durimçim ndë shtrëngim. Ndë të luturë të pritni.
13 Ndë hri të Shënjtorëvet të epni, fillokseninë ta ndiqni.
14 Të bekoni ata që ju ndjekënë juvet. Bekoni, e mos mallëkoni.
15 Të gëzoni me ata që gëzonenë, e të qai me ata që qajënë.
16 Të kini një mënd mbë njeri-jatërinë. Mos silloisni të lartatë, po të ujnji bashkë me të ujnjëritë. Mos u bëni të urtë me vetëhe tuaj.
17 Mos epni ndonjëit të keq për të keq. Vështroni të jini mirë përpara gjithë njerëzet.
18 Ndë mundjëtë nga ana juaj të kini paq me gjithë njerëz.
19 Mos e merri hakënë vetiut, vëllazër të dashurë, po mërgoni urgjinë, sepse është shkruarë: Unë do ta marr hakënë. Unë do të bëj llogori, thotë Zoti.
20 Ndë i vjen u vëllait sit, epi bukë të hajë. Ndë i vjen et, epi ujë të pijë. Sepse kur të bëç këtë, do të mbëjedhç thingjij të dhezura mbi krie të tij.
21 Mos duaj të mundeç nga e liga, po mund të keqenë me të mirënë.