1 Pastaj dëgjova në qiell një si zë të lartë turme të madhe që tha:
«Aleluja!
Shpëtimi, lavdia e fuqia
i përkasin Perëndisë tonë,
2 se gjykimet e tij janë të vërteta e të drejta.
Ai e gjykoi laviren e madhe
që e çoi tokën në shthurje me kurvërinë e saj
dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij
të vrarë nga duart e saj».
3 Pastaj thanë përsëri:
«Aleluja!
Tymi i shkrumbimit të saj ngjitet lart,
në shekuj të shekujve».
4 Atëherë të njëzet e katër pleqtë e të katër gjallesat ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë që rri ulur në fron duke thënë:
«Amen! Aleluja!».
Dasma e Qengjit
5 Pastaj nga froni doli një zë që tha:
«Lëvdoni Perëndinë tonë
të gjithë ju shërbëtorët e tij
dhe ju që e druani,
të mëdhenj e të vegjël».
6 Dëgjova edhe një si zë turme të madhe, posi ushtimë detesh e bubullimash të forta që tha:
«Aleluja!
Mbretëroi Zoti,
Perëndia ynë i gjithëpushtetshëm.
7 Le të gëzohemi e të ngazëllehemi,
le t'i japim lavdi atij,
se erdhi dasma e Qengjit
dhe nusja është bërë gati».
8 Asaj i dhanë për të veshur
një rrobë të ndritshme prej liri të pastër.
Kjo rrobë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve.
9 Pastaj engjëlli më tha: «Shkruaj: lum ata që janë ftuar në darkën e dasmës së Qengjit». Dhe shtoi: «Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë».
10 Unë rashë përmbys para këmbëve të tij për ta adhuruar, ndërsa ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që ruajnë dëshminë e Jezuit. Adhuro Perëndinë!». Dhe dëshmia e Jezuit është shpirti i profecisë.
Kalorësi me kalin e bardhë
11 Pastaj pashë qiellin të hapur dhe një kalë të bardhë. Kalorësi quhej «Besimtar dhe i Vërtetë». Ai gjykon e lufton me drejtësi. 12 Sytë e tij ishin si flakë zjarri, ndërsa mbi kokë mbante shumë kurora të vogla. Ai kishte të shkruar një emër që nuk e dinte askush përveç tij. 13 Ishte i veshur me rroba të ngjyera në gjak dhe mbante emrin «Fjala e Perëndisë». 14 Pas tij vinin ushtritë e qiellit, hipur mbi kuaj të bardhë dhe veshur me rroba të ndritshme prej liri të pastër. 15 Nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me të cilën do të mposhtë kombet. Ai do t'i sundojë me skeptër të hekurt dhe do ta shtrydhë rrushin në vozën e verës së zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. 16 Mbi rrobë dhe mbi kofshë kishte të shkruar emrin «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve».
17 Pastaj pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai u foli me zë të fortë të gjithë shpendëve që fluturonin në mes të qiellit: «Ejani e mblidhuni në darkën e madhe të Perëndisë, 18 që të hani mish mbretërish, prijësish ushtarakë e të fortësh, mish kuajsh e kalorësish, mishin e të gjithë njerëzve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj».
19 Atëherë pashë bishën dhe mbretërit e tokës me ushtritë e tyre që ishin mbledhur për të luftuar kundër atij që rrinte mbi kalë dhe ushtrisë së tij. 20 Bisha u kap dhe bashkë me të edhe profeti i rremë që në prani të saj bënte shenja, me të cilat mashtronte ata që kishin marrë damkën e bishës dhe që kishin adhuruar shëmbëlltyrën e saj. Pastaj, që të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. 21 Të tjerët u vranë nga shpata që dilte nga goja e kalorësit dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishin e tyre.
Krie e nëntëmbëdhjetëtë
1 E pas kësuresh digjova zë të madh si një turmësë madhe ndër qiell, që thosh: Allilluia. Shpëtimi, edhe lëvdimi, edhe nderi, edhe fuqia mbë Perndinë tënë.
