Lyerja me mirrë
(Mt 26.6-13Mk 14.3-9)
1 Gjashtë ditë përpara Pashkës, Jezui shkoi në Betani, ku jetonte Lazari, të cilin e kishte ngjallur prej të vdekurve. 2 Atje i shtruan darkën. Marta u shërbente, ndërsa Lazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Jezuin. 3 Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë, e ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës. 4 Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha: 5 «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë e t'u jepeshin të varfërve?». 6 Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave e merrte prej saj çfarë hidhej në të. 7 Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim! 8 Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë».
Kërkojnë të vrasin Lazarin
9 Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje e shkuan jo vetëm për të, por edhe të shikonin Lazarin që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve. 10 Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin, 11 sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij e besonin në Jezuin.
Hyrja në Jerusalem
(Mt 21.1-11Mk 11.1-11Lk 19.28-40)
12 Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem, 13 mori degë palmash e i doli para duke thirrur:
«Hosana!
Bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit,
mbreti i Izraelit!».
14 Jezui gjeti një kërriç e hipi në të, siç është shkruar:
15 Mos ki frikë,
o bijë e Sionit!
Ja, mbreti yt po vjen
hipur mbi një kërriç!
16 Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, por kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, siç ishin shkruar.
17 Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të. 18 Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar për këtë shenjë që kishte bërë. 19 Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç'bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!».
Disa helenë kërkojnë Jezuin
20 Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. 21 Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». 22 Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. 23 Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! 24 Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. 25 Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. 26 Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë».
Për kryqëzimin
27 «Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë.
28 O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj». 29 Turma që rrinte e dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll». 30 Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, por për ju. 31 Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote! 32 Kur unë të lartësohem nga toka, do t'i tërheq të gjithë pranë vetes». 33 Këtë e tha për të treguar me ç'vdekje do të vdiste.
34 Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?». 35 Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon. 36 Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës».
Mosbesimi i judenjve
Pasi tha këto, Jezui iku e u fsheh prej tyre. 37 Megjithëse kishte bërë kaq shenja para syve të tyre, ata nuk besonin në të, 38 që të përmbushej fjala e profetit Isai që ka thënë:
Zot, kush i besoi lajmit tonë?
Kujt iu zbulua fuqia e Zotit?
39 Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe:
40 i verboi sytë e tyre
dhe i ngurtësoi zemrat e tyre,
që të mos shohin me sy,
apo të kuptojnë me zemër
që të mos kthehen tek unë
për t'i shëruar.
41 Këto tha Isaia, sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të. 42 Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat. 43 Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë.
Kush na gjykon?
44 Jezui tha me zë të lartë: «Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi. 45 Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi. 46 Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë. 47 Nëse dikush dëgjon fjalët e mia, por nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj, sepse nuk kam ardhur për ta gjykuar botën, por për ta shpëtuar atë. 48 Atë që më hedh poshtë mua e nuk pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit. 49 Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më urdhëroi ç'të them e ç'të flas. 50 Unë e di se urdhërimi i tij është jetë e amshuar. Ato që them, unë i them siç m'i tha Ati».
Krie e dimbëdhjetëtë
1 Iisui dha më përpara gjashtë ditet së pashkësë erdhi ndë Vithani tek qe Llazari vdekurë më parë, që e pat ngjallturë nga varri.
2 E i bënë atij atje gosti, e Martha shërben ndë mësallë, e Llazari qe një nga ata që rrijnë bashkë me të ndë mësallë.
3 E Maria si mori një litrë miro të nxjerë nga Nardho të qëruarë e të shtrëjtë, leu këmbët’ e Iisuit, e ja fshiu këmbët’ e tij me leshëra të saj, e shtëpia u mbush nga mirodhia e mirosë.
4 Thotë dha një nga mathitit’ e tij, Iudha i Simonit Iskarioti, ai që duaj ta paradhos atë.
5 Pse nuk’ u shit këjo miro treqind dhinarë e t’ipejnë ndë të varfërë?
6 E këtë e tha, jo sepse kish silloi për të varfërë, po sepse qe kusar e kish kuletënë, e mban ato që vijnë brënda.
7 Thot’ adha Iisui: Lirie atë. Për ndë ditë të së kallturit sim ndë varr e ruajti ta bëjë këtë.
8 Sepse të varfëritë kurdo me vetëhe tuaj i kini, po mua s’më kini kurdo.
9 E mpsoi dha shumë turmë nga çifutë që ish mb’atë vënd, e erdhë jo për Iisunë vetëmë, po të shihnë edhe Llazarinë që e ngjalli nga të vdekuritë.
10 E të parët’ e priftëret bënë kuvënd të vrisnë edhe Llazarinë.
11 Sepse shumë nga çifutë për të par’ atë vijnë, e besoijnë nde Iisui.
12 Të nesërmenë shumë turmë, që patn’ ardhurë ndë të krëmpte, si digjuanë që vjen Iisui ndë Ierusalim.
13 Muarrë degat’ e hurmavet, e i duallë atij përpara, e thërrisnë: Osana, i bekuarë ai që vjen mbë ëmër të Zotit, mbreti i Israilit.
