Tradita e të parëve
(Mt 15.1-20)
1 Farisenjtë e shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi u mblodhën pranë tij. 2 Ata panë disa prej dishepujve të tij që po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara . 3 Farisenjtë dhe të gjithë judenjtë nuk hanë pa i larë duart me kujdes deri në bërryl, sipas traditës së të parëve 4 dhe, pasi kthehen nga tregu , nuk hanë pa u larë. Janë edhe shumë gjëra të tjera, që sipas traditës duhet t'i ruajnë, si larje gotash, brokash, enësh bakri e shtretërish.
5 Prandaj farisenjtë e shkruesit e pyetën: «Pse dishepujt e tu nuk ndjekin traditën e të parëve, por hanë bukë me duar të palara?». 6 Por ai u tha: «Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju kur shkroi:
ky popull më nderon me buzë,
por zemrat e tyre janë larg meje.
7 Më kot më nderojnë,
përderisa japin si mësim të Zotit
urdhrat e njerëzve.
8 Ju lini pas dore urdhërimin e Perëndisë për t'iu përmbajtur traditës së njerëzve ». 9 Dhe u tha: «Ju shpërfillni pa të keq urdhërimin e Perëndisë, për të mbajtur traditën tuaj. 10 Në të vërtetë Moisiu ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. 11 Por ju thoni: “Nëse dikush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja po e bëj korban, ‘që do të thotë dhuratë për Perëndinë’, 12 atëherë ai është i çliruar nga detyrimi për të ndihmuar të atin apo të ëmën”. 13 Kështu, ju shfuqizoni fjalën e Perëndisë me anë të traditës që keni trashëguar. Ju bëni edhe shumë gjëra të ngjashme me këto».
14 Jezui e thirri sërish turmën pranë vetes e tha: «Dëgjomëni të gjithë e merrni vesh! 15-16 Njeriun nuk mund ta ndotë asgjë që hyn tek ai nga jashtë, por e ndotin ato që dalin prej tij ».
17 Kur u nda nga turma e hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën për shëmbëlltyrën. 18 Ai u tha: «As ju nuk e keni kuptuar? A nuk e kuptoni se njeriun nuk mund ta ndotë çfarë hyn tek ai nga jashtë, 19 se nuk hyn në zemër, por në bark e pastaj jashtëqitet?». Kështu Jezui i shpalli të pastra të gjitha ushqimet. 20 Dhe vazhdoi: «Çfarë del prej njeriut është ajo që e ndot njeriun, 21 se prej zemrës së njeriut dalin mendimet e liga, kurvëritë, vjedhjet, vrasjet, 22 tradhtitë bashkëshortore, grykësitë, ligësitë, dinakëria, fëlligështia, smira, fyerjet, mburrja e marrëzia. 23 Të gjitha këto gjëra dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun».
Besimi i gruas sirofenikase
(Mt 15.21-28)
24 Jezui u nis prej aty e shkoi në krahinën e Tirit . Ai hyri në një shtëpi dhe kjo nuk mundi të mbetej e fshehtë, megjithëse Jezui nuk donte që të merrej vesh. 25 Menjëherë një grua, bija e së cilës ishte e pushtuar nga një shpirt i ndyrë, dëgjoi të flitej për të dhe erdhi e i ra ndër këmbë. 26 Kjo grua ishte helene, me prejardhje sirofenikase, dhe i lutej të dëbonte djallin prej së bijës. 27 Dhe ai i tha: «Le të ngopen fëmijët më parë, se nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». 28 Ajo u përgjigj: «Zot, edhe qentë nën tryezë hanë thërrimet e fëmijëve!». 29 Atëherë ai i tha: «Për hir të fjalëve që the, shko! Djalli ka dalë prej bijës sate». 30 Ajo u kthye në shtëpi dhe e gjeti fëmijën të shtrirë në shtrat. Djalli kishte dalë.
Shërimi i shurdhmemecit
31 Pastaj, ndërsa po kthehej nga krahina e Tirit, shkoi nëpër Sidon drejt liqenit të Galilesë, përmes krahinës së Dekapojës. 32 Aty i sollën një të shurdhët që fliste me vështirësi e iu lutën të vinte duart mbi të. 33 Si e ndau veç nga turma, ia vuri gishtat në veshë. Pastaj ia preku gjuhën me pështymë, 34 ngriti sytë drejt qiellit, psherëtiu e i tha: «Effatha!», që do të thotë «Hapu!». 35 Menjëherë atij iu hapën veshët, iu zgjidh gjuha e filloi të fliste rrjedhshëm.
36 Jezui i porositi që të mos i tregonin askujt, por sa më shumë i porosiste, aq më shumë e shpallnin 37 dhe, të mrekulluar tej mase, thoshin: «Të gjitha gjërat i ka bërë mirë. Ai i bën të shurdhët të dëgjojnë e memecët të flasin».
Krie e shtatëtë
1 E u mbëjuadhë nde ai Farisejtë edhe ca nga Grammatejtë, që erdhë nga Ierusalimi.
2 E si panë ca nga mathitit’ e tij, që haijnë bukë me duar të pëgëra (domethënë të palara) i shajtinë.
3 (Sepse Farisejtë, edhe gjithë çifutë, ndë mos lafinë duartë ngjera mbë bilure, nukë hanë, sepse mbajënë porsin’ e pleqet.
