Ati ynë
(Mt 6.9-15Mt 7.7-11)
1 Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni i mësoi dishepujt e vet». 2 Ai u tha: «Kur të luteni thoni:
Atë , u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë mbretëria jote !
3 Bukën tonë të përditshme
na e jep çdo ditë
4 e na i fal mëkatet tona,
se edhe ne ua falim detyruesve tanë .
E mos na vër në sprovë ».
5 Pastaj u tha: «E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep tri bukë, 6 se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t'i vënë përpara”. 7 E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. 8 Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t'i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t'i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij.
9 Dhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, 10 sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. 11 A ka ndër ju ndonjë atë që do t'i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? 12 Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t'i jepte një akrep? 13 Nëse ju që jeni të këqij, dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t'ua japë prej qiellit Shpirtin e shenjtë atyre që ia kërkojnë!».
Jezui dhe Beelzebuli
(Mt 12.22-30Mk 3.20-27)
14 Jezui po dëbonte një djall, i cili ishte memec. Kur u dëbua djalli, memeci foli e turmat u mrekulluan. 15 Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».
16 Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një shenjë nga qielli. 17 Por Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës. 18 Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit? 19 Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.
21 Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt. 22 Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën e u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan».
Kthimi i shpirtit të ndyrë
(Mt 12.43-45)
24 «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje e kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola”. 25 Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar. 26 Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».
Lumnia e vërtetë
27 Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!». 28 Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!».
Një shenjë
(Mt 12.38-42Mk 8.12)
29 Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte: «Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait. 30 Sikurse Jonai u bë shenjë për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni. 31 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t'i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni. 32 Njerëzit e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai».
Drita e trupit
(Mt 5.15Mt 6.22-23)
33 «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 34 Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë. 35 Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë. 36 Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».
Mjerë ju
(Mt 23.1-36Mk 12.38-40Lk 20.45-47)
37 Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë. 38 Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante. 39 Atëherë Zoti i tha: «Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi. 40 Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen? 41 Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme e kështu do të keni të pastër gjithçka. 42 Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë e dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. 43 Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe! 44 Mjerë ju, që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».
45 Njëri nga mësuesit e ligjit iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra». 46 Por Jezui i tha: «Mjerë edhe ju, mësues të ligjit, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t'i mbajtur! 47 Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë! 48 Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret. 49 Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t'u dërgoj profetë e apostuj, por ata do t'i vrasin e disa do t'i përndjekin”, 50 që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës, 51 që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarisë, që e vranë mes altarit e shenjtërores. Po, po ju them, se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni. 52 Mjerë ju, mësues të ligjit, se e keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por penguat edhe të tjerët të hyjnë».
53 Kur Jezui doli, shkruesit dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh, 54 duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte.
Krie e njëmbëdhjetëtë
1 E u bë kur ishte ai ndë një vënd e falej, poqë sosi të falëtë, të i thotë një nga mathitit’ e tij: Zot, dëftona navet të falemi, sikundrë u dëftoi edhe Ioanni mathitivet së tij.
2 E u thot’ ature: Kur të faleni thuajni: Babai inë që je ndër Qiell, qoftë lëvduarë ëmëri it, ardhtë mbretëria jote, u bëftë thelima jote, si ndër Qiell, edhe ndë dhe.
3 Bukënë tonë që na mban epna ngaditë navet.
4 E lena navet fajetë tona, sepse edhe navet lëmë cilitdo që na ka nevet; e mos na kallë navet ndë piraksi, po shpëtona navet nga i ligu.
5 E u thot’ ature: Cili nga juvet do të ketë një mik, edhe do të vejë tek ai ndë mes të natësë, e t’i thotë: Mik, huajmë tri bukë.
6 Se një miku im nga udha erdhi tek u, e s’kam se ç’t’i vë atij përpara.
7 E ai do të përgjegjetë brëndazi, e t’i thotë: Mos më ep zahmet se ndashti është porta mbillturë, e djelmt’ e mi kanë rarë me mua bashkë ndë stromë, nukë mund të ngrihem të t’i ap tij.