14 E Iisui si gjeti një Kroç, ndënji mbi të, sikundr’ është shkruarë:
15 Mos u trëmb, o bijë e Sionit. Ja, mbreti it vjen kaluar mbë një kroç të gomaresë.
16 E mathitit’ e tij nuk’ i kupëtuanë këto herën’ e parë, po kur u nderua Iisui, ahere u kujtuanë që ato qenë shkruarë për atë, e këto i bënë atij.
17 E turma që qe me atë martirisnë, që Llazarinë e thirri nga varri, e e ngjalli atë nga të vdekuritë.
18 Pra andaj i dolli përpara atij turma, sepse digjoi që bëri ai këtë thavmë.
19 E farisejtë thanë njeri me jatërinë: Shihni që nukë bëjmë gjë navet fare? Ja bota venë pas atij.
20 E qenë ca Elinë nga ata që kishnë ardhurë të falishnë ndë të krëmpte.
21 Këta dha ju qasnë Filippoit që qe nga Vithsaidhaja e Galileësë, e i lutejn’ atij, e i thoshnë: Zot, duamë të shohëmë Iisunë.
22 Vjen Filippoi, e i thot’ Andhreasë, e pa Andhrea edhe Filippoi i thon’ Iisuit.
23 Edhe Iisui ju përgjegj ature, e u thotë: Erdhi koha që të nderonetë i biri njeriut.
24 Vërtet, vërtet u thom juvet, ndë mos raftë mbë dhe koqia e grurit e të vdesë, ajo vetëmë mbetetë; ma ndë vdektë bën shumë koqe.
25 Ai që do Shpirtin’ e tij, do ta humbasë atë; e ai që urren Shpirtin’ e tij ndë këtë dinia, do ta shpëtoj’ atë për jetë të pasosurë.
26 Kush më shërben mua, le të vijë pas meje; e atje që jam unë, atje do të jetë edhe ai që shërben mua. E kush të më shërbejë mua, do ta nderojë atë babai.
27 Ndashti Shpirti im m’ u drodh. E ç’të thom? O baba, shpëtomë nga kij sahat. Ma andaj arçë ndë këtë sahat.
28 O baba, ndero ëmërinë tënd. Erdhi ahiere zë nga Qielli: Edhe e nderova edhe pagjene do ta nderoj.
29 E turma që rrijn’ atje e që digjuanë, thoshnë se u bë gjëmim. Të tjerë thoshnë: Ëngjëll’ i foli atij.
30 U përgjegj Iisui, e u thotë: Nuk’ u bë për mua kij zë, po për juvet.
31 Ndashti është gjuq i kësaj diniasë. Ndashti arhondi i kësaj diniasë do të hidhetë jashtë.
32 E unë kur të ngrihem lart nga dheu, gjithë do t’i heq pas vetiut.
33 (E këtë e thosh për të shënuarë me çfarë vdekëjë do të vdis).
34 Ju përgjegj atij turma: Navet digjuam nga nomi që Krishti rron jetë pas jetet. E qish thua ti, që duhetë të ngrihetë i biri i njeriut? Cili është kij i biri i njeriut?
35 U thot’ adha ature Iisui: Akoma pakëzë kohë është me juvet drita. Ecëni ngjera sa keni dritë, të mos u zërë juvet erësira. E ai që ecën nd’erësirë, nukë di se ku vete.
36 Ngjera sa kini dritënë, besoni mbë dritë, që të bëneni të bijt’ e dritësë. Këto tha Iisui e vate e u fsheh prej suresh.
37 E ndonëse bëri kaqë thavmëra të mëdha ai përpara ature, nukë besuanë nde ai.
38 Që të paguhetë fjala e profitit Isaiut, që pat thënë: Zot, kush besoi atë që digjoi nga nesh? E mbë cilinë është zbuluarë fuqia e Zotit?
39 Pra andaj nukë mundnë të besoijnë, sepse pameta tha Isaiu:
40 U verboi ature sitë e u gurëcoi zëmërënë, që të mos shohënë me si, e të mos digjojënë me zëmërë, e të kthenenë e t’i shëroj ata.
41 Këto tha Isaiu kur pa nder’ e tij, e foli për të.
42 Ndonëse edhe nga arhondëtë besuanë shumë nde ai, po nga frik’ e farisejet nuk’ e molloisnë, që të mos i nxirë jashtë nga Sinagoji.
43 Sepse deshnë më tepër nder’ e njerëzet, se nder’ e Perndisë.
44 E Iisui thirri më fort, e tha: Ai që beson mbë mua, nukë beson mbë mua, po mb’atë që më dërgoi mua.
45 Edhe ai që sheh mua, sheh atë që më dërgoi mua.
46 Unë arçë dritë ndë dinia, që kush të besojë mbë mua, të mos mbetetë ndë mes t’erësirësë.
47 E cilido që të më digjojë fjalëtë e të mos besojë, unë nuk’ e gjukoj atë, sepse nuk’ arçë për të gjukuarë botënë, po për të sosurë botënë.
48 Ai që shtie poshtë mua e nukë dheks fjalët’ e mia, ka kush ta gjukojë atë. Fjala ime që thaçë, ajo do ta gjukojë atë mbë ditë të pastajme.
49 Se unë prej vetiut nukë thaçë gjë, po babai që më dërgoi mua, ai më porsiti mua ç’të thom, e ç’të kuvëndoj.
50 E e di që porsi e tij është jet’ e pasosurë. Ato adha që thom unë, sikundrë më tha mua babai, ashtu ua thom.