Mbjellësi
(Mk 4.1-9Lk 8.4-8)1 Po atë ditë Jezui doli nga shtëpia dhe u ul në breg të liqenit . 2 Turma të mëdha u mblodhën pranë tij. Ai hipi në një varkë e u ul, ndërsa e tërë turma qëndronte në breg. 3 Jezui u tregoi shumë gjëra me shëmbëlltyra e u tha: «Një mbjellës doli për të mbjellë. 4 Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. 5 Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, 6 por u vyshkën kur doli dielli e ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Fara të tjera ranë në tokë të mirë e dhanë fryt, disa njëqindfish, disa gjashtëdhjetë e disa tridhjetë. 9 Kush ka veshë, le të dëgjojë».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mk 4.10-12Lk 8.9-10)10 Pastaj erdhën dishepujt e i thanë: «Përse u flet me shëmbëlltyra?». 11 Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre jo. 12 Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do të ketë me tepri, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 13 Atyre u flas me shëmbëlltyra, sepse megjithëse shikojnë, nuk shohin dhe megjithëse dëgjojnë, nuk marrin vesh e as kuptojnë. 14 Te këta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:
do të dëgjoni,
por s'do të kuptoni,
do të shikoni,
por s'do të shihni.
15 Sepse zemra e këtij populli
është mpirë,
veshët e tyre dëgjojnë me vështirësi
dhe sytë i kanë të mbyllur,
që të mos shohin me sy,
të mos dëgjojnë me veshë,
të mos kuptojnë me zemër
dhe që të mos kthehen tek unë
për t'i shëruar.
16 Por lum sytë tuaj, që shohin, e veshët tuaj, që dëgjojnë. 17 Me të vërtetë po ju them se shumë profetë e njerëz të drejtë dëshiruan të shihnin çfarë po shihni ju e nuk panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk dëgjuan».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mk 4.13-20Lk 8.11-15)18 «Ju e dëgjuat shëmbëlltyrën e mbjellësit. 19 Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu e i rrëmben çka është mbjellë në zemrën e tij. Ky është fara që u mboll në rrugë. 20 Ajo që u mboll në gurishtë është ai që e dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë plot gëzim, 21 por nuk ka rrënjë në vetvete dhe është i përkohshëm, kështu që kur vjen mundimi apo përndjekja për shkak të fjalës, bie menjëherë. 22 Ajo që u mboll mes ferrash është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj jete dhe joshja e pasurisë ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. 23 Ajo që u mboll në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën dhe e kupton. Ai jep fryt e prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetë e tjetri tridhjetë».
Egjra dhe gruri
24 Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet, 25 por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua. 26 Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra. 27 Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”. 28 Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku”. Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”. 29 Por ai u tha: “Jo, sepse duke mbledhur egjrën, bashkë me të mund të shkulni edhe grurin. 30 Le të rriten të dyja bashkë deri në të korra dhe kur të vijë koha e të korrave, do t'u them korrësve: korrni më parë egjrën, lidheni në tufëza për t'i djegur, ndërsa grurin mblidheni në grunar”».
Fara e sinapit dhe tharmi
(Mk 4.30-32Lk 13.18-21)31 Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me një farë sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është më e vogla ndër të gjitha farërat, por pasi rritet, është më e madhja ndër barishtet e bëhet pemë, saqë zogjtë e qiellit vijnë e bëjnë fole në degët e saj».
33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi».
Dobia e shëmbëlltyrave
(Mk 4.33-34)34 Jezui ua tha turmave të gjitha këto gjëra me shëmbëlltyra e nuk u fliste pa shëmbëlltyra, 35 që të përmbushet çfarë është thënë përmes profetit:
do të flas me shëmbëlltyra,
do të tregoj çfarë ishte e fshehur
që nga fillimi i botës.
