Përshëndetje
1 Unë, Pali, i burgosur për Krishtin Jezu dhe vëlla Timoteu, po i shkruajmë Filemonit të dashur e bashkëpunëtorit tonë, 2 Apfisë, motrës sonë, Arkipit, bashkëluftëtarit tonë dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde: 3 hiri dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht, qofshin me ju.
Dashuria dhe besimi i Filemonit
4 E falënderoj Perëndinë tim gjithmonë kur të kujtoj në lutjet e mia, 5 sepse po dëgjoj për dashurinë tënde për të gjithë të shenjtët dhe për besimin që ke në Zotin Jezu Krisht. 6 I lutem Perëndisë që besimi që na bashkon të jetë i gjallë në ty, për të njohur çdo gjë të mirë që kemi e që na çon drejt Krishtit. 7 Dashuria jote, o vëlla, më ka gëzuar shumë e më ka ngushëlluar, sepse zemrat e të shenjtëve janë përtërirë përmes teje.
Përgjërim për Onesimin
8 Prandaj, edhe pse për shkak të Krishtit kam liri të plotë të të urdhëroj ç'duhet të bësh, 9 parapëlqej të të kërkoj diçka në emër të dashurisë. Unë Pali, i plakur, por tani edhe i burgosur për Krishtin Jezu, 10 të lutem për Onesimin, birin tim në Jezu Krishtin, që e ktheva në besimin tonë kur isha në pranga. 11 Onesimi, që dikur ishte i padobishëm për ty, tani është i dobishëm edhe për ty, edhe për mua.
12 Dhe ja ku po ta kthej atë që është vetë zemra ime . 13 Unë doja ta mbaja atë pranë vetes, që të më shërbente në vendin tënd ndërsa jam në pranga për shkak të ungjillit. 14 Por nuk desha të bëja asgjë pa dijeninë tënde, që vepra jote e mirë të mos bëhet si me detyrim, por të jetë e vullnetshme.
15 Ai ndoshta u nda nga ti për pak kohë, që ta kesh atë përjetësisht, 16 jo më si skllav, por më tepër se skllav: ta kesh si vëlla të dashur. Ai është shumë i dashur për mua, por aq më tepër duhet të jetë për ty, qoftë si njeri, qoftë si vëlla në Zotin.
17 Prandaj, nëse më ke mik, pranoje atë siç do të më prisje mua. 18 Nëse të ka bërë ndonjë dëm, apo nëse të detyrohet për ndonjë gjë, m'i ngarko mua. 19 Unë, Pali, po të shkruaj me dorën time se do të ta shlyej unë vetë detyrimin; për të mos thënë se ti më detyrohesh vetë jetën tënde. 20 Po vëlla, për hir të Zotit, ma bëj këtë nder! Ma përtëri zemrën për hir të Krishtit!
21 Të shkrova se kam besim se do të më dëgjosh dhe e di se do të bësh edhe më shumë se këto që po të them. 22 Në të njëjtën kohë përgatit edhe një dhomë për mua, pasi shpresoj se përmes lutjeve tuaja do të kthehem te ju.
Përshëndetjet e fundit
23 Të përshëndet Epafrai, i burgosur bashkë me mua për Krishtin Jezu. 24 Të përshëndesin edhe Marku, Aristarku, Dema e Luka, bashkëpunëtorët e mi.
25 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj!
1 Pavllua, i lidhuri i Iisu Hristoit, edhe Timotheoi vëllai, mbë Filimonë, të dashurinë tënë, e punëtuarë me nevet bashkë.
2 E mbë Apfinë të dashurënë, e mb’Arhiponë, trimnë me nevet bashkë, e mbë qishënë tënde të shtëpisë.
3 Dhurëti mbë juvet, e paq nga Perndia babai inë, edhe nga Zoti Iisu Hristoi.
4 Lëvdoj Perndinë time kurdo që të zë ngoje tij ndë të falura të mia.
5 Sepse digjoj dashurinë edhe besënë që qe mbë Zonë Iisunë, edhe mbë gjithë Shënjtorë.
6 Me tropo që ësht’ e çfaqurë pjesa që ke ti ndë besë, për të njohurë gjithë punët’ e mira që janë ndër juvet mbë Hristonë Iisunë.
7 Sepse kemi gëzim të madh e parigori për dashuri tënde, sepse zëmër’ e Shënjtorëvet është prëjturë me anë tënde, o vëlla.
8 Andaj kam shumë tharos mbë Krishtinë që të të porsit ti ato që kanë hie.
9 Të lutem më tepërë për dashuri, se je i tili ti, si unë plaku Pavllua, edhe ndashti i lidhuri i Iisu Hristoit.
10 Të vë ndë be për djalënë tim, atë që polla ndë mes të zinçirëvet, Onisimonë.
11 Atë që të qe ti njëherë i pavëjierë, ma ndashti i vëjierë për ti edhe për mua, atë që të dërgova tij përsëri.
12 E ti ta preç atë si zorrët’ e barkut sim.
13 Atë unë dojë ta mbajë me vetëhe, që të më punon mua ndaje teje, ndë mes të zinçirëvet t’Ungjillit.
14 Ma nukë desha të bëj gjë pa dijturë ti, që të mos jetë të mirëtë tënd me të pahir, po të jetë me dashuri tënde.
15 Sepse mbase andaj u mërgua për ca kohë (nga teje), që ta keç atë për gjithë jetë.
16 Jo më si kopil, po ndaje kopilit, vëlla të dashurë, më tepërë mbë mua, e sa më shumë mbë ti, si mbë punë të kurmit, edhe mbë të Zotit.
17 Ndë ke mua adha për të dashurë, prite atë si edhe mua.
18 E ndë të ka bërë ti gjë dëm ndë ndonjë punë, a të ka gjë borç, shkruaje atë për llogori time.
19 Unë Pavllua e shkrova me dorë time, unë dua të paguaj, që të mos të thom që ti më je borçli mbë vetëhe tënde.
20 Kështu, o vëlla, makar të fitojë unë nga teje këtë të mirë mbë Zonë, prëjmë zorrët’ e mi mbë Zotnë.
21 Kam tharos mbë të gjegjurë tat të shkrova ti, sepse e di që do të bëç më shumë se ato që të thom.
22 Bashkë me këto bëmë gati konak, sepse shpërej që me anë të faluravet tuaj do të dhëronem juvet.
23 Të faletë me shëndet Epafrai (shoku im ndë hapsanë për Hristo Iisunë), Markua.
24 Aristarhoi, Dhimai, Llukai, shokët’ e mi.
25 Dhurëtia e Zotit sonë Iisu Hristoit me Shpirt tuaj. Ashtu qoftë!
* Karta mbë Filimonë u shkrua nga Romi me anë të Onisimoit, kopilit.