Vrasja e Gjon Pagëzorit
(Mk 6.14-29Lk 9.7-9)
1 Atëherë Herod Tetrarku dëgjoi për Jezuin 2 e u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». 3 Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet, 4 sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua». 5 Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet. 6 Por kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit 7 aq shumë, sa i premtoi me betim t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. 8 Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit». 9 Mbretit i erdhi keq, por, për shkak të betimit dhe të të ftuarve, urdhëroi t'ia jepnin. 10 Ai dërgoi dikë që ia preu kokën Gjonit në burg. 11 Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës. 12 Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mk 6.30-44Lk 9.10-17Gjn 6.1-14)
13 Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. 14 Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre. 15 Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë e tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim». 16 Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë». 17 Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete». 18 Jezui tha: «M'i sillni këtu». 19 Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave. 20 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta. 21 Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve.
Ecja mbi ujë
(Mk 6.45-52Gjn 6.15-21)
22 Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat. 23 Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t'u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm, 24 ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, se era ishte kundër. 25 Në agim , Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen. 26 Por kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika. 27 Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 28 Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë». 29 Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë e shkoi te Jezui, 30 por kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!». 31 Menjëherë, Jezui zgjati dorën, e kapi e i tha: «Përse dyshove, o besimpakët?». 32 Kur hipën në varkë, era pushoi. 33 Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë e i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë».
Shërimi në Gjenesaret
(Mk 6.53-56)
34 Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit. 35 Kur e njohën, njerëzit e atij vendi çuan fjalë në të gjithë krahinën përreth, i sollën të gjithë të sëmurët 36 e iu lutën që të mund t'i preknin vetëm cepin e gunës. Kështu, ata që e prekën, u shëruan.
Krie e katërmbëdhjetëtë
1 Ahiere mb’atë kohë, digjoi Irodhi Tetrahi zën’ e Iisuit.
2 E u tha djelmet së tij: Kij është Ioanni Vaptistiu, ai u ngre nga të vdekuritë, e andaj bënenë tek ai gjithë këto çudi.
3 Se Irodhi e zuri Ioannë, e e lidhi, e e vuri ndë hapsanë për Irodhiadhënë, gruan’ e Filippoit, vëllait së tij.
4 Se i thosh atij Ioanni: Nuk’është ndëjierë tek ti të keç atë.
5 E duaj ta vrit atë, po trëmbej nga bota, se e kishn’ atë posi Profit.
6 E mbë ditë të së lerit së Irodhit, luajti valle vashëza e Irodhiadhësë ndë mes të ture, e i pëlqeu Irodhit shumë.
7 Pra andaj i taksi me be që t’i ip çdo që t’i kërkon.
8 Edhe ajo si e mpsoi mëm’ e saj, i thotë: Amë mua këtu ndë një kupë kriet’ e Ioannit vaptistiut.
9 E mbreti u helmua; po për be që bëri, edhe për ata që rrijnë me të bashkë, porsiti që t’i ipetë.
10 E dërgoi e i preu krietë Ioannit ndë hapsanë.
11 E e prunë kriet’ e tij ndë kupë, e ja dhanë çupësë, e e pruri te ëmm’ e saj.
12 E vanë mathitit’ e tij, e ngrijtinë kurminë, e e kallë ndë varr. E erdhë nde Iisui, e i than’ atë që u bë.
13 Edhe Iisui si digjoi, iku ateje me varkë, e ndënji vetëmë ndë vënd që s’qe njeri, e si digjuanë bota, vanë pas sij mbë këmbë nga qutetetë.
14 E si dolli Iisui pa shumë botë, e i erdhi likshtë për ata, e u shëroi të sëmurët’ e ture.
15 E si u bë natë (u err) ju qasn’ atij mathitit e tij, e i thanë: Vëndi ësht’ erimi, edhe koha është shkuarë, lësho botënë të venë ndëpër fshatëra, e të blejënë të ngrëna për vetëhe të ture.
16 Edhe Iisui u thot’ ature: Nukë duhetë të venë, epuni ju të hanë.
17 Edhe ata i than’ atij: Nukë kemi këtu, përveçmë pesë bukë, edhe di pishq.
18 Edhe Iisui u thotë: Pa bjermëni ato këtu.
19 E si porsiti botënë të rrijnë mbi barëra, e mori të pesë bukëtë, edhe të di pishqetë, e vështoi ndë Qiell e i bekoi, e i theu, e u dha mathitivet bukëtë, e mathitejtë i ndajtinë ndë botë.
20 E hangrë gjithë, e u frinë e ngrijtinë copatë që u tepëruanë, dimbëdhjetë kofina plot.
21 E ata që hangrë qenë burra ngjera pesë mijë, përveçme gravet, edhe djelmet.
22 E atë çast anangasi Iisui mathitit e tij të hijënë ndë varkë, e të presënë atë përteje ngjera sa të lëshojë botënë.
23 E si lëshoi botënë hipi ndë mal vetëmë të bën të falturit’ e tij, e si u err, mbeti vetëmë atje.
24 E varka ishte ahiere ndë mes të detit, e përpiqej nga tallazetë, se qe era kondrë.
25 E ndë të katërtënë pjesë të natësë, vate mb’ata Iisui, tuke ecurë mbi det.
26 E si e panë atë mathitejtë, që ecën mbi det, u frikuanë, e thoshnë, se është fantasi, e nga frika thirrë.
27 E atë çast u foli ature Iisui, e u tha: Kini tharos, unë jam, e mos u trëmbni.
28 E Petrua ju përgjegj atij, e i tha: Zot, ndë je ti, thuajmë që të vij tek tij mbi ujëra.
29 Edhe ai i thotë: Eja. Edhe Petrua zbriti nga varka, e ecën mbi ujëra, të vin nde Iisui.
30 E si pa erënë të fortë, u frikua, e si nisi të mbitej, thirri, e tha: Zot, shpëtomë.
31 E atëherë Iisui ndëri dorënë, e e zuri, e i thotë: Ndë se dhistakse, besëpakë?
32 E si hinë ata ndë varkë, qëndroi era.
33 E ata që qenë ndë varkë, erdhë, e ju falnë, e i thoshnë: Vërtet biri i Perndisë je.
34 E si shkuanë përteje, vanë ndë vënd të Gjenisaretit.
35 E si e njohnë atë burrat’ e atit vëndit, dërguanë rrotullë gjith’ atit vëndit, e prunë nde ai gjith’ ata që ishnë keq e gjëmuarë.
36 E i luteshin’ atij, që të zijnë pëqin’ e rrobësë tij vetëmë e sa që e zunë, u shëruanë.