8 U thom juvet: Edhe ndë mos u ngreftë t’i apë atij, sepse është mik’ i tij, ndonëse, do të ngrihetë t’i apë atij sa i duhetë, sepse ësht’ i paturpçim.
9 Edhe unë u thom juvet: Lipëni, e do t’u ipetë juvet. Kërkoni, e do të gjeni. Çokanisni, e do t’u hapetë juvet.
10 Se cilido që lipën merr. E ai që kërkon gjen. E atij që çokanis, do t’i hapetë.
11 E ndë kërkoftë ndonjë djalë nga tuajtë jatit së tij bukë, mos do t’i apë atij gur? E nd’i kërkoftë pishk, mos do t’i apë atij ndë vënd të pishkut gjarpër?
12 A nd’i kërkoftë ve, mos do t’i apë atij sfurk?
13 E nd’është që juvet ndonëse ini të këqinj, dini të ipni ndë djelm tuaj të dhëna të mira, sa më tepër jati juaj i Qiellit, do të apë Shpirt Shënjt mb’ata që ja kërkojënë atij.
14 E atëherë kish nxjerë një të paudhë, që qe vuvak, e kur dolli i paudhi, foli vuvi, e turmëtë u çuditnë.
15 E ca nga ata thanë: Me fuqi të Verzevulit, të së parit së djajet, i nxjer djajtë.
16 E të tjerë për të piraksurë, kërkoijnë prej si nishan nga Qielli.
17 E ai si u njih llogjismot’ e ture, u thot’ ature: Çdo mbretëri kur të ndahetë mbë shumë pjesë humbet. Edhe çdo shtëpi ndë u ndaftë nga vetiu gremisetë.
18 E nd’është që u nda satanai nga vetëh’ e tij, qish do të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse thoi, që me fuqi të Verzevulit nxjer unë të paudhëtë.
19 E nd’është që unë i nxjer të paudhëtë me fuqi të Verzevulit, bijtë tuaj me ç’fuqi i nxjerënë? Pra andaj ata do të jenë gjukatësitë tuaj.
20 E nd’është që me gjisht të Perndisë nxjer unë të paudhëtë, arriu adha mbretëria e Perndisë mbë juvet.
21 Kur i forti armatosurë ruan shtëpin’ e tij, janë sigurë gjithë plaçkat’ e tij që ka.
22 Ma ndë u ndodhtë të vijë mbi të m’i forti, e ta mundjë atë, i merr armëtë që kish omuthnë mbë to, e ndan pren’ e tij.
23 Ai që s’është me mua, ëshë kondrë mua, e ai që nukë mbëjedh me mua, përhap.
24 Kur të dalë Shpirti i pëgërë nga njeriu, vete ndëpër vënde të thata, e kërkon të prëjturë; e si nukë gjen, thotë: Le të kthenem ndë shtëpi time nga dolla.
25 E si vjen, e gjen të fshirë e të pastruarë.
26 Ahiere vete e merr me vetëhe edhe shtatë të tjera Shpirtëra më të këqinj se vetëhen’ e tij, e hijënë e rrinë atje; e bënenë të pastajmet’ e atij njeriut më të liga se të paratë.
27 E gjau kur u thoshte ai këto, një grua brënda nga turma ngrijti një zë, e i tha atij: Lum barku që të ka mbajturë tij, edhe sisëtë që thithe.
28 Edhe ai tha: Më tepër janë të lumturë ata që digjojënë fjalën’ e Perndisë, e e ruajën’ atë.
29 E kur u mbëjuadhë turmatë, nisi t’u thosh: Këjo fili ësht’ e shtrëmbërë. Nishan kërkon, e nishan do të mos i ipetë asaj, po nishani i profitit Ionait.
30 Se sikundr’ u bë nishan i Ninevitet Ionai, kështu do të jetë edhe i biri i njeriut mbë këtë fili.
31 Mbretëresha e Notisë do të ngrihetë ndë gjuq kondrë njerëzet së kësaj filiet, e do t’i dëmëtojë ata; sepse ajo erdhi nga an’ e dheut, për të digjuarë sofin’ e Sollomoit, e ja këtu është më shumë se Sollomoi.