Shpjegimi i shëmbëlltyrës së egjrës
36 Pastaj Jezui i la turmat e shkoi në një shtëpi. Dishepujt erdhën tek ai e i thanë: «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë». 37 Ai u përgjigj: «Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut, 38 ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut. 39 Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt. 40 Ashtu siç mblidhet e digjet me zjarr egjra, kështu do të ndodhë në fundin e botës. 41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që bëhet pengesë e të gjithë ata që bëjnë paudhësi 42 dhe do t'i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh. 43 Pastaj të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë».
Tri shëmbëlltyra
44 «Mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në një arë. Një njeri, pasi e gjeti, e mbuloi dhe plot gëzim shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu atë arë.
45 Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një tregtar që kërkon margaritarë të bukur, 46 i cili, me të gjetur një margaritar të shtrenjtë, shkoi, shiti gjithçka pati dhe e bleu.
47 Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një rrjetë që është hedhur në liqen dhe ka mbledhur peshq të çdo lloji. 48 Kur u mbush plot, e nxorën në breg, u ulën dhe i mblodhën peshqit e mirë në enë dhe të këqijtë i hodhën përjashta. 49 Kështu do të ndodhë në fundin e botës. Engjëjt do të dalin e do të ndajnë të këqijtë nga të drejtët, 50 e do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
Thesaret e reja dhe të vjetra
51 «A i kuptuat të gjitha këto?». Ata iu përgjigjën: «Po ». 52 Atëherë ai u tha: «Prandaj çdo shkrues që është bërë dishepull i mbretërisë së qiejve i ngjan të zotit të shtëpisë, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja e të vjetra».
Profeti dhe vendlindja
(Mk 6.1-6Lk 4.16-30)53 Si mbaroi së treguari këto shëmbëlltyra, Jezui u largua që andej. 54 Kur erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre. Ata mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vjen gjithë kjo urti e kjo fuqi për të bërë mrekulli? 55 A nuk është ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet Mari nëna e tij? A nuk janë vallë Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda vëllezërit e tij? 56 Po motrat e tij a nuk janë të gjitha këtu te ne? Nga i vijnë këtij të gjitha këto?». 57 Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Profeti nuk përçmohet askund përveçse në vendlindjen e në shtëpinë e vet». 58 Aty nuk bëri shumë mrekulli, për shkak të mosbesimit të tyre.
Krie e trembëdhjetëtë
1 Mb’atë ditë ahiere, dolli Iisui nga shtëpia e ndënji pranë detit.
2 E u mbëjuadhë shumë botë pranë sij, kaqë që ai hiri ndë një varkë të rrij, e gjithë bota qëndruanë mbanë detit.
3 E u foli ature shumë me paravolira, e u tha: Ja, që dolli ai që mbiell të mbjellë.
4 E tek mbillëte ai, ca farë ra mbanë udhësë, e erdhë zogjt’ e e hangrë.
5 E tjatër ra mbi vënd që qenë gurë, atje që s’qe shumë bajtë, e atë çast biu, sepse nukë qe dheu i thellë.
6 E poqë dolli (leu) Dielli u dogj, e sepse nukë kish rrënjë u tha.
7 E tjatër ra mbë gjëmba, e si u rritnë gjëmbatë, e mbitnë atë.
8 E tjatër ra mbi dhe të mirë, e ipte fara pjesë, një njëqind, e një gjashtëdhjetë, e një tridhjetë.
9 Kush ka veshë për të digjuarë, le të digjojë.
10 E ju qasnë mathitit’, e i thanë atij: Pse me paravolira u flet ature?
11 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature, se juvet u është dhënë të njihni të fshehurat’ e mbretërisë Qiellvet, e nd’ata nuk’ është dhënë.
12 Sepse kush ka, nde ai do t’ipetë, edhe do të tepëronetë, e kush nukë ka, edhe ajo që ka do të mirretë prej si.
13 Pra andaj me paravolira flas nd’ata, se ndonëqë shohënë, nukë shohënë, e ndonëse digjojënë, nukë digjojënë edhe nukë kupëtojënë.