2 Sepse të vërteta e të drejta janë gjuqërat’ e saj; se gjukoi kurvën’ e madhe, atë që prishi dhenë me kurvërin’ e saj, e mori hakë për gjak të ropet së tij (që u derdh) nga dor’ e asaj.
3 E thanë për së ditit: Allilluia. E timi i saj hipi ndë jetë të jetëvet.
4 E ranë të njëzet e katër pleqtë, e të katër kafshëtë, e u falë Perndisë që rrij mbi fron, tuke thënë: Amin. Allilluia.
5 E dolli një zë nga froni që thosh: Epni lëvdim Perndisë sanë gjithë juvet ropt’ e tij, edhe juvet të vegjëj e të mëdhinj që i trëmbi atij.
6 E digjova një zë posi një turmësë madhe, e si gjëmim ujëravet shumë; e si një zë gjëmimevet së mëdha, që thoshnë: Allilluia; sepse mbretëroi Zoti Perndia fuqimadhi.
7 Le të gëzonemi, e le të hidhemi, e le t’apëmë lëvdim atij; sepse erdhi dasma e qengjit, e gruaja e tij është bërë gati.
8 E ju dha asaj të vishetë me vishnje të qëruarë e të llampsurë; sepse vishnja është punërat’ e mira të shënjtorëvet.
9 E më thotë mua: Shkruaj: Lum ata që janë ftuarë ndë gosti të dasmësë qengjit. E më thotë mua: Këto fjalët’ e Perndisë janë të vërteta.
10 E raçë përpara këmbëvet së tij të falishë, po ai më tha mua: Ruaju të mos e bëç. Unë jam rop si edhe ti, e si vëllazërit’ e tu ata që kanë martirin’ e Iisuit. Nde Perndia falu, sepse martiria e Iisuit është Shpirti i profitisë.
11 E paçë qiellinë hapurë, e ja një kalë i bardhë; e ai që ish hipurë mbi të, quhej i besësë e i vërtetës, e gjukon me të drejtë, e lëfton.
12 E sit’ e tij qenë posi flakë zjarit, e mbi krie të tij shumë korona; e kish shkruarë një ëmërë që s’e dij njeri, përveçme atij.
13 E qe veshurë me një të veshurë ngjierë ndë gjak; e ëmërit’ e tij thërret: Fjala e Perndisë.
14 E asqerëtë që janë ndër qiell i vijnë pas atij, hipurë ndë kuaj të bardhë, veshurë me vishnjë të bardhë e të qëruarë.
15 E nga goja e tij dil një kordhë e prëhurë, që të plagosjë me të filitë, e ai do t’i qiverrisjë ata me shkop të hekurtë. Ai shkel patitirn’ e verësë të zëmërimit e urgjisë Perndisë fuqimadhit.
16 E ka shkruarë mbi rrobë të tij edhe mbi kordhë të tij ëmërinë: Mbreti i mbretëret, e Zoti i zotërinjet.
17 E paçë një ëngjëll, që rrij ndë diell, e thirri me zë të madh, e tha gjithë shpezet që fluturojnë ndë mes të qiellit: Ejani e përmbëjidhi ndë darkë të Perndisë madhe.
18 Të hai mishëra të mbretëret, e mishëra të hiliarhëvet, e mishëra të së fortëvet, e kufoma kuajet, e t’ature që janë hipurë mbi ta, e kufomat’ e gjithëvet zotërinjet e kopijet, të vogjëjet e të mëdhinjet.
19 E paçë bishënë, edhe mbretëret’ e dheut, edhe asqerët’ e ture mbëjedhurë të bëijnë luftë me atë që qe hipurë ndë kalë, edhe me asqer të tij.
20 E u zu bisha, e bashkë me të edhe profiti gënjeshtjar, ai që pat bërë çuditë përpara asaj; me ato pat gënjierë ata që muarrë nishanë bishësë, edhe ata që falishnë ikonën’ e saj. Të di u vunë të gjallë ndë gjol të flakësë që digjetë me shqufur.
21 E të tjerëtë u vranë me kordhë t’atij që qe hipurë mbi kalë; ajo kordhë dilte nga goja e tij e gjithë shpeztë u ngosnë nga kufomat’ e ture.