Engjëlli dhe libri i vogël
1 Pastaj pashë një engjëll tjetër të fortë që zbriste prej qiellit. Ai ishte i mbështjellë me re dhe në kokë kishte një ylber. Fytyra e tij ishte si dielli, ndërsa këmbët i kishte si shtylla zjarri. 2 Ai mbante në dorë një libër të vogël të hapur. Këmbën e djathtë e vuri mbi det, të majtën mbi tokë 3 dhe thirri me zë të fortë siç ulërin luani. Kur thirri engjëlli, gjëmuan edhe shtatë bubullimat.
4 Kur gjëmuan shtatë bubullimat, doja të shkruaja, por dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Mbaji të fshehta ato që thanë shtatë bubullimat e mos i shkruaj».
5 Engjëlli që pashë të qëndronte mbi det e mbi tokë ngriti dorën e djathtë drejt qiellit 6 dhe u betua për atë që jeton në shekuj të shekujve, atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe sa janë në to. Ai tha: «Nuk do të vonojnë 7 ditët kur engjëlli i shtatë do t'i bjerë trumbetës dhe atëherë do të përmbushet plani i fshehtë i Perëndisë sipas ungjillit që u dha profetëve, shërbëtorëve të tij».
8 Zëri që dëgjova prej qiellit më foli përsëri e më tha: «Shko dhe merr librin e hapur nga dora e engjëllit që qëndron mbi det e mbi tokë!».
9 Shkova tek engjëlli e i thashë të më jepte librin e vogël. Ai më tha: «Merre dhe gëlltite! Do të ta hidhërojë barkun, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalti». 10 E mora librin e vogël nga dora e engjëllit dhe e gëlltita. Ishte i ëmbël si mjalti në gojën time, por kur e hëngra, m'u hidhërua barku.
11 Atëherë më thanë: «Duhet të profetizosh përsëri në shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër».
Krie e dhjetëtë
1 E paçë një tjatër Ëngjëll të fortë, që zbrit nga qielli, e i pështjellë me një mjergullë, e kish mbë kokë të tij një ilibe; e faqea e tij posi dielli, e këmbët’ e tij posi kollona të flakta.
2 E kish mbë dorë të tij një kartëzë të hapëtë; e vuri këmbën’ e tij të djathëtënë ndë det, e të mëngjërënë mbë dhe.
3 E thirri me zë të madh posi liondari kur thërret, e kur thirri, nxuarrë jashtë zën’ e ture të shtatë gjëmimetë.
4 E kur krienë jashtë zën’ e ture të shtatë gjëmimetë, unë rrijë për të shkruarë; e digjova një zë nga qielli që më thosh: Vulos ato që thanë të shtatë gjëmimetë, e mos i shkruaj ato.
5 E Ëngjëlli që paçë të qëndruarë mbi det edhe mbi dhe, ngrijti dorën’ e tij ndër qiell.
6 E u përgjërua mb’atë që rron ndë jetë pas jetet, që bëri qielltë edhe sa janë mbë të, edhe dhenë edhe sa janë mbë të, edhe detnë edhe sa janë mbë të, që do të mos jetë më kohë.
7 Ma ndë ditë të zërit t’ëngjëllit së shtatë, kur do të nisjë t’i bjerë zurnasë, do të teliosetë mistiri i Perndisë, sikundr’ evangjelisi ndë rop të tij ndë profitë.
8 E zëri që digjova përsëri nga qielli kuvëndon me mua, e më thosh: Hajde e merr kartëzën’ e hapëtë që është ndë dorë të ëngjëllit që rri mbi det edhe mbi dhe.
9 E vajta tek ëngjëlli, e i thaçë atij: Nëmë kartënë. E ai më thotë: Merre, e hae atë; e do të të pikëllojë barkunë tënd, ma ndë gojë tënde do të jetë e ëmblë posi mjaltë.
10 E mora kartëzënë nga dor’ e ëngjëllit, e e hangra atë; e qe ndë gojë time e ëmblë posi mjaltë; e kur e hangra atë, m’ u pikëllua barku im.
11 E më thotë mua: Duhetë që të profitepç ti përsëri mbë llaora, e mbë filira, e mbë gjuhëra, e mbë shumë mbretër.