14 E paguhetë mb’ata profitia e Isaiut, që thotë: Me veshë do të ndieni, e do të mos digjoni, edhe me si do të shihni, e do të mos shihni.
15 Sepse u ntrash zëmëra e këtit llaoit, e me veshë digjuanë rëndë, e sit’ e ture i mbuluanë, të mos shohënë ndonjëherë me si, e të mos digjojënë me zëmërë, e të kthenenë, e u t’i shëroj ata.
16 E juvet lum sitë tuaj, sepse shohënë, edhe veshëtë tuaj sepse digjojënë.
17 Se me të vërteta u thom juvet, që shumë profitër edhe të drejtë dëshëruanë të shihnë këto që shihni juvet, e nuk’ i panë, e të digjoijnë këto që digjoni juvet, e nuk’ i digjuanë.
18 Juvet dha digjoni paravolin’ e mbjellësit (bujkut).
19 Te cilido që digjon fjalën’ e mbretërisë, e nuk’ e vë ndë mënd, vjen djalli, e rrëmben atë që u mbuall ndë zëmërë të tij, këjo ësht’ ajo që u mbuall mbanë udhësë.
20 E ajo që u mbuall mbë gurë, ësht’ ai që digjon fjalënë e e merr shpejt me gëzim.
21 E nukë ka rrënjë ndë vetëhe, po është për pak kohë, e si të bënetë ndonjë shtrëngim a të ndjekurë për fjalë, atëherë skandhalisetë.
22 E ajo farë që u mbuall mbi gjëmba, këjo është ai që digjon fjalënë, po silloitë e kësaj jetet, edhe gënjeshtra e gjërit, e mbitjënë fjalënë, e bënet’ e pavëjierë.
23 E ajo që u mbuall ndë dhe të mirë, ësht’ ai që digjon fjalënë, edhe e vënë ndë mënd; atij dha i prokops fara, e bën një njëqind, e një gjashtëdhjetë, e një tridhjetë.
24 Tjatër paravoli u vu përpara ture, e u tha: Mbretëria e Qiellvet gjan me një njeri që mbill farë të mirë mb’arë të tij.
25 E kohënë që flijnë njerëzit’ e tij, erdhi hazmi tij, e mbolli egjëra ndëpërmes të grurit, e iku.
26 E kur biu bari, e bëri farë, ahiere u duknë edhe egjëratë.
27 E si u qasnë kopijtë te zoti shtëpisë, i than’ atij: Zot, nukë mbolle farë të mirë nd’ara të tua? Nga vallë jan’ ato egjëra?
28 Edhe ai u tha ature: Hazm njeri e bëri këtë. Edhe kopijt’ i thanë atij: Do dha të vemi, t’i mbëjedhëmë ato?
29 Edhe ai u tha: Jo, se mos tuke përmbëjedhurë egjëratë, shkulni edhe grurëtë me to bashkë.
30 Liri të rritenë të dia bashkë, ngjera ndë të korrë, e ndë kohë të së korrit, do t’u thom korrëset: Mbëjidhni më përpara egjëratë, e lidhni dorazë për të djegurë ato, e grurëtë mbëjidhnie mbë ambarë të mia.
31 Tjatër paravoli u vu përpara ature e u tha: Mbretëria e Qiellvet gjan me koqe të sinapit, që e merr njeriu, e e mbjell ndë arë të tij.
32 Ajo është m’e vogëlë nga gjithë farëtë, ma kur të rritetë është m’i madh nga gjithë lakëratë, e bënetë lis, kaqë që të vijënë zogjt’ e Qiellit, e të rrinë ndë dega të tij.
33 Tjatër paravoli u tha ature: Mbretëria e Qiellvet gjan me brumë, që si e merr gruaja e fsheh brënda ndë tre qilla miell, ngjera sa të mbruhetë gjithë.
