Shërimi i të verbrit
1 Ndërsa po ecte, Jezui pa një njeri që kishte lindur i verbër. 2 Dishepujt e pyetën: «Mësues, kush ka mëkatuar që ai ka lindur i verbër, ai vetë apo prindërit e tij?». 3 Jezui u përgjigj: «Nuk kanë mëkatuar as ai e as prindërit e tij, por ka lindur i verbër që në të të shfaqen veprat e Perëndisë. 4 Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. 5 Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës».
6 Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë e ia leu sytë me baltë të verbrit. 7 Pastaj i tha: «Shko e lahu te hurdha e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte.
8 Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur e lypte?». 9 Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam». 10 Atëherë ata e pyetën: «Si t'u hapën sytë?». 11 Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m'i leu sytë e më tha: “Shko te hurdha e Siloamit e lahu!”. Unë shkova, u lava e pashë». 12 Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?». Ai u përgjigj: «Nuk e di».
Farisenjtë hetojnë shërimin
13 Atëherë atë që kishte qenë dikur i verbër e çuan te farisenjtë. 14 Dita që Jezui bëri baltën dhe hapi sytë e të verbrit, kishte qenë e shtunë. 15 Farisenjtë e pyetën përsëri sesi e fitoi dritën e syve. Ai u tha: «Më vuri baltë mbi sy, u lava e tani shoh».
16 Disa nga farisenjtë thoshin: «Ai njeri nuk është nga Perëndia, se nuk e respekton të shtunën». Disa të tjerë thoshin: «Si mund të bëjë shenja të tilla një njeri mëkatar?». Dhe u përçanë mes tyre.
17 Ata e pyetën përsëri të verbrin: «Ti çfarë thua për atë që t'i hapi sytë?». Ai u tha: «Është profet».
18 Derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër e tani shihte. 19 Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?». 20 Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër, 21 por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten». 22 Prindërit e tij i thanë këto, se kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti. 23 Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!».
24 Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». 25 Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh». 26 Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t'i hapi sytë?». 27 Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë e nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?». 28 Ata e fyen e i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut. 29 Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është». 30 Ai u përgjigj: «Është për t'u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë. 31 E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton e që bën vullnetin e tij. 32 Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër. 33 Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë».
34 Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë.
Verbëria shpirtërore
35 Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti e i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?». 36 Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?». 37 Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty». 38 «Besoj, o Zot!», i tha ai e ra në gjunjë para tij.
39 Pastaj Jezui tha: «Unë kam ardhur për të bërë gjyq në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin e të verbohen ata që shohin». 40 Disa nga farisenjtë që ishin me të, kur dëgjuan këto fjalë, i thanë: «A mos jemi edhe ne të verbër?». 41 Jezui u tha: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat, por tani thoni se shihni, prandaj mëkati juaj mbetet».
Krie e nëntëtë
1 E mbë të shkuarë pa një njeri të verbërë, që nga të lerët’ e tij.
2 E e pietn’ atë mathitit’ e tij, e i thanë: Dhaskal, cili fëjeu, kij, a përinjt’ e tij, që të lehetë i verbërë?
3 U përgjegj Iisui: As kij fëjeu, as përinjt’ e tij, po që të çfaqenë punët’ e Perndisë mbë të.
4 Duhetë të bëj unë punët’ e atij që më dërgoi ngjera sa është ditë; vjen natë, kur s’mund të punojë ndonjë.
5 Ngjera sa jam ndë botë, jam drit’ e botësë.
6 E si tha këto, pështijti mbë dhe, e bëri me pështimë lucë, e leu lucënë mbi si të së verbërit.
7 E i thot’ atij: Hajde, lau ndë Kolimvithrë të Silloamit (që domethënë i dërguarë) e si vate e u la, u kthie tuke parë.
8 Andaj gjitontë edhe ata që e kishnë parë atë përpara që ish i verbërë, thoshnë: Nuk’ është kij që rrij e lipën?
9 Ca thoshnë, që kij është; e të tjerë pa, që tjatër që i gjan atij është; ma ai thoshte, se unë jam.
10 E i thon’ atij: Qish t’u hapnë sitë?
11 U përgjegj ai e tha: Një njeri që thuhetë Iisu, bëri lucë e më leu sitë, e më tha: Hajde ndë Kolimvithrë të Silloamit e lau. E vajta, e u laçë, e shoh.