4 Edhe kur kthenenë nga pazari, ndë mos u lafinë nukë hanë, edhe shumë të tjera jan’ ato që muarë t’i ruaijnë, të lara të potirevet, e të ksestravet, e të bakërevet, e të shtratevet).
5 Pasandaj e pietn’ atë Farisejtë edhe Grammatejtë: Përse mathitit’ e tu, nuk’ ecëjënë sikundrë porsitnë pleqtë, po hanë bukë me duar të palara?
6 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature se: Mirë profitepsi Isaiu për juvet fshehërakëtë, sikundr’ është shkruarë: Kij llao më nderon mua me buzë, e zëmër’ e ture është shumë larg nga meje.
7 E me të mbrazëtë më nderojënë, kur dhidhaksjënë dhidhahira, porsit’ e njerëzet.
8 Sepse latë porsin’ e Perndisë, e mbani porsin’ e njerëzet, të larat e ksestravet, e të potirëvet, edhe shumë të tjera punëra të tila si edhe këto bëni.
9 E u thosh ature: Ju mirë prishni porsin’ e Perndisë, për të ruajturë porsinë tuaj.
10 Sepse Moisiu tha: Ndero babanë tënd, edhe mëmënë tënde; edhe ai që të thotë fjalë të ligë nde babai tij, a nde mëm’ e tij, le të mundonetë me të vrarë.
11 E juvet thoi: Ndë thashtë ndonjë njeri jatit a s’ëmësë: çdolloí kurban (këjo është dhurëti) që bëj Perndisë, do të vëjejë.
12 E nuk’ e liri më atë të bëjë ndonjë ndihmë nde jati tij, a nde mëma e tij.
13 E shkelni fjalën’ e Perndisë për atë porsi tuaj, që ju dhatë; e shumë të tila si këto bëni.
14 E si thirri gjithë turmënë, u thosh ature: Digjoni mua të gjithë, e mpsoni.
15 Ndonjë gjë që është jashtë njeriut, e hin mbë gojë të tij, nukë mund ta pëgëjë njerinë, po ato që dalënë prej sij, ato janë që e pëgëjënë njerinë.
16 Ai që ka veshë për të digjuarë, le të digjojë.
17 E si shkoi nga turma, e erdhi ndë shtëpi, e pietn’ atë mathitit’ e tij për paravoli.
18 E u thot’ ature: Kaqë të pamënd jeni edhe juvet? Nukë kupëtoni se gjith’ ajo që hin te njeriu përjashta, nukë mund ta pëgëjë atë?
19 Sepse nukë hin ndë zëmërë të tij, po ndë bark, e mb’anë të poshtëme del, nga qëronenë gjithë të ngrënatë.
20 E u thoshte, se: Ajo që del nga njeriu, ajo pëgën njerinë.
21 Sepse brëndazi nga zëmër’ e njerëzet, dalënë silloit’ e këqia, mihitë, kurvëritë, e vrejëlatë.
22 Kusëritë, lakëmimetë, dreqëzitë, gënjeshtratë, dëshërimi, zilia, të sharatë, perifania, marrëzia.
23 Gjithë këto të këqia brëndazit dalënë jashtë, e pëgëjënë njerinë.
24 E si u ngre ateje, vate nga sinoret’ e Tirosë e të Sidhonësë. E si hiri brënda ndë një shtëpi, nukë duan ta dijte njeri, po nukë mund të mbetej pa njohurë.
25 Se poqë digjoi për atë një grua, që kish vashëzën’ e saj me Shpirt të pëgërë, erdhi e ra mbë këmbë të tij.
26 (E ajo grua qe Elinidhë nga fili e Sirofiniqet), e i lutej atij, që të nxir të paudhinë nga vashëz’ e saj.
27 Edhe Iisui i tha asaj: Le të ngosenë më përpara djelmtë, se nuk’ është pun’ e mirë të marrë njeriu bukën’ e djelmet, e t’ua hedhë qenet.
28 Edhe ajo u përgjegj, e i tha atij: Vërtet, o Zot, po edhe qentë përposh ndënë sufra hanë nga thrimet’ e djemet.
29 E i tha asaj: Për këtë fjalë hajde, dolli i paudhi nga çupa jote.
30 E si vate ndë shtëpi të saj, gjeti të paudhinë dalë, edhe të bijënë që ishte shtrijturë mbi shtrat.
31 E si u kthie përsëri nga sinoret’ e Tirosë e të Sidhonësë, erdhi ndë Det të Galileësë, tuke shkuarë ndëpërmes të sinorëvet së Dhekapolit.
32 E prunë nde ai një të shurdhërë e të vuvosurë, e i lutejnë atij të vij dorënë mbi të.
33 E si e hoqi atë mbënjanë nga turma, i vuri gjishtërëtë mbë veshë të tij, e si pështijti, zuri gjuhën’ e tij.
34 E si vështroi mbë Qiell, rëkoi, e i tha atij: Effatha, që do të thotë: Hapu.
35 E atë çast ju hapnë atij veshëtë, e ju sgjidh të lidhurit e gjuhësë tij, e flit qëruarë.
36 E i porsiti ata që të mos ja thoshnë ndonjëit, e sa i porsiti ai ata, kaqë më tepër e qiriksnë ata.
37 E kaqë më tepër çuditejnë, e thoshnë: I bëri mirë gjithë punëtë, edhe të shurdhëritë i bën të ndiejënë, edhe vuvëritë të flasënë.