34 Gjithë këto i thosh Iisui ndë botë me paravolira, e pa paravolira s’u foli ature.
35 Që të paguhej ajo që u tha nga Profiti, që thotë: Do të hap gojënë time me paravolira, e do të nxjer ato që qenë fshehurë që përpara jetësë.
36 Ahiere la botënë Iisui, e vate ndë shtëpi, e vanë edhe mathitit e tij pas si, e i thanë: Thuajna nevet paravolin’ e egjëravet s’arësë.
37 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature: Ai që mbolli farën’ e mirë, është i biri i njeriut.
38 Edhe ara është këjo jetë, e far’ e mirë, janë të bijt’ e mbretërisë, e egjëratë janë të bijtë e së paudhit.
39 E hazmi që mbolli ato është djalli, e të korrëtë është të sosurit’ e jetësë, e korrësitë janë Ëngjejtë.
40 E sikundrë mbëjidhenë egjëratë, e vihenë ndë zjar, e digjenë, ashtu do të jetë ndë të sosurë të kësaj jetet.
41 Do të dërgojë i biri i njeriut Ëngjëjit’ e tij, e do të mbëjedhënë nga mbretëri e tij gjithë skandhaletë, edhe ata që bëjënë paranominë.
42 E do t’i vën’ ata ndë furrë të zjarit. Atje do të jetë të qarëtë, edhe të dredhurit’ e dhëmbëvet.
43 Ahiere të drejtëtë do të llampsinë posi dielli ndë mbretëri të jatit së ture. Ai që ka veshë për të digjuarë, le të digjojë.
44 Pameta mbretëria e Qiellvet gjan me një hazine të fshehurë nd’arë, që si e gjen njeriu, e fsheh, e nga gëzimi i tij vete, e sa ka i shet të gjitha, e blen atë arë.
45 Pameta mbretëria e Qiellvet gjan me një njeri bazërgjan që kërkon margaritare të mira.
46 E si gjeti një margaritar shumë të vëjierë, vate e shiti gjithë sa kish, e e bleu atë.
47 Pameta mbretëria e Qiellvet gjan me një rrjet, që e vënë ndë det e përmbëjedh çdofarë gjërit.
48 Atë kur mbushetë, e nxjerënë mb’anë të detit, e rrinë e nxjerënë të miratë nd’enëra, e të ligatë i shtienë jashtë.
49 Kështu do të jetë ndë të sosurë të jetësë. Do të dalënë Ëngjejtë, e do të ndajënë të këqinjtë nga mes i së drejtëvet.
50 E do t’i vënë ata ndë furrë të zjarit. Atje do të jetë të qarëtë, edhe të dredhurit’ e dhëmbëvet.
51 U thot’ ature Iisui: I kupëtuatë gjithë këto? Edhe ata i than’ atij: I kupëtuam, o Zot.
52 Edhe ai u tha ature: Pra andaj çdo grammatiko që u mpsua ndë mbretëri të Qiellvet, ai gjan me një zot shtëpiet, që nxjer nga hazine e tij të ra, edhe të vjetëra.
53 E u bë kur sosi Iisui këto paravolira, u ngre ateje.
54 E si erdhi ndë patridhë të tij, i dhidhaks ata ndë Sinagoj të ture, saqë çuditeshin’ ata, e thoshnë: Nga u gjëndnë nde kij kaqë sofia, edhe kaqë fuqira?
55 Nuk’ është kij i biri mjeshtrit, nukë quhetë mëm’ e tij Mariam, edhe vëllazërit’ e tij Iakovo edhe Iosi, edhe Simon, edhe Iudhë?
56 E motrat’ e tij nukë janë të gjitha ndë nevet? Nga u gjëndnë vallë gjithë këto te kij?
57 E skandhaliseshinë mbë të. Edhe Iisui u tha ature: Nuk’ është Profit i panderçurë, përveçme ndë vënd të tij, edhe ndë shtëpi të tij.
58 E nukë bëri atje thavmaturgjira (nishane) shumë, për pabesllëkn’ e ture.