12 Atëherë i than’ atij: Ku ësht’ ai? U thotë: Nukë di.
13 E prun’ atë që qe njëherë i verbërë ndë Farisej.
14 E kur bëri lucënë Iisui e i hapi atij sitë, ish dit’ e Shëtunë.
15 Përsëri pa edhe Farisejtë e pietn’ atë: Me çfarë lloi punë pohtisi dritënë? Edhe ai u thot’ ature: Lucë vuri mbi si të mia, e u laçë, e shoh.
16 Andaj ca nga Farisejtë thoshnë: Kij njeri, që nukë ruan të Shëtunënë, nuk’ është nga Perndia. Të tjerë thoshnë: Qish mund një njeri fajëtuar të bëjë të tila çudira? E qe mb’ata të shqierë.
17 Andaj i thonë përsëri së verbërit: Ti ç’thua për atë, që të hapi sit’ e tua? Edhe ai tha, se: Profit është.
18 Po çifutë nukë besuanë për atë se qe i verbërë e pohtisi dritënë, ngjera sa thirrë përinjt’ e atij që u shërua nga verbëcira.
19 E i pietn’ ata, e u thanë: Kij është biri juaj, që thoi juvet se leu i verbërë? Qish adha sheh ndashti?
20 Ju përgjegjnë ature përinjt’ e tij, e u thanë: Na e dimë që kij është biri inë edhe që leu i verbërë.
21 Ma qish sheh ndashti, nuk’ e dimë, a kush i hapi sitë, na s’e dimë. Ai është burrë, pietni atë, e ai do t’u thotë për vetëhe të tij.
22 Kështu thanë përinjt’ e tij, sepse kishnë frikë nga çifutë, sepse kishnë bërë kuvënd çifutë, që nd’ e njohtë atë njeri për Krisht, ta nxirë nga Sinagoji.
23 Pra andaj thanë përinjt’ e tij, se është burrë, e pietni atë.
24 E thirrë dha për së ditit njerinë atë që qe i verbërë, e i than’ atij: Ep lëvdim Perndisë. Na e dimë që kij njeri është fajëtuar.
25 U përgjegj ai ature, e u thotë: nd’është fajëtuar, nuk’ e di. Këtë di, që jeshë i verbërë, e ndashti shoh.
26 E i than’ atij përsëri: Ç’bëri tek teje? Qish të hapi sit’ e tua?
27 U përgjegj ature: U thaçë më përpara juvet, e nukë digjuatë. Pse doi ta digjoni përsëri? Mos doi të bëneni edhe juvet mathitit’ e tij?
28 Ma ata e shajtinë e i thanë: Ti je mathitiu i tij, e navet jemi mathitej të Moisiut.
29 Na e dimë që me Moisinë kuvëndoi Perndia, ma këtë nuk’ e dimë nga është.
30 U përgjegj njeriu, e u thot’ ature: Këjo është çudia, që juvet s’e diji nga ësht’ ai, e mua më hapi sitë.
31 Ma e dimë që Perndia nukë digjon fajëtorëtë, po kush nderon Perndinë e bën ato që do Perndia, këtij i digjon.
32 Që kur është jeta, nuk’ është digjuarë të thonë, që të ketë hapurë ndonjë sit’ e atij që ka lerë i verbërë.
33 Ndë mos ish kij nga Perndia, nukë mund të bën gjë fare.
34 Ju përgjegjnë, e i than’ atij: Ti u leve i tërë mbuluarë me faje, e ti na dhidhaks nevet? E e nxuarë atë jashtë.
35 Digjoi Iisui që e nxuarë atë jashtë, e si u poq me të, i tha atij: Beson tij mbë të bir’ e Perndisë?
36 Ju përgjegj ai, e i thotë: Cili është, Zot, që të besoj nde ai?
37 I thot’ atij Iisui: Edhe e ke parë atë, edhe ai që kuvëndon me ti, ai vetë është.
38 Edhe ai i tha: Besoj, o Zot, e ra mbë dhe e ju fal.
39 E thot’ Iisui: Unë kam ardhurë ndë këtë dinia të bëj gjuq, që të shohënë ata që nukë shihnë, e ata që shohënë të verbonenë.
40 E digjuanë ca nga Farisejtë, që qenë me të, e i than’ atij: Mos jemi edhe na të verbërë?
41 U thot’ ature Iisui: Të jeshëtë të verbërë, nukë keshëtë faj. Ma ndashti që thoi se shohëmë, mbetetë adha faji juaj.