32 Njerëzit e Ninevisë do të ngrihenë mbë gjuq kondrë kësaj filiet, e do ta dëmëtojënë atë, sepse metanoisnë mbë dhidhahi të Ionait, e ja më shumë se Ionai këtu.
33 E ndonjë kur dhez fotinë nuk’ e vë ndë vënd të fshehurë, as ndënë shinik, po mbi sambdan, që të shohënë dritënë ata që hijënë brënda.
34 Foti e kurmit është siri, e kur të jetë siri it i pastruarë, gjithë kurmi it do të jetë i ndriturë; e kur të jetë i lig, edhe kurmi it do të jetë i errëtë.
35 Vështro dha të mos jetë drita jote skotadh.
36 E ndë qoftë gjithë kurmi it i ndriturë, e të mos ketë ndonjë anë t’errëtë, do të jetë i ndriturë gjithë, posi fotia kur të ndrit tij me dritë të saj.
37 E kur kuvëndonte i lutej atij një Fariseo, që të vij të drekej me të. E si hiri mbë shtëpi, ndënji ndë mësallë.
38 E Fariseua si pa që nuk’ u la përpara bukësë, u çudit.
39 Edhe Zoti i tha atij: Ndashti juvet farisejtë lani të përjashtësmen’ e kupësë e të skuresë, e e brëndësmeja juaj është plot nga të rrëmbiera e djallëzira.
40 Të pamënd, kush bëri të përjashtësmenë, nukë ka bërë ai edhe të brëndësmenë?
41 Ndonëse ipni eleimosin nga ato që u tepërojënë, e pastaj gjithë janë të pastruara për juvet.
42 Po ve mbë juvet farisejtë, se ipni të dhjetën’ e dhjosmosë, e të piganoit, e të gjithë lakëravet, e lini gjuqnë edhe dashurin’ e Perndisë; duhej të bëjëtë këto, edhe ato të mos i lërëtë.
43 Ve mbë juvet farisejtë, se doi vëndn’ e parë ndë sinagoje, edhe t’u përshëndetjënë mb’udhëra.
44 Ve mbë juvet grammatej e farisej me di faqe, sepse ini posi varretë që nukë dukenë, e njerëzitë ecëjënë mbi to, e nuk’ i dinë.
45 E një nga dhaskalët’ e nomit u përgjegj, e i tha atij: Dhaskal, me këto që thua na shan edhe nevet.
46 Edhe ai i thotë: Ve edhe mbë juvet dhaskalët’ e nomit, se ngarkoni njerëzitë barrë që nukë ngrihenë, e juvet këto barrë nukë doi t’i ngisni as me gjisht tuaj.
47 Ve mbë juvet sepse dërtoni varret’ e profitet, e baballarëtë tuaj i vranë ata.
48 Me të vërteta u thom juvet, bëni t’u njohënë bota që veveosni punët’ e baballarëvet suaj, se ata i vranë ata, e juvet u dërtoni varret’ e ture.
49 Pra andaj edhe sofia e Perndisë tha: Do të dërgoj mb’ata profitër edhe Apostollë, e nga ata ca do të vrasënë, e ca do t’i ndjekënë.
50 Që të kërkonetë gjaku i gjithë profitëret, që është derdhurë që ndë të nisurë të jetësë, nga këjo fili.
51 Që nga gjaku i Avelit ngjera mbë gjak të Zaharisë, që u vra ndë mes të thisiastirit e të shtëpisë (Perndisë). Vërtet u thom juvet, do të kërkonetë nga këjo fili.
52 Ve mbë juvet dhaskalët’ e nomit, sepse muartë quçnë e së dijturit, e as juvet nukë hini, edhe mbodhistë ata që hijnë.
53 E kur thoshte ai këto mb’ata, nisnë grammatejtë edhe farisejtë të rrijnë kondrë me shumë fuqi, e ta andrallosnë atë tuke pieturë për shumë punëra.
54 E e përgjoijnë atë, e kërkoijnë të nxirë gjë nga goj’ e tij, që ta kallëzoijnë atë.